ATV

Blog

  • Ambasadori Szunyog viziton disa projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian në Ferizaj

    Ambasadori Szunyog viziton disa projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian në Ferizaj

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë organizoi disa aktivitete në Ferizaj. Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog ka vizituar disa projekte në komunën e Ferizajt.

    Duke nisur nga vizita që bëri tek Muralet që janë realizuar nga “Mural Fest Kosova”, ambasadori më pas vazhdoi tek shkolla e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në të cilën u takua me “Klubin e Gjelbër”, e që diskutuan bashkë më nxënësit si të ketë një mjedis më të pastër.

    Szunyog po ashtu mori pjesë edhe në aktivitetin e mbjelljes së pemëve në këtë shkollë. Më pas vizita e tij vazhdoi tek bifurkacioni i lumit Nerodime, dhe në fund vizitën e tij e mbylli me diskutimin me përfaqësues të biznesit.

    Szunyog u shpreh i lumtur me projektin për panele diellore në shkollën që vizitoi. Ai tha se kjo bën kursime të konsiderueshme në faturat e energjisë elektrike.

    “E vizitova shkollën dhe në fakt më bëri përshtypje para së gjithash projekti specifik i paneleve diellore të shkollës, dhe duke folur me drejtorin dhe njerëz të tjerë e kuptoj që në fakt kjo bën kursime mjaft të konsiderueshme në faturat e energjisë elektrike, dhe mendoj se është një shembull i mirë se si ne mund të ndihmojmë konkretisht sektorin publik, por ne kemi si pjesë të këtij programi të kursimit të energjisë edhe mundësinë që shtëpitë private të kenë kursime të ngjashme”, tha Szunyog.

    Mes tjerash, Szunyog pas vizitës tek bifurkacioni i lumit Nerodime, vlerësoi këtë si një vend unik, dhe vendi i vetëm në Evropë kur një lumë shkon në dy dete të ndryshme.

    “Unë e kuptoj se ky është një vend shumë unik gjeografikisht, ky është i vetmi vend në Evropë kur një lumë shkon në dy dete të ndryshme, kështu që për mua është gjithashtu interesante të shoh këtë fenomen shumë unik gjeografik. Por gjëja e dytë që dua të them është se kemi pasur diskutime edhe në shkollë me nxënësit dhe përsëri më kanë bërë shumë përshtypje… Më kanë bërë gjithmonë përshtypje të rinjtë dhe studentët këtu, por kemi diskutuar konkretisht për çështjet se si studentët mund të ndihmojnë marrëveshjen e gjelbër, tranzicionin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit, dhe përsëri idetë që ata sollën ishin të gjitha shumë interesante dhe shumë të menduara mirë, dhe mendoj se do të jetë e rëndësishme që kjo energji e të rinjve të vazhdojë. Dhe gjithashtu besoj se është shumë e rëndësishme të fillohet herët me edukimin për mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që fëmijët e vegjël dhe nxënësit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme dhe kursimit të energjisë në mënyrë që gjithçka të fillojë tashmë edhe në familje. Dhe përsëri, ne patëm një shembull të mirë të studentëve që mbledhin mbeturina, dhe ide të tjera rreth kursimit të energjisë, kështu që, mendoj se është shumë e rëndësishme, shembull shumë i mirë i transformimit të vërtetë, dhe në fakt mund të ndodhë transformimi për standardet evropiane”, tha Szyong.

    Të lumtur më vizitën u shprehën nga komuna e Ferizajt. Nënkryetari, Lulzim Aliu derisa ka falënderuar BE-në për ndihmën që po i jep Ferizajit me projekte, tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë tutje.

    “Ka qenë një ditë e mirë, sepse kemi pas mundësinë të bashkëbisedojmë për bashkëpunimin që kemi pas në të kaluarën, dhe kemi arrit tek një investim që është bërë për më shumë se 10 vjet. Sigurisht se ambasadori është i kënaqur me atë që shihet bashkëpunimi, dhe dora e ndihmës që ka dhënë BE-ja për rastet e veçanta në këtë fushën e kulturës…Kështu edhe në bisedën më kryetarin jemi dakorduar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të na ndihmojë edhe në kanalet tjera edhe për idenë që pushteti lokal të ketë ndihma më shumë…Jemi të lumtur për vizitën, sidomos në këtë kohën e fundit kur Kosova është sanksionuar, është shenjë e mirë që bashkëpunimi do të vazhdojë”, tha Aliu. /kp

  • ​Osmani: Garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet

    ​Osmani: Garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, ku ka folur edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet.

    Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

    Sipas një komunikate të Presidencës, gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

    “Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, ministri Guler u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet. Në takim, Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

  • ​Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

    ​Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë sot (e martë) se është përgjegjësi e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

    Në një konferencë për media të mbajtur me rastin e vziitës në Tiranë, Macron tha po ashtu se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

    “Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët [pala kosovare dhe serbe] është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha ai.

  • Haradinaj-Stublla për deklaratën e Macronit: Kushtëzim mbi Kosovën për t’u kthyer në dialog

    Haradinaj-Stublla për deklaratën e Macronit: Kushtëzim mbi Kosovën për t’u kthyer në dialog

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Haradinaj – Stublla tha se konteksti i deklaratës së Macronit është i qartë, kushtëzim absurd e kërcënim joproporcional mbi Kosovën me vizat.

    “Kushtëzim absurd e ‘kërcënim’ joproporcional mbi Kosovën me vizat, për t’u rikthyer në dialog tashmë të dështuar të BE-së pa e mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimin e agresionit të 24 shtatorit! Gjendje alarmante për diplomacinë kosovare”, tha Haradinaj – Stublla.

    Kujtojmë se mediat raportuan fillimisht sot se Macron deklaroi që Franca e ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, por më pas doli se deklarata e presidentit francez ishte gabim në përkthim.

  • Gërvalla reagon pas fjalimit të Macronit për vizat

    Gërvalla reagon pas fjalimit të Macronit për vizat

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, (MPJD), Donika Gërvalla ka reaguar pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron nga Tirana ka kërcënuar Kosovën se do t’i ndalohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen “po që se nuk mbahet fjala e dhënë”.

    Ajo përmes një postimi në Twitter ka shpërndarë flamurin e Francës, teksa ka përdorur shprehjen “Et voila”, që nga gjuha frënge do të thotë “Ja pra”, “Ja tash”.

  • “Asnjë shok nuk m’ka mbetë i gjallë. Edhe unë mund të isha njëjtë” – Trondit me deklaratën Ferki Shala, tregon për pasojat e drogës

    “Asnjë shok nuk m’ka mbetë i gjallë. Edhe unë mund të isha njëjtë” – Trondit me deklaratën Ferki Shala, tregon për pasojat e drogës

    Pjesë e suksesit të pamatshëm të grupit ikonik TNT, ka qenë solisti kryesor i grupit, Ferki Shala.

    Pavarësisht suksesit të tij dhe dashurisë së madhe nga publiku, Shala e braktisi muzikën në një periudhë të errët të jetës së tij.

    Në një intervistë ekskluzive për “LIBERO”, pas shumë vitesh foli për largimin nga muzika dhe fokusimit të tij te feja myslimane.

    “…Isha shumë keq me shëndet dhe vendosa të bëj një pauzë…Nëse do të vazhdoja me tempon e njëjtë të jetës, nuk do të isha gjallë. Asnjë shok nuk më ka mbetë i gjallë…” theksoi ai.

    Vlen ta potencojmë se TNT është rikthyer në skenë jo më me vokalistin e mëparshëm, por me Bekim Hallaqin (Belle) në krye.

    Pavarësisht raportimit nga mediat, Ferki Shala e mohoi se është rikthyer në muzikë në formën e zakonshme si më herët. Ai tha se do të bëj këngë në një formë më jokonvencionale, qoftë këngë pa asnjë instrument muzikor apo edhe ilahi.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ferki Shalës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A është rritur numri i incidenteve në shkolla, Policia e Kosovës flet ekskluzivisht – tregon masat e sigurisë

    A është rritur numri i incidenteve në shkolla, Policia e Kosovës flet ekskluzivisht – tregon masat e sigurisë

    Sipas Policisë së Kosovës në vitin 2022 janë evidentuar 592 incidente në shkolla dhe përreth tyre. Ndërsa, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023 kjo shifër ka qenë 92.

    Për emisionin “LIBERO”, ekskluzivisht kapiten Salih Dragidella nga Policia e Kosovës tregoi shifrën e këtyre incidenteve për vitin 2023 (deri tani).

    “…Në vitin 2023 deri më tani janë 382 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre…”, tha ai.

    Dragidella tregoi edhe për shkaktarët e këtyre rasteve, derisa theksoi kushtet ekonomike dhe moskujdesin e prindërve si dy nga shkaktarët kryesorë.

    Krahas sulmeve në forma të ndryshme dhe dhunës që përdoret në shkolla, disa nga problematikat e tjera me të cilat ballafaqohen nxënësit, konsiderohet se janë edhe përdorimi i drogave dhe bullizmi apo ngacmimet mes nxënësve në forma të ndryshme.

    Sipas rezultateve të planit operativ “Siguria dhe stop drogave në shkolla” të Policisë së Kosovës, përgjatë vitit 2022 ishin 183 raste të evidentuara të drogës në shkolla.

    Vlen ta potencojmë se mirëqenia e nxënësve në secilin aspekt, përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit, janë detyra të Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Madje parashihen edhe me ligj. Në nenin 2, pika 1.31 garantohet “Shërbim pedagogjik në shkollë – shërbimi arsimor dhe aftësues që ofrohet nga këshilltari, pedagogu, psikologu me qëllim të përmirësimit dhe avancimit në shkollë”

    Për të marrë më shumë informacione rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Agon Maliqi: Presion për dialogun, Franca nuk ka fuqi ta pezullojë vendimin e BE-së për vizat

    Agon Maliqi: Presion për dialogun, Franca nuk ka fuqi ta pezullojë vendimin e BE-së për vizat

    Analisti Agon Maliqi ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Maliqi ka thënë se Franca nuk ka fuqi që ta revokojë vendimin e BE-së për vizat.

    Sipas tij, gjëja e vetme që Parisi mund ta bëjë është ta detyrojë një rishikim të tyre, por është diçka për të cilën do të rezistohet.

    Ai ka thënë se presidenti francez ka për qëllim që të rrisë presionin për ta ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Franca nuk ka fuqi të pezullojë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mund të përpiqet të detyrojë një rishikim, por do të rezistohet. Macron e di këtë, kështu që me shumë gjasa ky është qëndrim dhe presion për të ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjë që me shumë gjasa do të dështojë.”

  • Konjufca takon afaristët nga Turqia, flasin për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike

    Konjufca takon afaristët nga Turqia, flasin për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Turqinë, priti sot në takim një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë (ATO), të kryesuar nga presidenti Gursel Baran.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve tona.

    Në komunikatë thuhet se kryetari Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët në lidhje me infrastrukturën ligjore dhe mundësitë për investime në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar në fusha me interes për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Odën Tregtare të Ankarasë dhe shtetin mik të Turqisë. Ai po ashtu inkurajoi investimet e kompanive turke në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.

    Delegacioni turk falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe çmoi angazhimin e tij në nxitjen e marrëdhënieve të ndërsjella tregtare.

    Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i ATO-s, i cili shoqërohej nga nënkryetari, Halil Ibrahim Yilmaz, kryetari i Federatës Shqiptare, Hivzi Krusha, kryetari i Fondacionit Shqiptar për Kërkime Kulturore dhe Edukim i vendeve të Ballkanit dhe deputetë të Ankarasë, shprehën interesimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të bizneseve me qëllim të avancimit të mëtejshëm të interesave të përbashkëta ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

  • Arrestohen tetë persona të dyshuar për vjedhje në Podujevë

    Arrestohen tetë persona të dyshuar për vjedhje në Podujevë

    Policia e Kosovës njofton se mbrëmë hetuesit e stacionit policor të Podujevës, kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar për vjedhje, ndërsa një person tjetër për blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

    Në njoftim thuhet se shtatë personave të dyshuar u është iniciuar rast për vjedhjet që kanë ndodhë në periudha të ndryshme kohore në markete, ku personat e dyshuar (që të gjithë të mitur), në bashkëveprim dyshohet se kanë vjedhur artikuj nga marketi.

    Ndërsa personit të dyshuar, A.R, mashkull 23 vjeç, i janë gjetur dhe sekuestruar gjësendet të cilat dyshohet të jenë të vjedhura.

    “Ndaj tij është iniciuar rast për blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, thuhet në komunikatë.

    Policia në koordinim me prokurorin e shtetit hetuesit po ndërmarrin veprimet e nevojshme policore para se rastet të procedohen më tej.