ATV

Blog

  • Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka vlerësuar se Hashim Thaçi ka pasur një rol të rëndësishëm në realizimin e qëllimit të përbashkët kriminal të përshkruar në aktgjykim.

    Sipas kryegjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte ndër figurat kyçe në zbatimin e këtij qëllimi.

    Smith tha se Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, kishte emëruar persona të besuar në pozita të ndryshme, me qëllim të ruajtjes së kontrollit brenda strukturave të UÇK-së gjatë periudhës së përfshirë në çështje.

    Sipas konstatimeve të paraqitura nga trupi gjykues, disa prej këtyre personave më pas u përfshinë në kryerjen e krimeve, ndërsa të tjerë kishin dijeni për to.

  • Specialja: Trupi gjykues përshkruan pasojat e rënda të keqtrajtimeve ndaj të ndaluarve

    Specialja: Trupi gjykues përshkruan pasojat e rënda të keqtrajtimeve ndaj të ndaluarve

    Gjatë shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka paraqitur edhe konstatime lidhur me trajtimin e personave të ndaluar.

    Sipas kryegjykatësit Charles Smith, në disa raste të ndaluarit janë rrahur rëndë, deri në atë pikë sa nuk kanë mundur të qëndrojnë në këmbë. Në konstatimet e paraqitura gjatë seancës u përmendën edhe raste të dëmtimeve të rënda fizike, përfshirë thyerje të gjymtyrëve dhe dëmtime të thonjve.

    Trupi gjykues tha gjithashtu se për disa prej personave të ndaluar, pasojat e këtyre përjetimeve kanë vazhduar edhe pas përfundimit të luftës. Sipas gjykatës, dëshmitë kanë përfshirë raportime për dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në ecje, depresion dhe probleme me gjumin.

    Këto konstatime po paraqiten gjatë leximit të aktgjykimit në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa trupi gjykues po vazhdon me paraqitjen e gjetjeve të tij.

  • Specialja: Trupi gjykues konstaton krim lufte ndaj së paku 385 personave

    Specialja: Trupi gjykues konstaton krim lufte ndaj së paku 385 personave

    Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.

    Konstatimi është bërë gjatë leximit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryegjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë gjetjet e trupit gjykues lidhur me krimet e pretenduara në aktakuzë, ndërsa leximi i vendimit po vijon në Hagë.

  • Vëllai i Jakup Krasniqit: Arsye për t’u dënuar nuk ka, krimet i bëri Serbia

    Vëllai i Jakup Krasniqit: Arsye për t’u dënuar nuk ka, krimet i bëri Serbia

    Në vendlindjen e Jakup Krasniqit, në Negroc, familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëvendas po presin verdiktin e fundit në Hagë, duke besuar në pafajësinë e tij, si dhe të bashkëluftëtarëve Thaçit, Veselit dhe Selimit.

    Vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, thekson se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe se arsye për t’u dënuar nuk ka.

    “Obligimin njerëzor e kanë kryer me kohë për Kosovë dhe popullin e saj.

    Gjykata ka qenë jo shumë serioze, pasi edhe dëshmitarët kanë qenë jo seriozë, por shpresojmë që gjykata të mbështetet në fakte dhe të marrë vendimin e duhur. Arsye për t’u dënuar nuk ka, pasi krimet monstruoze i ka kryer Serbia”, theksoi ai.

  • Smith në Hagë: Incidentet pas 20 qershorit 1999 nuk cilësohen si krime lufte

    Smith në Hagë: Incidentet pas 20 qershorit 1999 nuk cilësohen si krime lufte

    Kryegjykatësi Charles Smith ka bërë të ditur një nga konstatimet e trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Sipas Smithit, incidentet mbi të cilat janë bazuar akuzat për krime lufte dhe që kanë ndodhur pas 20 qershorit 1999, nuk mund të cilësohen si krime lufte.

    Ai shpjegoi se këto incidente kanë ndodhur pas përfundimit të konfliktit të armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe dhe se, sipas konstatimit të trupit gjykues, normat përkatëse të së drejtës së luftës nuk zbatoheshin më për personat në fjalë.

    “Incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat filluan pas 20 qershorit 1999, pra pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis UÇK-së dhe forcave serbe, nuk mund t’i cilësojmë si krime lufte”, tha Smith gjatë leximit të vendimit.

    Leximi i aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vazhdon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

  • Me emocione të forta, vëllai i Jakup Krasniqit përcjell seancën në Hagë

    Me emocione të forta, vëllai i Jakup Krasniqit përcjell seancën në Hagë

    Në Hagë po zhvillohet seanca ku po lexohet vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në mesin e familjarëve që po e ndjekin me vëmendje këtë proces është edhe vëllai i Jakup Krasniqit.

    ATV sjell pamje nga momentet kur ai shihet i emocionuar teksa nga ambientet e shtëpisë po përcjell zhvillimet e seancës dhe leximin e vendimit.

  • Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot mund të vendoset për fatin e djalit të saj

    Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot mund të vendoset për fatin e djalit të saj

    Nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të merret vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë për djalin e saj.

    Këtë e ka bërë të ditur kushëriri i Thaçit, Halimi, i cili ka treguar se familja ka vendosur të mos ia tregojë lajmin në rast se vendimi do të jetë i pafavorshëm, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

    “Ka shumë gjëra që nuk i ka të ditura. Nëse na gëzon Zoti, do t’ia lajmërojmë dhe do të vijmë të gëzohemi bashkë me të. E nëse dënohet, nuk mundemi me i tregu kurrë”, ka deklaruar ai.

    Kushëriri i Thaçit ka thënë se familja dhe të afërmit e tij kanë ndjerë shumë mungesën e tij gjatë viteve të qëndrimit në Hagë.

    Ai ka shprehur shpresën se Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen në shtëpi.

    “Po presim që sa më parë të lirohet. Shumë mungesë kemi pasur për Hashimin, si familje, si shoqëri dhe si krejt Kosova”, është shprehur ai.

  • Specialja: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së

    Specialja: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së

     

    Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

    Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

    Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.

    “Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues./REL

  • Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me përgjegjësi personale

    Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me përgjegjësi personale

    Kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues në Hagë, Charles L. Smith III ka kërkuar nga të pranishmit në sallën e gjyqit që të ruajnë qetësinë, duke theksuar rëndësinë e procesit gjyqësor.

    “U kërkojmë me mirësjellje personave të qëndrojnë në heshtje. Mbani parasysh që këtu jemi në gjykatë dhe po shqyrtojmë çështje të rëndësishme. Çdo prishje e qetësisë do të çojë në marrjen e masave nga gjykata”, ka thënë Smith, përcjell Telegrafi.

    Duke shpjeguar se çfarë është objekt i procesit gjyqësor, Smith ka theksuar se çështja ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve dhe jo me vlerësimin e UÇK-së apo të qëllimit të saj politik.

    “Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve që lidhen me këtë çështje. Nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur”, është shprehur ai.

    Sipas tij, procesi nuk ka për qëllim as krahasimin apo vlerësimin e përgjegjësive të palëve të ndryshme në konflikt.

    “Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundër atyre të palës tjetër. Nuk ka të bëjë me veprimet e forcave paramilitare dhe ushtarake që, padyshim, forcat serbe kryen kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar Smith.

    Ai ka theksuar gjithashtu se procesi nuk lidhet me ndonjë pretendim të përgjithshëm për vetëmbrojtje, por vetëm me akuzat konkrete të paraqitura në aktakuzë.

    “Kjo çështje nuk ka të bëjë me çfarëdo pretendimi për vetëmbrojtje. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe nëse mund të mbahen penalisht të akuzuarit përgjegjës për këto”, ka thënë ai.

    Smith ka specifikuar se bëhet fjalë për krimet e pretenduara kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilat aktakuza i lidh me pjesëtarë të UÇK-së dhe me të akuzuarit.

    “Lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia e të akuzuarve është vetëm personale. Ky parim mishërohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara”, ka përfunduar kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues.

  • Nis seanca – Kosova në pritje të vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së

    Nis seanca – Kosova në pritje të vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së

    Shtatori pritet të jetë një nga muajt më të rëndësishëm në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Më 16 shtator 2026 është caktuar shpallja e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.