ATV

Blog

  • Aktgjykimi për krime lufte ndaj Svetomir Bacevicit, mbrojtja në pritje të vendimit të Supremes

    Aktgjykimi për krime lufte ndaj Svetomir Bacevicit, mbrojtja në pritje të vendimit të Supremes

    Përgatiti: Nora Luta

    Për këto veprime Svetomir Baçeviq është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim prej pesë vjetësh. Ndonëse Apeli e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë ndaj tij, për krime lufte në Bellopojë të Pejës, mbrojtja pretendon se nuk ka pasur prova se i dënuari është fajtor.

    Avokati Dejan Vasiq është ankuar në Gjykatën Supreme në fillim të këtij viti, duke kërkuar që ai të lirohet ose çështja të kthehet në rivendosje.

    “Për një kohë të shkurtër mendoj të marrim përgjigje, pres përgjigje pozitive pasi nuk ka pasur elemente për dënim dënues, pres që Gjykata Supreme të marrë një vendim të tillë. Ankesën e kam dorëzuar në fillim të vitit, e kam dorëzuar edhe një ankesë tjetër për lirim nga paraburgimi, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore”, tha Vasiq.
    Por, Prokuroria Speciale thotë se nga hetimet u vërtetua se Baçeviq e rrëmbeu Tigjë Kadrijan dhe varësisht prej vendimit të Supremes do t’i paraqesin kundërshtimet.

    Dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor që u zhvillua ndaj Baçeviqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte fqinji, me nacionalitetit serb, i Tigjës, e cila tash e sa vjet jeton jashtë Kosovës.

    Nga Gjykata Supreme i kanë thënë televizionit se lënda është ende në punë.

    Apeli kishte vërtetuar aktgjykimin e Themelores, e cila e shpalli fajtor Svetomir Baçeviqin për krime lufte, e krime kundër njerëzimit në Pejë.

  • Vrasja që tronditi Podujevën, Policia publikon foton e të dyshuarit – kërkohet ndihmë për identifikimin e tij

    Vrasja që tronditi Podujevën, Policia publikon foton e të dyshuarit – kërkohet ndihmë për identifikimin e tij

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për ta identifikuar një person.

    Sipas njoftimit, i dyshuari kërkohet për përfshirje në vrasjen e rëndë në Podujevë, të hënën.

    Njoftimi i plotë:

    Kërkesë për bashkëpunim për identifikimin e personit të dyshuar

    Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit të dyshuar.

    I dyshuari, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 11.09.2023, në Podujevë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

    Mirëpo i njëjti nuk do të lejohet t’i afrohet disa dëshmitarëve të rastit, siç e ka vënë kushtin gjykata, për lirimin e tij nga paraburgimi.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

    Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.

  • Certifikohen 185 kandidatë që kaluan Provimin e Jurisprudencës – Haxhiu: Bëjeni punën me profesionalizëm

    Certifikohen 185 kandidatë që kaluan Provimin e Jurisprudencës – Haxhiu: Bëjeni punën me profesionalizëm

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten ka marr pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për kandidatet të cilët kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës, raporton Ekonomia Online. Në këtë ceremoni diplomuan 185 kandidatë.

    Ministrja Haxhiu tha se provimi për këtë kandidatë ka qenë një proces meritor, transparent dhe profesional.

    Ajo bëri thirrje juristëve të rijnë që punën ta bëjnë me nderë e profesionalizëm duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës e ligjet në fuqi.

    “Ka qenë një proces meritor, transparent dhe profesional. Ngjarjet e tilla që shtojnë kuadrot për tu bërë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovës pasurojnë vendin tonë. Jemi në fazën e reformimit duke filluar nga legjislacioni, infrastruktura, dhe përgatitja e kuadrove të reja. Të gjitha këto reforma mund të jenë të suksesshme kur kemi kuadro të kualifikuara. Duke respektuar parimet më të larat profesionale dhe etike”.

    “Unë sot ju lutem ku do që jeni, ku do që do të orientoheni, si gjyqtar, prokuror, avokat apo profesion të tjera ju lutem që të bëni punën vetëm me nderë dhe profesionalizëm, vetëm duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, legjislacionet ne fuqi, konventat ndërkombëtare, sepse për njerëz të tillë ka nevojë Republika e Kosovës. Sot është moment i gëzueshëm jo vetëm për ju por edhe se shtetit po i shtohen edhe më shumë profesionist”, tha ajo, raporton EO.

  • Policia në Pejë identifikon mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar

    Policia në Pejë identifikon mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar

    Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë nga 11 shtatori ka filluar aktivitetin e tyre me vetura zyrtare me pajisje inteligjente dhe se deri tani ka identifikuar mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar.

    Policia në Pejë njofton se gjatë këtyre tri ditëve ka arritur ti identifikoi dhe të procedoi sipas ligjit mbi rregullat në komunikacion mbi 130 kundërvajtës, dhe atë për skadim te regjistrimit te automjeteve.

    Ndërsa në përgjithësi nga 1 shtatori e deri dje (e enjte), njësia policore në fjalë dhe stacionet policore në kuadër të Drejtorisë rajonale të Policisë në Pejë, kanë shqiptuar rreth 3000 flet gjoba për kundërvajtësit në trafikun rrugor.

    “Aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara në kuadër të Njësisë rajonale të komunikacionit rrugor në Pejë, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës. Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve. Pasi që gjatë muajve që kemi lënë pas aksidentet në komunikacion nuk ishin të paktë me ketë edhe dëmet, lëndimet trupore, por edhe humbje jete”, thuhet në njoftim.

    Policia në Pejë apelon te të gjithë pjesëmarrësit ne komunikacion te respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit.

  • Ndihma milionëshe, Hovenier: SHBA e përkushtuar për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar

    Ndihma milionëshe, Hovenier: SHBA e përkushtuar për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në profilin e tij zyrtar ka shkruar për marrëveshjen e nënshkruar sot në mes të USAID dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ku Kosova do të fitojë 34.7 milionë dollarë për avancimin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik.

    Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar.

    “Ne jemi të përkushtuar për partneritetin tonë të vazhdueshëm me popullin kosovar. Sot kemi nënshkruar një marrëveshje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të ofruar një financim shtesë prej 34.7 milionë dollarësh amerikanë në ndihmë për të avancuar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Hovenier.

  • ​Tajani: Afrika tashmë ka ‘shpërthyer’, duhet ndërhyrja e OKB-së

    ​Tajani: Afrika tashmë ka ‘shpërthyer’, duhet ndërhyrja e OKB-së

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani bëri thirrje të premten për ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara në përgjigje të presionit migrator nga Afrika që po shkakton një rritje të konsiderueshme të mbërritjes së emigrantëve dhe refugjatëve nga deti në Itali.

    “Ne nuk duhet të nënvlerësojmë atë që po ndodh në Afrikë, do të flasim për këtë edhe në Kombet e Bashkuara”, tha Tajani në margjinat e asamblesë vjetore të Confindustria në Romë.

    “Gjatë misionit tonë ne absolutisht duhet të kërkojmë një prani të OKB-së sepse situata në Afrikë nuk është (thjesht) shpërthyese, ajo tashmë ka shpërthyer,” shtoi ai.

    “Duhen masa për ndalimin e flukseve migratore”, vijoi Tajani.

    “Ne duhet të ecim përpara me riatdhesimet” e njerëzve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Evropë, tha ai. “Evropa nuk mund të pretendojë se asgjë nuk po ndodh dhe unë jam i bindur se Franca do t’i kuptojë problemet tona”, shtoi Tajani, duke paralajmëruar misione në Paris dhe Berlin, “sapo të kthehem nga Shtetet e Bashkuara”.

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se ka një “detyrë solidariteti evropian” për Lampedusa, duke shtuar se “vendimet do të merren me Italinë”./ANSA/

  • ​Aktakuzë për krime lufte kundër ish-pjesëtarit të shërbimit shtetëror serb

    ​Aktakuzë për krime lufte kundër ish-pjesëtarit të shërbimit shtetëror serb

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit me inicialet S.F, ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

    Përmes një njoftimi për media, prokuroria jep detaje për krimet e kryera nga S.F dhe zyrtarë të tjerë deri tani të paidentifikuar nga organet e ndjekjes.

    “Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa viktima H.Sh, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S.F”, njofton Prokuroria Speciale.

    Në njoftim bëhet e ditur se ata kishin rrahur e torturuar viktimën për fatin e të cilit nuk dihet asgjë.

    “Në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë. Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së”, bënë të diotur prokuroria.

  • ​Konjufca: Nuk pranojmë bosnjëzimin e Kosovës

    ​Konjufca: Nuk pranojmë bosnjëzimin e Kosovës

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se jo të gjitha marrëveshjet me Serbinë mund t’i pranojë Kosova. Ai para mediave tha se nuk mund të pranohet bosnjëzimi i vendit, derisa shtoi se kryeministri Albin Kurti e ka ekipin e vet që t’i analizojë ato nëse janë me interes apo jo. Kritika adreson për BE-në, për të cilën tha se ka qasje të pabalancuar mes dy vendeve.

    Kryeparlamentari Konjufca tha se kërkesat e Serbisë janë bërë plan i Bashkimit Evropian.

    “Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë, ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet, dhe vetë atje është për këtë punë që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo… 04:20 Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me Bashkësinë Ndërkombëtare që kjo është një pozicionim prej të cilës Kosova nuk mund të heqë dorë. Po të hiqte dorë, mund të qojmë në bosnjëzimin e Kosovës. Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore, qendrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e spotu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës”, tha ai.

    Ai tregoi edhe arsyet se pse e konsideron të pabalancuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës.

    “Mua më duket e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia, sikur dorëheqja pa kurrfarë procedure e kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona, të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht Bashkimi Evropian po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë. Do të shkojë përmes kushtetutshmërisë, përmes ligjeve të cilat kanë para shikueshmëri. Është transparent procesi se kur japin kryetarët e komunave dorëheqje se çka ndodhë në Republikën e Kosovës. Kjo do të ndodhte edhe në komunat e tjera jo vetëm në atë të veriut. Sot, një kryetar i pjesës së këtyre komunave të tjera nëse jep dorëheqje organizohen zgjedhjet”, tha Konjufca.

    Këto deklarata Konjufca i bëri pas shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvendin e Kosovës. /KP

  • Miratohen konkluzionet e Nën-komitetit të shtatë të MSA-së për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport

    Miratohen konkluzionet e Nën-komitetit të shtatë të MSA-së për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport

    Në kuadër të dialogut mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), janë dakorduar konkluzionet e “Takimit të Nën-komitetit për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport” për vitin 2023 dhe tutje.

    Temat e reformave të mbuluara nga ky takim janë relevante direkt për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës duke përfshirë infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve.

    Zyra e Kryeministrit njofton se Kosova dhe KE janë dakorduar që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni duhet të përafrohen me parimet dhe prioritetet e BE-së, respektivisht me iniciativën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, më qëllim sigurimin e koherencës ndërmjet dokumenteve në secilin sektor.

    “Sa i përket energjisë, KE ka vlerësuar lart miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, si dokument kyç për ofrimin e bazës për dekarbonizim duke ruajtur sigurinë energjetike, sigurimin e furnizimit të përballueshëm, dhe duke zgjeruar zhvillimin e burimeve alternative të energjisë’, thuhet në njoftim.

    Po ashtu sipas ZKM-së Kosova ka zbatuar me sukses Pakon për Mbështetje të Energjisë, dhe pritet që të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë zbatimin e masave nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, më qëllim përmirësimin e efikasitetit të energjisë për familjet dhe sektorin privat.

    “Gjithashtu, pritet që një numër ligjesh dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në komunikatë.

    Më tej, në fushën e mjedisit, KE ka vlerësuar pozitivisht progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Kosova duhet që t’i forcojë kapacitetet dhe përpjekjet institucionale për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera.

    Sa i përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka shënuar progres duke e miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.

    Në fushën e transportit, Kosova ka pjesëmarrje pro-aktive në Komunitetin e Transportit. Megjithatë, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në rritjen e sigurisë rrugore dhe të sigurojë një tranzicion më të shpejtë drejt transportit të qëndrueshëm, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha qytetet e Kosovës. KE dhe Kosova janë dakorduar për nevojën e vazhdimit të reformave legjislative dhe institucionale, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit.

    Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal.