ATV

Blog

  • Aktorja Angelina Jolie shkruan në shqip, përmend Kosovën

    Aktorja Angelina Jolie shkruan në shqip, përmend Kosovën

    Angelina Jolie, aktorja e njohur amerikane, ka njoftuar për librin e saj “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkoni ato”, për librin e saj ka shkruar edhe në shqip, përpos në gjuhë tjera si atë angleze, polake e moldavisht.

    Ajo ka thënë se libri është publikuar edhe në Kosovë e Shqipëri.

    “Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë. Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi, dhe ua dërgoj respektin tim të gjithë aktivistëve/eve që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në rajon dhe që përdorin të drejtën e tyre të jenë të zëshëm”, ka shkruar ajo në Instagram.

  • Çmimi kryesor i “Prifest-it” “Vjosa Berisha”, u ndahet filmave “The land within” dhe “Blaga’s Lessons”

    Çmimi kryesor i “Prifest-it” “Vjosa Berisha”, u ndahet filmave “The land within” dhe “Blaga’s Lessons”

    Me ndarjen e çmimeve për filmat pjesëmarrës, Prishtina Internacional Film Festival përmbylli edicionin e tij të 15-të.

    Çmimi kryesor, i cili tash e dy vjet e mbanë emrin Vjosa Berisha, iu dha filmit debutues të regjisorit shqiptar, Fisnik Maxville, “Toka brenda meje”, si dhe filmit nga Bullgaria, “Blaga’s lessons”, të regjisorit Stefan Kumandarev.

    “Një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur, se me të vërtetë ka pas një garë. Edhe një herë jashtëzakonisht shumë e shtirë dhe jam tepër i kënaqur që këtë çmim po e ndajmë përveç dy filmave, njëri prej të cilit është edhe filmi i im”, tha regjisori Fisnik Maxville.

    Çmimi për arritje vjetopre i takoi producentit Valon Bajgora për suksesin e tij ndërkombëtar në botën e filmit këtë vit.

    “Festivali është garë, garë për filmin më të mirë. Konkurrenca ka qenë shumë e mirë. Filmat, seleksioni i sivjetmë ka qenë shumë shumë i mirë, filmat e mirë. Kam pasur kënaqësi me i pa të gjithë edhe normal që kur garon, garon për me fitu edhe ki besim që filmin që e ke ba ti, është filmi më i mirë në botë, por kur i sheh filmat tjerë që janë të nivelit tënd, ndoshta edhe më të mirë edhe ti atë besimin që e ke, fillon edhe me u kthy në realitet. Faleminderit të jurisë, faleminderit të Fisit, faleminderit të festivalit, për neve është plotësi shumë e madhe edhe një motivim shumë i madh për me vazhdu edhe me punu. Unë u emocionova shumë kur u jep çmimi për producentin më të mirë, humba komplet nuk disha as çka me thanë”, u shpreh producenti Bajgora.

    Ndërsa aktorët Edgar Morais dhe Rafael Morais u shpërblyen me çmimin “Aktori më i mirë”. Ata me këtë çmim u vlerësuan për rolin e tyre në filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

    Për regjisorin e njëhersh, udhëheqësin e këtij festivali, Fatos Berisha, ky edicion ishte tejet i veçantë.

    Po ndjehem i lehtësuar nga një barrë e përgjegjësisë që e kam pasur dhe njëkohësisht i lumtur që çdo gjë shkoi mirë. Krenar me punën e bashkëpunëtorëve të mi, miqve, përkrahësve, shokëve, shoqeve edhe shpresoj që kjo energji me na mbajtë edhe me vazhdu kështu. Në menjëherë do ta vazhdojë punën. Të hënën, pushojmë pak, të martën, ia nisim me punu për edicionin tjetër dhe tash duhet me mendu për vitin tjetër menjëherë”, u shpreh regjisori Berisha.

    Edicioni i 15-të i Prifest, këtë vit pati në fokus industrinë e filmit Izraelit.

    Më poshtë po ju sjellim listën e plotë të fituesve të çmimeve në edicionin e 15-të të Prifest:

    Çmimet e PriForum-it:
    Best Pitch AWARD Vanessa Redgrave in amount of 1000 EUR goes to BIG IN GAZI BABA from North Macedonia given by Neptun;

    Color Grading in Services in amount of 10K given by In My Country Postproduction House goes to HAPPY FAMILY – TURKEY;

    Final Mix in Sound Postproduction in Services in amount of 10K given by In My Country Postproduction House goes toEVERYBODY DIES ON THE NEWS, Bulgaria;

    AWARD in amount of 1000 EUR for Izraeli projects only goes to SECOND WIFE;

    IKONE STUDIO PRIZE – 7K in services for Camera Equipments goes to LUCKY US from Kosovo;

    KOSOVO CINEMATOGRAPHY CENTER AWARD for the Best Pitch in amount of 3000 EUR will be devided in two projects:

    1500 EUR for MEDUSA – Albania

    1500 Euro for I MUST GO DOWN BY THE SEA AGAIN – Kosova.

    Çmimet për filmat më të mirë:

    Mirenjohje speciale per filmin e shkurtër: HOME OF THE HEART nga Sarah Saidan, Francë;

    Filmi më i mirë i shkurtër: ROAD TRIPPER, nga Christophe Granger, Francë

    Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm:
    SI NÉ VAJ nga Aulona Selmani, Zvicërr;

    Hyjnesha e Artë për aktoren më të mirë Eli Skorcheva për filmin BLAGA’S LESSONS, Bullgari;

    Hyjnesha e Artê për aktorin më të mirë shkon për vëllezërit binjak Edgar Morais
    Rafael Morais nga filmi NJË FILXHAN KAFE DHE KÊPUCË TË REJA VESHUR, Shqipëri;

    Hyjnesha e Artë për regjinë më të mirë ndahet mes Fisnik Maxville dhe Stefan Kumandarev;

    Hyjnesha e Artë – Çmimi i PriFest-it për arritje vjetore në kinematografi për kineastin vendor, shkon për:
    producentin VALON BAJGORA

    ‘Çmimi Vjosa Berisha’ – Hyjnesha e Kuqe per filmin me te mirë Ballkanik:
    ndahet mes filmave TOKA BRENDA MEJE nga Fisnik Maxville (Kosove, Zvicerr) dhe BLAGA’S LESSONS nga Stefan Kumandarev (Bullgari).

  • Mamografia falas, në tri qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Mamografia falas, në tri qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për ta rritur vetëdijesimin për rëndësinë e mamografisë, Komuna e Prishtinës ka veshur një autobus të linjës 4 me ngjyrë rozë.

    Të gjithë pacientët që do të bëjnë shërbimin e mamografisë do të pajisjen me një biletë të veçantë që do t’ua mundësojë atyre të udhëtojnë falas me transportin publik, gjatë muajit tetor.

    Po ashtu, falas shërbimi i mamografisë do të ofrohet në tri Qendra të Mjekësisë familjare në kryeqytet.

    “Qëllimi ynë është që bashkërisht të promovojmë autobusin rozë në Prishtinë i cili ka për qëllim promovimin dhe vetëdijesimin e grave për bërjen monografisë. Prishtina këtë vit i është bashkëngjitur 140 qyteteve në botë, si ‘Prishtina 2023’, e cila ka filluar në vitin 1983 si aktivitet, do të bëhet në QKMF, lagjen “Dardania” dhe në QMF “Veternik”, tha drejtori i shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku,.

    Derisa muaji i ardhshëm njihet ndryshe edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, udhëheqësja e aktiviteteve, Kristale Rama, u ka bërë thirrje grave e vajzave t’iu nënshtrohen kontrolleve, pasi, sipas saj, janë shumë të rëndësishme.

    “Ne duam gjithashtu t’i inkurajojmë gratë që t’i marrin seriozisht sportet dhe ushtrimet e përditshme, sepse janë pjesë e kujdesit shëndetësor dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që gratë të jenë të shëndetshme dhe po japim një shembull të mirë për vajzat”, tha Rama.

    Iniciativa e Komunës së Prishtinës është mirëpritur edhe nga qytetarët.

    “Shumë mirë, është rregull për të gjithë, sidomos për gratë e tjera është e përsosur, po duhet bërë kontrolle me rregull. Ato duhen bërë me vetëdëshirë se nuk bën, po ne e lëmë pas dore”, tha Rajmonda Pera, qytetare.

    Sipas të dhënave të fundit, gjatë këtij viti për 10 % është rritur numri i rasteve me kancer të gjirit.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një delegacion nga Ukraina mban fjalim në Kolegjin AAB

    Një delegacion nga Ukraina mban fjalim në Kolegjin AAB

    Përgatiti: Armand Hoti

    Disa mysafirë po vijnë nga larg.

    Delegacioni ukrainas së bashku me Nenad Canakun, kryetarin e Institutit për Ballkanin Perëndimor, u mikpritën nga stafi akademik i Kolegjit AAB, por edhe nga studentë të shumtë.

    Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Ukraina, ishte një ndër çështjet që u diskutua ndërmjet delegacionit ukrainas dhe studentëve të AAB-së.

    “Ne nuk e dimë se a do të ekzistojmë nesër, apo a do të jemi gjallë. Siç e dini, paqeruajtësit ukrainas qëndruan në Kosovë për një kohë të gjatë të sigurojnë stabilitet dhe paqe, por tani për tani ne jemi ata që kami nevojë për paqeruajtësit”, tha Mykola Davidyuk, politolog ukrainas.

    Ndërsa, Nenad Çanak, ish-deputeti i kuvendit të Serbisë, ka folur për ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe për moszgjidhjen e çështjeve të hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    “Ekziston një influencë shumë e fortë e Rusisë, e cila po ndikon në marrëdhëniet tona. Nëse nuk e heqim qafe influencën toksike të Rusisë, është thuajse e pamundur për ne që t’i zgjidhim problemet tona lokale”, tha Çanak.

    Edhe zyrtarët e tjerë ukrainas kanë folur kryesisht për ndikimin e Rusisë dhe për pasojat e luftës në Ukrainë.

    Pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, gazetarë por edhe zyrtarë tjerë ukrainas kanë ardhur në Kosovë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Investimet e huaja të orientuara në patundshmëri, kritikohen politikat e Qeverisë

    Investimet e huaja të orientuara në patundshmëri, kritikohen politikat e Qeverisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nga 184 milionë në 251.5 milionë. Investimet e huaja direkte në Kosovë, në katërmujorin e parë të vitit 2022, u rritën për afro 70 milionë euro, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit që lamë pas.

    Referuar të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania prin me investime të huaja direkte në Kosovë dhe ndiqet nga Zvicra dhe shtete të tjera ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.

    Në raportin e Vlerësimit të Ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2023, sipas BQK-së, një pjesë e madhe investimeve të huaja direkte në Kosovë, janë të orientuara në sektorin e patundshmërisë, i cili pasohet nga sektori financiar dhe ai i sigurimit.

    Konstatimin e BQK-së e mbështet eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

    “Vetë fakti që sot investimet e huaja direkte po quhen shumë më shumë investime të diasporës në patundshmëri sesa që janë investime konkrete që gjenerojnë vende të reja të punës, që përmirësojnë bilancin e pagesave, përmirësojnë imazhin e Kosovës. Investime të tilla po mungojnë”, tha Gërxhaliu.

    Profesori universitar, Fidan Qerimi, thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë sektorë të tjerë, në mënyrë që të nxisë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të joshë investitorë të jashtëm.

    “Zhvillimi ekonomik nuk vjen nga ndërtimet, zhvillimi ekonomik duhet të orientohet në prodhim… padyshim Kosova ka resurse natyrore dhe mbitokësore jashtëzakonisht shumë dhe ne nuk i kemi promovuar ato”, tha Qerimi.

    Ndërsa, eksperti Gërxhaliu thotë se zhvillimi ekonomik po nxitet më shumë nga sektori privat se sa nga institucionet shtetërore.

    “Sot do të isha personi më i lumtur nëse juve do të mund t’ua numëroja pesë investime të huaja në dy vitet e fundit… Ka vërtet sektorë të shumtë që mund të jenë atraktivë. Sot zhvillimi ekonomik është më tepër në mëshirën e sektorit privat sesa institucioneve”, tha Gërxhaliu.

    Lidhur me kritikat e ekspertëve, ATV-ja ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, nga institucioni nuk kthyen përgjigje. Ndërkohë, partia në pushtet, pas publikimit të këtij raporti u mburr në rrjete sociale me rritjen e investimeve të huaja direkte.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Nëse shkojmë në zgjedhje, “zhduket” opozita

    Kurti: Nëse shkojmë në zgjedhje, “zhduket” opozita

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth kërkesës së opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje. Në konferencën për media të së hënës ai tha se as opozitës e as Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    “Kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim, e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse i humb. E qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita. Unë jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën, por jo që ta zhduk”, tha Kurti.

    Por, reagimi i partive opozitare ndaj kësaj deklarate të kryeministrit Kurti, qe i menjëhershëm. Shefat e grupeve parlamentare të dy partive opozitare, PDK dhe AAK, u shprehën të bindur se në rast të zgjedhjeve, Kurti nuk do të mund ta fitonte një mandat të dytë në krye të qeverisë.

    “Vetë fakti që atij i shkon në mendje opozita, ai tregon që frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka të sigurt që qeveri në mandatin e ardhshëm, kurdo që të mbahen zgjedhjet, qoftë ato në një afat sa më të shpejtë apo më të largët, ai nuk do të mund ta krijojë… Ai nuk do t’i ketë as numrat dhe as mundësinë që ta krijojë një qeveri të dytë. Ai mundohet çdo ditë që ta shtyjë mandatin dhe ju po e shihni se në çfarë katrahure është vendi”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “…..Kryeministri Kurti ka filluar të bëhet humorist, ai asnjëherë nuk ka pasur kujdes për opozitën, ai nuk kujdeset për njerëzit që i ka brenda që kanë mendim ndryshe, le me për opozitë. Le të del në qoftë se ja mban në zgjedhje e sheh, ai e di shumë mirë që e ka humbur fuqinë elektorale politike”, tha shefi i gp të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Këto deklarata u dhanë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u vendos që të enjten të mbahen dy seanca, në njërën prej të cilave do të votohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Subvencionet 3”, katër të akuzuarit dënohen me 28 muaj burgim

    “Subvencionet 3”, katër të akuzuarit dënohen me 28 muaj burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Gati dy javë pasi pranuan fajësinë për dhënie ryshfeti e keqpërdorim me subvencionet për bujqësi, Bejtush Gashi, Sadush Kabashi, Halit e Arbër Avdijaj u paraqitën sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Të ulur në sallën e gjykimit, e në heshtje po e prisnin vendimin e trupit gjykues.

    Pak minuta pasi ishte planifikuar të shpallet aktgjykimi, kryetarja Valbona Musliu – Selimaj njofton që Gjykata i ka gjetur fajtorë për veprat penale që janë ngarkuar.

    Secili u dënua me gjashtë muaj burgim, e me nga një mijë euro gjobë.

    Por, Arbër Avdijajt i ka shqiptuar edhe dënim unik me burgim prej dhjetë muajsh dhe është obliguar që t’ia kthejë shtetit 63 mijë e 198 euro.

    Avdiaj, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, kishte dhënë ryshfet dhe kishte aplikuar për subvencione në emër të Halit Avdijajt.

    Katër të dënuarit e kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar në rastin e dallavereve me subvencione.

    Ndërsa, gjykimi do të vazhdojë për të akuzuarit e tjerë, të cilët e kishin mohuar fajësinë, në mesin e tyre zyrtarë komunalë, dhe Luan Statovci, drejtor për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

    Statovci dhe të tjerët ishin arrestuar gjatë një aksioni të Policisë, në shkurt të vitit 2021, gjatë të cilit ishin sekuestruar 400 mijë euro.

    Të hollat ishin gjetur në shtëpitë e të akuzuarve, gjatë aksionit, i cili ishte
    zhvilluar në rajonin e Istogut, të Gjilanit, të Lipjanit dhe atë të Pejës.

    Bastisje ishte zhvilluar edhe në rajone të tjera gjatë një aksioni disa ditë para arrestimit të Statovcit, ku në pranga kishin përfunduar rreth 30 persona, në mesin e tyre zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë e komunalë, bujq dhe fermerë.

    Pas hetimeve, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuza, ku aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë duke u zhvilluar edhe dy procese të tjera gjyqësore, Subvencionet 1 dhe Subvencionet 2.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ndërtimi i shtëpive në veri, ankesa për parregullsi në projektin e MAPL-së

    Ndërtimi i shtëpive në veri, ankesa për parregullsi në projektin e MAPL-së

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dibran Behrami është ndër të paktët banorë nga Bistrica e Leposaviqit, që nuk e ka lëshuar vendlindjen.

    Por ndonëse vendosi të qëndrojë në fshat, mezi ia del të jetojë për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

    Shtëpinë që ka e ndan bashkë me vëllain, ndonëse thotë se ajo nuk i plotëson kushtet për jetesë.

    “Unë këtu jetoj, as nuk kam kuzhinë, banjë nuk kam, në koritë po duhet mu pastru se nuk po kam ku”, tha Behrami.

    Shpresa që do t’i ndërtohej një shtëpi e re, thotë se iu rrit kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, hapi thirrjen për aplikim për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

    Megjithatë, shpresa iu shua kur nuk u përzgjodh nga MAPL-ja, për çka dyshon se kishte parregullsi.

    “Dy herë më kanë thanë me apliku, dy herë kam apliku dhe s’kam fitu, ata që kanë pas shtëpi nga 3-4 kat kanë fitu, ndërsa unë që nuk kam shtëpi as në Mitrovicë e as në Bistricë, unë jo, as unë e as vëllai. Ka pas hile a unë gjithmonë këtu kam ndenjtë”, tha Behrami.

    Edhe në fshatin Koshtovë, ka disa familje që nuk kanë përfituar nga programi i MAPL-së. Ani pse jo para kamerës, edhe ata pretendojnë se kishte parregullsi në përzgjedhje.

    Në një përgjigje përmes telefonit, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, tha se kanë dal përsëri në terren për t’i verifikuar aplikuesit.

    “E di që komisioni ka dalë edhe një herë në verifikim se kur i dorëzon dokumentet është tjetër, por kur del në vend të ngjarjes e sheh më mirë, dhe e di prej vizitës që e kam pasur në vend të ngjarjes, që kanë ndryshuar rrethanat”, tha Krasniqi.

    Në listën e përfituesve të publikuar nga Ministria, figurojnë 57 familje që janë përzgjedhur për ndihmë, ndërkohë që shuma e ndarë nga MAPL-ja për këtë projekt në gjithë Kosovën, është 3 milionë euro, 2 milionë për ndërtim të shtëpive dhe 1 milion për renovime.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti akuzon Lajçakun për anshmëri, nuk tregon si do të vazhdojë dialogu

    Kurti akuzon Lajçakun për anshmëri, nuk tregon si do të vazhdojë dialogu

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kryeministri Albin Kurti nuk qartësoi nëse ose si dhe kur do të vazhdojë procesi i dialogut në Bruksel, teksa akuzoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, ndërmjetësin Miroslav Lajçak, për rreshtim përkrah Serbisë.

    Referuar takimeve të 14 Shtatorit, kryeministri Kurti tha se emisari Lajçak është koordinuar dhe ka vepruar në skenar të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, për propozimin e draft-dokumentit të sekuencimit.

    Për këtë ai tha se u ka shkruar letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken; kancelarit gjerman, Olaf Scholz; presidenti francez, Emmanuel Eacron dhe kryeministres italiane, GIorgia Meloni.

    Megjithatë, ai nuk tregoi nëse ka kërkuar direkt largimin e Lajçakut e as nëse dialogu do të vazhdojë, gjersa diplomati sllovak të jetë në rolin e ndërmjetësit.

    “Është koha kur kemi nevojë për konsultime me Brukselin së pari dhe, gjithashtu, edhe Uashingtonit, Berlinit, Parisin, e kështu me radhë dhe këtë po e bëjmë. Duhet t’i rikthehemi marrëveshjes bazike dhe tekstit të dakorduar në Bruksel dhe në Ohër që duhet të shndërrohet në zbatim real në terren. Insistimi ynë do të jetë në këtë pikë dhe unë besoj se do të kemi diskutime përmbajtjesore edhe vend brenda BE-së që procesin të kthejmë në binarë, nga është nxjerrë me njëanshmërinë e emisarit”, ka thnë Kurti.

    Kryeministri përmendi mungesën e reagimit ndaj votimit të Serbisë kundër, në fazën fillestare të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si pikë të thyerjes së madhe të besimit në ndërmjetësit.

    “Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilin jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen me gjykimin tim me asnjë hedhje hirit syve. Ose do të zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, ka thënë Kurti.

    Duke vazhduar akuzat ndaj përfaqësuesit të BE-së, as kryeministri e as zëvendësi i tij i parë, nuk treguan nëse do të ketë masa të reja ndëshkuese për Kosovën.

    “Ka pasë premtim nga Lajçaku që masat do të hiqen menjëherë pas 14 shtatorit, me një letër që do të dërgojë zotëri Borell te Komisioni Evropian. Në vend të kësaj zotëri Lajçak u ka raportuar vendeve anëtare që masat ndaj Kosovës po kanë efekt dhe rrjedhimisht do të mbetet në fuqi”, ka thënë zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi.

    Pasi theksoi se duhet kujdes që të mos ketë ri-eskalim të situatës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kryeministri tha se adresë për dhunën paraprake dhe eventuale është Beogradi.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Pa i mshu kresë djalit jem sen si bon”, historia qesharake kur gjyshja e këshilloi kampionin e botës në “Muay Thai”

    “Pa i mshu kresë djalit jem sen si bon”, historia qesharake kur gjyshja e këshilloi kampionin e botës në “Muay Thai”

    Kampioni i botës në sportin luftarak “Muay Thai”, Luan Rudaj, ishte i ftuar në emisionin STUDIO A në ATV. Ai në këtë emision rrëfeu shumë nga jeta e tij private, por edhe sporti me të cilin tashmë ka arritur majat e suksesit.

    Luani, në këtë emision ka treguar një histori qesharake, kur gjyshja e tij e kishte këshilluar se si të luftojnë në ring.

    Ajo e kishte pyetur se çfarë i kishte thënë trajneri gjatë ushtrimeve të fundit. Ky ia kishte kthyer se e kishte këshilluar që ta godasë kundërshtarin në barkë.

    “Pa i mshu kresë djalit jem sen si bon”, ia kishte kthy gjyshja e tij.