ATV

Blog

  • Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Është e rëndësishme që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të hetohet nga një ekip ndërkombëtar, ashtu siç kërkon Kosova, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.

    Ai thotë se ky ekip do të mund të mandatohej nga Kombet e Bashkuara, apo të ishte ekip i përbashkët i disa shteteve.

    Skenari më i mirë, sipas tij, do të ishte edhe sikur Serbia të pajtohej me të.

    “Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, thotë Ellis për REL.

  • Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

    Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Destabilizimi, sipas komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ishte qëllimi i sulmit terrorist në Banjskë, më 24 Shtator.

    Ai theksoi se sulmi ndaj KFOR-it, më 29 maj, dhe ndaj Policisë, para 12 ditësh, konfirmojnë situatën e paqëndrueshme në veri të Kosovës dhe lehtësinë e përshkallëzimit.

    “Ne e dënojmë plotësisht sulmin ndaj Policisë së Kosovës, sepse është absolutisht i papranueshëm. Së dyti, me siguri, me sa dimë dhe duke pasur parasysh cilësinë dhe sasinë e pajisjeve të konfiskuara nga Policia e Kosovës, me siguri qëllimi i kryerësve të këtij krimi, qëllimi i sigurt, është që të krijojnë paqëndrueshmëri, të rrisin destabilitetin dhe kaosin, kjo është e sigurt”, tha komandant i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

    Përveç njoftimit se po e hetojnë keqpërdorimin e logove të KFOR-it nga terroristët, Ristuccia nuk dha përgjigje të prerë për atë se si u fut në Kosovë arsenali i armëve e municionit të konfiskuar nga Policia.

    “Është shumë herët të thuhet se nga janë futur këto armë në Kosovë. Gjithsesi, ne jemi të pranishëm në veri të Kosovës si dhe përgjatë… dhe veprojmë në përputhje me mandatin tonë, pa u ngarkuar me detyra nga subjekte të tjera… Ekziston një marrëveshje teknike ushtarake, e cila përcakton qartë se kush duhet të bëjë çfarë, ka edhe aktivitete teknike dhe procedurale që ne i kryejmë dhe sigurisht që bëjmë maksimumin për t’i kryer këto aktivitete. Sigurisht që terreni këtu, ju e dini më mirë se unë, sepse jetoni këtu në Kosovë, terreni është kompleks, nuk është aq e lehtë të kontrollosh të gjithë terrenin dhe të gjithë vijën kufitare, por ne po bëjmë maksimumin”, tha Michele Ristuccia.

    Pasi konkludoi se zgjidhja e vetme e qëndrueshme mund të arrihet në dialog, ai foli për veprimet e ndërmarra nga NATO-ja.

    “Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për ta adresuar situatën. Trupat janë tërhequr nga rezervat strategjike të NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos trupa shtesë dhe zbatimi i mëtejshëm do të vazhdojë së shpejti edhe nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë”, tha Michele Ristuccia.

    Komandanti Ristuccia konfirmoi se më 24 Shtator, ishte në koordinim, me siç u shpreh “të gjitha palët”. Javën e ardhshme, ushtaraku italian do t’ia dorëzojë detyrën e komandantit të KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutash.

  • Kjo është piktorja që e shiti pikturën për 17 mijë euro, tregon se kush e bleu

    Kjo është piktorja që e shiti pikturën për 17 mijë euro, tregon se kush e bleu

    Për një vend padyshim vlerësimi i artit luan një rol thelbësor, meqenëse tregon për kulturën e atij vendi.

    Herë pas here, diskutohet për çmimet e larta të pikturave – qytetarët ankohen se nuk mund të blejnë piktura për shkak të çmimeve të larta, derisa piktorët thonë se çmimet janë të tilla për shkak të materialeve të shtrenjta që përdoren për t’u krijuar ato piktura.

    Pikërisht në lidhje me këtë çështje, diskutoi edhe piktorja e njohur nga Tetova, Besa Dauti e cila ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe tregoi çmimin më të lartë të pikturës që e ka shitur, gjithashtu edhe përmbajtjen e saj.

    “…Çmimi më i lartë ka qenë 17 mijë euro. Piktura kishte një peisazh italian. E bleu një tetovar”, tha ajo.

    Vlen të potencohet se piktura më e shtrenjtë në botë është “Salvator Mundi” e Leonardo da Vincit e cila është shitur për 450 milionë dollarë.

    Për ta dëgjuar emisionin e plotë të LIBERO-s, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi 20 milionë euro është shuma që Qeveria detyrohet t’i japë kompanisë “Contour Global” .

    Kjo kompani Amerikane, me të cilën Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vitin 2017, nënshkroi kontratë për ndërtimin e termocentralit, me kapacitet 450 megavat, “Kosova e Re”, fitoi betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

    Kontrata e nënshkruar në fund të viti 2017, u neglizhua nga Qeveria aktuale, duke bërë kështu që kompania të tërhiqet nga projekti në mars të 2020-ës, duke kërkuar 20 milionë euro dëmshpërblim.

    Këtë, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj e vlerësoi skandal tjetër të pushtetit.

    Por, ndryshe mendojnë ekspertë të energjisë. Sipas ish-drejtuesit komercial në Korporatën Energjetike të Kosovës, realizimi i këtij projekti do të pësonte me rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike.

    “Kthimi aq i shpejtë i vlerës së investimeve do të bënte që çmimi i energjisë elektrike të rritej dhe të ishte shumë i lartë… Mënyra se si është lidhur kontrata, kushtet e saj të disfavorshme, besoj që i kanë dhënë të drejtë ta anulojë atë kontratë Qeverisë së Kosovës”, tha Palok Berisha, ekspert i energjisë.

    Sipas tij, qeveritë duhet të kenë kujdes dhe të mos nënshkruajnë kontrata të cilat kryesisht janë në favor të kompanive investuese.

    Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar, duke u konsideruar si projekt i dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët. Jetëgjatësia e Termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur të jetë 40 vjet dhe kishe vlerë mbi 1.3 miliard euro.

  • “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Teatri ”Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, bëri bashkë studentët nga i gjithë vendi, në ceremoninë e pranimit të studentëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e vitit të ri akademik 2023/2024.

    Duke iu uruar mirëseardhje, rektori i Kolegjit, Lulzim Tafa, u foli studentëve për rëndësinë e studimeve në këtë kolegj.

    Të entuziazmuar që nga e hëna do të fillojnë rrugëtimin e ri, studentët thonë se zgjodhën AAB-në për shkak të rëndësisë që i jep rrugëtimit akademik.

    Studentë të tjerë shprehen të lumtur që këtë vit të ri akademik po e nisin në një kolegj, i cili, sipas tyre, do t’iu ofrojë mundësi të mëdha.

    Ky organizim u përmbyll me fjalime e tregime suksesi të ish-studentëve.

    Kolegji AAB është institucioni më i madh jopublik i arsimit të lartë në trevat shqiptare.

  • Gold AG tregon se pse u takua me Feron dhe a do ta lë muzikën

    Gold AG tregon se pse u takua me Feron dhe a do ta lë muzikën

    Së fundmi temë diskutimi në estradë (dhe jo vetëm), ka qenë largimi i Feros nga muzika për shkak të përkushtimit të tij në fenë myslimane.

    Fero filloi të “thumboj” këngëtarët e tjerë të cilët janë të përkushtuar në fe, por që nuk kanë hequr dorë nga muzika.

    “Në fe hyhet komplet”, ishte deklarata e tij e cila u cilësua si thumb për këngëtarin Arian Agushi i njohur për publikun si Gold AG.

    Por, pas kësaj deklarate ata u takuan dhe për këtë takim, për herë të parë Gold AG diskutoi në emisonin “LIBERO”.

    “…I kanë bërë disa thashetheme disa portale…Shkaktar ajo çka kanë fol ishte që ta hajmë një darkë bashkë (me Feron). I kam uru të mira në jetën e vet…Vendimet e secilit duhet me u pranu, është jeta e tij…”, theksoi ai.

    Vlen të përmendet që Gold AG mohoi se do ta lë muzikën.

    Për më shumë detaje nga intervista me Gold AG, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • PSRK s’pajtohet me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

    PSRK s’pajtohet me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

    Përgatiti: Nora Luta

    Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

    PSRK-ja ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik.

    Burimet i kanë thënë televizionit se Prokuroria Speciale e konsideron të kundërligjshëm dhe skandaloz lirimin e tyre nga paraburgimi. Sipas tyre, prokuroria po zhvillon hetime intensive dhe është në fazën e ekzaminimit të të gjitha provave të sekuestruara, nga bastisjet në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.

    Kërkesën e PSRK-së, Gjykata Supreme e ka pranuar më 29 shtator.

    “Në Gjykatën Supreme, me datë 29.09.2023, është pranuar kërkesa për mbrojtje të Ligjshmërisë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit. Kjo lëndë është në punë që nga data 03.10.2023”, tha Antigona Uka – lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme.

    Por, për një kërkesë të tillë nuk është ende në dijeni mbrojtja. Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, thotë se nuk pasur bazë ligjore që të dyshuarit të mbahen në paraburgim.

    Para një muaji, Gjykata e Apelit i kishte pranuar ankesat e mbrojtjes si të bazuara, duke vendosur që Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi të lirohen për t’u mbrojtur në liri.

    Apeli kishte konsideruar se gjykata nuk ka arritur ta vërtetojë dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

    Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa biznesmeni Ridvan Muharremi, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen, dyshohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

    Ata ishin arrestuar në gusht, gjatë një aksioni të Policisë, nën dyshime se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet.

  • Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: ATV

    Në pyetjen e deputetes nga AAK-ja, Time Kadrijaj, nuk u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Deputetja pati pyetje edhe për kryeministrin i cili po ashtu refuzoi të përgjigjej.

    “Udhëtimet e tua më të shpeshta kanë qenë në Greqi, por nuk kemi marrë ndonjë njohje?”, tha Kadrijaj.

    “As unë nuk do të përgjigjem në pyetjet e juaja. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen e më pas ne mund të përgjigjemi”, tha kryeministri Kurti.

    Në seancën e së premtes të Kuvendit, në të cilën pyetjet e deputetëve ishin pika e vetme e rendit të ditës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar, refuzuan t’iu përgjigjen opozitarëve, të cilët nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Vendimi i ekzekutivit nuk i pëlqeu opozitës.

    Pas përfundimit të seancës, PDK-ja dhe LDK-ja i kanë quajtur sulm e shantazh qëndrimet e kabinetit qeveritar.

    Megjithatë, pesë ministra të cilët ishin të pranishëm në seancë, megjithatë u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve të pushtetit.

    Qysh nga fillimi i sesionit pranveror, deputetët e dy partive opozitare, PDK-ja e AAK-ja, kanë refuzuar t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat sipas qeverisë kanë vlerë 360 milionë euro.

  • Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Sanksionimi i Serbisë pas agresionit të 24 Shtatorit, ishte kërkesë e presidentes Vjosa Osmani në të gjitha takimet bilaterale me liderë të shteteve të ndryshme dhe krerë të institucioneve të Bashkimit Evropian, në Granda të Spanjës.

    Teksa kërkoi garantimin e sigurisë së kufirit me Serbinë, presidentja ritheksoi se sanksionimi i shtetit fqinj duhet t’i paraprijë vazhdimit të dialogut.

    Por, brenda Bashkimit Evropian nuk ka pajtim të plotë për kërkesën e Kosovës.
    Në samitin jo-formal të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, kryeministri hungarez Viktor Orban doli haptas në mbrojtje të Serbisë.

    “Jo, jo, është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë vuajtur nga provokimet e rregullta në dy vjetët e fundit, kështu që duhet ta kuptojmë që kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje, kjo rezulton në jo-stabilitet. Pa Serbinë, nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që unë definitivisht argumentoj që të ndihmojmë Serbinë të stabilizojë rajonin”, tha Orban.

    Në samitin ku kryetema ishin procesi i zgjerimit dhe migracioni, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, përmendi Kosovën teksa tha se asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur konfliktet.

    Ndërkaq, krerët e institucioneve të BE-së, në deklarimet publike në Spanjë, nuk folën për sanksionim e Serbisë.

    Në margjina të samitit, presidentja Vjosa Osmani takoi homologun e saj Volodymyr Zelenskyy –për çka bëri përshkrim të shkurtë me tri fjalë: qëndresë, stoicizëm dhe shpresë.

  • Vrasja për disa kilogramë fasule në Batllavë familja e viktimës kërkon ashpërsim të dënimit

    Vrasja për disa kilogramë fasule në Batllavë familja e viktimës kërkon ashpërsim të dënimit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Fare pak minuta zgjati seanca në Gjykatën e Apelit, ku u kërkua ashpërsimi i dënimit ndaj Baki Brahimit, për vrasjen që e kreu para dy vjetësh në fshatin Batllavë.
    Ai ishte dënuar për vrasjen e djalit të xhaxhait, Gazmend Brahimi.

    Bashkëshortja e viktimës, përmes ankesës ndaj vendimit të shkallës së parë, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm, për autorin i cili e ka pranuar kryerjen e veprës.

    “Nuk jemi aspak të kënaqur me dënimin prej 17 vjet… Presim që gjykata ta dënojë me burgim të përjetshëm, se e ka vra burrin tim pa asnjë arsye… se e ka vra veç për shkak të xhelozisë… e jo për shkak të pasulit e as të tokës…”, tha Brahimi.

    Ndonëse, që nga koha kur ndodhi rasti, Naile Brahimi bashkë me fëmijët janë larguar nga fshati. Ata i druajnë lirimit eventual të autorit të vrasjes.

    “Ky është gjithmonë rrezik për neve: për mu e fëmijët e mi. Nesër del ky, na rrezikon…”, tha Brahimi.

    Sipas avokatit të familjes së viktimës, ekzistojnë mjaftueshëm arsye që gjykata ta ashpërsojë dënimin.

    “Autori ka qenë me vetëdije të plotë kur e ka kryer veprën. Andaj vlerësojmë se gjykata do të duhej të mos i jepte peshë pranimit të fajësisë, por mënyrës së kryerjes së veprës penale mizore të planifikuar”, tha Florim Shefqeti, avokat i palës së dëmtuar.

    Sidoqoftë, Gjykata e Apelit nuk pritet të vendosë për rastin pa kaluar së paku një javë nga seanca.

    Në tetor të vitit 2021, sipas aktakuzës para se ta qëllonte me armë zjarri në kokë, Baki Brahimi e kishte goditur me veturë Gazmend Brahimin, i cili po shkonte në punë me biçikletë.

    Sipas deklaratave të asaj kohe, konflikti mes viktimës e autorit kishte filluar për disa kilogramë fasule.

    Për veprën penale, autori ishte dënuar me 17 vjet e 10 muaj burgim. Ky dënim u konfirmua edhe pas rigjykimit të rastit për herë të parë.