ATV

Blog

  • Shkolla “Mihal Grameno” e mbingarkuar, dy nxënës ulen në një karrige

    Shkolla “Mihal Grameno” e mbingarkuar, dy nxënës ulen në një karrige

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    E ndajnë një karrige.

    Kështu kalojnë orët shumë nxënës të shkollës fillore “Mihal Grameno”, në Fushë Kosovë, për shkak të numrit të lartë të nxënësve. Rritja e numrit të nxënësve në klasa po ndikon negativisht edhe në mësim, thonë mësimdhënësit.

    “Natyrisht që është problem rritja e numrit të nxënësve, mandej kemi problem edhe me objekte, për shkak që edhe objekti nuk po e menaxhon numrin e madh të nxënësve, mirëpo nëse do të ishin kushtet për numër më të vogël të nxënësve, mësimi do të ishte më efektiv”, tha Gentiana Zeqiraj-Bujupaj, mësimdhënëse e gjuhës angleze.

    Ndonëse, shkolla posedon tre anekse, sipas drejtorit, megjithatë, nuk mjaftojnë.

    “Tash i kemi dy anekse shtesë, mirëpo prapë është fluksi i madh i ardhjeve në të tri objektet, por në veçanti në objektin amë, në objektin që jemi këtu, sepse ka ndërtime të larta që ndërtohen në afërsi të kësaj shkolle dhe më pas banorët e shfrytëzojnë shkollën për fëmijët e tyre këtu”, tha drejtori i shkollës fillore “Mihal Grameno”, Ismet Gashi.

    Aktualisht, në komunën e Fushë-Kosovës, janë 9 shkolla fillore dhe 3 shkolla të mesme dhe për regjistrimin e fëmijëve kërkohen kushte të caktuara.

    “Është bërë një rregullore në nivel komune dhe i kemi ndarë zonat, ku përfshihet territori i secilës shkollë dhe anekseve dhe shkollës amë dhe mbi bazën e kësaj ne kërkojmë kontratën, ose para-kontratën e banesës se ku jeton familja dhe nëse i takon territorit të kësaj shkolle, ne e bëjmë regjistrimin e tyre në këtë shkollë, kërkojmë certifikatën e lindjes ose fletë-kalimin nëse ka ndjekur mësimin në shkollat tjera dhe mbi bazën e kësaj regjistrohet si nxënës i kësaj shkolle”, tha Gashi.

    Lidhur me çështjen e mbingarkesës së shkollave në Fushë-Kosovë, zyrtarët e komunës nuk kanë kthyer përgjigje për ATV-në.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Klina ende s’ka Emergjencë të re

    Klina ende s’ka Emergjencë të re

    Përgatiti: Sara Shehu

    Shërbimi emergjent në Klinë vazhdon të funksionojë vetëm në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kohë më parë kishte premtuar se do të fillojë ndërtimi i një objekt të ri në afërsi të qendrës që do të shërbente vetëm si Emergjencë, por ky premtim ende nuk është realizuar.

    Teksa nevoja për emergjencën e re është e madhe, Drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Gazmend Bojaj, tha se projekti së shpejti do të realizohet në koordinim me drejtorinë e shëndetësisë.

    “Krijimi i këtij projekti do të ndodhë shumë shpejt. Drejtoria e Shëndetësisë është në bashkëpunim me të huajt, për ndërtimin e saj, kemi biseduar rreth kësaj teme. Me krijimin e emergjencës së re me të vërtetë do të na lehtësohet edhe më shumë puna, pasi që në urgjencën e cila është në QKMF kemi shumë fluks të lartë të pacientëve…”, tha Bojaj.

    Sa i përket ndërtimit të Emergjencës së re, Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë i ka thënë ATV-së, se kostoja e projektit kap vlerën 400 mijë euro.

    Por derisa qytetarët presin ndërtimin e emergjencës së re përpos kritikave që kanë për mungesë të objektit adekuat, kanë ankesa edhe për mungesë të pajisjeve ampulare.

    “Vallahi një emergjencë e re gjithqysh është dashtë me kanë, po institucionet s’po punojnë veç premtojnë kot. Po hall tjetër oshtë edhe mungesa e injeksioneve edhe infuzioneve në urgjencë, saherë m’bje me shku e që po duhet privat me i ble, qe kqyri n’kese, sa pagujta 50 e diçka euro”, tha Sinan Sadikraci, pacient.

    “Çdo ilaç e injeksion për kontroll po duhet vetë mi ble, na pleq jem bre, edhe emergjencë t’re hala s’ka. Keq shumë në këtë urgjencë”, thotë një tjetër pacient.

    Por, Bojaj pretendimet e pacientëve i hedh poshtë.

    “Sa u përket shërbimeve në urgjencë e në mjekësi familjare ne kemi të gjitha, jemi të furnizuar me injeksione, infuzione, të gjitha i kemi ofruar pa asnjë problem. Furnizimi me ampula ka qenë i dobët, korrik dhe gusht, por tani jemi shumë mirë se me buxhetin tonë i kemi siguruar, jo me të MSh-së”, tha Bojaj.

    Në urgjencën e kësaj qendre, brenda 24 orëve ofrohen rreth 300 shërbime mjekësore e numri i stafit mjekësor arrin në 20.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rritet interesimi për ndërtime të larta në Vushtrri, ulet në Ferizaj

    Rritet interesimi për ndërtime të larta në Vushtrri, ulet në Ferizaj

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kërkesat për ndërtimin e objekteve me kate të larta, nga ana e kompanive ndërtuese janë rritur këtë vit në Komunën e Vushtrrisë.

    Tashmë në qendër të qytetit shihen disa apartamente shumëkatëshe.

    Ndonëse nuk kishte njohuri për shifra të sakta, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se krahasuar me vitet e kaluar, interesimi për ndërtime të larta është rritur.

    “Vazhdimisht ka ndërtime të objekteve të larta. Ndonëse ende nuk kemi ndonjë shifër pasi që duhet një analizë më e madhe. Por është rritur shumë-shumë interesimi për objekte të larta të ndërtuara në krahasim me vitet e kaluara. Kemi ligjin e legalizimit, e cila ka qenë e angazhuar për shikimin e situatës për objektet pa leje të ndërtuara që ka mjaft këtu”, tha Idrizi.

    Sipas ekspertëve të ndërtimtarisë, kjo po ndodh për shkak të numrit të madh të kërkesave për blerje të patundshmërive.

    “Mendoj se nëpër komunat e vogla kanë më shumë bashkatdhetarë dhe ata po investojnë më shumë në ndërtimin e apartamenteve të tilla…”, tha Arsim Rapuca, inxhinier i ndërtimtarisë.
    Por, ndërtesat e larta nuk po u pëlqejnë vushtrriasve.

    “Oshtë shumë e rrezikshme, ka shumë ndërtime të larta, qyteti s’oshtë i madh. N’rast të fatkeqësive natyrore oshtë tmerr duhet me u ndal këto ndërtime”, thotë një qytetar.

    “Tepër keq që janë duke ndërtu këto objekte të larta, komuna duhet me i ndalu ato e jo me i leju”, thotë një tjetër qytetar.

    Por ndryshe nga Vushtrria, në qytetin e Ferizajt, këtë vit, kërkesat për ndërtime të objekteve me kate të larta kanë shënuar ulje.

    “Kërkesat për leje për ndërtime të larta këtë vit janë ulur. Nga janari deri më tani kemi pasur vetëm 20 deri në 30 kërkesa të cilat janë duke u shqyrtuar. Duke marrë parasysh që gjatë vitit të kaluar, ky numër ka qenë më i lartë. Arsyeja e mosinteresimit është rritja e tarifës”, tha drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizaj, Arbër Bytyqi.

    Prishtina dhe Fushë-Kosova vazhdojnë të prijnë me numrin më të madh të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Një tjetër ‘’luftë’’ ka nisur mes pushtetit dhe opozitës në vend, ku Vetëvendosje po akuzohet për miratim të ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita po fiton çdo betejë me pushtetin në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ata janë shkelësit më të mëdhenj të saj.

    “E keni të qartë tashmë se sa betejat si opozitë i kemi fituar në raport me këta njerëz të padijshëm në Gjykatën Kushtetuese. Këta janë edhe të padijshëm edhe të dëmshëm. Të bësh një veprim të tillë që cenon direkt pavarësinë e nivelit lokal të komunave duhet me qenë, ose i marrë, ose shumë i padijshëm. Nëse e kanë bërë pa vetëdije këta janë të padijshëm pasi gjërat bazike që duhet t’i dijë një qeveri, këta nuk po i dinë”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se qeveria aktuale nuk po shkruan ligje në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

    “Sa i përket përmbajtjes se si është duke shkruar qeveria, ne kemi evidentuar probleme kushtetuese të shkrimit të këtyre ligjeve. Ta zëmë Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës Civil, ka hyrë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Një ligj i tillë nuk është dërguar nga opozita, por ligji përmban të meta kushtetuese dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Konsiderojmë se Qeveria nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

    Megjithatë, njëjtë s’mendon deputeti i pushtetit, Adnan Rrustemi, që këto kritika i ka cilësuar si tentim bllokimi për reforma të caktuara të qeverisë.

    “Motivi i opozitës është në dy pika, e para për të vonuar reforma të caktuara të Qeverisë. Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese po merr një periudhë të gjatë të shqyrtimit. Motivi i dytë është krejtësisht inkriminues në kuptimin e mbrojtjes së interesave individuale dhe grupore që kanë. Kur opozita e konteston në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk po e konteston se ka mospajtime me përmbajtjen pasi nuk e ka bërë asnjë kritikë për përmbajtjen, por thjesht po e konteston idenë për një byro”, tha Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.

    Muaj më parë në Kushtetuese u rrëzua Ligjin për Këshillin Prokurorial, ndërsa, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe ligjet për paga në sektorin publik, ligji byronë, pagën minimale si dhe ai i tatimit në pronë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Dyert janë të hapura. Komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, po vazhdon punën normalisht.

    Stafi i punësuar këtu, nuk pranoi të flasë për televizionin. Por, një nëpunës i kësaj komune, jo-zyrtarisht tregoi për ATV-në disa nga shërbimet që ofron kjo komunë.

    “Ofiqari punon, vërtetime, fotokopje të gjitha punojnë. Kemi drejtori, lëshojmë subvecione. E gjitha financohet nga Serbia. Marrim pagë rreth 550 euro”, thuhet në përgjigjen e nëpunësit të kësaj komune.

    Mirëpo, komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve serbe, është vetëm njëra nga mbi 20 komunat paralele që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës, që nga paslufta.

    Politologu Fidan Ukaj, thotë këto institucione paralele cenojnë integritetin e shtetit të Kosovës.

    “Këto institucione padyshim se janë të jashtë-ligjshme. Me një fjalë këto institucione duhet të mbyllen dhe nuk duhet të ekzistojnë më”, tha Ukaj.

    Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ukaj thotë se këto institucione do duhej të inkuadroheshin në kuadër të institucioneve e Kosovës.

    “Edhe pse me marrëveshjen për normalizimin e raporteve të vitit 2013, parashihet inkuadrimi i tyre në institucionet e Kosovës, Serbia vazhdon me këtë destruktivitet të saj, duke i mbajtur gjallë insitucionet paralele, duke lëshuar dokumentacion për komunitetin serb në Kosovë”, tha Ukaj.

    As Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës, nuk iu kanë përgjigjur pyetjeve të ATV-së lidhur me këtë temë.

    Kurse, profesori universitar Basri Muja thotë se pikërisht Bashkimi Evropian ka rol kyç për shuarjen e tyre.

    “Të jem i sinqertë nuk mendoj që mundë të ketë një zhbërje vullnetare të tyre nga Qeveria e Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet të ushtrojë presion tek bashkësia ndërkombëtare sepse çelësi është aty”, tha Muja.

    Ndërsa në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas profesorit Muja, institucionet paralele në Kosovë vetëm se do fuqizoheshin edhe më tepër.

    Pos komunave, Serbia investon edhe në sistemin arsimor të Serbisë në Kosovë. Ndërsa njëjtë vepron edhe me sistemin e shëndetësisë, kulturës e të tjera.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Edhe një takim pa progres.

    Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandër Vuqiq, assesi të merren vesh për çështjen e veriut, madje as me ndihmën e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian për dialog.

    Andaj mos-pajtimet mes palëve sipas njohësve të sigurisë, rrisin gjithmonë rrezikun për eskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër nga Beogradi fajësojnë kryeministrin Albin Kurti se po nxit tensione.

    Në një intervistë për mediat serbe, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se qëllimi i vetëm i Kurtit është që ta pastroj Kosovën nga serbët.

    “Kurti është gati për çdo gjë. Shqiptarët vetëm duan të provokojnë konflikt dhe qëllimi i Kurtit është ta pastrojë Kosovën nga serbët”, ka thënë Vuçeviq.

    Situata në veri aktualisht është e qetë derisa për sigurinë atje po përkujdeset KFOR-i.

    Ndryshe së fundmi tensionet në veri nisën pasi kryetarët e ri të komunave, hynë në objektet zyrtare për ta ushtruar funksionin e tyre, gjë që u kundërshtua ashpër nga serbët.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    5 persona kanë vdekur një ditë më parë në Kosovë, si pasojë e aksidenteve rrugore.

    Me fare pak diferencë kohore, bëhet fjalë për tri aksidentet më të rënda që ndodhën mbrëmë në Graçanicë, Pejë e Podujevë. Policia ka njoftuar gjithashtu se edhe 62 tjera u shënuan me lëndime te lehta trupore vetëm në 24 orët e fundit.

    Në raportin e policisë thuhet se shkaktar kryesor i aksidenteve ishte mos përshtatja e vozitjes me kushtet e rrugës.

    Por, sipas Bekim Ahmetit, ekspert në komunikacion, rritja e shqiptimit të gjobave në trafik mund të ndikoj në vetëdijesimin e vozitësve në parandalimin e aksidenteve.

    “Ka raste ku po falin shumë Policia edhe mandej vozitësit nuk po jenë të përgjegjshëm as për nga shpejtësia as rruga as shenjat…”, tha Ahmeti.

    Ahmeti për më tepër thotë se ka mundësi që aksidentet të parandalohen edhe nëse nuk ka ngecje nga institucionet përkatëse.

    “Duhet ti rrisin masat për me i parandalu edhe me u shtu siguria…”, tha Ahmeti.

    Lidhur me aksidentet e fundit që ndodhën në vend, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka apeluar te çdo pjesëmarrës në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave.

    Ndërkaq, gjatë gjithë vitit të kaluar, në Kosovë kanë ndodhur afër 21 mijë aksidente, ku 95 prej tyre ishin me fatalitet me gjithsej 106 persona të vdekur.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Trepça fituese e Superkupës së Kosovës, mposht në finale Pejën

    Trepça fituese e Superkupës së Kosovës, mposht në finale Pejën

    Finalja e Superkupës së Kosovës mes Pejës dhe Trepçës ka qenë dramatike deri në sekondat e fundit, në në fund fitore shënuan mitrovicasit me rezultat 78-76.

    Një ndeshje e tensionuar nga fillimi deri në fund me tifozët e të dy skuadrave që ishin në tribuna.

    Në pjesën e parë skuadrat ishin pothuajse të barabarta me mitrovicasit që mbanin një epërsi të lehtë.

    Kur kishin mbetur më pak se një minutë, loja u ndërpre dhe tifozët mitrovicas u nxorën jashtë.

    Pasi u larguan u zhvilluan edhe 58 sekondat e mbetura në pjesën e parë të ndeshjes mes Trepçës dhe Pejës. Në pushim, Trepça ka shkuar me epërsinë prej 40:32.

    Pa tifozët, Trepça vuajti në pjesën e dytë, kur Peja në një kohë e mori edhe epërsinë.

    Pejanët arritën në epërsi prej gjashtë pikësh në një kohë, por që në minutat e fundit u shkri.

    Skuadrat u futën në minutën e fundit në barazim prej 76:76.

    Pas shumë huqjesh, Drilon Hajrizi realizoi dy pikë nga gjuajtjet e lira dhe i dha fitoren Trepçës./Telegrafi/

  • Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Nju Jorku, është deklaruar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

    Osmani, theksoi në pritjen zyrtare, do të ketë mundësi që ta falendërojë Bidenin për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me lider të tjerë botëror, takimet do të nisin pas gjysmë ore”.

    “Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderojë në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.

    Osmani theksoi se në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

    Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

  • Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia në Gjermani dhe familjarët janë duke kërkuar ndihmë për gjetjen e një shqiptareje 15-vjeçare Rahmone Jusufit.

    Jusufi rezulton e zhdukur nga 11 shtatori. Ajo ishte nisur për në shkollë si zakonisht më 11 shtator, por nuk kishte arritur atje, raporton “Bild”.

    “Deri më tash vendndodhja e saj nuk është e ditur”, ka njoftuar Policia.

    Pasi që vajza u deklarua e zhdukur, nisën kërkimet. Hetuesit kontaktuan gjithë kontaktet e njohura. Pasi ato nuk rezultuan me sukses, publikuan foton e saj dhe po kërkojnë ndihmë për gjetjen e saj.

    Policia ka njoftuar se Rahmone Jusufi kishte një pulovër të zezë-gri, një palë pantallona sportive dhe atlete të bardha.

    Edhe familjarët kanë shpërndarë në rrjete sociale kërkesën për ndihmë. Së fundi ajo ishte parë në Hans-Warsch-Platz, Ludwigshafen.