ATV

Blog

  • ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    I pyetur nëse mund të pritet ndonjë lëvizje në ditët në vijim për ta çuar përpara këtë proces, Hovenier ka thënë se pret përpjekje të reja, duke shtuar se duhet të ecet përpara urgjentisht dhe se s’ka kohë për të humbur.

    “Ne jemi shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialog. Nuk mund të flas për veçanti, por pres përpjekje të reja sepse është urgjente. Siç e thashë edhe më parë, 24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, ka deklaruar Hovenier.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar para disa javësh përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA’së në dialog. Lidhur me këtë kërkesë, Hovenier ka thënë se nuk është i sigurt se sa më shumë Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në këtë proces, derisa ka shprehur mbështetje të plotë për Emisarin e BE’së, Mirosllav Lajçak.

    “Ky është me të drejtë një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është me vend, sepse në fund të fundit, stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit, siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në Ohër, këto angazhime që janë marrë duhet të bëhen pjesë e proceseve të anëtarësimit për të dyja vendet. Dhe meqë bëhet fjalë për një proces evropian me detyrime evropiane dhe angazhime evropiane, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të marrë drejtimin dhe lehtësimin e atij që në fund nuk është një dialog me Evropën, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë treguar sa e sa herë se sa seriozisht e marrim këtë, sa të përkushtuar jemi që ta shohim këtë çështje të zgjidhur me sukses. Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tone”, ka thënë ambasadori.

    Tutje, Hovenier ka thënë se kohën më të madhe e shpenzon në këto çështje dhe se ndonjëherë ndihet në siklet kur e pyesin se sa më shumë mund të përfshihet ShBA’ja në këtë process se sa që është e përfshirë tash.

    “Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë. Kështu që ndonjëherë jam në siklet kur njerëzit pyesin sa më të përfshirë mund të jemi kur mendoj se sa të përfshirë jemi tashmë. Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Ky është qëllimi përfundimtar”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.

  • Sarrazin: Shpresojmë që Serbia nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të futë ushtrinë në Kosovë

    Sarrazin: Shpresojmë që Serbia nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të futë ushtrinë në Kosovë

    Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë i ngarkuari i qeverisë gjermane, shpjegon vlerën e kësaj platforme dhe kërkesat e Gjermanisë ndaj Serbisë dhe Kosovës.

    Deutsche Welle: Z. Sarrazin, situata mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e tensionuar. Sa jeni të shqetësuar se kjo mund të përshkallëzohet deri në konflikt të hapur?

    Manuel Sarrazin: Situata është deri diku e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t’u kthyer sërish në një atmosferë produktive.

    Deutsche Welle: Çfarë po e pengon normalizimin mes dy vendeve dhe shpërshkallëzimin e situatës.

    Manuel Sarrazin: Nga njëra anë, duhet të kemi masat shpërshkallëzuese. Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës. Duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Dhe gjithashtu është e qartë se diçka e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë që njerëzit në veri të Kosovës të ndihen të sigurt. Natyrisht, kemi edhe çështje të hapura me palën kosovare lidhur me kryetarët e bashkive dhe policinë speciale, këto janë gjëra që duhet të adresohen. Pra, duhet të flitet për këto çështje, por vetëm trajtimi i këtyre çështjeve nuk do ta zgjidhë problemin. Kështu që ne duhet të kthehemi në tryezë për të zbatuar marrëveshjen Ohrit, e cila ishte një kthesë historike, në shkurt të këtij viti, dhe nuk është zbatuar deri tani. Pra, ne po përpiqemi t’i bëjmë të dyja: nga njëra anë, duke bërë presion për një shpërshkallëzim në terren, por duke mos e lënë këtë përshkallëzim të situatës të kalojë, që të mos flasim më për rezultatin dhe duam që të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të bien dakord mbi një udhëzyes për zbatimin e marrëveshjes.

    Deutsche Welle: Dhe sa jeni të shqetësuar për ndikimin rus sa i përket nxitjes së këtyre tensioneve në veçanti kur shohim Serbinë?

    Manuel Sarrazin: Epo, dua të them, lidhur me Rusinë në rajon, veçanërisht në Serbi, dhe në një farë mase edhe në strukturat paralele të Kosovës veriore, është pak si macja e Shrodingerit. Rusia është brenda, por kurrë nuk do të jemi në gjendje ta përcaktojmë se sa. Pra, nga njëra anë, ne nuk mund të nënvlerësojmë mundësinë teorike që Rusia është në një farë mase duke u përpjekur të ushqejë konfliktin në rajon dhe po përpiqet gjithashtu ta implementojë këtë. Nga ana tjetër, mund të jetë gjithashtu një justifikim i madh për disa njerëz të thonë, Oh, nuk ishim ne, ishte Rusia. Kështu që në fund nuk do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Dhe deri tani nuk kemi ndonjë sinjal të qartë se situata nga 24 shtatori mund të jetë një komplot rus apo plan rus paraprakisht, të paktën. Sigurisht, ata do të përpiqen të përdorin situatën dhe linjat ekzistuese të konfliktit për të na dobësuar.

    Deutsche Welle: Gjermania do të dërgojë, si pjesë e KFOR-it, një kompani për të zëvendësuar një kompani austriake në prill të vitit 2024. A mendoni se një prani ushtarake më e fortë edhe brenda Kfor-it mund ta ndihmojë këtë situatë?

    Manuel Sarrazin: Ne kemi thënë se jemi të gatshëm të dërgojmë më shumë trupa dhe tani kjo varet nga partnerët, që të vendosin se cilat kapacitete janë të nevojshme dhe deri në ç’masë dhe se cili është momenti i përshtatshëm. Jam i sigurt se një Kfori i fortë nuk është vetëm një sinjal, por mund të ndihmojë edhe për të mbyllur më mirë kufirin për armët që vijnë nga Serbia drejt Kosovës. Pra, sigurisht, është arsyeshme. Përveç sinjalit politik edhe në terren.

    Deutsche Welle: Ministrja Baerbock ishte në Tiranë për të përgatitur Procesin e Berlinit, kancelari Scholz do të jetë atje së shpejti për samitin. Sa i fortë është mekanizmi i Procesit të Berlinit në vetvete për të kontribuar edhe në shpërshkallëzimin dhe uljen e tensioneve?

    Manuel Sarrazin: Epo, mendoj se çdo tablo ku të gjashtë janë ulur së bashku në tryezë dhe mund të jenë duke u grindur ose jo, por janë ulur së bashku dhe madje bien dakord për përfitimet ekonomike për të gjitha palët duke nënshkruar marrëveshje, janë sinjale pozitive. Ndoshta jo shpërshkallëzim konkret, por tërthorazi: Kjo do t’u tregojë njerëzve se ata mund të besojnë se rajoni do të shkojë përpara si i tëri drejt Bashkimit Evropian. Edhe pse kemi këtë situatë shumë, shumë të rrezikshme në terren, në Banjskë, pas 24 shtatorit.

    Deutsche Welle: Dhe sa pozitive është perspektiva lidhur me ambiciet e këtyre vendeve për t’u bashkuar me BE-në?

    Manuel Sarrazin: E pra, unë personalisht do të dëshiroja të shihja më shumë përparim, dhe mendoj se shumica e përfaqësuesve të vendeve të rajonit do të donin që Bashkimi Evropian të tregonte më shumë sinjale pozitive në rajon. Kështu që unë mendoj se ne duhet të përpiqemi nga të dyja palët. Vendet duhet të kryejnë më shumë reforma për të përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe për të ardhur në përputhje me acquis dhe tregun e përbashkët rajonal. Dhe tani Procesi i Berlinit, me përpjekjen për të rigjallëruar Tregun e Përbashkët Rajonal mund të jetë një mjet për arritjen e kësaj. Por sigurisht që edhe Bashkimi Evropian duhet t’u përmbahet premtimeve të tij. Dhe kur të arrihet përparim gjithashtu ne duhet të bëjmë hapat në procesin e zgjerimit nga ana jonë.

    Deutsche Welle: Dhe një pyetje e fundit. A është e qartë për vendet se nëse tensionet vazhdojnë të mbeten aq të larta sa janë, rruga drejt Bashkimit Evropian bëhet më e vështirë?

    Manuel Sarrazin: Epo, mendoj se kjo është evidente për të gjithë dhe kjo është arsyeja pse një situatë e tillë mund të jetë toksike jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin, sepse njerëzit mund të humbasin shpresën në zhvillimin e rajonit, nëse kthehet dhuna. Kështu që ne nuk mund ta lejojmë këtë.

  • Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Pejë, Policia jep detaje

    Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Pejë, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për dhunim në Pejë, raporton Express.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “DHUNIM Pejë 12.10.2023 – 08:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se ka kryer vepren e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Tentohet edhe sërish konstituimi i Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

    Tentohet edhe sërish konstituimi i Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

    Sot për të katërtën herë me radhë do të tentohet të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

    Ideja për një komision hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Por, kundër këtij komisioni hetimor ka dalë lëvizja Vetëvendosje.

    Shefja e këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në njërën nga seancat e Kuvendit se peticioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i nënshkruar nga 41 deputetë, është hap i ngutshëm.

    “LDK-ja ka ndërmarr një hap i cili është hap i ngutshëm sipas Grupit Parlamentar të LVV-së duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Megjithatë, disa muaj ma herët në Kuvend dhe në media janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat shtetërore”, ka deklaruar Kusari-Lila.

    Sipas saj, ky hetim parlamentar synon të bëjë paralelizëm për diçka që organet e rendit janë të përfshira, ndërsa ka pyetur deputetët nënshkrues të peticionit “A nuk po i besoni Prokurorisë apo e konsideroni veten hetues më të aftë se Prokuroria dhe Policia?”.

    Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka treguar përmes një video mesazhi se kush janë gjashtë deputetët e pozitës të cilët e kanë sabotuar punën e Komisionit hetimor për “rezervat shtetërore”.

    Ai tha se vetëm duke mundësuar konstituimin e këtij komisioni, deputetët do të mund të kontribuojnë në heqjen e të gjithave dilemave mbi aferat potenciale korruptive.

  • ​Dita Ndërkombëtare për Reduktimin e Katastrofave

    ​Dita Ndërkombëtare për Reduktimin e Katastrofave

    Dita Ndërkombëtare për Reduktimin e Katastrofave shënohet më 13 tetor.

    Shënimi i kësaj dite ka filluar të shënohet nga viti 1989, pas një thirrje nga Asambleja e Përgjithshme të OKB-së, për të pasur një ditë për të promovuar një kulturë globale të reduktimit të rrezikut nga katastrofat.

    Kjo ditë ka për qëllim ndërgjegjësimin për një mjedis të gjelbër dhe reduktimin e ekspozimit ndaj katastrofave./KP

  • ​Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

    ​Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

    Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

    Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

    Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

    Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

    Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

    Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

    Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957.

  • ​Ndryshimi i Himnit në Parlamentin Evropian

    ​Ndryshimi i Himnit në Parlamentin Evropian

    Parlamenti Evropian më 13 tetor 2008, ndryshon procedurën e përdorimit të Himnit të Bashkimit Evropian dhe vendosi për t’u luajtur vetëm në hapjen e Parlamentit pas zgjedhjeve dhe në seancat formale.

    Melodia Ode to Joy (nga Simfonia No. 9 e Bethovenit) u adoptua si Himni i Evropës nga Këshilli i Evropës në vitin 1972 dhe pastaj Komuniteti Evropian – që nga viti 1983 Bashkimi Evropian – në vitin 1995, kjo Melodi u bë Himni kombëtar i Rodezisë.

    Në vitin 2008, Ode to Joy u përdor nga Kosova si Himn Kombëtar derisa u miratua himni i Kosovës. Ode to Joy u luajt në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, edhe si shenjë mirënjohje për rolin e BE-së në pavarësinë e saj nga Serbia.

    “Nxitoni, o vëllezër, në rrugën tuaj

    Të ngazëllyer si kalorës në fitore.”

    (Ode to Joy)

  • Dy senatorë amerikanë sot takojnë Osmanin dhe Kurtin

    Dy senatorë amerikanë sot takojnë Osmanin dhe Kurtin

    Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch sot do të takohen me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani, do t’i presë dy senatorët nga ora 9:15. Ndërkaq, në ora 10:00, Shaheen dhe Welch do të takohen me kryeministrin Kurti.

    Është bërë e ditur se në të dy rastet do të ketë deklarim për media.

    E për vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë, njoftoi vetë Shaheen.

    “Senatori Peter Welch dhe unë jam në Ballkanin Perëndimor për të siguruar aleatët tanë se SHBA-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe mbështet aspiratat demokratike të kombeve të tyre. Pres me padurim që të kem biseda thelbësore me drejtues dhe zyrtarë lokalë gjatë gjithë vizitës”, ka shkruar ajo në “X”.

  • Duka i bindur: Shqipëria në Evropian

    Duka i bindur: Shqipëria në Evropian

    Kreu i Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, ka folur pas fitores vendimtare të Shqipërisë ndaj Çekisë.

    Shqipëria ka shënuar një fitore mbresëlënëse me rezultat 3:0, përballë Çekisë.

    Sipas tij, Shqipëria tani është me dy është në “Euro 2024”.

    “Të gjithë jemi të lumtur për këtë trepikësh. Jemi me dy këmbë në Evropian. Jam i bindur që do bëjmë edhe më shumë. Këtë fitore sot e kam shijuar më shumë. I kisha lënë të gjitha për fitoren e sotme. Na takon që të festojmë gjatë. Dua të përqafoj gjithë stadiumin sot. Tani kemi më shumë eksperiencë, do bëjmë më mirë në Evropian. Është e vështirë të fle sot”, tha ndër të tjera Duka.

    Pas kësaj fitore Shqipëria mbetet në vendin e parë me 13 pikë dhe i duhen vetëm dy pikë nga dy ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin në Euro 2024.

    Polonia fitoi ndaj Ishujve Faroe dhe merr vendin e dytë me nëntë pikë kurse, Çekia mbetet në vendin e tretë.

  • Asani: Nuk na mundin as kombëtare më të forta me këtë grup që kemi

    Asani: Nuk na mundin as kombëtare më të forta me këtë grup që kemi

    Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

    Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.

    Jasir Asani (9’) dhe Taulant Seferi (51’, 73’) shënuan golat e fitores për “Kuqezinjtë”.

    Sulmuesi shkupjan pas ndeshjes rreth suksesit të Shqipërisë tha: “Unë mendoj se që ditën e parë kemi ardhur për një qëllim. Kemi lojtarë shumë të mirë, që po bëjmë shumë mirë. Kemi një staf mjaft profesionist dhe një meritë ka edhe presidenti, që ka bërë një punë shumë të madhe. Kemi ardhur këtu me qëllimin për të shkuar në Evropian dhe me këtë grup, jo vetëm Çekia, por nuk na mundin as kombëtare më të forta”.

    Asani la gjithashtu të hapur mundësinë që të largohet nga Gwangju.

    “Kam edhe 4 ndeshje në Korenë e Jugut dhe menaxheri po punon, ndaj besoj se do të bëhet diçka. Presim surpriza në fund”, deklaroi 28-vjeçari.