Mbi 67 milionë euro është vlera e kontratave njëburimore, të cilat i ka lidhur Korporata Energjetike e Kosovës vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Kjo shifër ka tejkaluar vlerën e parashikuar për modernizimin e turbinave të B1 dhe B2 për afro 1.5 milion euro. Sipas një raporti të publikuar nga Demokraci Plus, përpos KEK-ut, institucionet që lidhën më së shumti kontrata njëburimore, gjatë viteve 2019-2023, janë Komuna e Prishtinës, ajo e Gjakovës dhe ajo e Ferizajt.
Situata konsiderohet alarmante, meqë numri i kontratave është rritur nga viti në vit.
Një problem tjetër që ndikon në lidhjen e kontratave njëburimore vlerësohet të jenë edhe kapacitetet joadekuate të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në vitin 2022, vlera e shpenzuar në kontrata njëburimore arrinte rreth 78 milionë euro, derisa në vitin 2021 ishte 51 milionë euro.
Partia në pushtet, ndonëse ka shumicën e mjaftueshme të deputetëve për ta votuar projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
nuk po arrin ta çojë përpara, meqë pëlqimin për të, nga fillimi nuk e kanë dhënë disa deputetë të saj.
“Lejon gratë e pamartuara të bëjnë fëmijë, gjithashtu edhe adoleshentët, dhe lejon që meshkujt prej moshës 23-vjeçare të mund të mbesin steril”, tha deputeti i LV-së, Visar Korenica.
Së paku tre herë në Kuvend ka dështuar votimi në parim i këtij projektligji.
Në seancën e fundit, atë të së enjtes, ndonëse ishte pikë e rendit të ditës, projektligji u shty për një ditë tjetër.
Megjithatë, deputetët e pushtetit, sikurse Visar Korenica, do ta votonin në parim projektligjin, por vetëm nëse për votim në lexim të dytë do të ketë ndryshime në disa nene.
Qëndrim të njëjtë me Korenicën ka edhe Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Seanca e radhës në të cilën ky projektligj do të jetë sërish në rend dite, nuk është caktuar. Ndërkaq, nëpërmes këtij ligji, Kuvendi po synon që shërbimi i fekondimit artificial të lejohet edhe në sektorin publik.
Deri tash vetëm klinikat private e kanë ofruar këtë shërbim. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tenderi për blerjen e pajisjeve që do të mundësojë realizimin e fertilizimit të asistuar mjekësor, ka dështuar.
Me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian, Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa.
Ministrja Artane Rizvanolli tha se përmes kësaj skeme, synohet jo vetëm të ulet çmimi në fatura, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji.
“Sot po lansojmë thirrjen e tretë që subvencionon investimet në pajisje ngrohëse efiçiente, si pompë termike, kondicionerë apo klimë të tipit inverter me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë si druri e peleti. Investimet në këtë masë janë kyçe për strategjinë tonë për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit, duke qenë që një masë e madhe e energjisë nga familjet konsumohet pikërisht për ngrohje”, tha Rizvanolli.
Subvencionimi për pajisjet e ngrohjes vitin e kaluar, sipas ministres dha rezultate të kënaqshme.
“Rezultatet preliminare që i kemi nga një mostër e përfituesve të vitit të kaluar tregojnë se familjet që kanë investuar në pajisje efiçiente vjet, me ndihmën e subvencionit të Ministrisë së Ekonominë kanë kursyer mesatarisht 40 për qind në faturat e tyre të energjisë elektrike”, tha Rizvanolli.
Me këto masa synohet mbështetja e konsumatorëve familjarë, në veçanti familjeve në nevojë.
“Duke pasur efiçiencë të energjisë që është prioritet, mendoj ka një rol kyç për të kursyer energjinë. Implementimi, gjithashtu, i fondit të Bashkimit Evropian është në progres të mirë dhe 200 mijë shtëpi kanë përfituar nga këto thirrje për efiçiencë të energjisë”, tha Alessandro Bianciardi, zyrtar i BE-së.
Thirrja do të jetë e hapur deri më 22 nëntor dhe aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova.
Pajisjet të cilat do të subvencionohen janë: pompa termike, kondicioner/ klimë efiçiente, kaldaja me biomasë dhe stufa individuale me biomasë.
Vlera e subvencionimit për pompë termike është 30% e vlerës, apo deri në 2 mijë euro.
Për kondicioner, vlera e subvencionimit është 40% e vlerës investive, apo deri në 400 euro.
Ndërsa, për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë pjesë e skemës sociale subvencionimi do të e jetë deri 60% të vlerës, apo deri në 550 euro.
Për kaldajën me biomasë, vlera e subvencionimit do të jetë 70% apo deri në 1200 euro.
70% do të jetë edhe vlera e subvencionimit për një stufë individuale me biomasë apo deri në 435 euro.
Edhe 302 ushtarë të rinj kanë dhënë betimin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Një pjesë e tyre morën edhe mirënjohje në ceremoninë e diplomimit si rekrutë të FSK-së, që u mbajt në Kazermën “Skënderbeu”, në Ferizaj. Pjesë e saj ishte edhe ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
““I bindur thellësisht ju them që vullneti politik i institucioneve shtetërore dhe përkushtimi profesional i lidershipit ushtarak është më shumë se kurrë, sa i dukshëm aq edhe prezent. Qeveria e Republikës së Kosovës e në veçanti Ministria e Mbrojtjes janë duke mbajtur fokus të veçantë zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, tha Maqedonci.
Kurajë për të vazhduar më tej në zhvillimin e FSK-së iu dha ushtarëve të rinj edhe gjenerali i brigadës, Jeton Dreshaj.
“Përgatitja dhe edukimi juaj ushtarak është një linjë vazhdimësie në zhvillimin dhe gatishmërinë e FSK-së. Detyra, nderi dhe atdheu janë themelet e forcës sonë, vlera këto të cilat duhet t’i mbani gjithmonë në zemrën dhe mendjen tuaj, si qytetarë të ndershëm dhe ushtar të zotë”, tha Dreshaj.
Përveç këtyre 302 ushtarëve të rinj, gjatë dy vjetëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës ka shtuar 1836 ushtarë më shumë.
160 biçikleta dhe 60 trotinete elektrike, ishin në dispozicion të qytetarëve, të cilët vendosën që për një ditë të mos lëvizin me vetura.
Biçikletat dhe trotinetet ishin të qasshëm për lëvizje në rrugën Dëshmorët e Kombit, të cilën komuna e mbylli për të shënuar “ditën pa makina”.
“Kryeqyteti përkundër vështirësive që i ka, me rritjen e banorëve, edhe përkundër asaj se biçikleta përpara ka qenë një mjet i cili më shumë është shfrytëzuar për rekreacion. Kemi filluar me vetëdijesim qe disa vite në promovimin e biçikletës si formë e transportit”, tha Pëllumb Bajqinofci, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës.
“Qëllimi i kësaj dite botërore është që ta ulim ndotjen që shkaktohet nga makinat, duke përdorur biçikletat, trotinetet elektrike, duke përdorur makinat elektrike, gjithashtu duke e promovuar përdorimin e transportit publik, i cili e ofron ndjenjën e komunitetit, por të njëjtën kohë edhe shkakton sa më pak ndotje”, tha Besmir Kokollari nga Ministria e Infrastrukturës.
“I kemi marrë masat operative që sot t’i sigurojmë edhe qytetarët, edhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet”, tha Basri Shabani nga Policia E Kosovës.
Trafiku i ngarkuar në Prishtinë është një prej problemeve që ndër vite e përcjell kryeqytetin, andaj u përmend mundësia që ditë si kjo të ketë më shpesh.
“Krejt çka kisha pas dëshirë si përfaqësues i komunitetit të çiklistëve, Merakli t’biçikletave, është që kjo ditë të mos shënohet vetëm një herë në vit, mos me pas nevojë më i mbyll rrugët, por t’i shfrytëzojmë ato se bashku me makinat”, tha Berat Rakovica nga grupi “Marakli t’bicikllave”.
Ani pse ishte planifikuar që rruga ”Dëshmorët e Kombit” të qëndrojë e mbyllur për 5 orë, operatori i cili ishte kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, i largoi biçikletat e trotinetet para orës 13:00.
Për më shumë se dy orë, asamblistët e kuvendit komunal të Fushë Kosovës, diskutuan për rastin e trevjeçarit që dyshohet se u keqtrajtua në çerdhen e vetme publike të këtij qyteti.
Debatin e nisi iniciuesi i seancës së jashtëzakonshme.
“Ndajmë mjete për këtë institucion… Kemi përgjegjësi të kërkojmë llogari…”, tha Mirsad Qyqalla, shef i grupit parlamentar të PDK-së, KK Fushë Kosovë.
Duke kërkuar që rasti të mos përdoret politikisht, dhuna u dënua edhe nga asamblistë të tjerë.
“Të papranueshme aktet e dhunës. Do t’i përkrahim institucionet e drejtësisë…”, tha Remzi Shala nga LDK.
“Situata lehtë mund të përdoret politikisht… Por, çka pastaj… a po ofrojmë më shumë siguri?”, tha Vlonjat Hasani nga LV.
Ndërkohë asamblisti i vetëm i AAK-së, ngriti edhe një shqetësim.
“Temë kryesore duhet të jetë rrjedhja e asaj videoje…”, tha Hasan Ismajli nga AAK.
Në seancë nuk qe prezent drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, gjë e cila u kritikua nga asamblistët.
“Kryetari do duhej të ishte së paku present si mysafir… Mungesa edhe e drejtorit tregon papërgjegjësi totale…”, tha Vlonjat Hasani nga LV.
Por, përkundër mungesës, nënkryetari garantoi se komuna po vepron me përgjegjësi.
“Kemi kriju komision që të merret me rastin…”, tha nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani.
Krejt në fund, iniciuesi propozoi disa rekomandime për Komunën.
Por, kërkesa nuk mori votat e mjaftueshme që pastaj t’i drejtohet Komunës.
Fakti që nuk u votuan rekomandimet, ngjalli pakënaqësi mes asamblistëve, të cilët i vazhduan diskutimet edhe jashtë sallës së kuvendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas emisarit për Ballkanin Gabriel Escobar, janë të shqetësuara për mesazhet nga Prishtina, lidhur me dialogun dhe akuzat ndaj Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak.
Teksa masat ndëshkuese i vlerësoi të efektshme dhe se do ta ndihmojnë Kosovën që ato të hiqen më 2024, ai theksoi se ato nuk kanë afat dhe se varen nga progresi në shtensionim, si dhe në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
Pasi tha se SHBA-ja do të donte të shihte vullnet për lëvizje përpara, Escobar ritheksoi se nuk mbështesin Asociacion të komunave me shumicë serbe, që dëmton funksionimin e Kosovës.
Deklarata e Escobarit, sipas opinionistit Fidan Ukaj, është tregues se masat nuk do të hiqen shpejt dhe se më nuk lidhen vetëm me procesin e deeskalimit.
“Me barrikadimin e institucioneve të Kosovës dhe mosbashkëpunimin në zbatim të marrëveshjeve, po ashtu faktori ndërkombëtar po riorganizohet dhe ribarrikadohet në kërkesat e tyre, duke i shty masat dhe duke i ndërlidh masat edhe me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit. Kjo ishte deklaratë e re”, tha Ukaj.
Ndërkaq, profesori Dritëro Arifi vlerëson se ka një keqkuptim dhe mosbesim ndërmjet Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Mesazhet janë shumë të qarta për Qeverinë e Kosovës. Duhet kuptuar se nga kush vijnë këto mesazhe, pra këto mesazhe vijnë nga shteti më i fuqishëm në botë, për shtetin më të pafuqishëm në botë. Duhet kuptuar ku qëndrojmë ne si shtet dhe ku qëndron fuqia jonë. Pra, kjo i bie që Qeveria të ketë vesh dhe mendje që të tregohet më diplomatike dhe më strategjike në vendimmarrje, sepse nëse masat zgjasin aq shumë ato do ta dëmtojnë pikërisht punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Arifi.
Ukaj beson se Qeveria duhet të veprojë mbi zotimin amerikan se asociacioni duhet të jetë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Është një garanci e madhe, që të nisë me draftimin e asociacionit dhe ta prezantojë një draft zyrtar të Kosovës para faktorit ndërkombëtar. Dhe, më pas ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, e po ashtu, ta bindë faktorin ndërkombëtar se ky asociacion është i duhuri”, tha Ukaj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të disatën herë brenda javës konfirmuan përkrahjen për emisarin evropian, Miroslav Lajcak, dhe theksuan se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut.
Shtatë muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ajo e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e 11-vjeçares.
Sipas arsyetimit të kolegjit të gjykatës së shkallës së dytë, të siguruar nga televizioni, gjatë shqyrtimit gjyqësor nga shkalla e parë, nuk është bërë ballafaqimi dhe konkretizimi i veprimeve të të miturve në raport me viktimën. Sipas Apelit, të dëmtuarës nuk i është kërkuar asnjëherë identifikimi i tyre në sallën e gjykimit.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk arriti ta vërtetojë moshën e viktimës, e vlerësoi gabimisht rolin e psikologes në këtë proces dhe nuk u arritën të vërtetoheshin deklaratat kundërthënëse të viktimës.
“Siç është konstatuar në deklaratën e dhënë në polici, e mitura, me dt. 28.08.2022, gjithmonë është thirrur në përshkrimin e veshjes dhe dukjes së të miturve dhe të akuzuarve, dhe asnjëherë nga ajo nuk është kërkuar që t’i identifikojë ata persona që ajo i përshkruan sipas veshjes dhe dukjes, se cilët janë ata persona që gjenden në sallën e shqyrtimit gjyqësor, si dhe lidhur me rrethanat kundërthënëse për të cilat është deklaruar lidhur me të akuzuarin, i cili është liruar nga akuza. Po ashtu, rrethanat dhe mënyra e kryerjes së veprës penale nuk janë sqaruar edhe në këtë deklaratë, ngase edhe këto theksohet se të tre të miturit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën dhe pas gjysmë ore përsëri që të tre kanë kryer marrëdhënie me të njëjtën, përderisa të tre të miturit kanë deklaruar se edhe herën e parë edhe herën e dytë ka ndodhë me pëlqimin e dyanshëm, ndërkaq në të dy deklaratat e dhëna nga e dëmtuara si në polici edhe në prokurori, kemi një rrëfim krejt tjetër, lidhur me rrjedhën e kësaj Ngjarje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu Apeli e ka konsideruar shkelje mosballafaqimin e viktimës me pyetje nga të akuzuarit, pasi palët ishin pajtuar që vetëm deklaratat e saj të dhëna në polici e prokurori të pranohen si dëshmi.
“Përkundër faktit së të dëmtuarës i është mundësuar që me rastin e dhënies së dëshmisë së saj, që për çdo rast që do të mund të ndikonte në çdo shqetësim eventual të të miturës, të mos jetë prezente në sallën e gjykimin, pra është krijuar mundësia që ajo të mos ballafaqohet me të akuzuarit dhe të miturit, mirëpo pa filluar parashtrimi i asnjë pyetje nga ana e palëve në procedurë, pa u udhëzuar e mitura lidhur me faktin se a është në gjendje të kuptojë detyrimin për të dëshmuar, jepen propozimet e palëve që të lexohen këto deklarata të dhëna në polici dhe në prokurori”, thuhet më tej në vendim.
Ndërkohë, të premten, në seancën e shqyrtimit fillestar, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik për secilin nga të akuzuarit.
Rasti i cili tronditi opsionin publik, kishte ndodhur vitin e kaluar. Sipas aktakuzës vajza 11-vjeçare ishte dhunuar seksualisht për 7 orë, në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit. Personat ishin arrestuar dy ditë pas raportimit të rastit, ndërsa dorëheqje kishte dhënë nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti.
Katër nga pesë të akuzuarit në këtë rast, ishin dënuar me 40 vjet burgim gjithsej, ndërsa njëri ishte liruar nga akuza në mungesë të provave.
Për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ishte liruar nga akuza në prill të 2020-s. Por, për akuzat për ndikim në dëshmitarë e krim të organizuar, lidhur me frikësimin e tyre, që ndërlidhen me rastin Drenica, ai po vazhdon përballen me drejtësinë, meqë rasti ende nuk ka marrë epilog.
Të premten, ai bashkë me të akuzuarit të tjerë në këtë rast u paraqitën në sallën e gjykimit, ku u zhvillua seanca statusore në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini, kërkoi që të mos pranohen si prova disa dokumente serbe, e as deklaratat e dy dëshmitarëve serbë.
Kërkesën e Qerkinit e kundërshtoi Prokuroria Speciale.
Gjykimi në këtë rast pritet të fillojë në nëntor të këtij viti.
Ndërkohë, në prill të 2020-s Gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun në rastin e arratisjes nga QKUK-ja, në vitin 2014, kur ai po merrte trajtim mjekësor, në kohën sa ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, që kishin ndodhur një vit më vonë, më 2015.
Veriu i Kosovës, assesi nuk po gjen qetësi.
Mbrëmjen e së enjtes, ky oborr i një shqiptari në “Lagjen e Boshnjakëve” ishte cak i një granate dore. Dëmet nga shpërthimi, i cili, sipas Policisë, ndodhi në orën 22 e 40 minuta, ishin vetëm materiale.
Deri më tani nuk ka informacione për personin, apo personat e dyshuar në lidhje me shpërthimin.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pretendoi se shpërthimi i granatës në Mitrovicë të Veriut, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund, ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit te qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, tha Sveçla.
Reagime për ngjarjen në veri, pati edhe nga Bashkimi Evropian.
“Sigurisht ne jemi të shqetësuar me vazhdimin e situatës në të cilën nuk ka shtensionim të qartë. BE-ja është në kontakt me autoritetet kompetente dhe ne do të reagojmë kur ta vlerësojmë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ndryshe, tensionet në këtë pjesë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe, vazhdojnë të jenë të larta që nga fundi i majit. Qytetarët serbët po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë.