ATV

Blog

  • Seferi: Kritikëve ua dhashë përgjigjen në fushë, ndjehem shumë i lumtur

    Seferi: Kritikëve ua dhashë përgjigjen në fushë, ndjehem shumë i lumtur

    Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

    Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.

    Jasir Asani (9’) dhe Taulant Seferi (51’, 73’) shënuan golat e fitores për “Kuqezinjtë”.

    Seferi fillimisht pas ndeshjes tha: “Jam shumë i lumtur për fitoren, pasi ishte një fitore fantastike e mbi të gjitha para gjithë shqiptarëve, por edhe shumë e rëndësishme për Kombëtaren tonë. Jam shumë i lumtur edhe sepse gjeta golin pas shumë kohës me Kombëtaren”.

    “Shumica nuk kanë besuar te unë, por falënderoj trajnerin për besimin dhe me ndihmë e zotit ia shpërbleva atij, familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve. Unë jam një njeri i thjesht, që i kam parë të gjitha komentet dhe kritikat, por përgjigja ime ishte në fushën e lojës dhe falënderoj Zotin, trajnerin e familjen time”, shtoi futbollisti nga Kumanova.

  • Renditja në Grupin E: Shqipëria rrit distancën e pikëve me Çekinë

    Renditja në Grupin E: Shqipëria rrit distancën e pikëve me Çekinë

    Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

    Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.

    Jasir Asani (9’) dhe Taulant Seferi (51’, 73’) shënuan golat e fitores për “Kuqezinjtë”.

    Shqipëria pas kësaj fitore ka 13 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin E.

    Çekia është e dyta me 9 pikë dhe me një ndeshje më pak.

    Renditja në grup:

  • Kosova “shfryhet” në Andorrën, shënon fitoren e parë të vonshme

    Kosova “shfryhet” në Andorrën, shënon fitoren e parë të vonshme

    Kombëtarja e Kosovës në futboll shkëlqen vonë. “Dardanët” arritën fitore të bukur sonte ndaj Andorrës, por erdhi vonë. Shumë vonë.

    Kosova triumfoi në udhëtim 0:3 ndaj Andorrës, duke e shijuar vetëm fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve në eliminatoret për Kampionatin Evropian 2024.

    Nga një grup i kalueshëm u shndërrua në një grup të pamundur për Kosovën në pak ndeshje, ndërsa tani gjasat për kualifikim janë shuar pothuajse tërësisht.

    Ishte minuta e 25-të kur Milot Rashica realizoi për ta kaluar Kosovën në epërsi.

    Me epërsinë minimale, dy ekipet shkuan në pushimin mes pjesëve.

    Ishte sërish Milot Rashica që shënoi një gol të lehtë për ta dyfishuar epërsinë e tanëve në minutën e 71-të.

    E në të 83-tën, Altin Zeqiri realizoi golin e parë me fanellën dardane për ta vulosur një mbrëmje të bukur të ekipit kosovar.

    Lajm i keq ishte lëndimi i sulmuesit Albion Rrahmani, i cili u largua me barelë nga fusha e lojës.

    Kjo fitore e ngrit Kosovën në vendin e katërt në grup me shtatë pikë të grumbulluara, por shumë larg pozitës së dytë në tabelë.

    Në anën tjetër, Andorra mbetet e fundit me vetëm dy pikë të grumbulluara.

  • Gjunjëzohen çekët në Tiranë, Shqipëria me një këmbë në Evropian

    Gjunjëzohen çekët në Tiranë, Shqipëria me një këmbë në Evropian

    Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

    Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0.

    Të përzgjedhurit e Sylvinhos e nisën mirë përballjen, me lojtarin më në formë, Jasir Asani, që la gjurmë me një tjetër gol të bukur dhe në stilin e tij, për epërsinë e parë në minutën e 9-të. Asistues ishte Ylber Ramadani.

    Për “Kuqezinjtë” u lehtësuan gjërat në minutën e 40-të, kur Mojmir Chytil u përjashtua nga ndeshja. Ai mori kartonin e dytë të verdhë për shkak të lojës me dorë, kur edhe shënoi gol për çekët.

    Shqipëria e nisi mirë edhe pjesën e dytë, e cila ishte e rezervuar për Taulant Seferin.

    Sulmuesi nga Kumanova shënoi dy gola. Ai fillimisht dyfishoi epërsinë në minutën e 51-të, pasi u asistua nga Sokol Cikalleshi.

    Seferi vulosi fitoren e Shqipërisë me golin e shënuar në minutën e 73-të, pasi mori një asistim të mrekullueshëm nga Mirlind Daku.

    Arbnor Muja ia doli të gjej golin e parë me fanellën kuqezi në minutën e 82-të, por fatkeqësisht goli i tij u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

    Shqipëria pas kësaj fitore ka 13 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin E.

    Çekia është e dyta me 9 pikë dhe me një ndeshje më pak.

    Kombëtarja shqiptare më 17 tetor do të zhvillojë miqësoren me Bullgarinë, për t’u rikthyer në nëntor me ndeshjet e radhës të këtij cikli kualifikues.

    Më 17 nëntor, Shqipëria do të luajë në udhëtim ndaj Moldavisë, kurse më 20 nëntor do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe.

  • Debati parlamentar për shqyrtimin e projekt rezolutës për mbështetje financiare për Policinë

    Debati parlamentar për shqyrtimin e projekt rezolutës për mbështetje financiare për Policinë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Të gjitha ulëset e shumicës parlamentare ishin bosh.

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e asnjë nga kabineti qeveritar nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të duhej të shqyrtohej Propozim-Rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Pavarësisht që nuk kishte kushte për mbajtje të seancës, e thirrur për në orën 11, kryekuvendari u dha fjalën deputetëve të opozitës.

    Pjesë e seancës së jashtëzakonshme ishin edhe deputetë nga grupi parlamentar multietnik.

    Ndërkohë, deputetja Ganimete Musliu pati një kërkesë, me të cilën u pajtua kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Rezoluta e propozuar nga PDK-ja obligon ekzekutivin të bëjë ndarjen e mjeteve për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, pagesën e sigurimit shëndetësor nga fillimi i vitit të ardhshëm e të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.

    Pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme, në orën 14 ishte paraparë nisja e seancës së rregullt, në të cilën opozita sërish kërkoi vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme për Policinë, por edhe kjo dështoi në mungesë të deputetëve të pushtetit.

    Rrjedhimisht nuk janë hedhur fare në votim as marrëveshjet ndërkombëtare.

  • Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

    Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Situata në veri të vendit pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e brishtë. Madje, për kryeministrin Albin Kurti, rreziku i përsëritjes së akteve të tilla në shenjë hakmarrjeje është në rritje.

    Në nisje të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri tha se këtë e bazon në informatat e institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës.

    “Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës, së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme, nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet”, tha Kurti.

    Për këtë arsye, i pari i ekzekutivit u bëri thirrje në veçanti serbëve të Kosovës të jeni të vëmendshëm, në rast të situatave të tilla të inskenuara dhe dashakeqe.

    “Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë, sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljet e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcillni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, tha Kurti.

    Ngjarjet e 24 shtatorit ia kanë ndryshuar ekzekutivit edhe planin për procesin zgjedhor në komunat veriore, të cilin ekzekutivi ishte i gatshëm ta përkrahë si masë për shtensionim të situatës atje.

    “Ndodhi që ne largojmë policët nga objektet e komunave edhe grupet kriminale organizohen në mënyrë që të bëjnë këto veprime terroriste, të planifikuara me datën 24. Masat për Kosovën kanë qenë të padrejta, atëherë mbesin të padrejta edhe sot, edhe duhet të shihet situata drejt dhe të veprohet në bazë të situatës faktike në terren. Kosova ka bërë çkado që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi, mirëpo Beogradi çfarë ka bërë? Ka dërguar një grup të terroristëve që ta aneksojnë veriun e Kosovës”, tha ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi.

    Qeveria ndër tjera në mbledhjen e 165-të të saj mori edhe disa vendime, përfshirë atë për lirim nga akciza të disa produkteve për prodhuesit vendorë.

  • Rizvanolli akuzon Serbinë për bojkotim të udhërrëfyesit për energjinë

    Rizvanolli akuzon Serbinë për bojkotim të udhërrëfyesit për energjinë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qeveria e Kosovës më nuk do ta paguajë rrymën e shpenzuar nga qytetarët në katër komunat veriore.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, konfirmoi se ekzekutivi nuk ka ndarë mjete financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike për banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    “Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si Qeveri”, tha Rizvanolli.

    Rizvanolli ka akuzuar Serbinë për sabotim të udhërrëfyesit për energji, të dakorduar në Bruksel, më 21 qershor të vitit të kaluar.

    “Ne e kemi bërë të qartë për të gjitha palët se, një mënyrë e tillë e funksionimit, nuk mund të funksionojë. Institucionet tona kanë kryer detyrat në afatet e duhura të marrëveshjes, kurse nga pala tjetër ka sabotim”, tha Rizvanolli.

    Udhërrëfyesi i dakorduar para 1 viti parashihte që kompania “Elektrosever”, të licencohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, por pavarësisht licencimit, kompania në fjalë ka shkelur të gjitha afatet e parapara dhe kështu rryma në veri vazhdon të mos faturohet.

    Pika e 8-të e udhërrëfyesit parashihte që brenda 100 ditësh nga lëshimi i licencës, në rast se Elektrosever, nuk i kryen obligimet, ZRRE-ja mund t’ia tërheqë licencën e operimit kompanisë serbe. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Së fundmi, Qeveria kishte ndarë 40 milionë euro për KOSTT-in për mbulimin e humbjeve deri me një tetor të vitit të kaluar, konkretisht 100 ditë pas marrëveshjes së Brukselit.

    Ndërkohë, vlera e humbjeve në katër komunat veriore, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, llogaritet të jetë mbi 20 milionë.

  • Opozita s’e pret, dështon raportimi i Bislimit në Komision

    Opozita s’e pret, dështon raportimi i Bislimit në Komision

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, nuk u paraqit për raportim lidhur me dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme, në asnjërin nga dy terminet e konfirmuara.

    Në mbledhjen e komisionit, që kishte vetëm një pikë në rend dite, nuk u paraqitën as pesë nga gjashtë deputetët e koalicionit qeverisës, duke pamundësuar kuorumin.

    Pasi pritën afër 15 minuta përtej terminit të dytë të konfirmuar, katër deputetët opozitarë, anëtarë të komisionit u larguan nga salla.

    Teksa akuzoi opozitarët për bojkot, kryesuesja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ishte e vetmja deputete e Vetëvendosjes që u paraqit në sallë, mbrojti mos-paraqitjen e Bislimit dhe mungesën e bashkë-partiakëve të saj deputetë.

    “Nuk ka standard ose praktikë për këtë punë, sepse ka raste të shumta kur ne i presim sepse janë në pozita të atilla… Një deputete e jona është jashtë vendit në një trajtim shëndetësor, ndërkohë meqenëse shumica e deputetëve udhëtojnë ndoshta kanë pasur problem me trafikun”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Pasi tha se anëtarët nuk kanë pranuar asnjë dokument apo raport për përgatitje paraprake për mbledhjen, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se me mos-paraqitje për raportim zëvendëskryeministri ka bërë shkelje ligjore.

    “Që nga fillimi i këtij mandati kemi dy apo tri raportime. E dimë sa shumë çështje të rëndësishme kanë ndodhur dhe ne nuk kemi asnjë informatë. Të gjitha ato që i marrim janë përmes Twitterit apo platforma tjera të rrjeteve sociale, që nuk mendoj se është korrekte sepse, tek e fundit, politika e jashtme dhe dialogu janë më shumë politika nacionale, sesa politikë që ne si PDK preferojmë të fitojmë vota apo t’i trajtojmë si politika lokale”, tha Musliu-Shoshi.

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, akuzoi zëvendëskryeministrin Bislimi për mungesë transparence dhe ikje nga përgjegjësia.

    “Duhet me ardhë me raportu, sepse është zëvendëskryeministër fundja, dhe e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mbledhje. E ka konfirmuar për në orën 9, e ka shtyrë për orën 10. Ne kemi seancë në orën 11, në qoftë se dikujt i duket krejt e natyrshme që t’i mbledhë 5-6 deputetë të presin kot dhe të mos vijë, atëherë mendoj se standardet e Kuvendit i kemi të ndryshme”, tha Kica-Xhelili.

    Kryesuesja Kryeziu-Hyseni paralajmëroi mundësinë që zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, të ftohet për raportim sërish javën e ardhshme.

  • Për të tretën ditë me radhë kanë protestuar specializantët e QKUK-së

    Për të tretën ditë me radhë kanë protestuar specializantët e QKUK-së

    Përgatiti: Sara Shehu

    Më shumë se 50 specializantë të QKUK-së, tentuan të futen brenda objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Por, u penguan nga Policia e cila intervenoi bashkë me personelin e sigurimit. Megjithatë, ata doli t’i takojë sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili i dëgjoi kërkesat e tyre.

    “Po i dëgjoj kërkesat tuaja, mund të flisni por një nga një….”, tha Bardiqi.

    “Nuk mendoj që është e drejtë që me punu e n’fund as kujdestaria mos me na u pagu, këtu ka familjarë që s’paguhet, është shumë e rëndë”, tha Arianit Zajmi, organizator i protestës.

    “Po dërgojmë kërkesa e ankesa të shumta, po asnjëherë nuk keni kthy përgjigje me shkrim, na injoroni deri në fund. Për shkak të injorimit tuaj ne kemi arritur në këtë gjendje, s’ka përgjigje, as plotësim të kërkesave, s’ka asgjë”, tha Uran Halimi, protestues.

    Bardiqi tha se me udhëzimin administrativ për shkollimin specialistik, specializantët në kontratën e nënshkruar nuk e kanë të paraparë kompensimin e dy kujdestarive, por vetëm përmbushjen e orëve të përcaktuara.

    “Ju jeni aktualisht të acaruar, jeni tu e konstatu situatën sipas mendimit tuaj. Por unë jua shpjegoj se kur është hartuar ky akt ligjor për shkollimin specialistik, hartuesit i kanë bërë këto definime, të cilat janë në fuqi e që duhet të zbatohet. Përndryshe ankesat që jeni duke i bo sot, është dashur me i ba para se me hy ky udhëzim administrativ në fuqi”, tha Bardiqi.

    Sa i përket transparencës së këtij dikasteri, ai tha se janë të gatshëm që çdo kërkesë të tyre ta shqyrtojnë.

    Kjo është dita e tretë e protestës së specializantëve të klinikave të QKUK-së, derisa kanë paralajmëruar edhe aksione të tjera.

  • Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë votoi projekt-rezolutën që dënon sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij tha se vazhdon të jetë i patundur në qëndrimet sa i përket veriut të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam thënë së samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi te suksesi dhe jo dështimi i planit francezo-gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rama.

    Gjatë 90 minutave sa kishte në dispozicion, kryeministri Rama mes tjerash kritikoi homologun e tij nga Kosova se ka ushtruar qasje të gabuar në dialog.

    “Nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë aq lirshëm sa ka lëvizur mes Brukselit dhe SHBA-së, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim komplet të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të ishte i zhveshur nga çdo potencial për destabilizim të Kosovës. Këtë e kupton edhe bufi”, tha Rama.

    Fjalimi i kryeministrit Rama shkaktoi reagimin e opozitës, derisa ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Rama po e favorizon Serbinë.

    “Fjalimi që lexoi sot para jush, është i shkruar në zyrat e Vuçiçit. Ky fjalim kishte në plan që në prag të samitit, të portretizonte si djall me zile kryeministrin e Kosovës. Kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandar Vuçiç”, tha Berisha.

    Rezoluta e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, mbështet plotësisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës dy javë më parë, që dënon sulmet terroriste në Banjskë dhe përmend nevojën për hetim ndërkombëtar për rolin institucional të Serbisë në këtë sulm.