ATV

Blog

  • MAPL miraton kërkesën e tri komunave veriore për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    MAPL miraton kërkesën e tri komunave veriore për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Kërkesa e tri komunave veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potokut për anëtarësim në Asociacionit e Komunave, është vlerësuar e ligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Kjo ministri ka konfirmuar për televizionin se tani e tutje përgjegjësia i kalon Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    “Vendimet e miratuara nga Kuvendet e Komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, për të qenë pjesë e Asociacionit të Komunave, janë në harmoni me dispozitat e legjislacionet në fuqi. Pas shqyrtimit të ligjshmërisë së këtyre vendimeve nga MAPL-ja, mbetet në përgjegjësinë e këtyre komunave të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të qenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Arianit Abazit nga MAPL.

    Mirëpo, ani pse komunat ende nuk kanë pranuar përgjigje zyrtarisht, vendimi mirëpritet.

    Njohës të qeverisjes lokale thotë se anëtarësimi i katër komunave veriore në AKK do të jetë i dobishëm për vetë ato.

    Nga katër komunat veriore, deri më tani vetëm Mitrovica e Veriut është bërë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

  • Lista e pritjes për pacientët që duan të kryejnë mamografi, është e gjatë në Prizren dhe në Ferizaj

    Lista e pritjes për pacientët që duan të kryejnë mamografi, është e gjatë në Prizren dhe në Ferizaj

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me nisjen e tetorit, muaj i ndërgjegjësimin për parandalimin e kancerit të gjirit, kanë filluar të shtohen edhe kërkesat për kryerjen e mamografisë.

    Fahrije Qarri është njëra prej grave, e cila i është drejtuar Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren. Pas caktimit të terminit është e detyruar të presë deri në 3 muaj për ta kryer këtë shërbim mjekësor.

    “Dej në tre muaj më duhet me prit me kry mamografinë, kjo është ekstreme. Oshtë tepër shqetësuese me prit kaq gjatë. Këtu me jetu edhe kafshët është gjynah. Me prit kaq shumë tu e ditë kaq e rëndësishme oshtë mamografia”, tha Qarri.

    Pavarësisht se termini është lehtë të caktohet, lista e pritjes është e gjatë. Në listë të pritjes janë më shumë se 50 gra.

    “Problem është se po duhet me muaj me pritë e sëmundja nuk po pyet, as nuk pret për kohë. Institucionet duhet me punu në këtë çështje”, tha Sabije Maliqi, paciente.

    “Termini nuk oshtë problem, u bo lehtë. Kam fillu me u interesu prej të premtes për me bo mamografinë po po m’thojnë me pritë si çdokush tjetër, mas terminit mas 2 muj”, tha Rrushadie Pulaj, paciente.

    Listën e gjatë të pritjes nuk e mohojnë as në QKMF-në e Prizrenit.

    “Mamografia në këtë qytet oshtë prej vitit 2011. Oshtë një mamograf veç. Në qendër brenda muajit realizohen 55 mamografi. Të gjitha rastet jo urgjente presin afro dy muaj. Arsye oshtë se gjeneratat e reja tani janë shumë të interesuara për të bërë mamografinë, kështu është rritur edhe numri i interesimit, për zbulimin e kancerit të gjirit. Edhe këtu punojnë vetëm 2 motra dhe një doktoreshë që kryen dhe lexon mamografinë”, tha drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkurtishaj.

    Situatë e ngjashme është edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, pasi pacientët presin më shumë se një muaj për këtë shërbim mjekësor.

    Për këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se arsyeja e pritjeve është mungesa e radiologëve, pasi disa herë është hapur konkursi për rekrutimi e mjekëve radiolog, por nuk ka pasur asnjë kandidat të interesuar.

  • Juristët në Kosovë hetimet ndaj Radojiçiqit i quajnë inskenim të Serbisë

    Juristët në Kosovë hetimet ndaj Radojiçiqit i quajnë inskenim të Serbisë

    Përgatiti: Nora Luta

    Pa kaluar 24 orë, Milan Radojicic, i dyshuari kryesor për sulmin në Banjskë të Zveçanit, është liruar nga autoritetet e Serbisë. Radojicicit i është konfiskuar pasaporta e i është ndaluar hyrja në Kosovë, dhe do t’i duhet të paraqitet dy herë në muaj në stacion policor.

    Udhëheqësi i grupit terrorist, përgjegjës për sulmin ndaj Policisë, nga autoritetet në Beograd po hetohet për trafikim me armë, gjë që, sipas juristëve, është vetëm inskenimi i një hetimi politik nga Serbia.

    Por në Kosovë, vlerësohet se ai do të duhej të hetohej për disa vepra penale, përfshirë vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe sulm terrorist.

    Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën, ka përsëritur se Kosova do të kërkojë dorëzimin e tij. Haxhiu ka thënë se nuk është e befasuar me vendimin e shtetit serb, pasi siç është shprehur ajo, Serbia është strehë për kriminelët e luftës dhe terroristët.

    Milan Radojicic u arrestua dy javë pas sulmit në Banjskë.

    Prokuroria serbe pretendon se Radojicici, armët i bleu në Bosnjë, por Policia e Kosovës ka prezantuar dëshmi se ato janë prodhuar në Serbi. Armatimi i rëndë që e posedonte grupi i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, u sekuestrua dhe u ekspozua një ditë pas sulmit.

    Artileri e armëve e prova të tjera, Policia sekuestroi edhe gjatë ditëve në vijim përreth fshatit Banjskë. Teksa me kërkesë të Prokurorisë Speciale, javën e kaluar, Radojicicit iu ngri pasuria e iu bastisën pronat e tij.

  • Kuvendi e miraton në lexim të parë projektligjin për shëndetin riprodhues

    Kuvendi e miraton në lexim të parë projektligjin për shëndetin riprodhues

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në rend dite ishin 5 marrëveshje ndërkombëtare.

    Përkrahjen për to qysh në fillim e shprehu grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Nuk është e vërtetë që nuk i përkrahim, ministri i Financave tjera herë të mos thotë që nuk i kemi përkrahë. Nuk është mirë me rrejt kështu”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

    Por edhe pse u tentua nuk u arrit të votohet për to.

    “Nuk besoj që ka nevojë me ekzistu një legjislaturë e tillë, kur nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Për këtë një përgjigje e pati shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
    Ndërkaq, deputeti nga AAK-ja pati një kusht që vota e tij të shkojë për ndonjë projektligj apo marrëveshje ndërkombëtare.

    “Pa u plotësua kërkesat e policisë e veteranëve as ligje as marrëveshje e as bashkim ndërkombëtar nuk votoj”, tha deputeti i AKK-së, Bekë Berisha.
    E me përkrahje të disa deputetëve nga Lidhja Demokratike kaloi Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Ndërkaq, nga mazhoranca një deputet ishte kundër e katër abstenuan.

    Ndërkohë, Projektligji për tekste shkollore nuk arriti të kalojë, pasi nuk pati kuorum.

  • Banorët e fshatit Lebanë të Prishtinës 5 muaj po përballen me mungesë të ujit të pijshëm

    Banorët e fshatit Lebanë të Prishtinës 5 muaj po përballen me mungesë të ujit të pijshëm

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Afro 240 shtëpi e dhjetëra biznese në fshatin Lebanë të Komunës së Prishtinës, po përballen me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm.

    Gani Dobratiqi thotë se ujin e pijshëm detyrohet ta blejë disa kilometra larg shtëpisë, pasi edhe rezervat e puseve të cilat i shfrytëzonte për nevojat e tjera elementare, i kanë mbaruar.

    “Po e shihni s’ka ujë tash e sa kohë, u bo problem i kamotshëm, përveç për pirje nuk po mundemi me u furnizu me ujë as për nevoja të tjera elementare, po duhet me ble”, tha Dobratiqi.

    Mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, po e vuajnë edhe banorët e tjerë.

    “Shumë problem, qe sa kështu, u bë kohë e gjatë…”, tha Dobratiqi.

    Madje, banorët për këtë problem u janë drejtuar edhe institucioneve përgjegjëse, por ankesat e tyre deri më tani nuk janë marrë parasysh.

    “Kemi dërguar disa herë peticion, në investime kapitale, në ujësjellës, komunë, po habitemi që ende s’kanë bërë diçka”, tha Dobratiqi.

    Nga KRU “Prishtina” thonë se buxheti aktual i tyre nuk mbulon investimet e nevojshme, andaj kërkojnë përkrahje nga komuna.

    “Në atë zonë dikur ishin 60 shtëpi, tash janë mbi 200 dhe sigurisht që kapacitetet infrastrukturore nuk e përballojnë. Fatkeqësisht humbjet e ujit në atë zonë shkojnë në vlera mbi 60%. Kërkesa do të shqyrtohet, analizohet dhe si projekt kalon filtrat e investimeve, atëherë hyn për vitin tjetër, nga KRU apo Ministria, apo komuna, sepse nevojitet investim i madh! Çdo investim analizohet e pastaj veprohet”, thuhet në përgjigjen nga KRU “Prishtina”.

    Përveç fshatit Lebanë, situatë e ngjashme qëndron edhe në Trudë dhe disa fshatrat të tjerë përreth, por komuna nuk ka treguar nëse do të kontribuojë në zgjidhjen e problemit.

  • Pianistja Lule Elezi shkëlqen me performancën në ditën kombëtare të Gjermanisë

    Pianistja Lule Elezi shkëlqen me performancën në ditën kombëtare të Gjermanisë

    Pianistja me renome ndërkombëtare, Lule Elezi ka performuar në ditën kombëtare të Gjermanisë, në Gjermani.

    Manifestimi qendror me moton “Gjermania-Një Atdhe”, u organizua nën patronatin e kryetarit të komunës Bingen on Rhein, z. Thomas Feser e ku pianistja, Lule Elezi ka mbajtur një koncert recital me veprat e kompozitoreve të mirënjohur gjerman dhe shqiptarë si Beethoven, Schumann, Dhomi, etj.

    Në këtë koncert ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës politike e kulturore në Gjermani.

    Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në vende të ndryshme të Evropës, në Kinë, Japoni, Rusi, SHBA, etj.

    Koncerti recital i Elezit u mirëprit me duartrokitje frenetike të të pranishmëve.

    Pianistja jonë e mirënjohu , Lule Elezi po vazhdon suksesshëm turin e saj të koncerteve gjithandej nëpër botë.

  • ​Abbott vizitoi ushtarët në kampin Bondsteel

    ​Abbott vizitoi ushtarët në kampin Bondsteel

    “Në një kohë të vështirë dhe shqetësuese për shumë njerëz në Kosovë, jam i kënaqur që Britania e Madhe vazhdon të jap kontribut të fuqishëm në mandatin e KFOR-it” ka thënë ambasadori britanik Nicholas Abbott.

    Ai ka vizituar kampin Bondsteel ku ka takuar ushtarët britanikë të cilët nën komandën e NATO-s në ditët në vijim do t’u bashkohen 200 trupave të tjerë nga angazhimi i Forcave Rezervë Strategjike të Mbretërisë së Bashkuar.

    “Vizitova kampin Bondsteel për të takuar ushtarët britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit, të cilët kanë qenë në Kosovë si pjesë e një stërvitjeje vjetore. Ata janë tani nën komandën e NATO-s dhe do t’u bashkohen 200 ushtarë të tjerë nga angazhimi i Forcave Rezervë Strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në ditët në vijim. Në një kohë të vështirë dhe shqetësuese për shumë njerëz në Kosovë, jam i kënaqur që Britania e Madhe vazhdon të japë një kontribut të fuqishëm në mandatin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës”, ka shkruar Abbott./KP

  • BE-ja arrin marrëveshjen për paktin për emigrantët

    BE-ja arrin marrëveshjen për paktin për emigrantët

    27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për rregullimin e krizës në paktin e ri të Bashkimit për migracionin, thanë të mërkurën burime diplomatike në Bruksel.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbështeti lajmin duke thënë se tani pakti duhet të miratohet para përfundimit të mandatit legjislativ të Parlamentit Evropian vitin e ardhshëm, raporton ANSA.

    “Mirëpres marrëveshjen e suksesshme politike të arritur nga shtetet anëtare për Propozimin për krizën. Ky është një ndryshim i vërtetë i lojës që na lejon të avancojmë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian. Të bashkuar ne mund të bëjmë atë që kërkohet në Pakt përpara përfundimit të këtij mandati”, tha ajo.

  • Gjenden mbetje mortore në Bishtazhin, dyshohet të jenë të luftës së fundit

    Gjenden mbetje mortore në Bishtazhin, dyshohet të jenë të luftës së fundit

    Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës janë gjetur disa mbetje mortore.

    Sipas KQPZh-së, eshtrat e gjetur potencialisht i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

    “Në vazhdën e aktiviteteve gërmuese, gjatë këtyre dy javëve, ekipet tona të KQPZH, IML dhe Policia e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, EULEX-it dhe KNKK, janë duke kryer gërmime në lokacion Bishtrazhin, Komuna e Gjakovës”, thuhet në njoftim.

    Më tej bëhet e ditur rezultati i eshtrave të gjetura do të bëhet publik pas analizave të ADN-së.

  • Pas shumë vizitash ministrat Peci dhe Ozdemir takohen në Prishtinë

    Pas shumë vizitash ministrat Peci dhe Ozdemir takohen në Prishtinë

    Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Ozdemir, bashkë më kolegun Kosovar ministrin e Bujqësisë i Kosovës, Faton Peci, pas shumë vizitash kanë zhvilluar takim në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Më pas të dy ministrat do të mbajnë konferencë për medie në oborrin e Qeverisë së Kosovës në orën 17:20.

    Të dy kanë vizituar: vreshtat në Rahovec; verarinë “Bodrumin e Vjetër”, dhe Kooperativën “Gratë e Krushës”, e udhëhequr nga Fahrije Hoti.