ATV

Blog

  • Osmani dhe emisari gjerman diskutojnë për situatën pas sulmit terrorist në veri

    Osmani dhe emisari gjerman diskutojnë për situatën pas sulmit terrorist në veri

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe ku një polic mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u lënduan.

    Osmani ka thënë se akti i agresionit në veri është i orkestruar dhe zbatuar nga struktura të mbështetura nga Beogradi.

    “Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.

    Sipas komunikatës, Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

    “Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, është theksuar në njoftim.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Katër sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

    Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

  • Franca dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës: I papranueshëm, autorët të dalin para drejtësisë

    Franca dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës: I papranueshëm, autorët të dalin para drejtësisë

    Franca ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    Përmes një reagimi, Ministria e Jashtme e Francës ka bërë thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë.

    “Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Franca shpreh ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, është theksuar në reagim.

    Tutje, Parisi zyrtar ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë “për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

    “Rëndësia e këtyre ngjarjeve nënvizon nevojën urgjente që Serbia dhe Kosova të veprojnë me përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe t’i lejojë ata të bëjnë përparim drejt BE-së”, është thënë në reagim.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Katër sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

    Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

  • Prokuroria konfirmon gjetjen e trupit të pajetë në Banjskë, edhe sot u sekuestrua sasi e konsiderueshme armatimi

    Prokuroria konfirmon gjetjen e trupit të pajetë në Banjskë, edhe sot u sekuestrua sasi e konsiderueshme armatimi

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes – në Banjskë të Zveçanit.

    PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.

    “Gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

  • Lista Serbe akuzon Kurtin: Pse s’mori pjesë EULEX-i në operacion, por policia e tij?

    Lista Serbe akuzon Kurtin: Pse s’mori pjesë EULEX-i në operacion, por policia e tij?

    Lista Serbe ka hedhur kritika dhe akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ngjarjet që kanë ndodhur të dielën në Banjskë të Zveçanit, ku nga strukturat kriminale u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    “Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb nga Kosova shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të serbëve të ndjerë dhe policit shqiptar të Kosovës në ngjarjen tragjike të djeshme në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Lista Serbe në Facebook.

    “Po ashtu, themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për paqe dhe vetëpërmbajtje, sepse është e nevojshme që sa më parë të rivendoset paqja në rrugët tona, në këtë kuptim ne kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të parandalojnë politikën ta shpërdorojë këtë ngjarje tragjike”, thuhet në reagimin e tyre.

    LS-ja shkruan se prej më shumë se një viti kanë paralajmëruar që “regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit”.

    “Panumërt kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”.

  • Politikani gjerman: Vuçiq po gënjen paturpësisht, po krijon mjedis për agresion kriminal kundër Kosovës

    Politikani gjerman: Vuçiq po gënjen paturpësisht, po krijon mjedis për agresion kriminal kundër Kosovës

    Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka thënë se presidenti i Serbisë, Alekasnder Vucic po gënjen me paturpësi. Politikani gjerman i ka reaguar pretendimeve të presidentit serb të bëra në takim me ambasadorin rus, duke thënë se në Kosovë s’ka spastrim etnik, shkruan Express.

    Butikofer tutje ka shtuar se gënjeshtrat e Serbisë po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës.

    Ai ka pyetur nëse do të ketë pasoja për Serbinë nga Bashkimi Evropian.

    “Vuçiq gënjen me paturpësi: në Kosovë nuk ka spastrim etnik. Gënjeshtrat serbe po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës. Narrativa e Vuçiqit i jep justifikim ekstremizmit serb. A do të sjellë BE-ja pasoja?”, ka shkruar Butikofer.

  • Rritet numri i përfitueseve nga skema e pensioneve në gusht

    Rritet numri i përfitueseve nga skema e pensioneve në gusht

    Në muajin gusht 2023 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 810 familje me gjithsej 81 mijë 903 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 24 mijë e 627 familje me gjithsej 97 mijë e 124 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 3 mijë e 817, ose 15,5 për qind.

    Ndërsa, në komunikatën për media lidhur me publikimin e Statistikave të Mirëqenies Sociale për muajin gusht 2023 thuhet se ka rritje të përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.

    “Në muajin gusht 2023, krahasuar me muajin gusht 2022 kishte rritje të përfituesve nga: Skema e pensioneve bazike të moshës 18,1%, skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik 16,1%, skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara 14,7%, skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) 10,7%, skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 7,1%, skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 5,6%, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 5,3%, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) 2,8%, skema për veteranët e luftës 0,2%”, thuhet në komunikatë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Sipas këtij raporti ka rënie të përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.

    “Në muajin gusht 2023, krahasuar me muajin gusht 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës 18,6%, skema për pensionet invalidore 18,0%, skema për pensionet familjare 9,6%, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës 1,6%, skema e kompensimeve për personat e verbër 0,2%”, bën të ditur ASK.

  • Hovenier, Szunyog e Rifat Jashari marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë

    Hovenier, Szunyog e Rifat Jashari marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, shefi i BE-së, Tomas Szunyog e Rifat Jashari janë në mesin e shumëve që po marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjakut.

    Në varrim janë duke marrë pjesë edhe figura të tjera të larta si ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

    Përndryshe, Afrim Bunjaku u vra dje nga grupet serbe kriminale në mëngjesin e djeshëm në Banjskë të Zveçanit.

  • Kurti në varrimin e policit të vrarë: Afër Afrimi, larg krimi

    Kurti në varrimin e policit të vrarë: Afër Afrimi, larg krimi

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se polici Afrim Bunjaku duhet të skalitet në kujtesën e të gjithëve si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori, raporton EO.

    Në ceremoninë shtetërore të varrimit të policit të vrarë dje në veri, Kurti ka thënë se kolegët e tij janë ata që i u ndriçuan rrethanat e aktit kriminal dhe terrorist.

    “Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë. Në orët që pasuan gjatë ditës nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryesit e këtij akti kriminal dhe terrorist”.

    “U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtar të Policisë së Kosovës që me profesionalizmin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët, për paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin.

    “Rreshter Afrim Bunjaku i veshur në uniformën e PK-së është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe Kushtetutshmëri, për drejtësi e për të drejta për çdo qytetar të Kosovës pa dallim. Sot përpara se Afrim Bunjaku të varroset në token e tij, portreti dhe profili i Afrimit le të skaliten në kujtesën tonë fotografike dhe në vëmendjen tonë kolektive si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrim, larg krimi”, tha ai.

  • Rusia thotë se po e “vëzhgon nga afër” gjendjen në veri të Kosovës

    Rusia thotë se po e “vëzhgon nga afër” gjendjen në veri të Kosovës

    Kremlini ka thënë të hënën se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënoi sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan një ditë më parë.

    Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi është përkrahëse tradicionale e Serbisë, me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare.

    “Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve… gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të rregullt për media të hënën.

    Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator.

    Autoritetet kosovare thanë se katër sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

    Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe tani është duke e siguruar fshatin.

    Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

  • Konjufca: Afrim Bunjaku ra sikurse parardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën

    Konjufca: Afrim Bunjaku ra sikurse parardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën

    Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në ceremoninë shtetërore të varrimit të Afrim Bunjaku, policit të vrarë dje në veri, tha se dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor e u bë hero i Kosovës.

    Konjufca ka thënë se Bunjaku ka rënë heroikisht ashtu sikurse parardhësit e tij, Osman e Shaban Bunjaku, raporton EO.

    Ai u shpreh se Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë e pavarësisë.

    “Jemi mbledhur këtu në Samadrexhën e rezistencës, në Samadrexhën e Osman e Shaban Bunjakut, të cilët me pushkë në dorë luftuan kundër pushtetit jugosllav, e jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën stërnipit të tyre Afrim Bunjakut i cili ra heroikisht në ditën e djeshme pikërisht sikur paraardhësit e tij duke mbrojtur Kosovën, shtetin tonë, atdheun tonë të dashur, nga terroristët që hynë nga Serbia”.

    “Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë”, u shpreh ai.

    Konjufca tutje tha se Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij.

    “Rreshteri Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënja e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu”, u shpreh tutje ai.