ATV

Blog

  • “Ky vend është i radhës”, djali i Trump “zbulon” se ku do të shpërthejë lufta e madhe

    “Ky vend është i radhës”, djali i Trump “zbulon” se ku do të shpërthejë lufta e madhe

    Një konflikti i radhës global mund të shpërthejë në Tajvan, tha Eric Trump, djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

    “Tajvani është i radhës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

    Sipas tij, çdo konflikt i madh i armatosur në botë është pasojë e dobësisë së SHBA-së.

    Izraeli u godit nga sulme me raketa në shkallë të gjerë nga Rripi i Gazës të shtunën. Shërbimi për shtyp i ushtrisë izraelite deklaroi se janë hedhur më shumë se tre mijë raketa. Përveç kësaj, luftëtarët e Hamasit , pas sulmeve masive me raketa, depërtuan në zonat kufitare në jug të vendit.

    Krahu ushtarak i lëvizjes palestineze njoftoi të shtunën Operacionin “Përmbytja Al-Aksa” kundër Izraelit.

    Forcat e Mbrojtjes izraelite njoftuan nisjen e operacionit hakmarrës “Shpata të Hekurta” kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një fjalim drejtuar kombit, tha se vendi ishte në një gjendje lufte dhe tha se ai kishte urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervave.

  • Sulmohet seksualisht një e mitur në Gjakovë, arrestohet një burrë

    Sulmohet seksualisht një e mitur në Gjakovë, arrestohet një burrë

    Një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga një person të hënën në Gjakovë.

    Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Ai tha se tashmë ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    “09.10.2023 në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast ‘sulm seksual’, ku viktima e mitur ishte sulmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull i moshës madhore. Me vendim të prokurorit të shtetit të njëjti i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve”, ka thënë Elezaj.

  • Blinken: ShBA-ja mbështet mbrojtjen e Izraelit kundër “sulmit terrorist të Hamasit”

    Blinken: ShBA-ja mbështet mbrojtjen e Izraelit kundër “sulmit terrorist të Hamasit”

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka folur me Ministrin e Jashtëm izraelit, Eli Cohen të hënën për të diskutuar mbështetjen për Izraelin pasi ky vend “mbron veten kundër sulmit terrorist të Hamasit”.

    Blinken i shprehu ngushëllimet ministrit të Jashtëm dhe ripohoi përpjekjet e ShBA-së për të siguruar lirimin e pengjeve të kapur nga militantët e Hamasit, raporton CNN.

    Pengët përfshijnë izraelitë dhe shtetas të huaj, përfshirë brazilianë dhe meksikanë. Të hënën, presidenti Joe Biden tha në një deklaratë se kishte “të ngjarë” që shtetasit amerikanë mund të jenë në mesin e atyre që mbahen rob.

    Blinken foli gjithashtu me Ministren e Jashtme franceze, Catherine Colonna dhe përshëndeti përpjekjet franceze dhe evropiane “drejt qëllimit tonë të përbashkët për t’i dhënë fund dhunës së Hamasit”.

  • Ndërron jetë nënkoloneli i Policisë së Kosovës

    Ndërron jetë nënkoloneli i Policisë së Kosovës

    Ka ndërruar jetë në moshën 47 vjeçare nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Nazmija Basoviq.

    Nënkoloneli nga Mitrovica humbi betejën nga një sëmundje e rëndë.

    Varrimi i të ndjerit bëhet sot në varrezat e Shipolit.

    Lajmin e ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës.

  • ​Agresioni ndaj Kosovës, deputeti ukrainas: Më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë

    ​Agresioni ndaj Kosovës, deputeti ukrainas: Më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë

    Deputeti ukrainas, Oleksandr Merezhko, ka thënë se situata në Kosovë pas agresionit të Serbisë i ngjan pushtimit rus në Ukrainë.

    Në diskutimin për tensionet në Kosovë në Parlamentin e Këshillit të Evropës, anëtari i grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike tha po ashtu se “dikush po vepron sipas modeleve të sjelljes së Putinit”, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Ai ka thënë po ashtu se çdo shtet ballkanik meriton të jetë i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet e jashtme.

    “Situata në Kosovë është vërtet shqetësuese dhe më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2014. Stili i përfshirjes duket i njohur, sikur dikush po vepron sipas modeleve të sjelljes së Vladimir Putin. Nuk e përjashtoj që Rusia me ndihmën e përfaqësuesve të saj në Ballkan po përpiqet të provokojë një luftë të re ballkanike për të larguar vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Si ta parandaloni këtë? Është shumë e thjeshtë. Respektoni të drejtat dhe sovranitetin e të gjitha shteteve ballkanike. Çdo shtet ballkanik, duke përfshirë edhe ata të krijuar si rezultat i gjenocidit të kryer kundër tyre, meritojnë të jenë të pavarur dhe të lirë nga ndërhyrjet e jashtme në punët e tyre. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë përdorimin e pakicave kombëtare në shtetet fqinje si një mjet politik kundër sovranitetit të atyre shteteve”, ka thënë Merezhko gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlametare të Këshillit të Evropës.

    Sipas tij, Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian vetëm nëse e njeh Kosovën.

    “Besoj se Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian vetëm nëse shkëputet nga e kaluara, njeh Kosovën de jure, dhe i bashkohet Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Unë nuk besoj se Aleksandar Vuçiq ka ndonjë iluzion në lidhje me mundësinë për të rivendosur kontrollin mbi Kosovën. Mua më duket më shumë si një lojë politike, ku Aleksandar Vuçiq po përdor çështjen e njohjes së Kosovës si levë në këtë lojë. Është interesante se Serbia de facto e ka njohur tashmë Kosovën. Do të ishte e përshtatshme dhe e drejtë të bëhej de jure”, ka thënë ai të hënën.

  • Firma, hotel, vilë dhe miliona euro: Pasuria e Millan Radoiçiqit në Serbi

    Firma, hotel, vilë dhe miliona euro: Pasuria e Millan Radoiçiqit në Serbi

    Pesë kompani, ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik, një vilë në një pjesë elitare të Beogradit – e gjithë kjo në Serbi është në pronësi zyrtare të Millan Radoiçiqit, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë.

    Radoiçiq, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, e ndan pronësinë e asaj prone me biznesmenin Zvonko Veselinoviq nga veriu i Kosovës dhe vëllain e tij Zharkon.

    Kompanitë që operojnë nga ta fituan mbi 24.5 milionë euro vetëm në vitin 2022, sipas raporteve financiare të analizuara nga REL.
    Janë lidhur kontrata të vlefshme me shtetin- me qytetet në Serbi dhe ndërmarrje të ndryshme publike.

    Vetëm tri ditë pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës, kompania e tyre mori përsipër edhe ndërtimin e një ure në afërsi të Kralevës, në vlerë të rreth një milion euro.

    Qeveria e Serbisë dhe ministria kompetente deri në publikimin e tekstit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se mbi çfarë baze kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq fituan tenderët.

    Nuk ka përgjigje as në pyetjen nëse ndërpritet bashkëpunimi me shtetin pasi Radoiçiqi u identifikua si organizator i sulmit në Banjska.

    Kompanitë në pronësi të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me operacionet dhe asetet.

    Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, i cili u cilësua si akt terrorist në Prishtinë, autoritetet kosovare e lidhën Millan Radoiçiqin me aktivitete kriminale.

    Për krimin në Kosovë ndërlidhet edhe Zvonko Veselinoviqi.

    Por Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve të Kosovës.

    Sulmi në Banjskë nuk trajtohet si terrorizëm dhe Radoiçiqi nuk akuzohet për vrasjen e policit Afrim Bunjaku në procedurë para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

    Ndër krimet e dyshuara janë shkaktimi i rrezikut publik dhe mbajtja pa leje e armëve.

    Beogradi zyrtar ka vendosur edhe të mos i zbatojë sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe ndaj Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, sepse për këtë nuk ka detyrime ndërkombëtare.

    Ata u futën në listën e zezë të SHBA në dhjetor 2021 për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.

    Asetet e kompanisë janë gati 40 milionë euro

    Millan Radoiçiq, së bashku me Zvonkon dhe Zharko Veselinoviqin, zyrtarisht është regjistruar me emrin e tij si pronar i një kompanie – “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

    “Inkop” si kompani amë, zotëron edhe katër kompani tjera që zhvillojnë aktiviteteve të ndryshme – nga ndërtimi, menaxhimi i hoteleve, deri te trafiku.

    Pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e këtyre pesë kompanive kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove, sipas raporteve financiare për vitin 2022, të disponueshme në faqen e internetit të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

    Ndërtimi i rrugëve është biznesi më fitimprurës

    Ndër kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, më fitimprurësja është “Inkop”, makineritë e së cilës ndërtuan rrugë në disa lokacione në Serbi.

    “Inkop” fitoi rreth 17.4 milionë euro në vitin 2022.

    Në atë kompani, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë secili nga 40 për qind, ndërsa Zharko Veselinoviq ka 20 për qind.

    Sipas raporteve financiare të analizuara nga REL-i, pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e “Inkop”-it vitin e kaluar kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove.

    Ajo kompani së bashku me pronarët e saj është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Por, meqenëse nuk janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” funksionon pa pengesa.

    Ndër projektet e hulumtuara më parë nga REL-i, dallohet ndërtimi i rrugës nga Pozharevaci në Golupec në lindje të Serbisë.

    Aty, në shkurt të vitit 2022, shteti dha pëlqimin që kompania “Inkop” të ishte një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze “Shandong”, për të cilën REL ka shkruar më parë.

    Punimet ende janë duke vazhduar.

    Vila me pishinë pranë stadiumit të Zvezdës

    Muret e larta, kamerat dhe rojet e sigurisë fshehin një vilë prej gati 500 metrash katrorë në një zonë elitare të Beogradit nga sytë e publikut.

    Një vilë me pishinë dhe një truall me 15 ari pranë stadiumit të futbollit Cërvena Zvezda janë në pronësi të kompanisë “Inkop”.

    Çmimi mesatar për metër katror për shtëpitë në atë komunë të Beogradit është rreth katër mijë euro, bazuar në të dhënat e Agjencisë për patundshmëri për vitin 2023.

    Kjo do të thotë se vila në pronësi të Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq do të kushtonte së paku dy milionë euro në treg.

    Kontratë me shtetin pas sulmit në Banjskë

    Tri ditë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, kompania “Novi Pazar-put”, pronarët përfundimtarë të së cilës janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq, kanë marrë një punë nga shteti.

    Kompania publike “Putevi Srbije”(Rrugët e Serbisë) më 27 shtator ia besoi asaj ndërmarrjeje ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro.

    REL-i pyeti kompaninë publike “Putevi Srbije”pse ia besoi punën kompanisë “Novi Pazar-put” dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi. Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.

    Ata shprehen gjithashtu se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimet publike”.

    “Novi Pazar-put” është në pronësi të “Inkop”-it, gjegjësisht Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, që nga janari i vitit 2020.

    Edhe ajo kompani është nën sanksionet amerikane porse merr kontrata nga shteti i Serbisë.

    Ajo mori kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në disa qytete dhe komuna në Serbinë jugperëndimore.

    Vitin e kaluar, në vitin 2022, fitimet e kompanisë ishin rreth 6.5 milionë euro.

    Pasuria e saj kap vlerën e 10.6 milionë eurove.

    Sipas dokumenteve të analizuara më parë nga REL-i, “Novi Pazar-put” u shfaq edhe si nënkontraktues për punimet në autostradën e shpejtë nga Iverk në Llajkovac në Serbinë qendrore, e cila po ndërtohet nga Shandong e Kinës.

    Hoteli luksoz në Kopaonik funksionon pa licencë

    Në qendër të Kopaonikut, resortit më të madh të skiimit në Serbi, në fund të një prej pistave, tërheq vëmendjen logoja e një ujku të zi në një prej hoteleve.

    Hoteli në fjalë është “Grey”, i cilësuar në faqen e internetit si “i pajisur në mënyrë luksoze, me pesë yje”, me dhjetëra dhoma dhe suita, një pishinë, një qendër SPA dhe një restorant.

    Pronar i objektit dhe parcelës me 25 ari është kompania “DollyBell” me seli në Beograd – e cila po ashtu ka për kompani amë “Inkop”-in.

    Kjo do të thotë se pronarët e vërtetë të hotelit janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq.

    Kompania që menaxhon hotelin në Kopaonik, sipas raporteve financiare për vitin 2022, ka asete me vlerë rreth 16 milionë euro – në pasuri të paluajtshme dhe pajisje.

    Raporti tregon, gjithashtu, se kompania ka raportuar një humbje prej rreth 700 mijë eurosh vitin e kaluar.

    Në fotot e hotel “Grey” shihet se ndërtesa është e lartë disa kate dhe se ka pasur mbindërtime.

    Mirëpo, kadastra nuk i njeh sipërfaqet katrore të hotelit.

    Domethënë, në të dhënat kadastrale të disponueshme publikisht, thuhet se sipërfaqja e objektit “nuk është e regjistruar”, dhe se nuk ka leje për shfrytëzim.

    Sipas ligjit, hoteli nuk do të mund të funksiononte pa një leje përdorimi.

    Megjithatë, hoteli funksionon që nga janari 2016, sipas raporteve të mediave nga hapja zyrtare, si dhe fotove nga profili i hotelit në Instagram.

    As kompania “DollyBell”, as Ministria e Ndërtimit, deri në publikimin e tekstit, nuk janë përgjigjur për REL-in se si funksionon hoteli pa leje përdorimi.

    Hoteli ka edhe një tarracë, e cila sipas fotografive dhe pamjeve satelitore të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, ndodhet në tokë shtetërore.

    Nga raportet financiare të kompanisë që drejton hotelin, REL-i nuk ka mundur të përcaktojë nëse e paguajnë qiranë shtetërore për tokën për tarracën e hotelit dhe sa.

    As nga “DollyBell” nuk i janë përgjigjur as asaj pyetjeje dhe as si reagojnë ndaj akuzave të autoriteteve kosovare për qëndrimin në hotel të grupit të armatosur të organizuar nga Radoiçiqi.

    Kosova pretendon se sulmuesit nga Banjska ishin në hotelin e Radoiçiqit

    Autoritetet e Kosovës pohojnë se Radoiçiqi dhe një grup i armatosur kanë shfrytëzuar hotelin “Grey” para sulmit në Banjskë dhe si dëshmi të këtij pretendimi kanë publikuar pamjet nga një dron, i cili dyshohet se është sekuestruar në një operacion policor.

    Në atë kohë, Kosova publikoi gjithashtu pretendime se Radoiçiqi përdorte objektet e Ushtrisë Serbe për trajnimin e sulmuesve, të cilat autoritetet në Beograd i mohuan.

    Megjithatë, ata nuk i komentuan pretendimet për grupin e armatosur në pronën e Radoiçiqit.

    “Ajo që Radoiçiqi bën në pronën private nuk është punë e Forcave të Armatosura të Serbisë”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsilloviq, më 2 tetor.

    Restoranti “Grey” në qendër të Mitrovicës së Veriut në Kosovë ndan të njëjtin emër dhe logon e ujkut të zi me hotelin në Kopaonik.

    Ai restorant është i regjistruar në regjistrin tregtar të Serbisë, si pronë e Ema Radoiçiqit, gruas së Millan Radoiçiqit.

    Restoranti “Grey” në Mitrovicën e Veriut është kontrolluar nga policia e Kosovës në ditët pas sulmit të armatosur në Banjskë.

    Në atë aksion të policisë së Kosovës është kontrolluar edhe vila e Radoiçiqit në liqenin e Ujmanit, e cila më pas është sekuestruar nga autoritetet.

    Ministri i Policisë së Kosovës Xhelal Sveçla, së bashku me pamjet e vilës, ka deklaruar në Facebook se “nën petkun e mbrojtësve”, Radoiçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë.

    Ai ka vlerësuar se Radoiçiqi “gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të tij” dhe se “e ka ditur se do t’i vidhet prona në Kosovë”.

    “Ata mendojnë se e kritikuan atë me atë pasuri. Ai tregoi se – e shihni, ajo pasuri nuk do të thotë asgjë për mua, nëse familja ime dhe populli im nuk kanë liri”, tha Vuçiq në televizionin Happy më 2 tetor.

    Presidenti serb e cilësoi si “pafytyrësi” synimin e autoriteteve të Kosovës për ta kthyer vilën e Radoiçiqit në Ujman në stacion policor të lumit.

    Stacioni i autobusëve në qytetin e Quprisë dhe fabrika e betonit

    Vitet e fundit, Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq kanë marrë nën kontroll edhe dy kompani të tjera shtetërore të falimentuara në Serbi.

    Njëra është “Betonjerka Aleksinac”, një kompani dikur e mbi-borxhuar nga jugu i Serbisë, të cilën kompania e tyre “Inkop” e bleu në tetor të vitit 2019.

    E me pronarët e rinj, gjatë viteve në vijim, “Betonjerka” lidh kontrata të majme me shtetin dhe të ardhurat e kompanisë filluan të rriten.

    Kjo kompani është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori 2021.

    Vitin e kaluar, 2022, “Betonjerka” e mbylli me fitim mbi 750 mijë euro.

    Pasuria e saj kap vlerën e 1.3 milion eurove.

    “Betonjerka” ishte në grupin e kompanive që kontraktuan punë bashkërisht me kompaninë shtetërore “Elektrodistribucija Srbije”, tregon analiza e REL-it.

    Puna e tyre e fundit është ajo e marrë në fillim të shtatorit 2023 – ndërtimi i shtyllave për linjat e energjisë elektrike në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

    Në dhjetor 2022, “Inkop” bleu edhe kompaninë shtetërore “Velmortrans-plus” nga Quprija.

    Ishte një kompani e trafikut urban që përfundoi në falimentim dhe “Inkop” e bleu për rreth gjysmë milioni euro, pra gjysmën e vlerës së parashikuar.

    Kështu Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq u bënë pronarë të aseteve të çmuara të kompanisë pranë autostradës Beograd-Nish, ndër të cilat janë stacioni i autobusëve në qytetin e Quprisë dhe më shumë se dy hektarë tokë.

    Kush janë Radoiçiq dhe Veselinoviq?

    Në publikun serb, Radoiçiq dhe Veselinoviq prezantohen si partnerë biznesi, biznesmenë me origjinë nga Kosova.

    Deri në sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës, Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve nga Kosova, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kur ai e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në një letër publike më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

    Edhe para kësaj, Radoiçiq ishte në arrati nga autoritetet e Kosovës, por për shkak të akuzave për korrupsion.

    Ministri i Policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

    Prokuroria e Kosovës i lidh Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

    Ata përmendeshin si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë pasi në atë moment ishin në arrati.

    Ligji i Kosovës nuk lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar më parë.

    Lista Serbe i hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj Radoiçiqit, ndërsa Radoiçiqi foli edhe për rastin Ivanoviq, duke thënë se ai “nuk ishte miku më i ngushtë” i Oliver Ivanoviqit, por se ai “nuk ishte vrasës” dhe “nuk kishte lidhje me vrasjen” e politikanit.

    Në dhjetor të vitit 2021, duke komentuar vendimin e SHBA-së për listën e zezë të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “disa akuza serioze”.

    Në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mësoi nëse akuzat ishin hetuar dhe as Qeveria dhe Presidenca nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje Radios Evropa e Lirë.

    Millan Radoiçiq u shfaq në tubime zyrtare, përkrah Aleksandër Vuçiqit.

    Në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilin shpjegohen sanksionet, thuhet se Zvonko Veselinoviq është lider i një grupi të organizuar kriminal, se Radoiçiqi është zëvendësi i tij dhe se ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti.

    Sipas raportit, grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandën e narkotikëve, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në skemën korruptive përmenden edhe politikanët, të cilët Veselinoviqi dyshohet se i ka ndihmuar në fushatën zgjedhore dhe në këmbim do ta “shpërblejnë me kontratat më të mira të infrastrukturës”.

    Nuk specifikohet për cilët politikanë bëhet fjalë.

    Krahas SHBA-së, Radoiçiqi dhe Veselinoviqi janë nën sanksione edhe nga Britania e Madhe nga viti 2022 për shkak të dyshimeve për korrupsion.

    Ndërkohë që nuk ka pasoja në Serbi, sanksionet janë ligjërisht të detyrueshme për kompanitë dhe qytetarët amerikanë dhe britanikë, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me persona nga lista e zezë./REL

  • Së shpejti fillon turneu i Madonnas ‘’Celebration’’

    Së shpejti fillon turneu i Madonnas ‘’Celebration’’

    Turneu i Madonnas, ‘’Celebration’’, që shënon katër dekada të karrierës së saj, nis shumë shpejt.

    Meqë koncerti i parë mbahet në Londër , sic raportohet, fansat do të paguajnë nga 300 deri në 5900 euro për të parë nga afër atë.

    Në Milano raportohet të jenë nga 300 deri në 15.000 euro.

    Ndryshe, Madonna shprehu solidaritetin me Izraelin, duke thënë: kjo që po ndodh në Izrael është shkatërruese. Të shikosh të gjitha këto familje dhe veçanërisht fëmijët duke u grumbulluar, sulmuar dhe vrarë në rrugë është zemërthyese”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Artistët latin triumfojnë me çmime në ‘’Billboard Latin Music Awards’’

    Artistët latin triumfojnë me çmime në ‘’Billboard Latin Music Awards’’

    Në ‘’Billboard Latin Music Awards’’, fituesi kryesor ishte Peso Pluma, i cili fitoi tetë shpërblime, përfshirë edhe çmimin ‘’Artisti më i mirë i ri’’.

    Kurse Bad Bunny fitoi shtatë prej tyre, që përfshihet edhe kategoria e ‘’Artistit më të mirë të vitit’’ dhe ‘’Turneu i vitit’’.

    Përndryshe, Bad Bunny dhe Peso Pluma, performuan në skenë disa prej hiteve më të pëlqyera të publikut.

    Muzika latine pati rritje të jashtëzakonshme të popullaritetit në vitet e fundit, duke u bërë një nga zhanret më të preferuara në skenën muzikore globale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Drake i premton fanses se do t’ia paguajë kujdesin mjekësor

    Drake i premton fanses se do t’ia paguajë kujdesin mjekësor

    Së fundmi reperi Drake bëri një veprim për të cilin pati komente mjaft pozitive.

    Reperi deklaroi se do ta paguaj kujdesin mjekësor të fanses së tij, pasi ajo është diagnostifikuar me sklerozë të shumëfishtë.

    Fansja në koncertin e Drake në Toronto, mbante në duar një pankartë që shkruhej: Sapo morra vesh që kam sklerozë të shumëfishtë, a do të më ndihmoni?

    Nuk kaloi edhe shumë, Drake reagoi duke thënë se: unë do të paguaj gjithçka që duhet që ju të merrni mjekimin më të mirë në botë, të premtoj! e ke fjalën time.

    Ndryshe, Drake këtë javë u komentua edhe për vargjet në këngën “Polar Opposites” ku ka përmendur Prishtinën./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Drejtori i Policisë: Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Drejtori i Policisë: Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës kanë marrë pjesë më shumë se 100 persona.

    Hoxha në Tëvë1, tha se bazuar në informacionet inteligjente të Policisë, bëhet fjalë për mbi 100 perona të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit.

    “Po ashtu informacionet tjera tona inteligjente thonë që edhe një numër tjetër i grupit kriminal ka mbet në Serbi edhe kanë pas për qëllim të futen në Kosovë në momentin që u krijohet ky korridori i lirë i lëvizjes. Do të thotë numri i këtyre personave, i grupit kriminal terrorist ka qenë shumë më i madh se sa 30 edhe shumë më i madh se sa 80. Do të thotë jemi duke bërë fjalë për më shumë se 100. Më shumë se 100 janë ata të cilët kanë marrë pjesë aktive atë ditë në operacion mirëpo ka pas edhe të tjerë të cilët e kanë mbështet nga territori i Serbisë dhe po ashtu kanë pas këtu në Kosovë, mund të jetë shumë më i madh se sa ai numri fillestar sa ishte 30, apo 80 por se po flasim për kalimin e numrit 100”, u shpreh Hoxha.

    Ai u shpreh se një gj të tillë e kanë konfirmuar edhe bazuar në numrin e automjeteve, armëve dhe uniformave të gjetura në këtë pjesë.

    “Këto kanë qenë informacionet e para pra gjatë mëngjesit të ditës së 24 shtatorit. Ajo çfarë kemi arrit me pa ka qenë ky numër i njerëzve. Mirëpo pastaj, pas përdorimit të teknologjisë së veçantë të Policisë së Kosovës që janë dronët dhe po ashtu pas datës 24 në mbrëmje kur ne kemi arrit të futemi në brendësi të fshatit, edhe në brendësi të Manastirit dhe përreth Manastirit ne kemi arrit të sekuestrojmë një numër të madh të automjeteve të cilat ky grup terrorist i ka pas në posedim dhe të gjitha kanë qenë të pajisura me armë të veçanta. Është arrit të konfiskohen rreth 28 automjete. Nëse e llogarisim nga këto automjete të paktën nga 2 a po 3 persona në të, i bie që numri i tyre ka mundur të jetë prej 70, 80 e më shumë persona të cilët kanë qenë në Banjskë atë ditë. Mirëpo, përveç kësaj, nga faktet edhe dëshmitë që ne i kemi siguru, ne i kemi siguruar diku 115 uniforma të tjera që i bie që edhe njerëz të tjerë kanë mundur të jenë pjesë e grupit duke qëndruar në fshatin Banjskë apo në pjesë tjera të veriut të Kosovës”, u shpreh ai.

    Hoxha tregoi se në momentin kur patrullat policore kanë vërejtur që në Banjskë është vendosur një barrikadë, rreshteri Bunjaku ka organizuar ekipin e tij për të dalë në vendin e ngjarjes.

    Më tej, Hoxha tregoi se ekipi i organizuar nga rreshteri Bunjaku, janë takuar me patrullën policore të kufirit për të parë më afër se çka po ndodhë me barrikadën e vendosur nga grupi terrorist, me ç’rast edhe u shkaktua vdekja e rreshterit.

    “24 shtatori ka qenë një nga ditët më të rënda për Policinë e Kosovës. Fatkeqësisht, ka mundur të jetë një datë shumë e rëndë për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ne si polici dhe menaxhment kemi pranuar informacionet rreth orës 03:10 të mëngjesit. Me datën 23 dhe 24, një grup kriminal terrorist paraushtarak nga territori i Serbisë, ka arritur të futet brenda territorit të Kosovës përmes rrugëve ilegale, me një sasi të madhe të armatimeve ushtarake dhe luftarake.  Rreth orës 02:38, patrullat tona policore kanë vërejtur që në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë dhe përmes radios kanë njoftuar që dyshohet se është një barrikadë te fshati Banjskë. Mandej, rreshteri policor, Afrim Bunjaku, me iniciativën e tij ka organizuar ekipin e vet dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në momentin kur kanë arritur në vendin e ngjarjes, janë takuar me patrullën policore të kufirit dhe janë ofruar për të parë se çka po ndodhë me atë barrikadë. Atëherë ka shpërthyer një minë kundër këmbësorisë, kjo minë është iniciuar përmes kontaktit me bateri nga grupi kriminal terrorist, të cilët kanë qenë në afërsi të barrikadës, kështu duke shkaktuar vdekjen e Afrim Bunjakut”, deklaroi Hoxha

    Tutje, Hoxha tregoi se si patrullat policore kanë tërhequr trupin e të ndjerit Bunjaku, pas ballafaqimit më grupin terrorist serb.

    “Pas disa minutave, patrullat tona të kufirit kanë shkuar në asistencë dhe kanë mbështetur duke tërhequr trupin e Afrim Bunjakut dhe duke tërhequr policët e plagosur. Përveç gjuajtjes dhe përdorimit të kësaj mine, grupi kriminal terrorist ka përdorur të gjitha armatimet që kanë pasur në dispozicion”, shtoi tutje Hoxha.

    Hoxha poashtu tha se shteti i Kosovës do të kërkoj ekstradimin e tij nga Serbia në mënyrë që ai të japë llogari edhe për personat e tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

    “Ky person i cili ka qenë edhe në listën e zezë të ShBA-së, ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe shteti i Kosovës, vazhdon të jetë kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por edhe për Rajonin. Tash po tentohet që edhe Qeveria e Serbisë të shfajësohet duke e gjuajtur gjithë përgjegjësinë tek ky, mirëpo ky person është person që ka përgjegjësi politike, njeriu i dytë në Listën serbe dhe shumë i afërt me Qeverinë në Beograd. Shihet duke marrë pjesë edhe në ekspozitat dhe panairet e armëve që janë bërë në Beograd, me shumicën prej njerëzve që i ka afër atje dhe pastaj merr guximin që të sfidoj pothuajse institucionet e Kosovës, institucionet e KFOR-it ndërkombëtare brenda territorit tonë mirëpo kësaj radhe u pa që e kishte gabim ndërmarrjen e tij sepse mori përgjigjen e merituar nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga Policia e Kosovës. Do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradimin e tij. Ne e kemi bërë tashmë një kërkesë tek policia e EULEX-it që kërkojmë nga policia e Serbisë që të bëjë ekstradimin dhe po ashtu të jap informacione për këtë dhe personat tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi Hoxha.

    Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.