ATV

Blog

  • ​Muzeu Kombëtar nuk ka hapësirë për pranimin e eksponateve të reja

    ​Muzeu Kombëtar nuk ka hapësirë për pranimin e eksponateve të reja

    Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tij, për faktin se në kuadër të kësaj ndërtese funksionojnë edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Administrata. Nga ky institucion thonë se e kanë të vështirë të pranojnë eksponate të reja, për shkak se gjendja e depove dhe laboratorëve nuk është e favorshme. Ndërkaq, “shtëpia” e artefakteve arkeologjike është duke pritur miratimin e projektit i cili përfshinë renovimin e kësaj ndërtese. Se Muzeu ka nevojë për ndryshime, e thonë edhe turistët, të cilët u shprehën se mungon ndriçimi dhe ventilimi.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu tha për KosovaPress, se aktualisht prioritet është miratimi i projektit për renovim, i cili do të ndikojë pozitivisht në pranimin e mëtutjeshëm të eksponateve arkeologjike.

    “Ne jemi në pritje të miratimit të projektit kryesor, për renovimin e ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, me theks të veçantë flasim për depot dhe laboratorët, meqë gjendja aty nuk është e favorshme. .. Kur flasim për gjendjen e depove dhe laboratorëve, i bie që edhe fondi muzeor i cili është poshtë, kërkon një trajtim tjetër dhe të veçantë dhe po besoj që deri në fund të këtij muaji do të përmbyllen këto procedura të shqyrtimit dhe miratimit, në mënyrë që mandej t’i hapet rrugë procedurës për renovimin e ndërtesës së muzeut. Aktualisht, kjo është ajo që e prek Muzeun Kombëtar të Kosovës, ne i kemi aktualisht ekspozitat, e kemi fondin muzeor poshtë, i cili kërkon një zhvendosje”, tha Aliu.

    Aliu u shpreh se u përgjigjet kërkesave për prurje të reja vetëm me ekspozim të përkohshëm, pasi që sipas saj, gjendja aktuale e depove nuk lejon diçka më shumë.

    “Është ndërtesë e vogël si hapësirë. Shto këtu faktin që brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës normalisht është e vendosur edhe administrata, dhe nuk është numër i vogël. Në anën tjetër, e kemi në po të njëjtën ndërtesë, veprimtarinë e tij e ushtron Instituti Arkeologjik i Kosovës, prandaj si ndërtesë po besoj se është e pamjaftueshme për të ushtruar veprimtarinë… Mendoj se të gjithë duhet të na mirëkuptojnë dhe normalisht nëse është diçka tejet e veçantë, ose është ndonjë gjetje rasti e cila dhe kërkon trajtim institucional dhe ekspozim, besoj që po. Por, në të kundërtën aktualisht gjendja e depove mendoj që nuk lejon prurje të reja për trajtim, ndoshta për ekspozim të përkohshëm po”, u shpreh Aliu.

    Ndërkaq, turistët derisa e vlerësojnë si ndërtesë interesante Muzeun Kombëtar të Kosovës, potencojnë se duhet bërë ndryshime në të.

    Turisti nga Emiratet e Bashkuara, Mohammed për KosovaPress, u shpreh se historia që përcjell ky muze është interesante, porse potencon se nevojiten ndryshime sa i përket ndriçimit dhe ventilimit.

    “Ne vetëm po ecnim dhe pamë që këtu është një muze dhe menduam t’ia hedhim një sy. Ne sapo erdhëm këtu. … (Muzeu) ka nevojë për ndriçim më të mirë dhe ka nevojë për një ventilim më të mirë. Përndryshe historia është e mirë. Historia që tregohet brenda është e mirë. .. Nuk kemi shumë informacione për Kosovën. Pra, për ne, çdo informacion që gjejmë këtu është mjaft i vlefshëm. Nuk mund të specifikojmë asgjë realisht, por gjithçka që mësojmë është mjaft e mirë për ne”, tha Mohammed.

    Po ashtu edhe vizitori nga Mbretëria e Bashkuar, John Anderson u shpreh se është kurioz të dijë më shumë rreth historisë së pavarësisë.

    “Në fakt një udhërrëfyes, ne pamë udhërrëfyesin e informacionit turistik dhe menduam se duhet të vijmë dhe të shohim historinë e Kosovës. … Deri më tani (muzeu) është shumë i këndshëm. Kati i poshtëm është shumë interesant. Dëgjuam rreth historisë e kombit dhe tani po shikojmë disa nga disa pjesë të tjera. Po, është shumë interesante. … Unë jam padyshim mjaft i interesuar të shoh gjërat (rreth pavarësisë) dhe meqë jam nga Mbretëria e Bashkuar më intereson të shoh disa nga ndikimet në të cilat ne ishim të përfshirë. Pra, është interesante të shihet se si u zhvillua”, tha Anderson.

    Ndërkaq, ciceronia në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Mimoza Goqi tregon se deri në gusht të këtij viti kanë mirëpritur rreth 17 mijë vizitorë nga vendet e ndryshme.

    “Është pjesa e janarit deri në këtë periudhën e gushtit, kanë qenë diku rreth 17 mijë vizitorë, duke përfshirë rezidentë dhe jorezidentë, studentë, grupe të ndryshme, delegacione, përfshihen në këtë numër. … Prej të gjitha vendeve, duke përfshirë, nuk mund ta cek një, duke përfshirë të gjitha, Amerikë, Angli, Gjermani, Zvicër. … Vitin e kaluar këtë periudhën janar deri në tetor ka pas mbi 20 mijë vizitorë, sepse ka qenë edhe pjesa e manifestës që është mbajtur këtu, dhe e ka rritur numrin e vizitorëve”, tha Dragusha.

    Ajo jep detaje edhe për të gjithë koleksionin ekspozuese që kanë, duke filluar nga periudha parahistorike e deri te shpallja e pavarësisë së vendit tonë.

    “Muzeu i Kosovës ka dy salla ekspozuese, është pjesa poshtë ku fillon pjesa e arkeologjisë, që është e ndarë në dy pjesë, ku fillon me pjesën e parahistorisë dhe pjesën e periudhës romake, që është e ndarë në periudha. Fillon prej periudhës neolitin, eneolitin, periudhën e bronzit, hekurin dhe periudhën romake… Ndërsa lartë në katin e dytë është pjesa e historisë. Po ashtu, edhe në histori është e vendosur në mënyrë kronologjike, që fillon prej Perandorisë Osmane, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj luftën e fundit, Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fillon me zonat operative, pastaj luftën, zhvillimin e luftës, armët e luftëtarëve, uniformat deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës“, tha Dragusha.

    Kështu, Muzeu Kombëtar i Kosovës i hapur që nga viti 1949, është një nga institucionet më të vjetra kulturore dhe historike në Kosovë. Koleksioni i këtij muzeu përfshin zbulime arkeologjike, dokumentacione historike, artefakte etnografike të cilat zbulojnë më shumë mbi qëndrimin e shqiptarëve në këto territore ndër kohëra e deri tek zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe rrjedhën e tyre.

    Ndërkaq, ky muze po kalon nëpër një sfidë, sa i përket kthimit të 1247 artefakteve arkeologjike nga Serbia në Kosovë, të marra gjatë viteve të 90-ta.

    Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.

    Muzeu Kombëtar i Kosovës është i hapur gjatë gjithë javës, përveç të hënës, nga ora 10:00 deri në 17:00.

  • Kryeministri i Polonisë paralajmëron Zelenskyn: Kurrë më mos e ofendo popullin polak

    Kryeministri i Polonisë paralajmëron Zelenskyn: Kurrë më mos e ofendo popullin polak

    Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki paralajmëroi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se do të ketë pasoja nëse do të vazhdojë me komente “fyese” ndaj polakëve.

    “Dua t’i them presidentit Zelensky që të mos ofendojë më kurrë polakët, siç bëri kohët e fundit gjatë fjalimit në OKB”, tha kryeministri polak në një tubim elektoral të premten.

    Kjo vjen pasi presidenti polak ishte përpjekur të lehtësonte tensionet midis dyja kombeve në mosmarrëveshjen e vazhdueshme mbi importet e grurit ukrainas.

    Fjalimi i fundit i liderit ukrainas në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York i tensionoi më tej marrëdhëniet me Varshavën, partner thelbësor ushtarak në luftën kundër Rusisë.

    Në fjalimin e tij, Zelensky tregoi përpjekjet e Kievit që të mbajë hapur rrugët tokësore për eksportimin e grurit në mes të një bllokade ruse të Detit të Zi.Megjithatë, ai kritikoi gjithashtu “teatrin politik” që rrethon importet e grurit, duke ndihmuar pa dashje agjendën e Moskës, raporton skynews.

    Kryeministri Mateusz Morawiecki në një tubim elektoral gjatë ditës së djeshme iu drejtuar të parit të shtetit ukrainas me fjalët, “dua t’i them presidentit Zelensky që kurrë më të mos ofendojë polakët, siç bëri kohët e fundit gjatë fjalimit në OKB”.

    Ndryshe, Polonia është ndër shtetet kryesore që po e ndihmon Ukrainën që të çlirohet nga pushtuesit rus.

  • ​Osmani premton mbështetje për studentët

    ​Osmani premton mbështetje për studentët

    Presidentja Vjosa Osmani ka takuar studentët shqiptarë në Universitetin Columbia në New York, ku ka premtuar mbështetje për studentët, duke thënë se janë shtylla e së ardhmes sonë.

    Osmani ka shkruar në X, se kishte një pasdite frymëzuese me studentët brilantë të shoqërisë shqiptare në Columbia.

    “Studentët tanë janë shtylla e së ardhmes sonë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë që secili prej tyre të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të dhurojë sepse kur mendjet tona të reja lulëzojnë, Kosova lulëzon”, ka shkruar ajo.

  • Gjermania vendos kontrolle kufitare me Poloninë dhe Çekinë

    Gjermania vendos kontrolle kufitare me Poloninë dhe Çekinë

    Nancy Faeser, Ministrja gjermane e Punëve të Brendshme njoftoi për vendosjen e kontrolleve kufitare në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke.

    “Unë mendoj se tani duhet të jemi pragmatikë dhe të vendosim kontrolle të palëvizshme kufitare në kufijtë me Poloninë dhe Republikën Çeke” tha Faeser (Partia Social Demokratike e Gjermanisë, SPD) në një intervistë për gazetën Welt am Sonntag, transmeton KlanKosova.tv.

    “Ky është vetëm një nga instrumentet që duhet të kontribuojë në uljen e numrit të refugjatëve që vijnë në Gjermani”, tha ajo.

    Për muaj të tërë, Faeser refuzoi kërkesën e opozitës dhe të shteteve federale në lindje të Gjermanisë, të cilat janë nën sulmin e një vale gjithnjë e më të fuqishme refugjatësh që kohët e fundit po mbërrijnë gjithnjë e më shumë përmes Republikës Çeke dhe mbi të gjitha Polonisë.

    Njoftimi i Faeser se do të vendoste kontrolle ndaj Polonisë dhe Republikës Çeke u mirëprit nga sindikatat e policisë si dhe nga opozita kristiandemokrate.

  • Detaje për Maratonën e nesërme të Prishtinës

    Detaje për Maratonën e nesërme të Prishtinës

    Nesër në kryeqytet mbahet Maratona “Prishtina 2023”.Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, nisja do të bëhet nga ora 9:00 para Teatrit Kombëtar, sheshi “Skënderbeu”.

    Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani i Federatës së Atletikës e Kosovës (FAK), ditë më parë tha se organizimi i kësaj maratone ka filluar para 22 vitesh dhe nuk është ndalur deri më sot, pasi që e ka bërë punën e vetë, e jo vetëm në Kosovë.

    Nga kjo maratonë do të ketë shpërblime edhe për atletët që zënë tetë vendet e para, ku shpërblimet do të jenë njëjtë sikurse për meshkujt ashtu edhe për femrat.

    Shpërblimet për vrapimin Maratonë (42.195 kilometra) te meshkujt dhe femrat: Vendi i parë (1 mijë euro), vendi i dytë (700 euro), vendi i tretë (400 euro), vendi i katërt (200 euro), vendi i pestë (150 euro), vendi i gjashtë (100 euro), vendi i shtatë (70 euro) dhe vendi i tetë (50 euro).

    Shpërblimet për vrapimin Gjysmë Maratonë (21.0975 kilometra): Vendi i parë (250 euro), vendi i dytë (200 euro), vendi i tretë (150 euro), vendi i katërt (100 euro) dhe vendi i pestë (50 euro).

  • Ish-konkurrentja e “Përputhen” flet për skandalin e dhunës që bëri bujë

    Ish-konkurrentja e “Përputhen” flet për skandalin e dhunës që bëri bujë

    Këngëtarja kosovare Brikenda Karrica e ftuar në emisionin “Libero” në ATV foli për karrierën e saj, familjen si dhe rrugëtimin e saj në muzikë dhe jo vetëm. Përveç si këngëtare Brikena (Briki) është njohur edhe për pjesëmarrjen e saj në një ‘reality show’ në Shqipëri për çka Briki thotë se për këtë është paragjykuar shumë.

    “Në fakt nuk e kam prit që kam me marr dashni aq shumë nga shqiptarët atje ndoshta më shumë se sa nga kosovarët mirëpo edhe jam paragjykua nga ajo që unë vij nga një fshat dhe ndoshta shpesh jam paragjykua prej atyre që i kam pasur të afërm dhe jo prej atyre që nuk i kam njohur”, tha ajo.

    Tutje Brikenda përmendi se si në javën e parë që ishte pjesë e këtij emisioni nuk është ndjerë e mirëpritur nga vajzat aktuale të programit.

    “Ka qenë dita ime e dytë në atë emision, ka qenë diçka e planifikuar besoj, ka qenë ngacmim direkt që besoj në plan ishte që Briki të nxjerrin një anë negative dhe e arritën atë qëllim sepse kisha shume emocione, stres dhe nuk disha se si me reagu. Për një moment një vajzë më është afru ka fol në mënyrë të ashpër dhe më ka godit dhe në atë të timen jam vetëmbrojtë, d.m.th. vetëm e kam largu”, shtoi ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Superliga e Kosovës, sot derbi mes Llapit dhe Gjilanit

    Superliga e Kosovës, sot derbi mes Llapit dhe Gjilanit

    Superliga e Kosovës i rikthehet sot aksionit me dy ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e gjashtë të sezonit të ri.

    Të dy ndeshjet do të zhvillohen në orar të njëjtë, me fillim nga ora 15:00, ku spikat derbi mes Llapit dhe Gjilanit, raporton KosovaPress.

    Llapi hyn në këtë ndeshje si lider i Superligës me 10 pikë, kurse Gjilani renditet në vendin e shtatë me katër pikë.

    Ndërkaq, sot do të zhvillohet edhe ndeshja mes Dukagjinit dhe Fushë Kosovës në stadiumin “18 Qershori” të Klinës.

    15:00 Dukagjini – Fushë Kosova

    15:00 Llapi – Gjilani

  • Lufta në Ukrainë: SHBA do furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë ATACMS

    Lufta në Ukrainë: SHBA do furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë ATACMS

    Presidenti amerikan Joe Biden planifikon t’i japë Ukrainës raketa të avancuara me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar Kievin në kundërofensivë të vazhdueshme, raportojnë mediat amerikane.

    Mediat citojnë zyrtarë amerikanë të njohur me këtë çështje të kenë thënë se Ukraina do të marrë disa raketa ATACMS me një rreze veprimi deri në 190 milje (300 km).

    Kjo do t’i mundësonte Kievit të godiste objektivat ruse thellë pas vijës së frontit.

    Të paktën një raketë ukrainase goditi selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krimenë e aneksuar të premten.

    Një burim ushtarak ukrainas i tha BBC-së se sulmi në portin e Sevastopolit u krye duke përdorur raketa Storm Shadow, të cilat furnizohen nga Britania dhe Franca, duke theksuar rëndësinë e armatimit perëndimor për Kievin.

    Raketa të tilla kanë një rreze prej pak më shumë se 150 milje.

    ‘NBC News’ dhe ‘Wall Street Journal’ citojnë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të kenë thënë se Presidenti Biden i tha homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky se Kievi do të merrte “një numër të vogël” raketash ATACMS (Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë). Të dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    ‘Wall Street Journal’ shton se armët do të dërgohen në javët në vijim.

    As SHBA dhe as Ukraina nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht raportet e mediave amerikane./BBC/

  • Ushtroi dhunë psikike ndaj babait të vet, arrestohet

    Ushtroi dhunë psikike ndaj babait të vet, arrestohet

    Një person është arrestuar në Pejë, nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij viktimës mashkull kosovar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje në Pejë, ku me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Demi lavdëron Përparim Ramën: Po sillet më shumë si menaxher se sa si politikan

    Demi lavdëron Përparim Ramën: Po sillet më shumë si menaxher se sa si politikan

    Agron Demi, nga GAP e ka lavdëruar punën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

    Ai ka thënë se për herë të parë në histori një kryetar i kryeqytetit po sillet si menaxher dhe jo si politikan.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka thënë se as kjo nuk po mjafton që Qeveria ta pengojë në punën e tij.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta ndihmojë Komunën e Prishtinë për ta financuar unazën e jashtme të qytetit.

    “JO alternativës për vetura, PO alternativës pa vetura. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, një kryetar po sillet ma shumë si menaxher se sa si politikan. Por as kjo nuk po mjafton që niveli qendror mos me blloku. Për inate partiake, ma përpara partitë janë në gjendje me i lanë qytetarët me u shtyp nga veturat se sa me ndërtu një mbikalim në veternik. Ma përpara janë në gjendje me na lanë me jetu në kaos, se sa me financu unazën e jashtme të qytetit. Ma përpara dëshirojnë me i shpu malet e me na bashku me shtete tjera, se sa me rregullu trafikun në kryeqytet”, ka shkruar Demi.