Deputetja britanike, Alicia Kearns ka ngrehur shqetësime për mos marrjen e masave ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët, pas agresionit të 24 shtatorit, ku grupi terrorist serb la të vdekur rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe plagosi dy të tjerë.
Ndërkohë, ka theksuar se megjithatë, Kosova mbetet nën sanksione.
Ky reagim i saj erdhi pasi Serbia liroi nga ndalimi terroristin dhe të sanksionuarin e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq.
“Radojiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka pasoja për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, as rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo në “X”.
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Podujevë, ku një burrë ka përfunduar në Polici si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur shtëpinë e tyre, ku sherri dyshohet se plasi pasi familjes iu ngordhi një kafshë shtëpiake (lopë) dhe kjo e shtyri burrin që ta sulmojë bashkëshorten e tij. Por situata eskaloi, pasi gruaja më pas e ka goditur veten me një thikë, si pasojë e nervozës që ia shkaktoi burri.
Posa rasti është denoncuar në Polici, palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.
Sot në vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat nuk do të pësojnë ndryshime dhe mbeten pothuaj konstante me të ditës së mërkurë. Minimalet pritet të sillen mes 5-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-25 gradë Celsius.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga sot ( e enjte) do të hapet fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.
Fushata do të lansohet në Sheshin “Skënderbeu“ me fillim nga ora 13:00, ku lansimin do ta bëjë Kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën”, ka bërë të ditur dje Qeveria e Kosovës.
Ndryshe, nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.
Kuvendi i Kosovës njoftoi se sot (e enjte) mban dy seanca plenare.
Fillimisht duke filluar nga ora 10:00 bëhet shqyrtimi i Propozim-amendamentit Kushtetues nr.27.
Më pas nga ora 10:30 vazhdon me këtë rend dite:
Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,
Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
Propozimi i GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Kupa e Botës e vitit 2030 do të mbahet në gjashtë vende dhe tri kontinente, ka konfirmuar FIFA.
Spanja, Portugalia dhe Maroku janë emëruar si bashkë-pritës, me tri ndeshjet hapëse që do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguaj.
Ndeshjet hapëse në Amerikën e Jugut do të shënojnë njëqindvjetorin e Kupës së Botës pasi do të bëhen 100 vjet nga turneu inaugurues në Montevideo.
Vendimi pritet të ratifikohet në një kongres të FIFA-s vitin e ardhshëm, përcjellë KosovaPress.
“Në një botë të ndarë, FIFA dhe futbolli po bashkohen”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Këshilli i FIFA-s, që përfaqëson të gjithë botën e futbollit, ra dakord unanimisht të festojë njëqindvjetorin e Kupës së Botës, edicioni i parë i të cilit u luajt në Uruguaj në vitin 1930. Në vitin 2030, ne do të kemi një gjurmë unike globale, tri kontinente – Afrika, Evropa dhe Amerika e Jugut – gjashtë vende – Argjentina, Maroku, Paraguaj, Portugalia, Spanja dhe Uruguai duke mirëpritur dhe bashkuar botën duke festuar së bashku lojën e bukur, njëqindvjetorin dhe Kupën e Botës FIFA”., thuhet në njoftimin e FIFA-s.
FIFA gjithashtu konfirmoi se vetëm ofertat nga vendet nga Konfederata e Futbollit Aziatik dhe Konfederata e Futbollit të Oqeanisë do të merren parasysh për finalet e 2034.
Çmimi Nobel i vitit 2023 në kimi i është dhënë një treshe shkencëtarësh që punuan për të zbuluar dhe zhvilluar pika kuantike, të përdorura në dritat LED dhe ekranet televizive, si dhe nga kirurgët kur heqin indet e kancerit.
Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov u vlerësuan si “pionierë në eksplorimin e nanobotës (botës mikroskopike)” nga komiteti Nobel për kiminë teksa shpalli çmimin në kryeqytetin suedez Stokholm të mërkurën, raporton CNN.
“Për një kohë të gjatë, askush nuk mendonte se ju mund të krijoni ndonjëherë grimca kaq të vogla. Por laureatët e këtij viti patën sukses”, tha Johan Aqvist, kryetar i komitetit.
Heiner Linke, një anëtar i komitetit të kimisë, shpjegoi në ceremoninë e shpalljes se çfarë e bëri punën e laureatëve kaq revolucionare.
“Gjëja kryesore në lidhje me pikat kuantike është se, vetëm duke ndryshuar madhësinë e tyre… ju ndryshoni vetitë e tyre, për shembull ngjyrën e tyre. Kjo është krejtësisht e pazakontë”, tha Linke.
Gjatë seancës për Kosovën në Parlamentin Evropian, që u mbajt të martën, disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë, pas sulmit të grupit terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas këtij diskutimi në Parlamentin Evropian, ish-ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj, pret që Bashkimi Evropian të mos rrijë duarkryq.
Ish-diplomatja e cila shërbeu si ambasadore në kryeqendrën evropiane, shtoi se Serbisë, mund t’i pezullohen të gjitha fondet e Bashkimit Evropian.
Krahas këtyre masave, vlerësohet se Serbia duhet të sanksionohet shumë më ashpër.
Megjithatë, raportet që ka shteti serb me Rusinë mund të ndikojnë që Bashkimi Evropian të hezitojë për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë.
Gjatë debatit, pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë, teksa disa nga deputetët kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet, derisa të kryhen hetimet.
Ndryshe, masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë në fuqi nga korriku i këtij viti.
Krsto Damjanovic, nga Mitrovica e Veriut, i lindur në vitin 2000, anëtar i klubit të kik-boksit të të arrestuarit Milun Milenkovic – Llune, dyshohet të jetë një prej pjesëtarëve të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë.
Dokumentet personale të Damjanovicit u gjetën në njërën nga automjetet e konfiskuara nga Policia, pas ikjes së grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojicic.
Veshje të klubit të kik-boksit të njërit prej udhëheqësve të organizatës terroriste “Mbrojta Civile”, Llune, u panë edhe në pajisjet e gjetura në makina tjera – të ekspozuara nga Policia javën e kaluar.
Në automjetet e përdorura nga terroristët, policia gjeti edhe dokumentet e Milos Milenkovic dhe Uros Milic nga Mitrovica e Veriut, Milos Milanovic nga Trbusnica e Serbisë.
Danilo Vasic nga Zveçani, Velkjo Djordjevic dhe Aleksandar Milosavljevic nga Mitrovica.
Lazar Smigic dhe Stefan Jovanovic, po ashtu, nga Mitrovica, Drode Rakic nga Valjeva e Serbisë. Si dhe Almir Marukic, nga Novi Pazari.
Përveç këtyre dokumenteve të ekspozuara, disa prej të cilave të lëshuara nga institucionet e Kosovës – por edhe ato të Serbisë, Policia nuk dha detaje të mëtejme për identifikimin e të dyshuarve për terrorizëm.
“Rasti është duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit), andaj në këtë fazë nuk mund të jepen më shumë të dhëna lidhur me ecurinë e hetimeve””, thuhet në njoftimi e Policisë së Kosovës.
Teksa kërkoi ndëshkimin e Serbisë dhe Milan Radojicicit për sulmin terrorist në Banjskë, të martën, kryeministri Albin Kurti njoftoi se shumica e personave të identifikuar janë pjesëtarë të dy organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Pas sulmit terrorist në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës, shumë shtete të cilat kanë trupa në vend, në kuadër të KFOR-it, njoftuan se do ta rrisin numrin e tyre.
Së fundi, Rumania, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, pritet të sjellë rreth 100 trupa shtesë në Kosovë.
“Rumania do të vendosë, në të ardhmen e afërt, një njësi të vogël në nivel kompanie, si pjesë e rezervës strategjike të vendosur, në dispozicion të SACEUR-it, në kuadër të operacionit të NATO-s, KFOR, të zhvilluar në Kosovë. Rumania, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, ka marrë përsipër angazhimin për të kontribuar me forca dhe pajisje ushtarake në përpjekjen për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thotë ambasadori i Rumanisë në NATO, Dan Neculaescu.
Ndonëse, preferon që trupat shtesë të vijnë nga vende njohëse të Kosovës, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se shtimi i tyre mund të jetë i dobishëm.
“Mendoj që shtimi i trupave të KFOR-it do t’i ndihmonte Policisë së Kosovës në asistim në vijën kufitare. Shtimi i trupave të KFOR-it ndërlidhet me atë që po ndodh në anën tjetër të kufirit, pasi nga andej hyri gjithë ai armatim”, tha Vrajolli.
Por, ka edhe skepticizëm ndaj paanshmërisë së trupave rumune.
“KFOR-i rumun nuk gëzon respekt te qytetarët e Kosovës, pas dyshimeve që KFOR-i rumun në kuadër të UNMIIK-ut, nuk është i mirëpritur në Kosovë, pavarësisht se është nën komandë të NATO-s. Ka shtete të tjera që do mund t’i dërgonin trupat e tyre”, tha eksperti i sigurisë, Avni Islami.
Zëdhënësi në detyrë i NATO-s, Dylan White, pa dhënë detaje, në një përgjigje për ATV-në konfirmoi se pas angazhimit të trupave britanike, edhe ushtarë të vendeve të tjera aleate, do të dislokohen në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar, që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë”, thotë zëdhënësi i NATO-s, Dylan White.
Aktualisht në Kosovë, në kuadër të KFOR-it operojnë mbi 70 trupa rumune.
Kurse, momentalisht KFOR-i numëron mbi pesë mijë trupa, nga 27 vende aleate.
Më së shumti ushtarë, në kuadër të KFOR-it në Kosovë ka Italia, me rreth 850 sosh.