ATV

Blog

  • Ish-përfaqësues special i BE-së: Serbia e Kosova po humbasin kohë, situata më e keqe sesa para 10 vitesh

    Ish-përfaqësues special i BE-së: Serbia e Kosova po humbasin kohë, situata më e keqe sesa para 10 vitesh

    Ish-përfaqësuesi civil ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-përfaqësues special i BE-së, Pieter Feith, ka thënë se Serbia dhe Kosova po humbasin kohë, duke iu referuar këtu situatës aktuale që është e tensionuar.

    Ai për Euronews Albania tha se tensionet në veri e kanë bërë situatën aktuale më të vështirë se 10 vite më parë.

    ”Gjëja më e keqe që mund të ndodhë tani sipas këndvështrimit tim, sepse kemi humbur kohë të çmuar, është se të dyja Kosova dhe Serbia, nuk do të jenë të gatshme për t’u anëtarësuar në BE tani së afërmi dhe mendoj se situata tani është më serioze dhe shumë herë më e rrezikshme nga ç’ka qenë atëherë, sepse ne nuk e dimë nëse ka elementë të tjerë kriminalë që operojnë në veri të Kosovës dhe nuk e dimë nëse veprojnë vetëm, në mënyrë autonome pa konsensusin e qeverisë së Beogradit, ose nëse këto elementë kanë mbështetje aktive të autoriteteve serbe”, u shpreh Feith.

  • Në Speciale vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Në Speciale vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon sot nga ora 09.30 procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ndryshe në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, dëshmitari i parë i thirrur nga Mbrojtja, Bardhyl Mahmuti, përfundoi më parë dhënien e dëshmisë, raporton RTKlive.

    Veprimtari Bardhyl Mahmuti i cili ishte dëshmitar i mbrojtjes në Hagë, tha se duke qenë pjesë e Lëvizjes Popullore ka qenë edhe në strukturat e UÇK-së. Mahmuti tha se UÇK-ja nuk ka pasur karta anëtarësimi pasi nuk ka qenë parti politike dhe se i njëjti nuk ka pasur ndonjë nofkë.

    Lidhur me veprimtarinë e tij në kuadër të UÇK-së, i njëjti tha se ka qenë i angazhuar në mbrojtjen politike të UÇK-së, për të arsyetuar në rrafshin diplomatik domosdoshmërinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

    Ndryshe Mahmuti ka folur për librin ‘‘Mashtrimi i Madh’’. Sipas tij, ky libër është një analizë politologjike e asaj çfarë pjesërisht ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Ndryshe seancat në çështjen Shala janë planifikuar të vazhdojnë tërë kësaj jave.

  • Kryetari i Shtërpcës me fjalë të mëdha për terroristin Radojiçiqin

    Kryetari i Shtërpcës me fjalë të mëdha për terroristin Radojiçiqin

    Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, që është edhe zyrtar i lartë i Listës Serbe duke folur për sulmin terrorist në Banjsë të Zveçanit të dielën e kaluar tha se Millan Radoçiqi “nuk na ka konsultuar neve as krerët e shtetit serb” për sulmet që kreu ndaj policisë kosovare.

    Jevtiq vazhdon më tej të thotë se “Radoiçiq i ka qartësuar gjërat për çka është pyetur”, në një paraqitje televizive në Tv Pink, teksa vazhdoi të lartësojë figurën e tij për “respektin e madh” që Millan Radojçiq “gëzon në mesin e serbëve të Kosovës”.

    Kushdo që ju thotë ndryshe po ju gënjen. Ai ka ende këtë (respekt të madh) edhe sot. Mund t’ju jap shembuj se sa shumë ka ndihmuar njerëzit që kanë jetuar vështirë”, ka thënë Jevtiq, siç citohet në artikullin që e ka shpërndar Lista Serbe në faqen e tyre në Facebook

    Jevtiq thotë se “Radojiçiq përmes paraqitjes së tij publike dëshmoi se vendimi nuk ishte politik por i tij” dhe se “ata njerëz që vendosën këtë e bënë si pasojë e gjithçkaje që ka ndodhur që kur ka ardhur Albin Kurti në pushtet me rrezikun e jetëve të serbëve, veçanërisht në veri”.

  • Gjuriq: Serbia nuk po grumbullon ushtrinë në kufi, por Kosova po grumbullon gënjeshtra

    Gjuriq: Serbia nuk po grumbullon ushtrinë në kufi, por Kosova po grumbullon gënjeshtra

    Në përpjekje të plotësimit të detyrës së tij, që me propagandë të vjetër dhe të kot të Vuçiqit të “hedh hi në sy” zyrtarëve dhe opinionit amerikan, ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, ka pretenduar se në Kosovë ka vetëm dy “grumbullime serioze ushtarake” dhe se “asnjëra prej tyre nuk është ndonjë grumbullim ushtarak i trupave serbe”. E para, sipas propagandës së tij, është grumbullimi i “forcave speciale tepër të militarizuara dhe monoetnike të Kurtit”, dhe e dyta është “grumbullimi i gënjeshtrave dhe paragjykimeve ndaj serbëve të Kosovës dhe Serbisë të orkestruara nga Albin Kurti”.

    Gjuriq ka shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social “X” se në tokën “e pushtuar ilegalisht nga qeveria e Albin Kurtit janë ndërtuar tetë baza të reja për këto forca të militarizuara dhe monoetnike”, transmeton Paparaci.

    “Ka vetëm dy “grumbullime serioze ushtarake” në Kosovë, por “asnjëra prej tyre nuk është grumbullim ushtarak i trupave serbe. Grumbullimi i parë i ri është grumbullimi i forcave speciale shumë të militarizuara dhe mono-etnike, i cili zgjatë tash e 20 muaj. Tetë baza të reja për këto forca janë ndërtuar në tokat e “sekuestruara ilegalisht” nga qeveria e Kurtit. Gjatë kësaj kohe, këto forca u angazhuan në 61 “sulme ilegale” dhe qëlluan 7 serbë të Kosovës dhe plagosi shumë të tjerë. Si rezultat i këtij grumbullimi, 11 për qind e serbëve në veri tashmë janë detyruar të shpërngulen në Serbi. Këtë komuniteti ndërkombëtar “nuk arriti të parandalojë. Pavarësisht mandatit të tyre ligjor dhe moral”, ka shkruar Gjuriq.

    Një tjetër “grumbullim”, siç thotë ai, “po aq i keq” është grumbullimi i “gënjeshtrave, njëanshmërive dhe paragjykimeve ndaj serbëve të Kosovës dhe Serbisë, të orkestruara nga Kurti, por të cilave iu bashkuan ata që mezi prisnin rastin e parë për të konfirmuar stereotipet e vjetra, pa arritur të shikojnë më thellë dhe të shohin se rolet në Kosovë “kanë ndryshuar” që nga vitet e 90-ta”.

    “Sa i përket “gjoja” grumbullimit të forcave serbe, e vetmja gjë që ekziston është tërheqja e forcave që kanë qenë atje prej vitesh – nga 7500 në minimumin historik prej 4000. Sepse ne jemi pala përgjegjëse, ajo që dëshiron paqen dhe përpiqet të shmangë gjakderdhjen e mëtejshme”.

  • Rreth 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Rreth 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 924 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 21 aksidente me të lënduar dhe 26 me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit janë arrestuar nëntë persona dhe pesë janë dërguar në mbajtje.

  • Zhegrova e ndihmon skuadrën e tij të fitojë ndeshjen me një eurogol të shënuar

    Zhegrova e ndihmon skuadrën e tij të fitojë ndeshjen me një eurogol të shënuar

    Edon Zhegrova e ka ndihmuar skuadrën e tij që të fitojë ndeshjen me rezultat 2-0 të Lilles ndaj Le Havre.

    Anësori kosovar ishte protagonist në njërin nga dy golat e shënuar për skuadrën e tij, ku hapi sfidën me një eurogol.

    Nga një kënd i zakonshëm i tij nga krahu i djathtë, Zhegrova kaloi për mrekulli dy lojtarë kundërshtarë, për të lansuar një predhë goditje, që e la pa gjasa portierin kundërshtar në minutën e 40-të.

    Video e golit:

    Me këtë fitore, Lille pozicionohet në pozitën e 6-të në tabelë, me 11 pikë të mbledhura, vetëm një më pak se PSG e cila nodhen në pozitën e 5-të me 12 pikë, ndërkohë që lideri i tabelës së Ligue 1 është Monaco me 14 pikë, aq sa ka edhe Brest e ranguar në pozitën e dytë.

  • Kurti publikon pamje: Terroristët e Banjskës u trajnuan në njërën prej bazave kryesore të Ushtrisë Serbe

    Kurti publikon pamje: Terroristët e Banjskës u trajnuan në njërën prej bazave kryesore të Ushtrisë Serbe

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka riprezantuar pamje të autoriteteve kosovare, të cilat dëshmojnë stërvitjet e terroristëve serbë, që vranë dhe kryen sulmin e 24 shtatorit në Bansjkë.

    Ai thotë se këta terroristë ishin trajnuar katër ditë para sulmeve, në njërën prej bazave kryesore të Ushtrisë Serbe, Pasuljanske Livade.

    Teksa të tjerat stërvitje, Kurti thekson se u zhvilluan në bazën e Kopaonikut.

    I gjithë ky sulm i terroristëve serbë, kryeministri i Republikës së Kosovës, thotë se u bë nën mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq.

    ”Në foto: Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, ~4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”.

  • Nuk realizohen premtimet, vonohen punimet e rrugës “Arbëri-Lakërishtë”

    Nuk realizohen premtimet, vonohen punimet e rrugës “Arbëri-Lakërishtë”

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Projekti në unazën e brendshme në kryeqytet që lidh rreth rrotullimin e lagjes “Arbëria” me atë në “Lakërishtë”, kishte nisur më 25 nëntor të vitit të kaluar, datë kur ishin dhënë edhe afate për përfundim.

    “Pretendojmë ta përfundojmë përbrenda 90 ditëve, pra 90 ditë pune, tash jemi në fund të nëntorit kështu që me siguri që do të kemi pak problem me kohën”, kishte deklaruar Rama vitin e kaluar.

    Ndonëse pas një viti, projekti i planifikuar të përfundoj për 90 ditë, është larg afateve kohore të parapara.

    Qytetarët po kritikojnë zotimet për afate të tilla lidhur me projektet infrastrukturore.

    “Jemi mësuar me premtime të tilla me afate që nuk po iu përmbahen”, thotë një qytetar.

    “Që sa kohë është kështu vetëm po i neglizhojnë punët”, tha një qytetar tjetër.

    Përmes një përgjigje me shkrim, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj thotë se punët kanë nisur pas dimrit të kaluar, ndërsa më pas kanë hasur në disa probleme teknike.

    “Punimet kanë filluar, unë besoj që duke respektuar planin dinamik ne do ta përmbyllim këtë pjesën tjetër të projektit. Pra në komplet pjesën e parë kur kemi filluar ka dalë shumë ujëra nëntokësore, ka qenë frika se a mund të stabilizohet pjesa e trupit të rrugës me projektin ekzistues”, tha Zogaj.

    Projekti për rrugën e gjatë 700 metra në vlerë mbi 1 milionë euro, sipas Zogajt përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Nisin aktivitetet për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit

    Nisin aktivitetet për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit

    Përgatiti: Sara Shehu

    “Race for the Cure Prishtina” është aktivitet që organizohet për të pestën herë me radhë në kryeqytet e që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.

    Edhe këtë vit, qindra persona i janë bashkuar vrapimit i cili u zhvillua nga sheshi “Ibrahim Rugova”, në kryeqytet deri te rrethi i flamurit.

    Sabije Maliqi, 66 vjeçare është njëra nga gratë e cila aktualisht është duke luftuar kancerin e gjirit. Ajo theksoi se e ka mjaft të vështirë trajtimin e sëmundjes, pasi sipas saj institucionet shëndetësorë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.

    “Jam në luftë me këtë sëmundje, në natën e vitit të ri jam operu. Shyqyr zotit fëmija po më japin vullnet e jom qetu. Institucionet duhet me pas ma shumë kapacitete, se unë shumë harxhime kom pas për do ilaqe 250 euro. E unë pensioniste me 100 euro s’ki as qa bon s’të dalin për barna mos me kanë fëmijët”, tha Sabije Maliqi, qytetare.

    Violeta Pirana, nga Organizata Joqeveritare “Renesanca”, tha se mbështetja për këto gra duhet të jetë gjatë tërë vitit.

    “Nuk duhet të ndalemi vetëm në tetor, duhet të luftojmë edhe 11 muaj të tjerë, sepse numri është në rritje e sipër, nuk është koha që të rrijmë e koha të na merr, kemi mamografi, mjek onkologji, që këto sëmundje t’i luftojmë”, tha Pirana.

    Teksa këto raste për shërim i drejtohen klinikës së Onkologjisë në QKUK, drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi, tha se janë duke trajtuar një numër të madh të rasteve me këtë lloj të kancerit.

    “Klinika e Onkologjisë është në ballë të kësaj sfide. Gjatë ditës trajtojmë mbi 350 pacientë që është numër rekord në rajon. Ne duhet ta ngrisim vetëdijen se shërim i kësaj sëmundje është verifikimi i hershëm”, tha Kurtishi.

    Megjithatë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, premtoi se me aktivitete të ndryshme, kryeqyteti në vazhdimësi do të jetë krah rasteve me kancer të gjirit.
    “Jemi bërë bashkë kundër një beteje, kundër kancerit të gjirit, një sëmundje që ndan familje, kjo nuk është vetëm aspekti gjinor, nuk i prek vetëm femrat por edhe meshkujt, ne si kryeqytet po i hapim këto mundesi për të gjitha komunat e Kosovës. Beteja mund të fitohet dhe do ta fitojmë edhe të ardhmen, nuk do të ndalemi deri sa numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit të jetë zero”, tha Rama.

    Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë, gjatë tërë muajit tetor, do të ofrojë mamografi falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.

    Në shënim të muajit të kancerit të gjirit, disa autobusë të Trafikut Urban në Prishtinë janë ngjyrosur me ngjyrë roze dhe do të ofrojnë shërbime falas për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • “SHBA-të të jenë pjesë e përgatitjes së draft statutit për Asociacionin”

    “SHBA-të të jenë pjesë e përgatitjes së draft statutit për Asociacionin”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Zyrtarët e Shteteve e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht kanë theksuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Pikërisht, amerikanët, sipas një deklarate të presidentes së Vjosa Osmani të para pak ditëve, duhet të jenë pjesë në përgatitjen e draft statutit të asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Sipas profesorit universitar, Arben Fetoshi, kryeministri Albin Kurti duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët amerikan, sa i takon çështjes së asociacionit.

    “Ajo çka na duhet tani është një komunikim intensiv i kryeministrit Kurti me aleatët, me zotëri Escobar në radhë të parë për t’i siguruar garancionet që Asociacioni të mos jetë mekanizëm që e paralizon funksionimin e Kosovës. Ju e dini se kemi marrë vazhdimisht garanci nga ana e ShBA-së që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe asociacioni s’do të jetë nivel tjetër i pushtetit në Republikën e Kosovës dhe mbi këtë bazë qeveria jonë duhet të lëvizë në drejtim të draftimit të statutit të Asociacionit në përputhje me vizionin e prezantuar nga kryeministri në mënyrë që pastaj presioni të zhvendoset mbi Vuçiqin”, tha Fetoshi.

    Duke përmendur domosdoshmërinë e themelimit të asociacionit për të arritur marrëveshjen finale, analisti Artan Muhaxheri, potencon se Kosova duhet të jetë konstruktive në këtë drejtim.

    “Në momentin që pala kosovare do të dëshmohet si bashkëpunuese edhe këto presione do të largohen. Gjithsesi nuk duhet të harrohet në asnjë moment që Asociacioni është pjesë esenciale e marrëveshjes finale. Pa garantimin e situatës së pakicës serbe në Kosovë, pas arritjes së marrëveshjes finale, pas një lloj njohje të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë asnjë mendim ose ide për përfundim të suksesshëm të dialogut”, tha Muhaxheri.

    Kurse, deputetja nga radhët e partisë në pushtet, Fitore Pacolli, insiston se Serbia po tenton ta shtyjë përpara themelimin e asociacionit dhe të mos i zbatojë pikat e tjera të marrëveshjet së Ohrit.

    “Tani kemi kushtëzimin nga Serbia e cila thotë Asociacioni fillimisht tani dhe për të tjerat shohim. Ne si qytetarë të Kosovës, si deputetë, si politikan kemi mjaft mësime nga e kaluara dhe e dina se çfarëdo hapa që marrin përfaqësuesit e Serbisë nuk munden me qenë hapa të drejtë dhe munden me pa situatën njëanshëm. Qëllimi i tyre është që të shtyjnë për Asociacion dhe hapat të tjerë të marrëveshjes të mos realizohen kurrë”, tha Pacolli.

    Ndërkaq, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, kryeministri Albin Kurti, kërkesën për themelimin e asociacionit, e ka quajtur kushtëzim të Serbisë i cili është kthyer në qëndrim të BE-së.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë: