ATV

Blog

  • ​Dështon mbledhja e Komisionit për shqyrtimin e peticionit të Sindikatës së Policisë

    ​Dështon mbledhja e Komisionit për shqyrtimin e peticionit të Sindikatës së Policisë

    Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në te cilën do të shqyrtohej peticioni i Sindikatës së Policisë se Kosovës.

    Në këtë mbledhje munguan deputetë nga partia në pushtet. Ndërkaq, kryesuesja në këtë komision, Dude Balje bashkë me deputetet nga opozita vendosën që të mbajnë dëgjim publik, në këtë formë t’i dëgjojnë kërkesat e Sindikatës, porse jo në bazë të Rregullores së Kuvendit.

    Të pranishme në mbledhje ishin, deputetja nga PDK-ja, Ariana Musliu-Shoshi, nga AAK, Albana Bytyqi, dhe deputetja nga LDK, Marigona Geci.

    Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri derisa ka ritheksuar kërkesat e PK-së, tha se sigurimi shëndetësor mbetet shumë i nevojshëm për PK. Ndërsa ka shtuar se nga implementimi i Ligjit për paga, policia ende nuk ka marrë shtesa të rrezikshmërisë.

    Ndërsa, nënkryetari i sindikatës, Avni Hoti theksoi se policia është në gjendje të rëndë.

  • Urdhër evakuimi për një milion banorë në Gaza brenda 24 orëve

    Urdhër evakuimi për një milion banorë në Gaza brenda 24 orëve

    OKB-ja është informuar nga ushtria izraelite për një urdhër për evakuimin e rreth 1,1 milionë banorëve nga veriu i Gazës drejt jugut brenda 24 orëve, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të organizatës duke kërkuar që ky urdhër të anulohet.

    ”Mbrëmë, zyrtarët e OKB-së në Gaza u informuan nga oficerët e tyre ndërlidhës ushtarakë izraelitë se e gjithë popullata në veri të Gazës duhej të zhvendosej drejt jug brenda 24 orëve. Një evakuim i këtyre përmasave është i pamundur pa shkaktuar pasoja shkatërruese humanitare”, tha ai.

    OKB-ja ka nisur një apel urgjent për donacione me vlerë 294 milionë dollarë për të përmbushur nevojat urgjente të banorëve më të rrezikuar të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, ku më shumë se 400 000 palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre ditët e fundit dhe rreth 50 000 gra shtatzëna nuk kanë më akses në kujdes.

    Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), më shumë se 423 000 persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës nën rrethimin dhe bombardimet e ushtrisë izraelite.

    Sipas një deklarate nga zyra e Kombeve të Bashkuara, numri i personave të zhvendosur në këtë territor me popullsi të dendur prej 2,3 milionë banorësh u rrit nga 84 444 në 423 378.

    Një video e së mërkurës e një prej sulmeve të Izraelit në Gaza duket se tregon përdorimin e fosforit të bardhë, një municioni të diskutueshëm që mund të shkaktojë dëm serioz nëse përdoret kundër civilëve, sipas ”Washington Post”.

    Izraeli thotë se ka hedhur rreth 6 000 bomba, me peshë 4 000 tonë, në objektivat e Hamasit në Gaza në gjashtë ditë duke goditur më shumë se 3 600 objektiva. /ANSA/

  • Senatorja Shaheen kërkon që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

    Senatorja Shaheen kërkon që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

    Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, tha se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari, duke u shprehur e shqetësuar për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo pas takimit me presidenten Osmani pohoi se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim. Sipas saj, për paqe afatgjate duhet që të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Kishim planifikuar një udhëtim në rajon. Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari, shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim”.

    “Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”.

  • Kurti takon senatorët Shaheen dhe Welch

    Kurti takon senatorët Shaheen dhe Welch

    Kryeministri Albin Kurti ka takuar senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, raporton Ekonomia Online.

    I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier. Pas takimi pritet të ketë deklarim për medie.

    Senatorët janë pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

  • Senatorët amerikanë në takim me Osmanin: Përgjegjësit e sulmit të japin llogari para drejtësisë

    Senatorët amerikanë në takim me Osmanin: Përgjegjësit e sulmit të japin llogari para drejtësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë përgjegjëse Serbinë për agresionin e 24 shtatorit ndaj Kosovës.

    Pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Osmani ka theksuar nevojën për të rritur garancat e sigurisë ndaj Kosovës, sidomos në kufirin me Serbinë.

    Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka thënë se kanë ardhur për të shprehur mbështetjen ndaj Kosovës, sidomos pas incidentit në veri më 24 shtator.

    Ajo ka theksuar se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të japin llogari para drejtësisë. /kp

  • ​Arrestohet për dhunim seksual

    ​Arrestohet për dhunim seksual

    Një person është arrestuar dje në Pejë, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën dhunim seksual.

    Policia nuk ka dhënë më shumë informata, por thekson se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Humb jetën në vendin e punës

    ​Humb jetën në vendin e punës

    Një person derisa kishte qenë në vendin e punës është rrezuar dhe si pasojë kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar në QKUK dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e tij.

    Ngjarja ka ndodhur dje në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore, kanë dalë inspektorët e punës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • ​Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi, arrestohet i dyshuari

    ​Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar dje në Prishtinë, pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale ka shpërndarë disa video me përmbajtje të abuzimit seksual me fëmijë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim dy senatorët amerikan, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

    Pas takimit të përbashkët, Osmani dhe senatorët do të ketë një deklarim për medie.

    Pas takimit me Osmanin, senatorët amerikan do të takohen edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

    Kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të lartë të ShBA-së në Kosovë, pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

  • Blendi Fevziu: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në ditët më të këqija

    Blendi Fevziu: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në ditët më të këqija

    Gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, në një intervistë për Demokracia.com, i ka komentuar ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku në Banjskë të Zveçanit u sulmua Policia e Kosovës dhe për pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Fevziu beson që Vuçiq nuk është i interesuar për një marrëveshje me Kosovën, pasi situata aktuale ia mundëson Serbisë të jetë më e faktorizuar dhe më pak e kontrolluar.

    Sa i përket reagimit të Policisë së Kosovës në ditën e 24 shtatorit në Banjskë, Fevziu thotë se trajnimi dhe reagimi i tyre nuk ka lidhje me standardet e zakonshme të policive në shtetet ballkanike.

    Fevziu ka komentuar edhe raportet e dy kryeministrave, Ramës dhe Kurtit, duke thënë se raportet mes Shqipërisë e Kosovës në nivelin më të lartë të ekzekutivit janë në ditët më të këqija që ai i mban në mend gjatë karrierës së tij.

    “Raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit s’më interesojnë fare. Puthen a shahen është problem i tyre. Çështja është se raportet mes Shqipërisë e Kosovës, në nivelin më të lartë të ekzekutivit, janë në ditët më të këqija që unë mbaj mend në karrierën time. Kurrë s’kanë qenë kështu. Unë mendoj se thelbi është në atë që janë të dy protagonistë dhe personazhe shumë të ndryshëm. Deri në atë pikë, sa kokëfortësia, nuk i lejon as të ulin protagonizmin personal dhe të kuptojnë se aty nuk janë si individë, por si përfaqësues të dy pjesëve të një kombi”, tha Fevziu.