ATV

Blog

  • Kosova pa qendër për djegie përkundër rasteve të shumta të pacientëve

    Kosova pa qendër për djegie përkundër rasteve të shumta të pacientëve

    Lista e pacientëve në Kliniken e Kirurgjisë Plastike ekziston për shkak se i japin prioritet pacientëve me djegie, numri i të cilëve është i madh. E derisa në Kosovë nuk ka një qendër të veçantë për pacientët me djegie, rastet e tilla trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, edhe pse kjo qendër është specialistike për rastet estetike.

    Ka më shumë vite që bëhen kërkesa për një qendër të djegies, por ajo edhe nuk është paraparë të ndërtohet. Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike thonë se duan që edhe vendi ynë ta ketë një qendër për trajtimin e rasteve e të tilla, ashtu siç edhe e kanë vendet tjera evropiane, por në Ministrisë e Shëndetësisë, shpresojnë që së shpejti të kenë një rivlerësim të nevojave aktuale.

    Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi tha për KosovaPress, se numri i djegieve është shumë i madh, gjë për të cilën po shkakton tollovi në raste tjera për shkak se pacientët me djegie qëndrojnë të hospitalizuar me muaj të tërë.

    “Në Kirurgji Plastike nuk ekziston në asnjë spital rajonal dhe tërë popullata e Kosovës trajtohen në Qendrën Klinike Universitare, në Kliniken e Kirurgjisë Plastike. … Qe 24 vite merremi me trajtimin e djegies, kjo patologji ka qenë edhe para shumë viteve d.m.th. me djegie merret vetëm kirurgjia plastike, fatkeqësisht numri i djegieve është i madh, nuk ka sezonë vetëm dimrit apo verës por në çdo sezone, e fatkeqësisht në sezonën e verës është i madh. Për momentin janë të hospitalizuar me djegie prej tyre janë të moshës fëmijërore…. Kirurgjia Plastike merret me një tërë patologjisë dhe në mungesë të qendrës për djegie. Këta pacient me djegie kanë gjithmonë prioritet, duhet me i fut gjithmonë në sallë dhe me i operuar dhe këta pacientë qëndrojnë me muaj të tërë në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe kjo është një nga arsyet pse ne kemi listë të pritjes dhe duhet të presin pacientët tjerë për t’u operuar” tha Zatriqi.

    Zatriqi ka thënë se 50% e rasteve janë me djegie, andaj një qendër e specializuar për djegie, është bërë domosdoshme. Ajo tha se sikur çdo shtet që ka qendrën për djegie, të njëjtën duhet të kenë edhe pacientët në Kosovë.

    Drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Zatriqi shtoi se tashmë e 20 vite bëjnë kërkesë për një qendër për djegie në Ministrinë e Shëndetësisë, por ende nuk është ndërmarrë diçka.

    “Nevojë është e kamotshme sikur çdo shtet që e ka qendrën për djegie, edhe ne si kirurgji plastike e kemi adresuar problemin tonë që është më së e nevojshme qendra për djegie për trajtimi adekuat të pacientëve, ku janë disa standarde të cilat duhet të përmbushen për këta pacientë me djegie. Ne si Klinikë e Kirurgjisë Plastike, jemi duke i trajtuar edhe për shkak të kësaj mungese, ne kemi trajtuar edhe po vazhdojmë t’i trajtojmë pacientët nuk ngecin në trajtim por më e mira do të ishte prioritet i Kirurgjisë Plastike dhe i shtetit të Kosovës, të ketë një qendër për djegie sikur që kanë, është në rajon e kanë qendrën për djegie. … Ne në vazhdimësi qe 20 e disa vite në fund, e dërgojmë për qendrën për djegie dhe është e njoftuar edhe drejtoria ekzekutive dhe kërkesa jonë është drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kemi biseda që është në prioritet Qendra për Djegie dhe shpresojmë këto janë kompetenca të Ministrisë Shëndetësisë, nuk janë kompetenca e klinikës por është adresuar në vazhdimësi dhe do të adresojmë këtë problem deri në realizimin për të mirën e pacientit për trajtimin e dinjitetshëm”, tha Zatriqi.

    Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra tha se kostoja e trajtimit jashtë vendit për pacientët me djegie do të ishte më efektive nëse trajtohen në Kosovë.

    “E para ne duhet të dimë se sa është numri i pacientëve të cilët e kërkojnë këtë shërbim dhe duhet të shihet kostefktiviteti i atij shërbimi, a ka Kosova si me thënë leverdi të ndërtojmë. Nëse nevojat e qytetarëve kërkojnë një gjë të tillë dhe kostoja e trajtimit të këtyre pacientëve duhet të ishte shumë e mirë t’i mbanim brenda se sa t’i dërgojmë jashtë, pa dyshim se duhet të bëhet dhe nëse nuk bëhet qendër për djegie, duhet të ketë një repart të veçantë për këta pacientë të cilët vazhdimësi të marrin kujdesin që iu nevojitet” tha Kodra.

    Kodra shtoi se përkundër kapaciteteve që Kosova nuk mund të ketë për një qendër të tillë, pacientëve duhet t’i sigurohet kujdesi shëndetësor në përputhje me nevojat që i kanë, çofshin për djegie apo për probleme tjera.

    “Pa dyshim se është shqetësuese, dëshira jonë dhe gjithsecilit duhej të ishte që secili pacient duhet të trajtohet brenda Kosovës dhe mos të ketë nevojë për trajtime jashtë. Mirëpo në çoftë se diçka e tillë është shumë e kushtueshme për t’u u bërë për shkak se duhet të paguhet staf dhe material shpenzues dhe gjëra tjera dhe për këto vazhdimisht merret kostefektivitet shërbimit. Po nevojat e pacientit gjithsesi duhet të plotësohen çoftë në një qendër të ndërtuar brenda Kosovës, çoftë diku jashtë nëse ajo nuk ekziston. … Unë gjithmonë kam kërkuar që të shihet se sa është nevoja për diçka të tillë, dhe cilat do të ishin kapacitetet e asaj qendre për t’u ndërtuar. E vërtetë që pacientit duhet t’i sigurohet kujdesi shëndetësor në përputhje me nevojat që i ka çoftë për djegie ose për diçka tjetër” tha Kodra.

    Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë thënë se synojnë që të bëhet një rivlerësim i nevojave aktuale.

    “Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me SHSKUK-në, synojnë që të bëhet një rivlerësim i nevojave aktuale në përputhje me prioritetet e Qeverisë dhe nxjerrjen e protokolleve specifike, të cilat së shpejti do të reflektohen në një plan konkret të veprimit. Gjatë periudhës 2019-2023, për mbështetje financiare në fond, kanë aplikuar 11 raste për djegie, prej tyre 2 raste kanë përfituar. Meqenëse trajtimi i këtyre rasteve (djegiet e rënda) është kompleks dhe financiarisht i kushtueshëm dhe mbi të gjitha nuk mund të sigurohet nga të gjitha institucionet private, raste të tjera janë dërguar në Turqi për trajtim mjekësor falas, në bazë të marrëveshjes Kosovë-Turqi. Ndërkaq për këto dy raste fondi ka ndarë 60,000,00 euro për trajtimin e nevojshëm shëndetësor”.

  • O’Brien betohet si Ndihmës Sekretar i Shtetit: Mezi presim të forcojmë lidhjet e ShBA me Evropën

    O’Brien betohet si Ndihmës Sekretar i Shtetit: Mezi presim të forcojmë lidhjet e ShBA me Evropën

    Jim O’Brien është betuar për pozitën e re të ndihmës Sekretarit të Shtetit.

    O’Brien në një njoftim në profilin e tij në platformën “X” ka thënë se mezi pret për të punuar në forcimin e lidhjes së SHBA-së me Evropën në kohët kritike për sigurinë dhe për të ardhmen.

    “Mezi presim të forcojmë lidhjet e SHBA me Evropën – kritike për sigurinë dhe prosperitetin tonë tani dhe në të ardhmen”, ka shkruar ai.

    Sekretari amerikan Antony Blinken ka deklaruar se SHBA është me fat që një njeri si O’Brien merr një pozitë të tillë.

  • Shkon në 22 numri i të vrarëve nga raketat e lëshuara nga Gaza në Izrael

    Shkon në 22 numri i të vrarëve nga raketat e lëshuara nga Gaza në Izrael

    Ka shkuar në 22 numri i të vrarëve pasi fraksionet palestineze në Rripin e Gazës hodhën një breshëri intensive raketash herët të shtunën, në drejtim të Izraelit.

    Kështu ka bërë të ditur Shërbimi i Shpëtimit të Izraelit.

    Ndryshe, sipas zyrës së kryeministrit izraelit, kabineti i Sigurisë i Izraelit do të mblidhet sot në selinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.

     

  • MPJD: Kosova dënon ashpër sulmin terrorist kundër Izraelit

    MPJD: Kosova dënon ashpër sulmin terrorist kundër Izraelit

    Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dënuar sulmin terrorist kundër Izraelit.

    MPJD-ja në një reagim në platformën “X” kanë shkruar se Kosova qëndron në solidaritet të plot me Izraelin në këto momente të tmerrshme.

    “Kosova dënon fuqishëm sulmet terroriste kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Izraelin në këto momente të tmerrshme. Lutjet tona janë për viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruhet në reagim.

    Presidentja Osmani: E tmerruar nga sulmet terroriste në Izrael

  • Presidentja Osmani: E tmerruar nga sulmet terroriste në Izrael

    Presidentja Osmani: E tmerruar nga sulmet terroriste në Izrael

    Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pasi fraksionet palestineze në Rripin e Gazës hodhën një breshëri intensive raketash herët të shtunën, në drejtim të Izraelit.

    Ajo ka thënë se është e tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael.

    Në llogarinë e saj në platformën X, ajo ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin dhe shtetin e Izraelit.

    “Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin i Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani.

  • Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili ka qenë për vizitë disa herë në Kosovë, ka thënë se ata që kanë vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës.

    Murphy ka thënë se pasojat e sulmit të 24 shtatorit kanë mundur të jenë katastrofale, duke potencuar se armatimi i rëndë që është përdorur tregon se ka qenë një sulm i mirë-koordinuar dhe që ka synuar qëllimshëm të provokojë një konflikt më të gjerë.

    Senatori amerikan ka thënë se është i shqetësuar që lirimi i Milan Radojiçiqit nga Serbia, i cili edhe ka pranuar se qëndron prapa 24 shtatorit, do të rris tensionet edhe më tej në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe do të minojë edhe përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve që palët kanë marrë nga Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

    “Vuçiq duhet të marrë hapa të menjëhershëm për de-eskalim dhe të sigurohet që do të ketë llogaridhënie për këtë akt qyqar”, ka shkruar Murphy.

  • Netanyahu: Jemi në luftë, armiku të bëhet gati të paguajë një çmim që kurrë s’e ka njohur

    Netanyahu: Jemi në luftë, armiku të bëhet gati të paguajë një çmim që kurrë s’e ka njohur

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli është edhe zyrtarisht në luftë pasi terroristët e Hamasit kanë hyrë sot në jug të territorit izraelit.

    “Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë”, ka deklaruar Netanyahu.

    Ai gjithashtu ka thënë se armiku do të paguaj çmim që nuk e ka njohur kurrë më parë.

    “Armiku do të paguajë një çmim që nuk e kanë njohur kurrë më parë”, ka thënë Netanyahu.

    Në anën tjetër, terroristët e Hamasit kanë hyrë brenda territorit të Izraelit dhe kanë vrarë civilë rrugëve e në banesat e tyre.

  • S’ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar deri tani nga sulmet në Izrael

    S’ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar deri tani nga sulmet në Izrael

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në Shqipëri ka njoftuar se është duke ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Izrael.

    Në njoftim thuhet se sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme.

    “Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të njekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare 🇦🇱 në Izrael në numrin e kontaktit:+972 54-4806601”, thuhet në njoftim.

  • Ushtria izraelite shpall “gjendjen e gatishmërisë” për luftë

    Ushtria izraelite shpall “gjendjen e gatishmërisë” për luftë

    Ushtria izraelite ka shpallur një “gjendje gatishmërie” për luftë pasi fraksionet palestineze në Rripin e Gazës hodhën një breshëri intensive raketash herët të shtunën në drejtim të Izraelit, raporton Autoriteti i Transmetimit të Izraelit.

    Sulmet me raketa u qëlluan nga vende të ndryshme në enklavë, por sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit kapi shumë, sipas një korrespondenti të Anadolu.

    Të paktën pesë persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmin me raketa në Gaza, njoftoi Autoriteti i Transmetimit izraelit.

    Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Galant miratoi një “mobilizim rezervë në shkallë të gjerë”, raportoi e përditshmja Yedioth Ahronoth.

    “Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në frontin e brendshëm në përgatitje për luftime afatgjata”, tha Galant, sipas të njëjtit burim.

    Sirenat u dëgjuan në Tel Aviv, Rehovot, Rishon Lezion dhe në bazën ajrore Palmachim, sipas organeve të mediave, duke përfshirë faqen e lajmeve Walla.

    Sirenat u dëgjuan gjithashtu në qytetin e Jerusalemit, ku u dëgjuan shpërthime ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore të Iron Dome të Izraelit u aktivizua, sipas një korrespondenti të Anadolu.

    Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i grupit të rezistencës palestineze Hamas, njoftoi fillimin e një operacioni me raketa që synonin vendet e armikut, aeroportet dhe instalimet ushtarake.

    “5000 raketa dhe predha u hodhën nga Gaza drejt Izraelit në 20 minutat e para të operacionit,” tha Brigada Al-Qassam në një deklaratë.

    Radio izraelite raportoi se një numër personash të armatosur palestinezë hynë fshehurazi në zonat izraelite ngjitur me Rripin e Gazës.

    Izraeli vendosi forcat e tij për t’u marrë me infiltrimin e armatosur palestinez nga Gaza, shtoi Radio Ushtria.

    Persona të armatosur të Hamasit morën kontrollin e një stacioni policie në Sderot të Izraelit, ku një numër njerëzish u plagosën në një shkëmbim zjarri, njoftoi Autoriteti i Transmetimit Izraelit.

    Përleshjet e armatosura midis fraksioneve palestineze dhe forcave izraelite po ndodhin në gardhin lindor të Rripit të Gazës, sipas një korrespondenti të Anadolu.

    Ushtria izraelite tha se ka filluar të sulmojë objektivat e Hamasit në Gaza.

    Dëshmitarët i thanë për Anadolu se persona të armatosur nga fraksionet palestineze hapën zjarr ndaj varkave izraelite pranë Rripit të Gazës.

    Fraksionet palestineze kanë qëlluar vazhdimisht me raketa drejt vendbanimeve dhe qyteteve izraelite për më shumë se një orë, shtuan dëshmitarët.

    Aktivistët palestinezë në Rripin e Gazës shpërndanë fotografi dhe videoklipe në mediat sociale që tregojnë anëtarët e fraksioneve palestineze dhe qytetarët që “kapnin” automjetet izraelite.

    Disa foto dhe video treguan automjete izraelite që po futeshin në lagjet e banuara palestineze.

    Një korrespondent i Anadolu raportoi se një nga automjetet izraelite mbërriti në sheshin Al-Khalifa në kampin Jabalia, në veri të Rripit të Gazës.

    Shkollat u mbyllën në Rripin e Gazës deri në një njoftim të dytë, sipas Ministrisë Palestineze të Arsimit në Gaza. (AA)

  • Osmani dhe Borrell diskutojnë për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës

    Osmani dhe Borrell diskutojnë për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Komuniteti Politik Europian (EPC), ka takuar përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell me të cilin ka diskutuar aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës.

    Osmani ka shkruar në X, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljen e qartë të nenit 3 të marrëveshjes së BE-së, të 27 shkurtit, e cila parashikon detyrimin për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.