ATV

Blog

  • Hapet pika kufitare në Jarinje

    Hapet pika kufitare në Jarinje

    Pas tri javësh që kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, është hapur edhe pika tjetër kufitare me Serbinë, ajo e Jarinjes.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Sipas tij, sot rreth orës 8:30 është hapur pika kufitare në Jarinje, ndërsa Policia do të zbatojë kontrolle të shtuara këtu.

    “Të mërkurën në ora 8:30 është hapur për qarkullim pika kufitare në Jarinje që lidhë Kosovën me Serbinë. Policia do të zbatojë kontrolle të shtuara të automjeteve dhe qytetarëve, sipas nevojës, ndërsa deri tani gjithçka është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë problem”, ka thënë nënkoloneli Elshani.

    Ndërsa, pika kufitare në Bërnjak ishte hapur më 9 tetor.

    Mbyllja e vendkalimeve kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut me Serbinë ishin vendosur nga data 24 shtator, pas sulmeve terroriste në Banjskë të Zveçanit.

  • Si të përballemi me bullizmin në vendin e punës? Flet psikologia Mimoza Kamberi

    Si të përballemi me bullizmin në vendin e punës? Flet psikologia Mimoza Kamberi

    Bullizmi, fenomeni që po përhapet çdo vit e më shumë; në familje, në shkollë, në rrugë dhe në vendet e punës mund të shkaktojë pasoja të mëdha në gjendjen emocionale të njeriut.

    Veçanërisht lloji i bullizmit në punë mbetët i ‘pa njohur’ për shumicën e njerëzve.

    Psikologia, Mimoza Kamberi tregon për shenjat e para dhe si ta trajtojmë këtë problem social, derisa thotë bullizmi në vendin e punës mund të shkaktohet nga faktorë si rivaliteti, mungesa e kontrollit mbi emocionet.

    Sjellja bullizuese në vendin e punës mund të përfshijë sjellje si komente të padrejta, dhunë verbal, pasiguri në punë, dhe diskriminim.

    Personi i bullizuar në punë mund të përjetojë depresion, stres, ankth, humbje të vetëbesimit dhe të gjitha këto t’i ndikojnë në jetën personale dhe profesionale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/3_pRpCRFde0?t=5801

  • Bombardimi i spitalit në Gaza, reagon Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen

    Bombardimi i spitalit në Gaza, reagon Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas situatës në Gaza, ku u bombardua një spital.

    Osmani në platformën “X” ka shkruar se jetët e pafajshme duhet të mbrohen.

    “Është shkatërruese të shohësh pasojat në jetë njerëzore me qindra viktima civile pas bombardimit të një spitali në Gaza, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Jetët e pafajshme duhet të mbrohen. Fatkeqësisht, janë civilët ata që vuajnë më shumë në çdo konflikt”, ka shkruar Osmani.

  • Vetëvritet një person në Ferizaj

    Vetëvritet një person në Ferizaj

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pojatë të Ferizajt, ku një person dyshohet të ketë kryer vetëvrasje.

    Viktima, mashkull kosovar, u gjet pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij, mbrëmë rreth orës 20:30.

    Policia njofton se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

    “Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i viktimës dërgohet në IML për obduksion” thuhet në njoftimin e Policisë.

    Rasti është cilësuar si “Vetëvrasje”.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira, derisa në zonat malore pritet të ketë edhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 17 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 5 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 17 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe vranësira. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 24 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/3_pRpCRFde0?t=3856

  • 14 ndeshje sot në Kupën e Shqipërisë

    14 ndeshje sot në Kupën e Shqipërisë

    Kupa e Shqipërisë i rikthehet sot aksionit me plot 14 ndeshje, të vlefshme këto për xhiron e 1/32-ës së kësaj gare.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen me fillim nga ora 13:30, ku interesante pritet të jetë ajo mes Dinamos dhe Iliria Kruja, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ndeshje sot zhvillon edhe Skënderbeu, i cili e pret në shtëpi skuadrën e Delvinas.

    Programin e plotë të ndeshjeve të sotme të Kupës së Shqipërisë e gjeni më poshtë:

     

  • Ministri Murati dhe përfaqësues të ASK-së raportojnë në komisionin për buxhet

    Ministri Murati dhe përfaqësues të ASK-së raportojnë në komisionin për buxhet

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mbajë mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera është paraparë edhe raportimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, si dhe përfaqësuesit e Agjencisë së Statistikave.

    Këta të fundit do të raportojnë lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Mbledhja nis në orën 11:00, në Kuvendin e Kosovës, ku është paraparë edhe votimi i kërkesës së RTK-së për ndarjen e mjeteve për periudhën tetor-dhjetor 2023, vazhdimi i shqyrtimit të raportit vjetor financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2022, por edhe Projektligji për administrimin e procedurave tatimore.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë, vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka bërë të ditur se do të vazhdojnë me dëshminë e dëshmitarit të 29-të.

    Të martën e ka përfunduar dëshminë në seancë të mbyllur dëshmitari i 30-të, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ky dëshmitar është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Para se të përfundojë seancën gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka thënë se sot do të vazhdojnë me dëshminë e dëshmitarit të 29-të.

    Dëshmitari i 29-të i prokurorisë, në seancën e 10 tetorit ishte ftuar nga trupi gjykues që të japë dëshminë e tij e cila edhe ishte ndërprerë disa herë, pasi që ai kishte kërkuar pushim me arsyetimin se nuk ndjehej mirë. Po ashtu, me kërkesën e tij, iu caktua edhe një avokat mbështetës.

    Edhe pse seanca vazhdoj më 11 tetor, avokati mbështetës i dëshmitarit të 29-të kishte deklaruar se klienti i tij nuk ishte i gatshëm të dëshmojë, por ishte i gatshëm të shkojë në burg. Ai kishte kërkuar një muaj kohë në këtë proces, mirëpo kjo gjë u refuzua pjesërisht nga kryetari i trupit.

  • Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz

    Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz

    Ministria e Punëve të Brendshme do të lansojë sot hapjen e fushatës kundër Trafikimit me Njerëz, në ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz.

    Hapjen e kësaj ceremonie do ta bëjë Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenieve Njerëzore.

    Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore

    Kjo ditë shërben për të sjellë në vëmendje të vendimarrësve, shoqërisë civile, agjensive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur mbarë botën. Rreth 27 milionë persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.

    Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi.

    Në të gjithë botën, 23% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë vajza dhe adoleshentë.

    Në Bashkimin Evropian, forma më e zakonshme e trafikimit të raportuar është ajo e shfrytëzimit seksual, një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat që përfaqësojnë 95% të viktimave të regjistruara.

    Sipas raportit të fundit botëror për trafikimin e qenieve njerëzore, shumë vende kanë raportuar një rritje të viktimave të trafikimit në vitet e fundit, si për shkak të përmirësimit të procedurave për identifikimin e viktimave dhe trafikantëve, si dhe për një rritje të mundshme të incidencës.

    Gratë dhe vajzat e përfshira në trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual, pësojnë dhunë dhe abuzim që përfshin edhe privimin e lirisë personale, dhunë ekonomike, fizike dhe seksuale të cilat çojnë në pasoja të rënda dhe ndonjëherë kërcënuese për jetën.

  • ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, homologu kroat Zoran Milanoviq do të zhvillojë një vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri më 18 dhe 19 tetor.

    Gjatë vizitës, Milanoviq do të shoqërohet nga Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq dhe një delegacion zyrtar.

    Takimi zyrtar bilateral do të mbahet të mërkurën e 18 tetorit, pas të cilit do të zhvillohet konferenca për gazetarët. Të enjten e 19 tetorit Presidenti kroat Milanoviq së bashku me presidentin Begaj, do të vizitojnë qytetin e Beratit.

    Agjenda e plotë:

    10:30-10:45 – Ceremonia e mirëseardhjes së Presidentit të Kroacisë. Zoran Milanoviq i shoqëruar nga delagacioni zyrtar dhe Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq.

    10:50-11:10 -Takimi tete-à-tête mes presidentit të Republikës së Shqipërisë. Bajram Begaj dhe presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.

    11:15-12:00 – Takimi dypalësh i delegacioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, i kryesuar nga presidentët Begaj-Milanoviq.

    12:10- 12-40- Deklarata dhe konferenca për shtyp nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj dhe presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.