ATV

Blog

  • Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për kyçjet e reja që janë bërë sivjet në sistem të ngrohjes të Termokos, derisa ka thënë se janë bërë përgatitjet që gjithçka të fillojë si duhet në tetor.

    Rama ka bërë me dije se gjatë këtyre muajve, kanë kyçur në sistem të ngrohjes 40 mijë qytetarë në 8 mijë e 900 njësi të reja banimi. Poashtu ka thënë se kanë zgjeruar dhe rehabilituar rrjetin në tetë lagje të kryeqytetit.

    “Gjatë këtyre muajve kemi kyçur 40.000 qytetarë në 8900 njësi të reja banimi. Kemi zgjeruar, rehabilituar dhe densifikuar rrjetin në 8 lagje të Kryeqytetit. Mati 1, Arbëri, Dodona, Ulpianë, Qendër, Dardani, Bregu i Diellit, Qafa. Përgatitjet janë bërë që gjithçka të fillojë si duhet në Tetor. Kyçjet e reja do të kontribuojnë në kursim të energjisë dhe ruajtjes së ambientit në mënyrë që të kemi një Prishtinë sa më të gjelbër”, ka shkruar Rama.

  • Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar proceset zgjedhore nëpër degë të LDK-së.

    Ai ka thënë se struktura e LDK-së në Prishtinë, po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

    Postimi:

    Të faleminderit Prishtinë – për pjesëmarrje impresive nëpër çdo nëndegë. Përveçse mbështetje po na jepni dhe shpresë.

    Këtë vikend vazhduam me 4 Kuvende të tjera. Si në lagje të reja, sikurse Prishtina e Re III, ashtu dhe në fshatra të Kryeqytetit – Shkabaj, Mramor e Keçekollë – pjesëmarrja qytetare është shenjë konfirmuese për ‘Rrugën e Re’.

    Do të vazhdojmë kështu – dhe më shumë. E ardhmja është e ndritshme. Struktura e Lidhjes në Kryeqytet po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

  • ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Në tregun e Kosovës një litër naftë ka arritur deri në 1.56 euro ose 10 centë më shumë se një javë më parë. Këtë rritje të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë, derisa nga Shoqata e Naftëtarëve kjo ngritje arsyetohet me rritjen e çmimeve në bursë.

    Qytetari nga Prishtina, Enver Mulani, tha se rritja e çmimit të naftës është e papërballueshme, derisa shton se çmimet janë ngritur e rrogat e punëtorëve në Kosovë janë të ulëta.

    Po ashtu edhe Rexhep Latifi, i cili punon taksist, shprehet i shqetësuar me rritjen e çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, me standardin e jetesës në Kosovë, çmimi i naftës nuk është aspak në rregull.

    Qytetari Naser Sylejmani thotë se çmimet e naftës po rriten çdo ditë dhe shton se kjo po i kushton shumë në xhep.

    Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka pranuar se këto ditë ka ngritje të çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, çmimet janë përafërsisht për diesel 1.47 euro deri 1.55 euro për litër, ndërsa, benzina 1.46 euro deri 1.51 euro.

    Ai në një përgjigje me shkrim thotë për KosovaPress se çmimi i naftës në Kosovë po rritet sipas çmimeve në bursa.

    Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se nuk po ndikon fare për uljen e çmimeve.

  • Takimet e pafrytshme në Bruksel: BE thotë se dialogu s’ka dështuar, cilët janë hapat e ardhshëm?

    Takimet e pafrytshme në Bruksel: BE thotë se dialogu s’ka dështuar, cilët janë hapat e ardhshëm?

    Përfundimi i rundit të fundit të dialogut Kosovë-Serbi, pa ndonjë pajtim mes palëve, ka ngritur pikëpyetje të reja për të ardhmen e procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Takimi i 14 shtatorit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u mbyll pa ndonjë rezultat.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha në një konferencë për media, më 15 shtator, se “dialogu nuk ka dështuar”, por se takimi i fundit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqiq, i zhvilluar në Bruksel, “nuk ka dhënë rezultate”.

    “Palët nuk janë në gjendje të tejkalojnë dallimet e tyre”, përfundoi Stano, duke theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetëse në dialog, dhe se përparimi në këtë proces varet nga Kosova dhe Serbia.

    Në Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, ndër të tjera shkruhet se Kosova dhe Serbia do të përballen me pasoja, nëse nuk i përmbushin obligimet që dalin nga ujdia.

    Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili tha më 14 shtator se “pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë”.

    Cilët janë hapat e mëtejshëm?

    Bashkimi Evropian ka paralajmëruar konsultime me vendet anëtare dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hapat e ardhshëm pas bisedimeve të fundit të pasuksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Burimet në BE nuk kanë saktësuar nëse po shqyrtohen masa ndaj Kosovës dhe Serbisë, por vetëm kanë thënë se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës nuk do të hiqen, pasi nuk janë plotësuar kushtet për një gjë të tillë, raportoi REL.

    Ndërkohë, SHBA-ja njoftoi, po ashtu, se do të “konsultohet brenda dhe me partnerët evropianë për hapat e mëtejshëm”.

    “Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre ndaj Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

    “Kurti krijoi realitet të ri në veri”

    Dushan Janjiq, nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, e quan “lojë” deklaratën e zyrtarit të lartë të BE-së, Borrell, se bisedimet e 14 shtatorit ishin të pasuksesshme. Ai beson se kryeministri i Kosovës, Kurti, në të vërtetë pati suksesin më të madh.

    Borrell akuzoi drejtpërdrejt Kurtin për dështimin e bisedimeve, sepse nuk pranoi një “propozim kompromisi” që të dyja palët të zbatonin paralelisht detyrimet e tyre.

    “Çfarëdo që të thonë për Kurtin, ai është më i suksesshmi nga të gjithë bashkë. Ai krijoi një realitet të ri në veri të Kosovës”, thekson Janjiq, duke shtuar se kjo situatë sjell rreziqe për sigurinë.

    Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi nuk duhet as të diskutojnë për zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, derisa serbët e veriut të mos kthehen në institucionet e Kosovës.

    Nëntorin e kaluar, serbët nga veriu i Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës për të penguar qeverinë e Kurtit që të heqë targat e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës.

    Ndërkohë, një krizë e re ndodhi në fund të majit, sepse pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan nga popullata serbe, në pushtet erdhën kryetarët shqiptarë.

    Çfarë thanë Kurti dhe Vuçiq pas takimit të pasuksesshëm?

    Për kryeministrin e Kosovës, hapat e ardhshëm janë vazhdimi i bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes në mënyrë “të sekuencuar”, përkatësisht, që të zbatohen pikat e marrëveshjes ashtu siç janë radhitur në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

    Kurti ka pohuar disa herë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë “parakusht” për zbatimin e marrëveshjes, dhe se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dhjetë pikave të Marrëveshjes bazë, të cilat të dyja palët i kanë pranuar në fund të shkurtit, me propozimin e BE-së.

    “Për një gjë të tillë duhen negociata intensive, të cilat duhet të organizohen nga ndërmjetësit [BE-ja]. Shpresoj se së shpejti do të na ftojnë [në një rund të ri të dialogut]”, tha Kurti më 14 shtator.

    Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, pas takimit të fundit në Bruksel, tha se nuk e di se cilat janë hapat e ardhshëm, por se “do të duhet gjithmonë të bisedojmë”.

    „Nuk besoj që ky është fundi i botës. Jam i sigurt se do të dëgjojmë se kush është përgjegjës, është diçka që, thjeshtë, duhet të ndodhë. Por ajo që është e rëndësishme për ne, është se jam i sigurt se duhet të vazhdojmë bisedimet”, tha Vuçiq.

    I pyetur nëse BE-ja ka përmendur ndonjë masë ndëshkuese, udhëheqësi serb dekari se këtë “nuk e dëshiron për popullatën shqiptare në Kosovë”.

    Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

  • ​Pushteti akuzohet se po miraton ligje në kundërshtim me Kushtetutën

    ​Pushteti akuzohet se po miraton ligje në kundërshtim me Kushtetutën

    Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca në Kuvend po akuzohen për miratim të ligjeve që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ekzekutivi është shndërruar në shkelësin më të madh të Kushtetutës, ndërkaq në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thonë se në përmbajtjen e ligjeve të sponsorizuara nga qeveria ka probleme serioze kushtetuese. Në anën tjetër, në partinë në pushtet kritikojnë opozitën se po përdorë mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese për të bllokuar reformat që po i ndërmerr qeveria.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress, se opozita po fiton çdo betejë me pushtetin në Gjykatën Kushtetuese.

    Ai përmend rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për zyrtarët publikë, të cilët sipas tij, dëshmojnë padijeninë dhe dëmin e vazhdueshëm që qeveria po i bënë Kosovës.

    Sipas tij, edhe Ligji për tatimin në pronë është antikushtetues dhe si i tillë do të rrëzohet nga ky institucion.

    Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress, se kjo legjislaturë në Kuvend ka më së shumti ligje të dërguara në Gjykatën Kushtetuese.

    Ai shton se Qeveria e Kosovës nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

    Por të kundërtën e thotë deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion në Kuvend.

    Ai kritikon partitë opozitare se po tentojnë përmes mekanizmit të Gjykatës Kushtetuese t’i bllokojnë reformat e iniciuara nga Qeveria Kurti.

    Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë duke u shqyrtuar Ligji për paga në sektorin publik, Ligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Ligji për pagën minimale dhe Ligji për tatimin në pronë.

    Gjykata Kushtetuese muaj më parë ka rrëzuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, derisa së fundmi shfuqizoi disa nene të rëndësishme të Ligjit për zyrtarë publikë.

    KosovaPress pyeti në Gjykatën Kushtetuese se kur pritet të ketë vendimmarrje për ligjet e tjera, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.

  • Policia e Kosovës parakalon në Paradën e Kombeve në Zelandë të Re

    Policia e Kosovës parakalon në Paradën e Kombeve në Zelandë të Re

    Pesëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në Auckland të Zelandës së Re ku janë pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare të Grave në Polici.

    Në video të dërguar nga shikuesja e emisionit “N’frekuence – ATV” gjatë parakalimit në “Paradën e Kombeve” shihet të ketë qenë pjesëmarrëse edhe Ambasadorja e Kosovës ne Australi znj. Jetmira Berdynaj si dhe pjesëtaret e Policisë së Republikës së Shqipërisë ku përshëndeten nga mërgimtarët shqiptarë të cilët jetojnë në Auckland.

  • Ekonomia e Kosovës shënon rritje vetëm 2.02 për qind, opozita me akuza për pushtetin

    Ekonomia e Kosovës shënon rritje vetëm 2.02 për qind, opozita me akuza për pushtetin

    Prodhimi i Brendshëm së Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

    Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.

    “PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak”, bën të ditur ASK-ja.
    “Komponentët e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i shërbimeve me 13.62 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 6.29 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 3.96 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 3.68 për qind dhe formimi i bruto kapitalit me 2.04 për qind. Ndërsa, rënie kishte eksporti i mallrave me 10.67 për qind”, thekson raporti.

    Rritja reale e PBB-së tremujore krahasuar me periudhën përkatëse të vitit paraprak | Burimi: ASK
    Ku pas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.

    Sipas tyre, kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend.

    Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se kjo është norma më e ulët e rritjes ekonomike në dhjetë vitet e fundit.

    “Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte vetëm 2.02 për qind – norma më e ulët e rritjes në dhjetë vitet e fundit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

    Tutje, ai është shprehur se kjo normë kaq e ulët e rritjes ekonomike kryesisht reflekton kushtet e vështira nëpër të cilat po kalon sektori privat.

    “Këto të dhëna tregojnë se kah po shkon ekonomia e vendit dhe me këtë edhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës që po degradon çdo ditë e më tepër. Drejtimi që ka marrë ekonomia e vendit që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit ilustrohet qartë nga figura në vijim”, ka përfunduar ai.

    Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka potencuar se rritja ekonomike në vend është më e ulëta ndonjëherë.

    Bajrami në një postim në Facebook shkruan se nuk ka dialog me biznese, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, ndërkaq janë bllokuar investimet kapitale.

    “Që 80 ditë vendin e kemi nën sanksione, që tri vite i kanë bllokuar investimet kapitale, nuk ka asnjë politikë fiskale, asnjë reformë për përmirësim të ambientit të biznesit, nuk ka rritje të pagave, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, vetëm 18 për qind në investime kapitale që nuk arrijnë t’i shpenzojnë, nuk ka bashkëpunim me komuna, nuk ka dialog me biznese, ka korrupsion, ka nepotizëm dhe ka tenderë me negocim. Dhe ja rezultati 2.02 për qind rritja ekonomike për tremujorin e dytë 2023, më e ultë ndonjëherë”, thuhet në reagimin e Bajramit.

  • Zveçan: Gjendet pa shenja jete një person në bodrumin e shtëpisë së tij

    Zveçan: Gjendet pa shenja jete një person në bodrumin e shtëpisë së tij

    Një person është gjetur pa shenja jete në bodrumin e shtëpisë së tij në Zveçan.

    Policia rastin e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë dhe ka bërë të ditur se një pistoletë është konfiskuar në atë lokacion.

    “Raportohet se në bodrumin e shtëpisë së tij pa shenja jete është gjetur viktima mashkull kosovar. Një pistoletë është konfiskuar në lokacion. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Tragjike, humbin jetën tre persona në dy aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës

    Tragjike, humbin jetën tre persona në dy aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës

    Në dy aksidente trafiku që kanë ndodhur të shtunën në mbrëmje në rajonin e Prishtinës, kanë humbur jetën tre persona.

    Dy persona kanë vdekur në një aksident trafiku në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ku është përfshirë një veturë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për KosovaPress, e cila tha se dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur.

    Ajo tha po ashtu se me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut.

    “Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, theksoi Ahmeti.

    Po ashtu ajo ka bërë të ditur se sot rreth orës 16:30 në rrugën Llapnasellë -Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

    “Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha ajo.

    Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

  • Arrestohet i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik, ekstradohet nga Gjermania

    Arrestohet i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik, ekstradohet nga Gjermania

    Policia e Kosovës njofton se me kërkesë të autoriteteve vendore, sot autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T i moshës 38 vjeçar, i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik gjatë vitit 2022.

    Policia Rajonale e Ferizajt më 10 maj 2022, në ora 14:00 kishte pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, përball Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘’Fusha Pajtimit’’ ishte një rast i vrasjes së rëndë.

    Sipas policisë Sektori Rajonal i Hetimeve nën autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i kishte nisur hetimet për rastin e vrasjes së rëndë, ku nga të shtënat me armë zjarri në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë personi H.B ( M/K) i moshës 31 vjeçar, ndërsa plagë të rënda trupore kishte pësuar personi tjetër K.B (M/K) i moshës 34 vjeçar, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

    Sektori Rajonal i Hetimeve pas punëve intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kishte identifikuar dhe ishte vënë në ndjekje të personave të dyshuar: H. Q ( M/K) i moshës 38 vjeçar dhe L. T ( M/K) i moshës 22 vjeçar .

    Në lidhje me këtë policia rajonale e Ferizajt në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për publikimin e fotografive të personave në kërkim, kishte kërkuar bashkëpunim me qytetarë rreth informacioneve për vendodhjen e dy të dyshuarëve, e në anën tjetër Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar.

    “Me kërkesë të autoriteteve vendore, sot, datë 16.09.2023, autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T ( M/K ) i moshës 38 vjeçar, i cili ditë më parë është arrestuar në Gjermani”, thuhet në njoftim.

    Policia Ferizajt të dyshuarin e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ndaj tij nga gjykata është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa në kërkim policor mbetet i dyshuari tjetër H.Q.