ATV

Blog

  • Një shqiptar në bordin e fotiljes së sulmuar nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme shqiptare

    Një shqiptar në bordin e fotiljes së sulmuar nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme shqiptare

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar lidhur me rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”, një mision humanitar ndërkombëtar që po përpiqet të çajë bllokadën e vendosur nga Izraeli në Gaza, Palestinë.

    Sipas zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi për Euronews Albania, ministria është vënë në dijeni për rastin dhe që në momentet e para ka vendosur komunikim përmes kanaleve diplomatike me autoritetet izraelite kompetente, me qëllim sigurimin e informacionit të plotë mbi situatën.

    Në reagim theksohet se qëllimi kryesor është garantimi i respektimit të të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.

    MEPJ bën të ditur se po e ndjek çështjen me prioritet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e shtetasit Baki Goxhaj. Ministria pritet të informojë në vijim mbi hapat dhe procedurat e mëtejshme.

    Në fund, MEPJ thekson angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, duke vijuar ndjekjen nga afër të rastit në koordinim me autoritetet dhe partnerët përkatës.

  • Haradinaj: Kandidatura e Ardian Gjinit e ka shqetësuar Kurtin – Qeveria nuk investoi në Gjakovë

    Haradinaj: Kandidatura e Ardian Gjinit e ka shqetësuar Kurtin – Qeveria nuk investoi në Gjakovë

    Daut Haradinaj nga AAK-ja, ka thënë në “Pressing” të T7, se kandidimi i Ardian Gjinit për kryeministër e ka shqetësuar Albin Kurtin.

    Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e filloi fushatën në Gjakovë, por në këtë qytet nuk kanë punuar asgjë.

    “Nominimi i Ardian Gjinit e ka shqetësu Albin Kurtin sepse e sheh si rival të fortë. Kush e ka pa dje tubimin e VV-së në Gjakovë, e ka nisur fushatën në një qytet që për vite tëra nga qeverisja qendrore janë ndarë vetëm 20 centë për kokë banorë”, ka thënë ai.

  • Këta janë 902 kandidatët për deputetë të certifikuar nga KQZ

    Këta janë 902 kandidatët për deputetë të certifikuar nga KQZ

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se pas përmbylljes së procesit të certifikimit, janë publikuar listat e kandidatëve për deputetë të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Listën e kandidatëve për deputetë, mund ta shkarkoni KËTU.

    “Në mbledhjen e mbajtur më 16 maj, KQZ certifikoi 902 kandidatë për deputetë të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026. Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra”, thuhet në njoftim.

  • Kurti: Sami Lushtaku tentoi të bëjë ndeshje me eskortën ku ndodhesha unë, por kjo s’bëhet e madhe

    Kurti: Sami Lushtaku tentoi të bëjë ndeshje me eskortën ku ndodhesha unë, por kjo s’bëhet e madhe

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se “kryetari i Skënderajt ka synuar të aksidentohet me eskortën ku ndodhesha unë”.

    Ai në KTV, tha:

    “Me 31 janar 2025, u synua pamundësimi i Tubimit të LVV-së në Skënderaj, ka pasur dhunë kundër neve. Kryetari i Komunës së Skënderajt me veturë zyrtare 2Z, ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhesha unë…Por nuk bëhet shumë e madhe kjo”, tha Kurti, transmeton Gazeta Express.

    “Dmth tri vetura ishin aty”, u shpreh Kurti.

    Ju ka synuar juve? U pyet nga gazetari.

    “Nuk e di, ndonjë prej truprojave të mia thoni ju? Kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja e afërt, vetëm nëse ka diçka me ndonjë polic të mbrojtjes së afërt, atëherë mund të thoni që nuk e ka pasë me mua”, tha Kurti.

    “Ka synuar ta ndërprejë qarkullimin me eskortë me veturë zyrtare. Ka proces policor për këtë gjë, por nuk është arrestuar aty”, tha ai.

    “Në anën tjetër e pat zv.ministrin e Financave, Hynsi Mehani, “është djalë intelektual…është trim, ai qarkullon lirshëm nëpër Skënderaj, pavarësisht kërcënimeve. Kur është ndodhur në të njëjtën hapësirë me kryetarin e Komunës, ata e kanë sulmuar fizikish, ka edhe incizime…”, tha ai.

    Sipas Kurtit, “Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka janë dënuar për statuse në Facebook. Ta shohim këta sa do dënohen që e sulmuan dhe e përgjaken Hysni Mehanin”.

    Ai tha “ta shohim sa do dënohet se në stacion policor shkon”, për Lushtakun.

  • Karnevali Golden Eagle konfirmon datat 26 & 27 Qershor 2026

    Karnevali Golden Eagle konfirmon datat 26 & 27 Qershor 2026

    Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit mbledh mijëra vizitorë dhe adhurues të muzikës nga vende të ndryshme. Sipas organizatorëve, ky edicion do të mbahet më 26 dhe 27 qershor, ndërsa pritet të jetë një nga organizimet më të mëdha dhe më spektakolare deri më tani.

    Ky festival tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore dhe argëtuese, duke sjellë energji, muzikë dhe aktivitete të shumta për të gjitha grupmoshat. Gjatë dy netëve të festivalit pritet të performojnë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, DJ të famshëm, si dhe grupe të ndryshme muzikore që do të krijojnë një atmosferë unike për publikun.

    Karnavali “Golden Eagle” konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha verore, duke promovuar muzikën, kulturën dhe turizmin lokal. Edicioni i vitit 2026 premton organizim modern, skenografi mbresëlënëse dhe një program të pasur artistik që do ta bëjë fundjavën e 26 dhe 27 qershorit të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

  • Giorgio Chiellini pas humbjes së Juventusit: “Po i marrim gjërat ditë pas dite”

    Giorgio Chiellini pas humbjes së Juventusit: “Po i marrim gjërat ditë pas dite”

    Giorgio Chiellini, drejtori i Strategjisë së futbollit te Juventusi, ka deklaruar se “bardhezinjtë po i marrin gjërat ditë pas dite” pas humbjes 2-0 ndaj Fiorentinës. Ky rezultat i la ata vetëm dy pikë larg një vendi që dërgon në Ligën e Kampionëve, me vetëm 90 minuta për t’u luajtur deri në fund të sezonit.

    Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve pas disfatës në “Allianz Stadium”. Raportime nga Italia sugjerojnë se pronari i klubit, John Elkann, mund të vendosë ndryshime në menaxhim për sezonin 2026/27, përfshirë edhe drejtorin ekzekutiv Damien Comolli, i cili ka vetëm një vit në Torino. Vendimet pritet të merren pas ndeshjes së fundit të sezonit, derbit të qytetit kundër Torinos të dielën.

    “Dje ishte patjetër një ditë negative. Ne i marrim gjërat ditë pas dite dhe po presim ta përfundojmë sezonin”, u shpreh Chiellini gjatë një eventi të hënën, siç raportohet nga TMW.

    Ironikisht, Fiorentina e mposhti Juventusin me Fabio Paraticin – ish-drejtori i “Zonjës së Vjetër”, tani ekzekutiv te Viola – i cili u rikthye në Torino si kundërshtar për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2021.

    “Kam pasur fatin të punoj me Paraticin, prandaj mendoj se ata janë në duar të mira për të tashmen dhe të ardhmen. Ai mund të krijojë diçka të rëndësishme; e ka rikthyer ekipin në rrugën e duhur në një sezon të vështirë”, shtoi Chiellini.

    Për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Juventusi duhet ta mposhtë Torinon, por njëkohësisht duhet të shpresojë që Milani, Roma dhe Como të mos fitojnë ndeshjet e tyre ndaj Cagliarit, Veronës dhe Cremoneses.

  • Pas largimit të Lewandowskit, Barcelona planifikon rindërtimin e repartit ofensiv

    Pas largimit të Lewandowskit, Barcelona planifikon rindërtimin e repartit ofensiv

    Pas largimit të Robert Lewandowskit, një epokë ka marrë fund te Barcelona, ndërsa klubi katalanas ka nisur menjëherë planet për rindërtimin e repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm.

    Sipas gazetarit Sique Rodriguez, prioritetet e Barcelonës në afatin kalimtar janë të qarta: afrimi i një sulmuesi qendror, transferimi i një anësori ofensiv dhe, nëse situata financiare e lejon, përforcimi i repartit defensiv.

    Në këtë kuadër, drejtuesit sportivë të klubit kanë refuzuar disa mundësi të rëndësishme në tregun e transferimeve. Një prej tyre ishte edhe Bernardo Silva, i cili iu propozua Barcelonës pas largimit nga Manchester City. Megjithatë, katalanasit konsiderojnë se mesfusha është tashmë e kompletuar, ndaj burimet financiare do të fokusohen në repartet e tjera.

    Në listën e objektivave kryesorë për repartin ofensiv përfshihen emra si Joao Pedro, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez. Brendapër brenda klubit është diskutuar edhe emri i Mikel Oyarzabal. Realizimi i transferimeve të mëdha mbetet i lidhur ngushtë me gjendjen financiare të klubit dhe respektimin e rregullave “1:1” të fair-play financiar të La Liga. Barcelona besohet se ka përmirësuar marrëdhëniet me La Ligën dhe është optimiste se gjatë verës do të arrijë të regjistrojë normalisht lojtarët e rinj.

    Megjithatë, klubi mund të detyrohet të realizojë shitje të tjera përpara se të konkretizojë afrime të mëdha. Largimi i Lewandowskit pritet të ulë ndjeshëm presionin mbi fondin e pagave, edhe pse dalja e sulmuesit polak nuk mjafton për të zgjidhur plotësisht problemet financiare të klubit katalanas.

  • Xherdan Shaqiri konfirmon besnikërinë ndaj Baselit: “Do ta rikthejmë klubin ku i takon”

    Xherdan Shaqiri konfirmon besnikërinë ndaj Baselit: “Do ta rikthejmë klubin ku i takon”

    Sulmuesi Xherdan Shaqiri ka konfirmuar se nuk ka plan të largohet nga Baseli dhe dëshiron ta ndihmojë klubin të rikthehet në nivelet ku e meriton.

    Edhe pse Basel u shpall kampion para dy vitesh, këtë sezon nuk ishte në formën më të mirë, ndërsa skuadra e sapo promovuar Thun fitoi titullin. Shaqiri për “Blick” ka deklaruar se do t’i qëndrojë besnik kontratës, e cila skadon në qershor 2027.

    “Jam dikush që do ta drejtoj dhe mbështes Baselin për ta kthyer ku i takon, dhe kjo nënkupton të garojmë për tituj. Kam edhe një vit në kontratë, prandaj gjithçka është e qartë”, theksoi ai.

    Shaqiri kritikoi gjithashtu lojtarët më të rinj të skuadrës për paraqitjet e këtij sezoni. “Lojtarët tanë të rinj duhet të mësojnë të funksionojnë ndryshe. Shpresoj të shohim rezultate të njëjta, por performanca të përmirësuara sezonin tjetër”, shtoi ai.

    Ky sezon, Shaqiri ka zhvilluar 34 paraqitje për Baselin në elitën e futbollit zviceran, duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 10 asistime, duke treguar se është ende një lojtar kyç për skuadrën.

  • Zlatko Daliç publikon listën e Kroacisë për Kampionatin Botëror 2026

    Zlatko Daliç publikon listën e Kroacisë për Kampionatin Botëror 2026

    Trajneri i Kombëtares së Kroacisë, Zlatko Daliç, ka publikuar sot listën e lojtarëve të ftuar për Kampionatin Botëror, i cili do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

     

    Kroacia bën pjesë në Grupin L, së bashku me Kombëtaren e Anglisë, Panamasë dhe Ganës. Përgatitjet zyrtare do të nisin më 25 maj. Para fillimit të turneut, kroatët do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore në vendlindje: më 2 qershor kundër Hungarisë në Rujevica dhe më 7 qershor kundër Sllovenisë në Varazhdin.

     

    Ndeshjen e parë në Kampionatin Botëror, Kroacia do ta zhvillojë më 17 qershor kundër Anglisë, më pas do të përballet me Panamanë më 24 qershor, dhe fazën e grupeve do ta mbyllë kundër Ganës më 27 qershor.

     

    Lista e Kroacisë:

     

    Portierë: Dominik Livakovic, Dominik Kotarski, Ivor Pandur.

     

    Mbrojtës: Josko Gvardiol, Duje Caleta-Car, Josip Sutalo, Josip Stanisic, Marin Pongracic, Martin Erlic, Luka Vuskovic.

     

    Mesfushorë: Luka Modric, Mateo Kovacic, Mario Pasalic, Nikola Vlasic, Luka Sucic, Martin Baturina, Kristijan Jakic, Petar Sucic, Nikola Moro, Toni Fruk.

     

    Sulmues: Ivan Perisic, Andrej Kramaric, Ante Budimir, Marco Pasalic, Petar Musa, Igor Matanovic.

     

    Në listën paraprake të ftesave janë përfshirë edhe Lovro Majer, Franjo Ivanovic, Dion Drena Beljo, Ivan Smolcic, Karlo Letica, Adrian Segecic dhe Luka Stojkovic.

  • Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e re me Barcelonën, e cila do të zgjasë deri në vitin 2028.

    Marrëveshja mes klubit katalanas dhe trajnerit gjerman ishte arritur prej javësh, por finalizimi i saj u bë vetëm tani, teksa sezoni po shkon drejt fundit. Barcelona ka përfshirë gjithashtu një opsion për të vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër, deri në 2029, megjithëse Flick fillimisht kishte hezituar për një marrëveshje afatgjatë.

    Nën drejtimin e 61-vjeçarit, Barcelona fitoi edhe një tjetër titull në La Liga këtë sezon dhe ruajti një rekord perfekt në ndeshjet kampionale në shtëpi në “Camp Nou”.

    Flick kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 para se të pranonte zgjatjen e re me klubin katalanas.