ATV

Blog

  • Ukrainasit i detyrojnë rusët të tërhiqen nga pozicionet e tyre

    Ukrainasit i detyrojnë rusët të tërhiqen nga pozicionet e tyre

    Gjatë ditës së kaluar, 24 përleshje luftarake u zhvilluan në frontet në Ukrainë ndërsa ushtria ukrainase pati sukses në rajonin e Zaporozhzhia dhe Donetsk.

    Forcat e Armatosura të Ukrainës raportuan përparim në zonat Verbovoy dhe Novoprokopivka të rajonit të Zaporizhzhia, si dhe në distriktin Klishchiivka, i cili ndodhet jo shumë larg Bakhmutit në rajonin e Donetsk.

    Ofensiva vazhdon në drejtim të Melitopolit, ku dje ukrainasit u shkaktuan rusëve humbje të konsiderueshme në fuqi punëtore dhe pajisje ndërsa i detyruan të tërhiqen nga pozicionet e pushtuara. Në Bakhmut u regjistrua përparimi i ukrainasve dhe operacionet e pasuksesshme të rusëve.

    Përleshjet luftarake u zhvilluan gjithashtu në drejtim të Kherson, Maryink në Donetsk, Avdiiv, Marin dhe Shakhtyor dhe në dy vende në rajonin e Belgorodit.

    Në Maryink në Donetsk dhe Siverskyi dhe Slobozhanskyi në rajonin e Belgorodit, situata është disi më e tensionuar, duke marrë parasysh forcat e mëdha ruse në atë zonë. Ndërsa në drejtimet e mbetura ku po zhvillohen konfliktet, ukrainasit mbajnë iniciativën, sulmojnë pushtuesit dhe kthejnë territorin. Veprimet e tyre synojnë ndjeshëm shkatërrimin e depove dhe furnizimeve të ushtrisë ruse.

    Rusët gjithashtu kryen granatime në të gjithë Ukrainën dje, gjatë të cilave 59 sulme ajrore dhe 36 raketa u lëshuan nga raketahedhës të shumtë. Ukrainasit theksojnë se janë sulmuar si pozicionet e Ukrainës ashtu edhe objektet civile.

    Sulmi ajror rus goditi vendbanimet në rajonet Chernihiv, Kharkiv, Luhansk, Donetsk dhe Zaporozhzhia dhe më shumë se 100 vendbanime u vunë nën zjarr artilerie.

    Forcat e armatosura ukrainase njoftuan humbjet ruse që nga dje duke deklaruar se kanë shkatërruar katër tanke, 10 automjete të blinduara luftarake, 16 sisteme artilerie, 24 drone. Dje u vranë 350 ushtarë, ndërsa numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të vrarë llogaritet në 271.790.

  • Aksident në Rrugën e Kombit, humb jetën efektivi i policisë së Mirditës

    Aksident në Rrugën e Kombit, humb jetën efektivi i policisë së Mirditës

    Një aksident ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në Rrugën e Kombit në afërsi të Rubikut.

    Rreth orës 07:20, në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, automjeti tip “Chevrolet” me drejtues shtetasin malazez M. F., është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin G. L. 56 vjeç, (efektiv policie pranë Komisariatit të Policisë Mirditë i cili sapo kishte lënë shërbimin dhe po kthehej në banesë).

    Si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën punonjësi i policisë shtetasi G. L.

    Ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër shtetasi M.F., ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

    Paraprakisht, dyshohet se shkaku i aksidentit rrugor ka qenë parakalimi i gabuar në shkelje të rregullave të qarkullimit i automjetit tip “Chevrolet” që drejtohej nga shtetasi M.F.

    Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. /euronews/

  • Protestojnë veteranët, ​hedhin telefonat në oborrin e EULEX-it

    Protestojnë veteranët, ​hedhin telefonat në oborrin e EULEX-it

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Minutat po kalonin, derisa Faton Klinaku qëndronte vetëm disa metra larg objektit të misionit EULEX, në pritje të bashkëluftëtarëve që i kishte thirrur për të protestuar, ndaj këtij institucioni dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Pak para orës 12:00, veteranët edhe u mblodhën duke iu përgjigjur ftesës së ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, për t’i kundërshtuar bastisjet e kontrollimet e telefonave të ish-ushtarëve. Ndërkohë, Policia qysh më herët ishte mobilizuar.

    Në protestë, u panë edhe anëtarë të Partisë Social Demokrate, të cilët veç tjerash sollën edhe një qese plot me telefona, që më vonë do t’iu shërbenin.

    “ZPS-ja në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdon me filmat e saj. Kjo gjë kështu siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë, sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Kërkojmë që shteti të merret seriozisht me këtë dhe të mos lejojë që personat civilë, qofshin të ZPS-së apo EULEX-it, pa Policinë e Kosovës, të na hyjnë në shtëpi, sepse përndryshe do të ketë reagime të vazhdueshme të qytetarëve”, tha Klinaku.

    Pas kësaj deklarate erdhi momenti i përdorimit të telefonave…

    Për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, aksionet e ZPS-së në kohën kur në pushtet është Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë të rastësishme.

    “Nuk është e rastësishme, kjo nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializuara për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje dhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dala nga lufta. Ky është një koordinim i dyanshëm i dëmshëm dhe i rrezikshëm për atë që ne e quajmë vlerën sublime të shteti të Kosovës, që është UÇK-ja”, tha Molliqaj.

    Veprimet e zyrtarëve të ZPS-së, veteranët i krahasuan me ato të ish-regjimit.

    “Janë duke bërë më keq se ish-regjimi. Me maska të hyjnë nëpër shtëpi për të marrë dokumentacione e telefona…”, tha Afrim Sogojeva, ish-luftëtar i Brigadës 114.

    Sipas një ish-luftëtari të Brigadës 112, këto kontrolle shumë më lehtë do t’i pranonin nga Policia e Kosovës.

    “Ne jemi çlirimtarë, e jo kriminelë… nuk ka nevojë me na i marrë telefonat në tavolinë… Por, më mirë është që me na kontrollu policia jonë, se këta të EULEX-it…”, tha Muhadin Demaj, ish-luftetar i Brigarës 112.

    Duke filluar nga e marta, zyrtarët e Zyrës së Prokurorit Special bastisën banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, shtëpinë e ish-luftëtarit Behar Berisha, i intervistuan dhe ua kontrolluan telefonat Rrustem Mustafës, Nait Hasanit dhe vëllait të Salih Mustafës.

  • Publikohet propozimi që BE-ja thotë se Vuçiq e pranoi dhe Kurti e refuzoi

    Publikohet propozimi që BE-ja thotë se Vuçiq e pranoi dhe Kurti e refuzoi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Bashkimi Evropian ka mohuar pretendimet e kryeministrit Albin Kurti se vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Madje, propozimi që sipas BE-së është refuzuar nga pala kosovare, teksa është pranuar nga ajo serbe, tashmë është publik.

    Zbatimi i planit të Bashkimit Evropian, sipas këtij propozimi, do të niste me Hapjen e negociatave për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë, që nënkupton Asociacionin e Komunave. Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte në përdorimin e fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

    Pas përmbylljes se negociatave për Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit, hapi i radhës, parasheh që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe të përmbahen nga çdo formë e dhunës.

    Sipas BE-së, më vendosjen e mekanizmave të vetëmenaxhimit për serbët, ndërpriten strukturat e administruara nga duke u transformuar në instrumentet e vetëmenaxhimit. Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.

    Hapi tjetër i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e kaluara.

    Formalizmi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë” do ta përbënte veprimin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

    Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e neneve të marrëveshjes. Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.
    Si veprim i fundit, parashihen negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

    Kurse, udhërrëfyesi i sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, për dallim nga ai i Bashkimit Evropian, nis me Deklaratën për të Zhdukurit.

    Në dy pikat e tjera behet fjalë për prezantimin e draftstatutit të Ekipit Menaxhues dhe atë të ndërmjetësit. Kryeministri ka propozuar që Josep Borrell, t’i ndajë Marrëveshjet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së ku të dyja palët janë pajtuar me parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

    Njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat, vulat doganore janë në pikën e radhës së propozuar nga Kurti.

    Themelimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës, në ketë propozim, është listuar si veprimi i katërmbëdhjetë.

  • Vetem me flamuj në veri u shënua Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit serb

    Vetem me flamuj në veri u shënua Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit serb

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në katër komunat veriore mbushen rrugët e sheshet me flamuj serbë, më shumë se zakonisht. Në këtë mënyrë qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan Leposaviq e Zubin-Potok shënuan Ditën e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Serb.

    Megjithatë, vetëm flamujt ishin tregues se këto komuna kanë festë.

    “Të jem i sinqertë, nuk e kam parë dikë që ka dalë ta festojë. Por fakti është se duhet ta festojnë. Prej pikëpamjeve legale kanë të drejtë ta bëjmë. Tani, ne mund të flasim nga pikëpamjet e tjera, a është e nevojshme apo jo, por ata sërish kanë të drejtë ta festojnë këtë ditë”, tha Srdjan Simonoviq, aktivist në Mitrovicë të Veriut.

    Dita e Unitetit serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar, siç quhet me emër të plotë, është festë që kremtohet vetëm nga viti 2020 në Serbi dhe në Republikën Srpska, në shenjë përkujtimi të 15 shtatorit të vitit 1918, kur gjatë Luftës së Parë Botërore u shpërbë Fronti i Selanikut, gjë e cila mundësoi më pas krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

    Megjithatë, kjo datë në kalendarin e festave zyrtare të Serbisë nuk ekziston dhe asnjëherë nuk është votuar në Kuvend.

    Duke marrë parasysh pozitën e palakueshme të serbëve në veri, opinionisti Branisllav Kerstiq, thotë se nuk ka fare arsye që kjo festë të shënohet.

    “Ne në veri jemi viktima të atij mafiozit që është në Beograd dhe nacionalistit që është në Prishtinë. S’kemi as liri, as flamurin. Për mua dhe familjen time, unë nuk e regjistroj. Festohet vetëm liria dhe paqja, këto shenja tjera nuk kemi pse”, tha Kerstiq.

    Dita e Unitetit serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në jug të Ibrit.

  • Nënshkruhet marrëveshje mes Kosovës dhe USAID-it afro 35 milionë dollarë

    Nënshkruhet marrëveshje mes Kosovës dhe USAID-it afro 35 milionë dollarë

    Përgatiti: Krenare Mullqi

    Përmes një ceremonie e në prani të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është nënshkruar marrëveshja me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, në vlerë 34.7 milionë dollarë.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani tha se kjo dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën.

    Ndërkaq, ambasadori Hovenier tha se kjo marrëveshje konfirmon partneritetin afatgjatë të SHBA-së me popullin e Kosovës.

    “Ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomik dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe të zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha Hovenier.

    Sipas ambasadorit, ndihma e SHBA-së ndaj Kosovës ishte e vazhdueshme, derisa nga viti 1999, ShBA-ja ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID-i në Kosovë.

  • Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi Ditën e Demokracisë dhe hapi dyert

    Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi Ditën e Demokracisë dhe hapi dyert

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi ditën e demokracisë dhe hapi dyert për vizitorë.

    Kryetari Glauk Konjufca konsideroi se transparenca është një prej elementeve thelbësore për qeverisje demokratike.

    “Po e shënojmë bashkërisht këtë ditë të rëndësishme, e cila na e rikujton edhe një herë rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes, por edhe sfidat që e rrezikojnë shëndetin e demokracisë, por edhe që e kanë tendencën për ta minuar atë. Gëzohem, po ashtu, që kjo ditë ndërkombëtare e demokracisë po shënohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe kësaj radhe, ajo shënohet me aktivitete të shumta edhe së bashku me grupet e ndryshme shoqërore, aktivitete këto që po e promovojnë hapjen e institucionit të Kuvendit të Kosovës ndaj publikut. Ky është edhe qëllimi i festimit të kësaj dite. Këtë ditë, sivjet po e shënojmë edhe me një lajm të mirë që e morëm para pak ditësh, që është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në partneritetin për qeverisje të hapur”, tha Konjufca.

    Kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu, tha se Kosova ka shënuar progres të madh në këtë fushë.

    “Shënimi i kësaj dite është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse reflektojmë mbi progresin dhe sfidat që i kemi kaluar ne si vend dhe sigurisht mbi ato që po kalojmë për të arritur progresin e dëshiruar. Sot, teksa po e shënojmë këtë ditë na gëzon fakti se progresi që ka shënuar Kosova në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. U radhitëm vetëm të tretit në botë sa i përket të qenit demokratik nga raportet e nxjerra nga Freedom House, çfarë na bën pra shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe përtej kësaj. Ky progres është arritur, sepse në gjithë këtë proces ka pasur përfshirje të qytetarëve, përfshirje të shoqërisë civile në të gjitha proceset vendimmarrëse, për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”, tha Kryeziu.

    Edhe nga opozita vlerësuan se Kosova qëndron mirë në formimin e institucioneve të pavarura e demokratike.

    “Pa dyshim që Kosova përbën një shembull të mirë të rrugëtimit të saj për të ndërtuar institucione të pavarura dhe demokratike. Dhe për këtë duhet një falënderim i madh për përpjekjet shumëvjeçare, që janë bërë për të konsoliduar shtetin e Kosovës dhe për të bërë që parimi i gjithë përfshirjes i gjeneratave të reja, i pjesëmarrësve aktivë, i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës të jetë gur themeli në ndërtimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, përkundër një përpjekje të gjatë që është bërë, forumi ka bërë një punë të mirë dhe natyrisht është një vlerësim i përgjithshëm që forumi për Transparencë Parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës, bashkë me organizatat e shoqërisë civile, me akterë të tjerë, me staf të Kuvendit të Kosovës, është përpjekur që këtë institucion ta bëjë sa më të hapur dhe me të qasshëm për qytetarët dhe të gjitha kategoritë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    15 shtatori u përcaktua nga Kombet e Bashkuara si ditë e shënimit të progresit shoqëror dhe vlerat që përfaqësojnë sistemin demokratik të qeverisjes. Motoja e sivjetme e ishte Fuqizimi i Gjeneratave të reja.

  • Keqpërdorimet me rezerva shtetërore, javën tjetër në Kuvend votohet për anëtar të komisionit hetimor

    Keqpërdorimet me rezerva shtetërore, javën tjetër në Kuvend votohet për anëtar të komisionit hetimor

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përveç Prokurorisë Speciale, e cila ka filluar të trajtojë rastin për keqpërdorime në furnizim me rezervat shtetërore, hetime pritet të bëjë edhe një komision parlamentar.

    Në seancën e 21 shtatorit pritet të votohet për 11 anëtarët e këtij komisioni pas inicimit të Lidhjes Demokratike e Kosovës.

    Komisionin Parlamentar pritet t’i hetojë procedurat e furnizimit dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni.

    Themelimin i këtij komisioni e përkrah edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Prokuroria Speciale muajin e shkuar arrestoi dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmen nën dyshime për ‘’Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

  • Banorët që jetojnë në “Lagjen e Re” në Podujevë, nuk kanë rrymë tash e tri javë

    Banorët që jetojnë në “Lagjen e Re” në Podujevë, nuk kanë rrymë tash e tri javë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e tri javë, Musa Havolli po jeton në “lagjen e re”, në komunën e Podujevës, e të vetmen mënyrë për të përgatitur ushqimin e ka me këtë bombol gazi. Përveç kësaj edhe për nevojat e tjera detyrohen të gjejnë alternativa.

    Në këtë lagje e cila u ndërtua nga një projekt i përbashkët mes fondacionit “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe komunës së Podujevës, asnjë nga 22 shtëpitë e reja nuk u kyçën në rrjetin e energjisë elektrike.

    “Nuk kemi rrymë, jeta u bë e vështirë. Tanë kohën po përdorim këtë plin me përgatit bukë, edhe qe frigoriferin thatë, s’po guxojna me ble send se po prishen”, tha Havolli.

    “Shumë e vështirë pasha Zotin, s’po di çka me bo, është bërë zor me jetu, neve u çun krejt shqiptaria na ndërtun shpinë e keds-i s’po na bën një zgjidhje për trafo”, tha Bahri Zeqiri, banor i lagjes.

    Meqenëse në këtë projekt është e përfshirë edhe komuna e Podujevës, ATV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të saj.

    Përmes telefonit ata thanë se faji është te KEDS-i, që, sipas tyre, nuk po e bën kyçjen e njësive. Ndërkaq, KEDS-i thotë ndryshe.

    Sipas tij, faji është tek investitori, meqë ai nuk ka ndarë mjete edhe për trafostacion.

  • ​Ashton kërkon përparim në dialog, Duhet normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi

    ​Ashton kërkon përparim në dialog, Duhet normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ishte përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, në kohën kur Kosova dhe Serbia nisën procesin me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

    Një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb, që përfundoi pa ndonjë rezultat, ish-ndërmjetësuesja në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, Catherine Ashton, theksoi se progresi nuk do të jetë i lehtë, teksa ofroi mbështetjen e saj.

    “Unë mbes e angazhuar në dialog dhe nëse mund të bëj diçka në mbështetje të dialogut, qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, që ata të ecin përpara, do ta bëja, nëse dikush më fton. Kryeministri Kurti e tha dje se nuk jemi në kohën e Ashtonit, Thaçit dhe Daçiqit dhe ka të drejtë për këtë. Unë do të isha e lumtur të ndihmoja, por jam e vetëdijshme se duhet lidership”, tha Ashton.

    Në konferencën me titull “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, që u organizua nga Grupi për Ballkan, ajo foli edhe për emisarin Miroslav Lajçak, për të cilin kryeministri Albin Kurti tha se po i mbështet qëndrimet e Serbisë.

    “Lajçaku ka punuar për mua dhe me mua për shumë vjet dhe është person që e do suksesin e Kosovës”, tha Ashton.

    Kurse, ish-i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, tha se fillimisht prania amerikane nuk ka qenë e mirëseardhur. Diplomati amerikan shtoi se palët nuk duhet të ngelin në krizat e panevojshme.

    “Një dekadë më vonë BE-ja dhe SHBA-ja janë të përkushtuara të ndihmojnë njerëzit e këtij rajoni, të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se duhet të kthehemi mbrapa dhe të shohim se çfarë është arritur dhe jo të ngelim në krizat e krijuara, të panevojshme. Mos u fokusoni në atë se çfarë ka ndodhur më parë, çfarë ata kanë bërë, fokusohuni në atë që ju do të bëni”, tha Reeker.

    Nën ndërmjetësimin e Catherine Ashton, Kosova dhe Serbia e kanë arritur marrëveshjen e parë në kuadër të dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, në të cilën përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

    Baronesha Ashton po qëndron në Prishtinë për promovimin e librit të saj “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XXI”, ku flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, i filluar në vitin 2011.