ATV

Blog

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët dhe rreze dielli.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 23 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 23 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kush është vajza që u pa teksa kidnapohej nga grupet e Hamasit

    Kush është vajza që u pa teksa kidnapohej nga grupet e Hamasit

    Mbi 150 persona janë zënë peng nga grupet terroriste të Hamasit, ka raportuar NyTimes të martën, duke bërë të ditur se shifrat nuk janë zyrtare dhe mund të ndryshojnë.

    Në rrjetin social X ka filluar një fushatë nga izraelitët për kthimin e pengjeve, kryesisht të rinj, që u kapën gjatë një festivali të shtunën.

    Ndër pamjet që më së shumti janë shpërndarë janë ato të Noa Argamanit, adoleshentja që u pa kur po tërhiqej nga grupet e Hamasit si peng.

    “Noa po festonte në jug të Izraelit në një festival muzikor paqeje kur terroristët e Hamasit e rrëmbyen dhe e tërhoqën zvarrë nga Izraeli në Gaza. Noa mbahet peng nga Hamasi”, thuhet në shkrimin e Hen Mazzing, iniciues i fushatës.

    Thirrje për lirimin e pengjeve janë bërë edhe nga autoritetet izraelite.

  • Komuna e Vushtrrisë investon 10 milionë euro për digjitalizimin e shkollave

    Komuna e Vushtrrisë investon 10 milionë euro për digjitalizimin e shkollave

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka bërë të ditur se kanë investuar 10 milionë euro në digjitalizimin në shkolla.

    Përderisa për vitin tjetër ia tha se do të investojnë 30 mijë euro.

    Postimi i plotë:

    DIGJITALIZIMI PRIORITETI YNË👩‍🏫🧑‍💻

    Bashkë me drejtorin e DKA-së, vizituam SHMU – 2, ku u pritëm nga drejtori i shkollës, dhe stafi i tij.

    Morëm pjesë në përurimin e laptopëve dhe smart – tabelave digjitale, në vlerë 10,000.00 euro, investim i Komunës së Vushtrrisë. Kjo shkollë, me shumë rezultate në mësime, do të mbështetet edhe në të ardhmen. Për vitin 2024 kemi ndarë 30,000.00 euro për rregullimin e oborrit të shkollës.

  • Turqia sot merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

    Turqia sot merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

    Nga sot (e marte) trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë do të udhëhiqen nga Turqia.

    Ndërrimi i komandës së KFOR-it mes Angelo Michele Ristuccia dhe Özkan Ulutaş do të bëhet në ora 11:00.

    Ceremonia do të mbahet në Camp Film City.

    Kujtojmë se Turqia po e merr komandën e KFOR-it në një kohë kritike pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, ku si pasojë të dielën e 24 shtatorit humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku ndërsa u plagosën dy të tjerë.

  • A ka rol Rusia në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit?

    A ka rol Rusia në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit?

    Marsin e vitit të kaluar, një delegacion palestinez shkoi në Moskë për bisedime me zyrtarët rusë. Delegacioni ishte nga Hamasi, grupi militant palestinez që cilësohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Në këtë takim, sipas Ministrisë së Jashtme ruse, u përsërit “qëndrimi i pandryshuar i Rusisë në mbështetjen e një zgjidhjeje të drejtë për problemin palestinez”.

    “Kur shqyrtohet çështja e rivendosjes së unitetit kombëtar palestinez, pala ruse shpreh gatishmërinë e saj për të vazhduar me mbështetjen që të tejkalohen dallimet dhe bashkimin e forcave që udhëheqin politikën palestineze dhe lëvizjeve në platformën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës”, u tha në deklaratën që atëbotë lëshoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

    Lidhjet e Rusisë me Hamasin janë të dokumentuara mirë, sikurse janë edhe lidhjet e saj me mbështetësin kryesor të Hamasit, Iranin. Për disa vëzhgues, dhuna e vazhdueshme në Izrael, vetvetiu është shkak për të fajësuar Moskën, duke e akuzuar atë se ka gisht në dhunën.

    Kjo nuk është e saktë, tha Hanna Notte, analiste me bazë në Berlin, që punon për Qendrën James Martin. Notte njëherësh është eksperte për politikën ruse në Lindjen e Mesme.

    Mbështetja e Rusisë për Iranin i ka sjell përfitime Moskës në luftën e saj ndaj Ukrainës, pasi Teherani po e furnizon me dronë kamikazë dhe pajisje të tjera për t’i ndihmuar forcat ruse që të zmbrapsin kundërofensivën e ngadalshme ukrainase. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për të thënë që Moska do ta mbështesë sulmin e përgjakshëm të Hamasit pasi do të rrezikonte ndërprerjen e menjëhershme të raporteve me Izraelin, lidhjet e të cilit me Moskën nuk janë aq të forta, por nuk janë armiqësore, tha Notte.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhënë më 9 tetor, Notte shpjegoi më shumë për nuancat e rolit të Rusisë në Lindjen e Mesme.

    Radio Evropa e Lirë: Ju jeni skeptike lidhur me spekulimet se mund të ketë rol rus në këtë sulm? A ka ndonjë tregues tjetër se ata mund të kenë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë ngjarje?

    Hanna Notte: Pra, duke parë këtë, ka pasur raportime selektive në vitet e fundit, dhe ato datojnë para luftës në Ukrainë, se sistemet e prodhuara nga Rusia janë parë në duart e Hamasit. Raketa kundërtankeve, granatahedhës, raketa kundërajrore. Këto pretendime datojnë me vite dhe Izraeli atëbotë mendoi se këto armë ranë në duart e Hamasit përmes Iranit. Pra, kurrë nuk kam parë një tregues të drejtpërdrejtë për dërgesa të mëdha armësh nga Rusia te Hamasi, e lëre më që Hamasi është trajnuar nga ushtria ruse. Por, sërish, në kontekstin e këtij sulmi të fundit, ende nuk kam parë dëshmi se këto janë armë ruse apo nëse rusët kanë trajnuar Hamasin. Prandaj, këtu nuk shoh një rol të drejtpërdrejtë.

    Sigurisht lidhjet Rusi-Hamas janë të kamotshme. Ata u ftuan në Moskë, më duket më 2006, pasi ata fituan zgjedhjet në territoret palestineze dhe që atëherë në Rusi kanë shkuar delegacione të Hamasit. E dini, rusët kanë qenë mjaft aktivë në vitet e fundit, duke tentuar që të ndërmjetësojnë midis fraksioneve të ndryshme palestineze. Sigurisht, ata kurrë nuk e kanë njohur Hamasin si një organizatë terroriste. Ata gjithmonë kanë argumentuar se fraksionet e ndryshme duhet të arrijnë një unitet. Dhe është një vend që rusët kanë krijuar për veten në procesin e paqes sepse ata viteve të fundit janë ankuar mjaft shpesh se amerikanët kanë monopolizuar procesin e paqes, veçmas gjatë administratës [së presidentit të atëhershëm, Donald] Trump dhe “Marrëveshjes së shekullit” [një propozim kundërthënës i paqes gjatë qeverisjes së Trumpit].

    Prandaj, ata kanë tentuar ta krijojnë këtë hapësirë, duke u krenuar se zhvillojnë bisedime me të gjitha fraksionet palestineze. Fraksionet shkojnë shpesh në Moskë… Prandaj, rusët kanë qenë aktivë në palën palestineze dhe kjo gjë është e kamotshme. Bashkimi Sovjetik ka pasur një qëndrim mjaft pro-palestinez. [Ministria e Jashtme] e Rusisë historikisht ka mbajtur një qëndrim mjaft pro-palestinez ose, siç edhe e thotë, një qasje shumë të barabartë në konflikt. Këto raporte datojnë për një kohë të gjatë. Kjo është e vërtetë.

    Por, nuk mund të arrijmë në përfundim nga kjo se ka një lloj mbështetjeje të drejtpërdrejtë ushtarake. Ekziston edhe një pyetje tjetër nëse roli i Rusisë ka rëndësi të tërthortë këtu. Unë do të argumentoja se për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të përkeqësimit të rëndë të raporteve Rusi-Perëndim dhe për rrjedhojë, ndryshimi gjeopolitik i raportit Rusi-Iran, është duke ia mundësuar Iranit që të ketë prani më të madhe në rajon. Prandaj, Irani ndihet edhe më i guximshëm. Irani i jep dronë dhe mbështetje tjetër Rusisë. Me gjasë do të marrë në këmbim një lloj ndihme nga Rusia. Rusët janë bërë më pak entuziastë që të ringjallet Marrëveshja bërthamore [që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015]. Ata janë bërë më falës ndaj Iranit dhe kjo ndiejnë e përgjithshme e ‘guximit’ mund të jetë duke u manifestuar në këtë që po shohim tani. Pra, ka një Rusi, këtu ka një lidhje lufte me Ukrainën, por e shoh këtë lidhje si më të tërthortë sesa të drejtpërdrejtë.

    Radio Evropa e Lirë: Në rregull, ju folët për tre pyetjet që planifikuam t’ju bënim. Pra, çfarë mund të përfitojë Rusia nga e gjithë kjo?

    Hanna Notte: Edhe për këtë çështje jam me dy mendje. Në njërën anë mendoj se sigurisht që është e vërtetë se nxitja e paqëndrueshmërisë, tensioneve, dhunës në Lindjen e Mesme, nëse flasim në përgjithësi, është e dobishme për Rusinë tani. Nëse ata mund të nxisin kriza dhe paqëndrueshmëri diku tjetër dhe të largojnë vëmendjen e shteteve perëndimore nga Ukraina dhe nga krahu lindor i NATO-s, kjo është e dobishme në lojën më të gjerë gjeopolitike. Nëse një nënprodukt i asaj që shohim tani është gjetja e një çelësi në bisedimet e normalizimit izraelito-saudite, mendoj se kjo gjithashtu është e mirëpritur në Moskë, sepse raportet izraelito-saudite, janë nën tutelën amerikane. Pra, kjo disi paraqet përfitim për Rusinë.

    Një aspekt i mundshëm negativ për ta, unë e shoh politikën e jashtme ruse në Lindjen e Mesme si një politikë që të bëjë me nxitje të paqëndrueshmërisë, paqëndrueshmërisë në nivel të ulët. Nuk e shoh se si do të ishte e dobishme për Rusinë nëse kjo do të përshkallëzohej në një luftë më të madhe, në një konfrontim Izrael-Iran, që po ashtu do të mund të përfshinte Libanin dhe Sirinë. Sepse rusët kanë baza ajrore dhe detare në Siri që janë shumë të rëndësishme për ta, dhe këto baza shfaqin fuqinë e Rusisë në Mesdheun Lindor. Ato baza janë të rëndësishme si qendra logjistike për rusët, në mënyrë që ata të vazhdojnë operacionet e tyre në Afrikë dhe Saleh… dhe [grupi rus i mercenarëve] Wagner po vazhdon operacionet në Afrikë. Pra, Siria është e rëndësishme.

    Tani, nëse Siria destabilizohet nga një luftë më e gjerë, rusët jo domosdoshmërish tani kanë forcë ushtarake për t’u marrë me një situatë të tillë. Prandaj, nuk jam e sigurt nëse një luftë më e madhe domosdo është në interesin e tyre. Dhe është diçka që nuk iu duhet, mendoj se një përshkallëzim disi më i kalibruar do t’iu konvenonte më shumë atyre.

    Radio Evropa e Lirë: Kjo ishte edhe pyetja jonë e radhës. Nëse Rusia ka fuqi ushtarake, ashtu siç kishte më herët për t’u përballur me një luftë më të gjerë rajonale, pasi rusët kanë investime të mëdha të kapaciteteve ushtarake tani në Ukrainë. A munden ata të luajnë në dy fusha njëkohësisht?

    Hanna Notte: Kjo është një pyetje e mirë. Gjithçka do të varej se çfarë lloj përfshirjeje ruse do të kërkohej. Ata kanë mbajtur bazat e tyre në Siri. Ata kanë mbajtur shumicën e pajisjeve ushtarake në Siri. Por, ato kanë qenë të mjaftueshme për të mbajtur situatën nën kontroll në Siri, dhe viteve të fundit nuk ka pasur operacione të mëdha. Gjëja e vetme është se në verilindje të Sirisë janë ende 800-900 trupa amerikane dhe rusët i kanë ngacmuar intensivisht në gjashtë muajt e fundit sepse mendoj se ka, në planin afatmesëm, një strategji ruse që synon të largojë amerikanët nga Siria. Por, një luftë më e madhe? Kjo është një lojë krejt tjetër. Unë mendoj se raportet mes Rusisë dhe Iranit kanë ndryshuar sa i përket cilësisë. Por, megjithatë nuk mendoj se Rusia dëshiron të përkushtohet plotësisht në raportet me Iranin, pasi kjo do të prishte raportet që ka me Izraelin dhe shtetet e Gjirit.

    Por, nëse do të ketë një luftë më të madhe dhe amerikanët mbështesnin fuqishëm Izraelin, siç edhe pritet, – amerikanët veçse kanë dërguar një avionmbajtëse në lindje të Mesdheut – nuk ka dyshim se në cilën anë do të rreshtoheshin amerikanët. Por, më pas pyetja që kam është: A do të duhet që Rusia të zgjedhë anë? A nuk do të ketë zgjidhje tjetër Rusia pos të zhytet edhe më tej në orbitën iraniane nëse ka një luftë të madhe? Ndoshta edhe do të detyrohen. Nuk jam e sigurt nëse ata e duan një gjë tillë dhe prandaj po ashtu nuk mendoj se rusët duan që zgjidhja të shkojë deri te një luftë më e madhe.

    Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për raportet që Moska ka këto ditë me Izraelin. A janë raporte të ftohta apo të ngrohta? Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur solidaritet me Izraelin. Si do t’i përshkruaje raportet e tyre këto ditë?

    Hanna Notte: Ndoshta të vakëta, por më të mira që kur [kryeministri izraelit, Benjamin] Netanyahu mori pushtetin në dhjetor. Më herët ishin më të ftohta duke pasur parasysh reagimin e Izraelit pas sulmit në Buça. Ata e kritikuan Rusinë mjaft ashpër. Por, Izraeli deri sot nuk ka dërguar armë vdekjeprurëse në Ukrainë. Mendoj se kjo vlerësohet në Moskë dhe ata duan që ky vendim të mos ndryshojë. Pra, ka pasur tensione, por ende ka një raport mjaft të rëndësishëm tregtar.

    Ka një diasporë të madhe ruse në Izrael, që daton para luftës në Ukrainë, por që është rritur edhe më shumë që kur nisi lufta në Ukrainë. Dhe nga këndvështrimi i Izraelit, më e rëndësishmja është se nuk ka konflikt mbi qiejt e Sirisë.

    Kjo është arsyeja kryesore pse izraelitët kanë qenë kaq të kujdesshëm ndaj Rusisë dhe nuk iu bashkuan sanksioneve dhe nuk dhanë armë vdekjeprurëse për Ukrainën. Kështu, po, raportet e tyre kanë qenë më të luhatshme se zakonisht, por raportet personale midis Netanyahut dhe [presidentit rus, Vladimir] disi kanë ndihmuar. Ata kanë raporte të mira. Që kur Netanyahu formoi Qeverinë, raportet kanë qenë më të mira.

    Por, nga këndvështrimi i Rusisë mendoj se mbajtja e izraelitëve larg një mbështetjeje të fuqishme për Kievin është e rëndësishme, gjë që është edhe një arsye tjetër që unë disi dështoj të bindem se rusët e mbështesin drejtpërdrejtë Hamasin sepse nëse do ta bënin, unë do të supozoja që izraelitët do ta zbulonin këtë gjë herët apo vonë. Dhe atëherë, nëse ju jeni Rusia do të humbisni plotësisht Izraelin dhe nuk jam aq e sigurt nëse do të dëshironit të rrezikonit që të ndodhte diçka e tillë, pasi që mbajtja e izraelitëve larg mbështetjes për Ukrainën ka qenë mjaft e rëndësishme për Rusinë. /REL

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Procesi gjyqësor ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe sot.

    Nuk dihet nëse sot seanca do të jetë e hapur apo e mbyllur.

    Përndryshe dje në Hagë ka dëshmuar ish-punëtori i agjencisë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug, Nebojsha Radosheviq.

  • Rama: 46 milionë euro për investime kapitale, prioritet janë “Rruga A” e ndërtimi i shkollave

    Rama: 46 milionë euro për investime kapitale, prioritet janë “Rruga A” e ndërtimi i shkollave

    Në vitin 2024, Komuna e Prishtinës do t’i ketë në dispozicion 46 milionë euro për investime kapitale. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.

    Komuna e Prishtinës do t’i ketë në dispozicion 46 milionë euro për investime kapitale përgjatë vitit 2024. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.

    Rama ka thënë se krahas buxhetit prej 123 milionë euro, në fokus do të jenë projekte madhore. E si prioritet i Ramës për vitin 2024 është edhe përfundimi i “Rrugës A”, me ç’rast e quajti të rëndësishëm për Prishtinën.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i Prishtinës ka thënë se me ndërtimin e kësaj rruge, do të lidhen disa lagje e që pritet të kontribuojnë në shkarkimin e tollovisë në trafik.

    “Buxhetin e kemi kaluar. Buxheti total i Kryeqytetit është mbi 123 milionë euro, ndërsa vetëm për investime kapitale është 46 milionë euro, pra e kemi një buxhet të mirë për vitin e ardhshëm me të cilin fokusi ynë është në projekte të mëdha. Pra kemi vazhdimin e ‘Rrugës A’, pra është një projekt madhor, projekti më i madh në historinë e Kryeqytetit, ku përveç që krijon rrugë të reja dhe të cilat e ndërlidh Veternikun me Prishtinën e Re dhe me Kalabrinë, pra tash lidhen më lehtë dhe ju mundëson qasje prindërve që vijnë dhe e shfrytëzojnë shkollën në qendër e që i bashkohen këtij kaosit në qendër. Pra do të kenë mundësi alternative”, ka thënë Rama për EO.

    E krahas ndërtimit të kësaj rruge, Rama ka thënë se po punohet në ndërtimin e disa shkollave në Kryeqytet.

    “… paralelisht jemi duke ndërtuar edhe shkolla. Me partneritet publiko-privat, po ndërtojmë shkollën në Lagjen ‘Qëndresa’, Mati 1, Sofali dhe pesë shkolla tjera që janë në diskutim IFC-në pra edhe ato me partneritet publiko-privat”, u shpreh Rama.

    Teksa ka folur për ndërtimin e rrugëve kryesore, Rama ka deklaruar se do të punohet edhe në zgjerimin e rrugës B e cila do të lidhet me rrugën A. E njëjta tha se do të ketë hyrje e dalje, pa pasur nevojë të shkohet në qendër.

    “Po ashtu jemi edhe te rruga B, pra vazhdimësi e ndërtimit që do të lidhet me ‘Rrugën A’ dhe krijon një mundësi më të mirë që e gjithë rruga B të ketë hyrje dhe dalje nga qyteti në qytet, pra pa pasur nevojë që të kalojë nëpër qendër. Problemi me trafikun ka ekzistuar edhe më përpara dhe vazhdon të ekzistojë. Pra një numër i madh i ndërtimeve që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së vrullshme të Kryeqytetit prej pasluftës. Ka qenë gjithashtu si rezultat i mungesës së investimeve kapitale në infrastrukturë të Kryeqytetit dhe tani normal që kemi probleme të cilat ballafaqohen me to sot”, ka deklaruar Rama për EO.

  • Konstituohet Komisioni Hetimor për Menaxhimin me Rezervat Shtetërore

    Konstituohet Komisioni Hetimor për Menaxhimin me Rezervat Shtetërore

    Sot pritet të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

    Iniciuesi për themelimin e këtij komisioni është shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

    Ai kishte thënë kohë më parë që duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

  • Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë, kjo është agjenda e saj

    Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë, kjo është agjenda e saj

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtar dyditore me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç.

    Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate

    Osmani do të takohet sot me homologun e saj për të vazhduar pastaj edhe me kryetarët e Kuvendit të Kroacisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

    Gjatë qëndrimit të saj në Kroaci, ndër të tjera e para e vendit do të takohet edhe me pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Kroaci.

    Sipas njoftimit, udhëheqësit e të dyja shteteve do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.”, njofton presidenca kroate.

    “Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    “Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve.”, përfundon njoftimi i presidencës.

    Ndërkaq, Presidentja Osmani është shprehur e lumtur që po e nis këtë vizitë.

    “E lumtur që filloj vizitën time zyrtare në Republikën e Kroacisë, një nga aleatët më të vendosur të vendit tonë”, ka shkruar presidentja në X.

  • MPJD: Tetë kosovarë largohen nga Izraeli, në pritje edhe shtatë të tjerë

    MPJD: Tetë kosovarë largohen nga Izraeli, në pritje edhe shtatë të tjerë

    Tetë shtetas të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, janë larguar nga territori i Izraelit, tha Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    “Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha MPJD.

    Sipas MPJD-së, nga informacionet e deritanishme nuk raportohet se ndonjë shtetas i Kosovës është vrarë apo plagosur gjatë përleshjeve që po vazhdojnë mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

    Militantët e Hamasit nisën një sulm të befasishëm më 7 tetor ndaj Izraelit. Ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Rripin e Gazës.

    Deri më tani është raportuar se mbi 700 persona në Izrael janë vrarë, ndërkaq në Gaza është raportuar për të paktën 560 viktima.

    Një ditë më herët, autoritetet në Shqipëri bënë të ditur se 40 shqiptarë, në mesin e tyre dy shtetas të Kosovës, u evakuuan nga Izraeli.

    MPJD u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në numrin emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael: +9720586340450