ATV

Blog

  • Driton Latifi: Ndeshja Drita – Prishtina është vendimtare për të ardhmen e trajnerit Vavalis

    Driton Latifi: Ndeshja Drita – Prishtina është vendimtare për të ardhmen e trajnerit Vavalis

    Analisti i njohur i futbollit kosovar, Driton Latifi, është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Latifi duke e komentuar barazimin e Dritës me Fushë Kosovën ka deklaruar që trajneri Akis Vavalis nuk i ka punët mirë.

    ‘Tifozët e Dritës nuk është që durojnë shumë. Mendoj që sfida e radhës e Dritës me Prishtinën do të jetë vendimtare edhe trajnerin Akis Vavalis’ tha Latifi.

    Kujtojmë që Drita aktualisht deri me tani ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka vetëm një fitore dhe 3 barazime, duke grumbulluar kështu pesë pikë.

  • Ballkani barazoi me Dukagjinin, Gani Sejdiu: Klubi nga Suhareka e ka vëmendjen te garat evropiane

    Ballkani barazoi me Dukagjinin, Gani Sejdiu: Klubi nga Suhareka e ka vëmendjen te garat evropiane

    Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu sonte është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Sejdiu duke e komentuar ndeshjen Dukagjini – Ballkani e cila përfundoi 1:1, ka deklaruar që skuadra e cila po drejtohet nga Ilir Daja vëmendjen e ka më shumë në garat evropiane.

    ‘Pa dashur me minimizu angazhimin e Dukagjinit, por mendoj që skuadra e Ballkanit aktualisht vemendjën e ka të ndeshja të cilët do ta zhvillojnë të enjten në garat evropiane’ tha Sejdiu.

    Emisionin live mundeni ta ndiqni më poshtë.

  • ​Begaj: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, moment i rëndësishëm

    ​Begaj: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, moment i rëndësishëm

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar.

    Kështu ka thënë Begaj përmes një statusi në rrjetin social “X”. Ai po qëndron në Nju Jorku të ShBA-së, ku po kryeson delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që merr pjesë në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

    “Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB po fillon. Ky është një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar, mbushur me takime bilaterale dhe diskutime me liderë të tjerë botërorë”, ka shkruar ai në “X”.

  • Konjufca takon delegacionin e Norvegjisë në APKE, flasin për integrimin euroatlantik

    Konjufca takon delegacionin e Norvegjisë në APKE, flasin për integrimin euroatlantik

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot (e hënë) ka pritur në takim delegacionin e Norvegjisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), ku u bisedua për marrëdhëniet mes dy vendeve, me fokus vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez ndaj Kosovës në rrugën integruese euroatlantike.

    Sipas komunikatws pwr media, anëtarët e delegacionit norvegjez në APKE, ofruan mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

    Me delegacionin norvegjez i cili përbëhej nga Ingjerd Schou, Lise Christoffersen, Lisa Marie Klungland, Andreas Sjalg Unneland, Anita Helland Kjus dhe Eric Christensen, Konjufca bisedoi po ashtu për çështje të tjera në interes të vendit.

    “Kryetari Konjufca e njoftoi delegacionin norvegjez në APKE lidhur me punët e deritashme, sfidat dhe të arriturat e kësaj legjislature. Gjithashtu i informoi në lidhje me hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kryetari i Kuvendit theksoi se Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, meqë i ka plotësuar të gjitha kriteret, duke bërë progres në të gjitha fushat, përfshirë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe ndërtimin e shtetit me standarde të larta demokratike”, thuhet në komunikatën për media.

    “Anëtarët e delegacionit norvegjez në APKE, pasi e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen, ofruan mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet po aty.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj 2022. Ndërsa më 24 prill 2023, Komiteti i Ministrave me më shumë së 2/3 e votave ka votuar në favor të procedimit tutje të kërkesës për anëtarësim në KiE.

  • ​KOK dhe MKRS nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për Lojërat Mesdhetare

    ​KOK dhe MKRS nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për Lojërat Mesdhetare

    Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rimi dhe Sport kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Kosovë në vitin 2030.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi se kjo është një ngjarje historike për vendin tonë sepse bazuar në hapësirën territoriale që ka Kosova, ato kanë rëndësinë e njëjtë me Lojërat Olimpike që organizohen vitin e ardhshëm në Francë.

    Ai shtoi se 19 komuna në Kosovë do të shndërrohen në qendra të mëdha sportive dhe se ato do të jenë përfituese të investimeve në infrastrukturën sportive ku do të përfshihen ndërtimi dhe renovimi i 24 objekteve sportive, duke përfshirë edhe ndërtimin e stadiumit nacional.

    “Koncepti me të cilin kemi fituar aktualisht ka dy shtete dhe 11 komuna të cilat do të shndërrohen në qendra të këtij organizimi duke përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe Durrësin në Shqipëri. Janë 24 objekte sportive, prej të cilave 10 do të rinovohen, përfshirë sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, katër të reja do të ndërtohen, përfshirë stadiumin nacional dhe kompleksin e pishinave olimpike, pesë të tjera të cilat janë në ndërtim e sipër, përfshirë stadiumin e Gjilanit dhe atë të Mitrovicës, pesë investime të përkohshme që do t’i shërbejnë sportistëve në disiplina të ndryshe, si 3×3 basketboll, lundrimi, çiklizmi dhe të tjera.”, theksoi Çeku.

    I pari i MKRS-së, përsëriti se kostoja totale e investimeve në infrastrukturë do të arrijë vlerën prej 250 milionë euro, derisë bëri të ditur se në Kuvendin e Kosovës do të hartohet një ligj i veçantë për organizimin e kësaj ngjarje sportive.

    Nga ana tjetër, presidenti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se marrja e të drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare ishte një premtim i dhënë nga udhëheqja e re e KOK ut, por deri tek ky rezultat kishte sfida të mëdha, sidomos për shkak të lobimit të madh nga ana e Serbisë kundër Kosovës në këtë proces dhe se për 55 votat pro të marra në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare u desh të bëhej fushatë e jashtëzakonshme nga ana e gjithë shtetit të Kosovës.

    “Marrja e organizimit të një ngjarje kaq madhore siç janë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” ka qene premtim dhe synim i imi dhe o bordit të tanishëm të Komitetit Olimpik të Kosovës që nga ardhja jonë në udhëheqje të lëvizjes olimpike…Ka një vit që jemi përballur me sfida të ndryshme për ta përjetuar së bashku këtë moment historik. Sfida më e madhe ishte mungesa e daljes në det e cila na penalizoi dhe na detyroi që ta ndryshojmë statutin e ICMG-së… Sfida e madhe edhe e pritshme ishte edhe ofensivë e madhe e Serbisë e cila me të gjitha forcat tentonte që ta parandalonte kandidaturën tonë”, theksoi Krasniqi.

    E ngazëllyer që Kosova e ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare u shpreh edhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi. Ajo para të pranishmëve apeloi që të punohet në maksimum që t’i tregojmë botës vlerat e Kosovës.

    “Jam jashtëzakonisht e lumtur që sukseset e mëdha të sportistëve tanë po përcjellën edhe me organizime serioze në vendin tonë siç janë Lojërat Mesdhetarë ‘Prishtina 2030’. Unë po apeloj që t’i lëmë fjalët, t’i përvishemi punës që t’i tregojmë botës çfarë vlera kemi ne, jo vetëm si sport por edhe si komb, t’i mirëpresim njerëzit, qytetarët, sportistët ashtu siç dimë ne sepse ne shqiptarët mikpritjen e kemi virtyt, kështu që të punojmë në maksimum edhe të mos flasim shumë”, tha Kelmendi.

    Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare me 55 vota pro dhe tetë kundër në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të mbajtur më 8 shtator në Heraklon të Greqisë.

  • LDK prezanton edhe 50 zotimet tjera: Rritje ekonomike 4-5 për qind në vit

    LDK prezanton edhe 50 zotimet tjera: Rritje ekonomike 4-5 për qind në vit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar edhe 50 zotimet tjera të programit “Rruga e Re”, me ç’rast ka premtuar rritje ekonomike 4-5 për qind në vit.

    Në kuadër të këtyre pikave, Abdixhiku ka premtuar se do të rrisin koeficientin e pagës në 135 euro, vendi do të ketë 10 mijë policë, zero për qind TVSh për të gjitha produktet bazike etj.

    Sot gjatë ditës Abdixhiku ka publikuar pjesën e parë të zotimeve, ku vëmendjen më të madhe e mori pika për nxitjen e natalitetit, gjegjësisht premtimi për ndarjen e 5 mijë eurove për fëmijën e tretë.

  • OKB-ja rikonfirmon përkushtimin për avancim global deri më 2030

    OKB-ja rikonfirmon përkushtimin për avancim global deri më 2030

    Të 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë miratuar një deklaratë për të rikonfirmuar përkushtimin e tyre për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

    Ky tekst është miratuar në mënyrë unanime në takimin e së hënës, një ditë para nisjes së debatit në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan rel, transmeton KosovaPress.

    Fjalime do të mbajnë liderë nga shumë vende të botës.

    Një grup i shteteve të udhëhequra nga Rusia ka kërcënuar me bllokim të Deklaratës për Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, mirëpo në fund nuk ka ndodhur asgjë.

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë se deklarata e së hënës mund ta përshpejtojë punën drejt jetësimit të objektivave të përbashkëta.

    Deklarata përfshin përkushtimin për financim të vendeve në zhvillim dhe ofrimin e mbështetjes për një pako në vlerë të të paktën 500 miliardë dollarëve në vit.

    Në mesin e 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm përfshihet dhënia fund e varfërisë dhe varfërisë ekstreme deri më 2030.

    Këto synime janë përmendur fillimisht më 2015.

    Megjithatë, pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë dhe kriza me borxhet në vendet e varfra, e kanë penguar përparimin.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse gjërat ecin me këtë ritëm, 575 milionë njerëz do të jetojnë në varfëri ekstreme dhe më shumë se 600 milionë tjerë do të përballen me uri deri më 2030.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për më shumë përpjekje për arritje të synimeve.

    “Ne e shohim që përparimi që e kemi synuar për botën, po ec me ritëm të ngadalshëm, e shohim që nuk kemi shënuar përparimin që e kemi dashur. Mirëpo kjo është arsye që të gjithë ne të kujdesemi për të arritur më tepër përparim”.

    Kancelari gjerman ka thënë se vendet në zhvillim janë në pritje të ndihmës më të madhe ekonomike nga kombet e fuqishme.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nis zyrtarisht të martën dhe zgjat një javë.

  • ​Osmani takon kryeministrin e Libanit, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    ​Osmani takon kryeministrin e Libanit, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati.

    Në komunikatën për media thuhet se në këtë takim, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për formalizmin e marrëdhënieve diplomatike.

    “Presidentja Osmani e ka njoftuar kryeministrin Mikati edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë”, thuhet po aty.

    Bëhet e ditur se ata kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.

    “Në takim me kryeministrin Mikati, presidentja Osmani foli edhe për organizimin e edicionit të dytë të Forumit global të Grave, Paqes dhe Sigurisë që mbahet më 23 tetor të këtij viti dhe i bëri ftesë për pjesëmarrje atij dhe zyrtarëve të tjerë libanezë”, thuhet në fund të komunikatës.

  • ​Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për thellim të marrëdhënieve diplomatike

    ​Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për thellim të marrëdhënieve diplomatike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto.

    Në këtë takim, Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve, thuhet në komunikatën për media.

    “Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Osmani.

    Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike.

  • Erdogan takon Musk, e fton të ndërtojë fabrikën e radhës në Turqi

    Erdogan takon Musk, e fton të ndërtojë fabrikën e radhës në Turqi

    Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me CEO të Tesla-s, Elon Musk të dielën në qytetin e Nju Jorkut, duke e ftuar atë në Turqi dhe duke i kërkuar që të hapë fabrikën e shtatë të Tesla-s atje.

    Gjatë takimit, i cili u zhvillua në Shtëpinë Turke (e quajtur edhe Qendra Turkevi) në Manhatan, Erdogan informoi Musk, themeluesin e Tesla dhe SpaceX, për “përparimet teknologjike të Turqisë”, si dhe vizionin “Turqia Digjitale” dhe “Artificialin Kombëtar Strategjia e Inteligjencës”, tha në një deklaratë Drejtoria e Komunikimit të Turqisë, shkruan aa.

    Erdogan i bëri thirrje Teslës të krijojë fabrikën e saj të shtatë në Turqi, thuhet në deklaratë, transmeton KosovaPress.

    “Presidenti Erdogan deklaroi se mundësitë për bashkëpunim me SpaceX mund të lindin përmes hapave të ndërmarrë dhe që do të ndërmerren si pjesë e programit hapësinor të Turqisë dhe e ftoi Musk në Teknofest që do të mbahet në Izmir”, thuhet po aty.

    Sipas deklaratës nga Drejtoria Turke e Komunikimeve, Musk në këmbim tha se shumë furnizues turq tashmë po punojnë me Tesla-n dhe se Turqia është ndër kandidatët më të rëndësishëm për fabrikën e ardhshme.

    Në përgjigje të ofertës së presidentit Erdogan për bashkëpunim me shërbimin satelitor Starlink të SpaceX, si dhe në inteligjencën artificiale, Musk tha se ata dëshirojnë të punojnë me autoritetet turke për të marrë licencën e nevojshme për të ofruar shërbime satelitore Starlink në Turqi, thuhet në deklaratë.

    Gjatë takimit, Erdogan përmendi gjithashtu suksesin e Turqisë në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot Bayraktar TB2 (UAV), ndërsa Musk u përgjigj duke thënë se ishte i vetëdijshëm për interesin e botës për dronët Bayraktar, thuhet në përfundim të deklaratës.