ATV

Blog

  • KFOR me trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave, publikon pamjet

    KFOR me trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave, publikon pamjet

    Misionit i KFOR-it, Njësia e Specializuar Shumëkombëshe, ka zhvilluar trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave këtë javë.

    “Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) zhvilloi trajnimin për Kontrollin e Turmave dhe Trazirave (CRC) këtë javë. Personeli italian italian, Karabinierët dhe personeli çek u stërviten së bashku për të vazhduar forcimin e ndërveprimit të njësisë dhe për të ruajtur aftësitë e tyre ushtarake dhe gatishmërinë operacionale”, tha KFOR-i në një postim në Facebook.

  • Vendimi i apelit për rastin e 11 vjeçares, kush e shkroi një shkresë anglisht që viktima e përktheu

    Vendimi i apelit për rastin e 11 vjeçares, kush e shkroi një shkresë anglisht që viktima e përktheu

    Në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga ATV-ja përveç shkeljeve esenciale që kolegji në përbërje prej tre gjyqtarëve ka gjetur në vendimin e shkallës së parë rreth rikualifikimit të veprave penale, e vërtetimit të fakteve vendimtare, përmendet, edhe se si psikologia kishte ndërhyrë gjatë shqyrtimit gjyqësor pa qenë palë në procedurë.

    Gjykata e shkallës së dytë e ka konsideruar shkelje një rast kur porkurorja kishte lejuar ndërhyrjen e piskologes në rrjedhën e intervistimit të 11 vjeçares.

    Aty përmendet një shkresë në gjuhën angleze, për të cilën nuk dihet kush e ka shkruar, por që e dëmtuara e kishte përkthyer vetë në gjuhën shqipe.

    “Duke i propozuar gjykatës, që të lexohet një shkresë e shkruar në gjuhën angleze nga e dëmtuara, për shkak se njëjta ndjehet më mirë me leximin e kësaj shkrese, sepse është më lehtë për viktimën që të shprehet në gjuhën angleze, në një gjuhë tjetër në mënyrë që të shkëputet nga ngjarja për shkak të traumave që ka përjetuar, dhe këtë arsyetim të psikologes e rrëzon menjëherë e dëmtuara se nuk qëndron ky arsyetim për faktin e thjeshtë vetë e përkthen në gjuhën shqipe”, thuhet në vendimin e Apelit.

    “E dëmtuara e përkthen në gjuhën shqipe dhe këtë rrethanë e lejon prokurorja gjatë marrjes në pyetje, dhe nuk e dijë pse nuk ka reaguar psikologia kur ka filluar e dëmtuara që këtë shkresë ta përkthejë në gjuhën shqipe, kur e ka vërejtur se nuk e paska shqetësuar të dëmtuarën e mitur përkthimi I asaj shkrese, përkundër në qoftë se do të duhej të lexohej një shkresë e tillë ajo duhet lejuar vetëm nëse përpiluesja nuk është e qasshme përkatësisht nuk mund të sigurohet prezenca e saj, apo për arsye tjera, apo për faktin se nuk dihet kush e ka shkruar atë shkresë”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

  • McGonigal pranon të gjitha akuzat e lidhura me Shqipërinë, akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga një shqiptaro-amerikan

    McGonigal pranon të gjitha akuzat e lidhura me Shqipërinë, akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga një shqiptaro-amerikan

    Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të premten fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

    Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

    Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

    Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

    I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

    Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.

    Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

    Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.

    Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.

    “Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.

    Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

    Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

    I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

    Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i kishte bërë thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.

    Po ashtu ai pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

    Pas seancës avokati i tij Seth Ducharme foli për gazetarët.

    Seth Ducharme

    Avokat i ish-zyrtarit të FBI-së, Chales McGonigal

    “Megjithëse ai mund të ketë pasur ose ka pasur, mendoj unë, disa interesa mjaft legjitime që përputheshin me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur ato marrëdhënie, ai gjithashtu kishte qartazi interesa personale që të përgatiste terrenin pasi të largohej nga detyra t’i vazhdonte ato marrëdhënie. Pra, sigurisht që ishte diçka e papjekur”, tha ai.

    Ai shtoi se kur mendon të hapësh një firmë private konsulence, kur largohesh nga qeveria, “sa më shumë kontakte të kesh në të gjithë botën, aq më të shumta mundësitë për e biznes”.

    “Kështu, për disa prej njerëzve me të cilët ai (McGonigal), konsideroi zhvillimin e mundshëm të biznesit dhe burime për marrëdhënie të mëtejshme, ai aludoi në pranimin e fajësisë sot dhe ata hyjnë në këtë kategori”, tha ai.

    Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.

    Vepra penale për të cilën pranoi fajësinë zoti McGonigal në Uashington, parashikon një dënim deri në 5 vjet burg, por dënimi mund të jetë më i zbutur. Kushtet e marrrëveshjes parashikojnë që zoti McGonigal nuk ka të drejtën ta apelojë vendmin, i cili parashikohet të jepet në shkurt të vitit të ardhshëm.

  • FSK realizon garën tradicionale “Ujku Garues”

    FSK realizon garën tradicionale “Ujku Garues”

    Në ambientet e kazermës “Ushtarët e NATO-s” në Istog, është realizuar gara tradicionale “Ujku Garues”.

    Kjo garë është një ndër aktivitetet kryesore që i realizon Komanda e Forcave Tokësore (KFT) ku marrin pjesë ekipe nga njësit e FSK dhe ato ndërkombëtare.

    “Këtë vit pjesëmarrës në garë ishin 14 ekipe nga regjimentet e KFT-së, tre ekipe nga njësit e FSK-së, Garda Kombëtare, Policia Ushtarake, Komanda e Logjistikës”, thuhet në njoftim.

    Këtë garë për këtë edicion e ka fituar Policia Ushtarake e FSK-së, vendi i dytë i ka takuar Kompanisë B të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe vendi i tretë shkoi për Kompaninë Mbështetëse të Regjimentit të Këmbësorisë.

  • 64 për qind e grave besojnë se ka ngacmime seksuale në sektorin privat

    64 për qind e grave besojnë se ka ngacmime seksuale në sektorin privat

    64 për qind e grave të punësuara në sektorin privat në Kosovë besojnë se ngacmimi seksual është dukuri e pranishme në këtë sektor, por vetëm 10 për qind e tyre thonë të kenë përjetuar këtë lloj ngacmimi.

    Këto të dhëna janë pjesë e një hulumtimi të publikuar të premten nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore. Hulumtuesja Dina Vllasaliu, tha se këto të dhëna mund të mos pasqyrojnë në tërësi shtrirjen e vërtetë të problemit për shkak të natyrës së ndjeshme të temës si dhe shkallës së ultë të raportimit të kësaj dukurie.

    “Ajo që kemi parë këtu në përgjithësi është që gratë kanë pasur tendencë të besojnë më tepër se ekziston ngacmimi verbal sesa ai fizik. Pra sa më i rëndë lloji i ngacmimit aq më pak kanë pasur probabilitet gratë e anketuara të deklarojnë që ky lloj ngacmimi ekziston”, tha ajo.

    Sipas hulumtimit në mbi 65 për qind të rasteve mosraportimi ndodh nga frika për pasoja negative për familjen dhe frika për humbjen e vendit të punës.

    “Kur i krahasojmë me grupmosha, del që gratë në moshë më të re kanë tendencë më të madhe të raportojnë se janë ngacmuar seksualisht sesa gratë më të vjetra. Për shembull 16 për qind e grave ndërmjet moshës 18 deri 24 vjeç kanë thënë se i janë ekspozuar ngacmimit seksual, në krahasim me dy për qind të grave të moshës 55 deri 64 vjeç”, tha zonja Vllasaliu.

    Carin Lobbezoo, nga ambasada Holandës në Kosovë e cila ka mbështetur këtë projekt, tha pas paraqitjes së raportit se të dhënat tregojnë që ka shumë punë për tu bërë, duke nënvizuar nevojën që drejtuesit e të gjitha kompanive të sigurojnë mjedis të sigurtë për raportim.

    “Në momentin që krijohet një mjedis social gjithpërfshirës dhe i siguritë në vende të punës, punonjësit do të ndihen më të fuqizuar për të diskutuar mbi ngacmimet seksuale që mund të përjetojnë gjatë punës. Kjo nuk është një zgjidhje magjike, por është njëra nga zgjidhjet. Pa dyshim se një gjë e tillë do të ndodhë përsëri, por në një mjedis të tillë punonjësit do të ndihen të sigurtë të përdorin mekanizmat raportues që ekzistojnë”, tha ajo.

    Të dhënat e raportit tregojnë se gratë kanë vështirësi edhe në kuptimin e mirëfilltë të llojeve të ngacmimit seksual. 77 për qind e të anketuarave kanë thënë se kurrë nuk janë trajnuar në vendin e tyre të punës për të identifikuar dhe raportuar ngacmimin seksual.

    Në hulumtimin e Qendrës së Kosovës për Studime Gjinore janë anketuar 600 gra nga mosha 18 deri në 64 vjeç, të punësuara në sektorin privat në shtatë rajone të ndryshme të Kosovës.

    Raporti thekson mundësinë që kushtet e pafavorshme të grave në punë mund të jenë duke kontribuar në hendekun e punësimit ndërmjet grave e burrave në Kosovë që vazhdon të mbetet i lartë. Në vitin 2021 shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 56.6 për qind burra dhe 39.3 për qind gra.

  • Ofendoi dhe kanosi një zyrtar policor, arrestohet një person në Gjakovë

    Ofendoi dhe kanosi një zyrtar policor, arrestohet një person në Gjakovë

    Është arrestuar një person në Gjakovë, pasi i njëjti ka ofenduar dhe ka kanosur një zyrtar policor.

    Policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që pasi është ndaluar nga policia në lidhje me një kundërvajtje në trafik, fillimisht ka refuzuar të gjitha urdhëratë e zyrtarit policor e më pas ka ofenduar dhe kanosur zyrtarin policor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Hyn ilegalisht nga Serbia, ndalohen dy serbë

    Hyn ilegalisht nga Serbia, ndalohen dy serbë

    Njësitë policore kanë ndaluar një veturë me targa të huaja me drejtues serb, në cilën ka qenë edhe një pasagjer serb.

    Sipas Policisë, ata janë ndaluar mbrëmë në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, ku dyshohet se vetura është futur në territorin e Republikës së Kosovës duke iu shmangur pikë të kalimeve të rregullta kufitare.

    Është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti ‘kalim i paautorizuar i kufirit’ dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

  • Kosovë: Mbi dy mijë gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit

    Kosovë: Mbi dy mijë gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës njoftoi se dy mijë e 25 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 21 aksidente me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Në 24 orëshin e fundit gjithashtu janë arrestuar 16 persona dhe 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet gjilanasi, e shantazhonte një grua për publikimin e videove intime

    Arrestohet gjilanasi, e shantazhonte një grua për publikimin e videove intime

    Një grua ka raportuar në polici se po shantazhohet nga disa persona në rrjete sociale për publikimin e disa videove të saj me përmbajtje intime.

    Sipas policisë, pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe arrestuar një i dyshuar.

    “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.

  • Vrasje në Rahovec, viktima vdes në QKUK

    Vrasje në Rahovec, viktima vdes në QKUK

    Një person ka ndërruar jetë derisa ishte në tretman mjekësor në QKUK. Rasti është cilësuar si vrasje e rënë.

    Plagosja kishte ndodhur më mbrëmjen e 19 shtatorit në Rahovec. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Ndërkohë, Policia po heton rastin.