ATV

Blog

  • Përfundon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch”

    Përfundon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch”

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Ka përfunduar dëshmia e Frederick Abrahams, para Gjykatës Speciale në çështjen ‘’Thaçi & të tjerët’’.

    Zyrtari i organizatës ‘’Human Rights Watch’’, u konfrontua nga mbrojtja për raportimet e pakonfirmuara të organizatës rreth ndalimit të dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja.

    Pos pohimit se informacionin e kishin marrë nga mediumi serb ‘’Tanjug’’, Abrahams, para mbrojtjes foli edhe rreth dy takimeve të tij me Thaçin në periudhat 98/99.

    Ndonëse, Thaçi e kishte njoftuar Abrahamsin për krijimin e strukturave civile, sipas mbrojtjes, kështu nuk ishte raportuar nga organizata.

    ‘’Jemi në një situatë që është bërë një gjykim, kur këta persona as nuk ishin ndaluar ende, dhe kjo është bërë nga gjykata ushtarake, sipas njoftimit për shtyp, apo kësaj komunikate tuaj, kjo ka qenë njësi ushtarake. Ndërkohë, Thaçi ju flet juve për strukturat civile dhe se kërkohej kohë që të krijoheshin ato. Për ju, a ishte e qartë para, gjatë apo pas situatës, se askush nuk e kishte të qartë çfarë po ndodhte?’’, tha avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

    “Kemi dy pjesë mohuese, nuk e kisha të qartë, unë po merrja informacione, po botoja materiale që na jepnin, unë nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta. Unë këtë nuk e di, nuk mund të them, tani në dëshminë time që janë’, tha Abrahams.

    Pas pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet shtesë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, lidhur me komunikatën për ndalimin e dy gazetarëve.

    “A është e vërtetë që ju nuk keni pasur asnjë dëshmi të pavarur dhe as nuk gjetët ndonjë dëshmi që vërtetonte ekzistencën e një drejtorie juridike, apo gjykate ushtarake apo prokurorësh ushtarakë, në shtator, tetor, nëntor 1999?
    A mendoni ju se ky është një shembull tjetër, kur UÇK-ja pretendonte se ekzistonin struktura që në fakt nuk ekzistonin në të vërtetë?!”, tha Emmerson.

    “Informacionin e kemi bazuar në atë çfarë na thanë. Por, nuk më kujtohet, edhe mund të ketë qenë kështu”, tha Abrahams.

    Pas përfundimit të dëshmisë së Abrahams, seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së me kodin 3827, i cili u paraqit përmes video-lidhjes.

  • Procesi BRDO Brijuni, liderët dakordohen t’i dyfishojnë përpjekjet për anëtarim në BE

    Procesi BRDO Brijuni, liderët dakordohen t’i dyfishojnë përpjekjet për anëtarim në BE

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas takimeve bilaterale me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja Vjosa Osmani po drejtohet drejt sallës ku do t’i takojë edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Liderët e këtij rajoni u bashkuan në Shkup, në takimin e përvitshëm në kuadër të procesit të Bërdo-Brijunit bashkë me presidentin e Kroacisë, dhe presidenten e Sllovenisë.

    Drejtueseve të këtyre shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presidentja Osmani tha se u bëri të ditur për hapat e suksesshëm që i ka shënuar Kosova drejt integrimit evropian.

    Sipas saj, Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.

    Ndryshe, nga viti i kaluar kur Osmani e presidenti i Serbisë, Vucic, u konfrontuan, në këtë takim Osmani tha se ishte atmosfera ndryshe, duke treguar se fokusi kryesor ishte dakordimi për çështjet e integrimit, politikave rreth ndryshimeve klimatike dhe migrimit.

    Ndërsa, rreth sanksioneve dhe situatës në veri, presidentja tha se nuk zuri shumë vend në agjendën e takimit të përbashkët, por përmendi se në takimin bilateral me Zoran Milanoviq, i kërkoi Kroacisë mbështetje në këtë drejtim.

    Se ky takim kaloi në një atmosferë konstruktive, ndryshe nga ai i vitit të kaluar, e tha edhe nikoqiri i këtij takimi, presidenti maqedonas, dhe ai i Kroacisë, i cili bashkë me të parën e Sllovenisë, dolën në një konferencë për media.

    Ata treguan se u dakorduan që t’i shtojnë përpjekjet e tyre për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, e ndërmarrjen e hapave për të ndalur emigrimin e të rinjve.

    Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, tha se dialogu mes vendeve të rajonit është i rëndësishëm, duke e përmendur edhe Kosovën e Serbinë, si çështje të hapur në këtë rajon.

    Ndërkohë, më butë në deklaratat rreth Kosovës ndryshe nga viti i kaluar, pas samitit është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se diskutimet për Kosovën dhe Serbinë janë lënë për të enjten në Bruksel, kur edhe pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

  • ​Një tërmet me magnitudë 6 ka goditur Indonezinë

    ​Një tërmet me magnitudë 6 ka goditur Indonezinë

    Një tërmet me magnitudë 6 goditi Indonezinë të hënën, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

    Epiqendra e tërmetit ishte 38 kilometra (afërsisht 23 milje) në verilindje të Ternate në ishullin verior të Maluku, në një thellësi prej 162.5 kilometrash (100 milje), sipas USGS.

    Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme materiale.

    Tërmeti erdhi vetëm disa ditë pasi një tërmet me magnitudë 7 goditi Marokun, mijëra kilometra larg në Afrikën e Veriut, në jugperëndim të qytetit të Marrakech, ku la të vdekur rreth 2,500 persona. (AA)

  • Rrëfimi drithërues i burrit nga Kosova, tregon si i vdiq gruaja nga pakujdesia e mjekëve në Shqipëri

    Rrëfimi drithërues i burrit nga Kosova, tregon si i vdiq gruaja nga pakujdesia e mjekëve në Shqipëri

    39-vjeçari nga Kosova, Fisnik Habibi, në emisionin STUDIO A në ATV, ka rrëfyer tragjedinë e të rëndë që i ka ndodhur në jetën e tij.

    Ai aktualisht gjendet në Milano derisa shkuarja e tij atje ishte prej zorit. Gruaja e tij, e cila po sillte në jetë fëmijën e tretë, u operua nga mjekët në Berat të Shqipërisë.

    Operim i cili kaloi me vështirësi dhe mundime, derisa gjendja e gruas pas lindjes vetëm sa shkonte keqësohej. Kështu ata u detyruan të nisen për në Itali, me shpresë që Miljeta Sadushi do të gjente shërim, por për fat të keq ajo nuk arriti të mbijetojë. Miljeta vdiq duke lënë pas bashkëshortin me tre fëmijë të vegjël në shtëpi.

    Fisniku, në një lidhje të drejtpërdrejt në STUDIO A, ka rrëfyer se doktorët nuk ishin transparent dhe se çdo gjë dukej disi e fshehur në raport me shëndetin e bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerë.

    “Po na duhet të jemi të fortë për këta tre fëmijë që më la, po për mua, mundimi më i madh është se e çova tamam me shëndetin e mirë, çdo vizitë e ka ba mirë deri në ditën që i erdhi koha e lindjes. Pas lindjes nuk ishte mirë në asnjë minutë me dhimbje, me gjëra. Doktorët filluan që ‘jo se është operim, edhe disa kalojnë dhimbje, jo sot, jo nesër’. U bënë dhjetë ditë, erdhi puna që iu keqësua gjendja, pastaj më thotë doktoresha që duhet operuar edhe një herë. Pastaj nga gjinekologët, filloi puna me ardhë te kirurgu. Në ato momente u operu për herën e dytë se unë premtuam që nuk ka naj diçka të madhe dhe do të rregullohet, edhe me besim të ta, ndërhynë me operimin e dytë. Pas operimit të dytë e pamë që nuk ka përmirësim. Doktoresha vajti me pushime në Amerikë, ma la gruan aty, me gjasë të kalojë te doktorët tjerë në përgjithësi”, tha Fisniku. /atvlive.tv

    Rrëfimin e tij të plotë e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi nga Shkupi ku mori pjesë në Samitin e Brdo-Brionit se “nuk e di nëse do të jetë e vështirë” në takimin e së enjtes në Bruksel ku pritet të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

    Ish-ministri i Millosheviqit deklaroi se asnjëherë nuk është lehtë në të tilla takime pasi edhe Brukseli e mbështet pavarësinë e Kosovës.

    “Nuk e di se a do të jetë e vështirë, kjo është gjithçka që mund t’ju them sepse nuk është se ka qenë e lehtë, prandaj po flasim me Albin Kurtin, sepse po flasim me përfaqësuesit e Brukselit, të cilët e dini se çfarëdo që të thonë ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës në një mënyrë apo tjetër, kështu që për ne është gjithmonë e vështirë, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq para gazetarëve.

    Në lidhje me takimin e sotëm në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani, ai tha se “ka qenë ditë e qetë” pasi janë dakorduar që çështjet me Republikën e Kosovës t’i diskutojnë në Bruksel.

    Sot patëm një takim në kuadër të nismës Brdo-Brioni, falënderues për mikpritjen e miqve tanë maqedonas dhe presidentit Pendarovski, si dhe zonjës Pirc Musar, presidentes të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq, të cilët po përpiqen të bëjnë më të mirën për të gjetur një emërues të përbashkët, folëm për të ardhmen evropiane për disa është entuziazmi më i madh e për disa është më pak, gjithsesi mendoj se sot ishte një diskutim shumë i drejtë dhe konstruktiv, nuk pati debate dhe grindje të mëdha, pasi Prishtina dhe problemet tona i lamë për të enjten dhe me Brukselin, ndaj sot folëm më shumë për vetë rajonin dhe Ballkanin perëndimor drejt Bashkimit Evropian se për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.

    Në samitin e Brdo-Brionit Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

  • Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    I dyshuar B.G. aksidentalisht e ka shkaktuar një zjarr në rrugën “Sali Çeku”, përkatësisht në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj.

    Në njoftimin e policisë thuhet se është njoftuar Brigada e Zjarrëfikësve në Ferizaj, të cilët kanë dalë në vendin e incidentit dhe e kanë shuar zjarrin nga disa barishte.

    “Më herët patrulla policore kishte vërejtur një person, i cili kishte ndezur qirinjtë në tokë dhe nga aty zjarri ishte zgjeruar. Hetuesit policor të stacionit në Ferizaj i kanë marr veprimet e nevojshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin B.G, mashkull, shtetas i Serbisë, i moshës 78 vjeçare, i cili siç ka deklaruar, aksidentalisht gjatë ritualit në varrezat ortodokse serbe ka ndezur qirinjtë dhe për pasojë është shkaktuar zjarri, ndërsa nuk janë shkaktuar dëme tjera materiale”.

    “I dyshuari është intervistuar nga policët hetues dhe sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit është iniciuar Shënim Zyrtar dhe i njëjti është liruar”, thuhet në njoftim.

  • ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është shprehur optimist se objektivi strategjik për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të bëhet realitet. Pas takimit me liderët e shteteve në kuadër të Procesit Bërdo Brujini, Begaj tha se ky takim vjen në një moment të rëndësishëm.

    Duke përmendur situatën gjeopolitike të lidhur me agresionin rus në Ukrainë, Begaj tha se të qenurit bashkë për të diskutuar sfidat të cilat duhet t’i përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme.

    “Ky takim i sotëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë nga situata gjeopolitike e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë, dhe natyrisht të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjta në të gjitha vendete Ballkanit Perëndimor, dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e itnegrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor kishte të bënte me disa çështje sensitive për popujt tanë qe janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike. Unë i përkas atij brezi që jam optimist dhe objektivi strategjik i te qenurit anëtar i BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhet realitet”, ka thënë Begaj para gazetarëve.

    Në fund të takimit që u mbajt me dyer të mbyllura, krerët e shteteve të Procesit Brdo-Brijuni miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të migrimit të të rinjve nga vendet e rajonit./KP

  • Komandanti i Koshares komenton tatuazhin e Mirlind Dakut, ka një mesazh për të rinjtë

    Komandanti i Koshares komenton tatuazhin e Mirlind Dakut, ka një mesazh për të rinjtë

    Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ‘A LIVE’ në ATV, ka komentuar tatuazhin e futbollistit Mirlind Daku, të cilin ky i fundit e ka bërë në shpinën e tij ku shkruan “KATANA” që është nofka e komandantit Agim Ramadani, numrin 138 dhe këmbën të vendosur mbi gur, simboli që thyerjes së kufirit që ndau shqiptarët për rreth 100 vjet.

    Berisha tha se çdo hero që bëhet idol i të rinjve, tregon se liria ka me u trashëgu nëpër breza dhe kjo është e mirë shumë e madhe.

    “Fakti që të rinjtë i vlerësojnë heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të thotë që e vlerësojnë edhe lirinë. Prandaj, çdo hero që bëhet idol i të rinjve, tregon se liria ka me u trashëgu nëpër breza dhe kjo është e mirë shumë e madhe. Unë mendoj se kjo duhet të jetë pjesë edhe e edukimit dhe arsimimit të nxënësve tanë, të rinjve tanë mbi vlerat dhe sistemin e vlerave që duhet ta ketë shteti dhe kombi i ynë, e cila deri sot nuk i ka, prandaj edhe kemi këtë dis-harmoninë shoqërore, nuk dihet kush qëndron, çfarë piedestali. Pra, një komb, një shtet që nuk ka sistem të vlerave nacionale të kodifikuara, pastaj ka edhe të papritura ku nuk dihet kush qëndron ku, prandaj ndodhin edhe fyerje, rrënimi i tyre dhe kjo nënkupton dhe rrënimin e identitetit të asaj që je vetvetja”, tha Berisha. /atvlive.tv

  • Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim deputetin Michael Roth, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

    Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për angazhimin dhe qëndrimet e tij parimore karshi zhvillimeve aktuale në rajonin tonë, si dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

    Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Kryetari i Kuvendit po ashtu theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë.

    Ndërsa deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.

  • FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nderuar viktimat e sulmit të 11 shtatorit, që kanë ndodhur 22 vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas njoftimit, “sot në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u rreshtuan ushtarë, nënoficerë e oficerë të Kosovës duke lëshuar flamujt në gjysmë shtizë, për të qenë më afër familjeve e popullit amerikan siç ishin ata me ne në kohët më të vështira”.