ATV

Blog

  • ​Gjykata Kushtetuese bullgare do të mbajë takimin e parë të Forumit kushtetues ballkanik

    ​Gjykata Kushtetuese bullgare do të mbajë takimin e parë të Forumit kushtetues ballkanik

    Me iniciativën e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, në tetor do të ngrihet Forumi kushtetues ballkanik si vazhdim i bashkëpunimit të mirë me gjykatat kushtetuese të vendeve fqinje ballkanike.

    Forumi do të jetë një mjet për shkëmbimin e ideve, praktikave të mira dhe përvojës në të drejtën kushtetuese, njoftoi Gjykata Kushtetuese bullgare të martën.

    Takimi i parë vjetor do të zhvillohet në hotelin “Milenium” të Sofjes më 27 tetor me gjyqtarë kushtetues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Rumania, Maqedonia e Veriut, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi.

    Në forumin në Sofje do të marrin pjesë kryetari i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian Koen Lanaerts, Marko Bosnjak, nënkryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Vera Jourova.

    Zëvendëskryeministrja Mariya Gabirel dhe ministri i Drejtësisë Atanas Slavov do t’u drejtohen pjesëmarrësve në forum. /BTA

  • AKP shiti 37 asete në vlerë mbi 1.5 milion euro

    AKP shiti 37 asete në vlerë mbi 1.5 milion euro

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 63 përmes metodës së Likuidimit, shpalli fituesit e përkohshëm për 37 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore në likuidim që ishin në dispozicion për shitje. AKP njofton se vlera e tërësishme e këtyre aseteve ishte mbi 1.5 milion euro.

    Në komunikatë thuhet se dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm.

    “Për 37 asete sa ishin në shitje u pranuan gjithsej 80 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1,515,219 €uro”, thuhet në komunikatë.

    Muharrem Arifi, u.d. zëvendës Drejtor Ekzekutiv – Operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, informoi të pranishmit se deri më tani janë privatizuar 2,913 asete të ndryshme përmes shitjeve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim të Agjencisë.

    Arifi tha se në Fondet e Mirëbesimit deri më tani janë grumbulluar gjithsej 783,632.386 €uro.

    Për sa i përket shpërndarjes së 20 %, ai tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe deri më tani janë shpërndajmë 163,379.229 €uro, kurse numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52,092 ish punëtorë.

  • Zvicra ka emëruar Jürg Sprecher ambasador të ri në Kosovë

    Zvicra ka emëruar Jürg Sprecher ambasador të ri në Kosovë

    Bernë, 18 tetor / Ambasadori i deritanishëm zviceran Thomas Kolly ka përfunduar misionin e tij diplomatik në Kosovë.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës sot ka njoftuar gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch se për ambasador të ri kanë emëruar diplomatin Jürg Sprecher.

    Ditë më parë, ambasadori zviceran në largim, në takimin e fundit përshëndeti kryeministrin Albin Kurti dhe falënderoi kryeministrin për komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt. Ai u shpreh mirënjohës për kohën e tij në Kosovë.

    “Jürg Sprecher, aktualisht shef i misionit në Karakas., është emëruar ambasador fuqiplotë në Republikën e Kosovës, me rezidencë në Prishtinë”. (“Lors de la séance du Conseil fédéral, Jürg Sprecher a été nommé ambassadeur extraordinaire et plénipotentiaire en République du Kosovo”), thuhet në njoftimin e ministrisë së punëve të jashtme zvicerane (DFAE) në Berne të dërguar ATV-së dhe gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, ndërsa vetëm për vitet 2022-2025 ka ndarë afërsisht 86 milionë CHF për Kosovën, veçanërisht në fushat e Qeverisjes Demokratike dhe Paqes, Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Uji dhe Shëndeti.

    Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ambasadori zviceran në Prishtinë, z. Thomas Kolly, tha: “Zvicra sot është investitori i dytë më i madh në Kosovë pasi ka ofruar ndihmë thelbësore për Kosovën që nga viti 1998. Ajo deri më tani ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës.”

    Dy fjalë për ambasadorin e ri në Kosovë, i cili do të nisë misionin në nëntor të këtij viti

    Jürg Sprecher studioi ekonominë politike dhe menaxhimin e biznesit në Bazel dhe Barcelonë. Ka përfunduar studimet e doktoraturës në shkenca politike në Universitetin e Bazelit në Zvicër. Në vitin 2009, ai iu bashkua Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (FDFA) dhe kreu stazhin e tij në Bernë, Gjenevë dhe Tel Aviv.

    Në maj 2010, ai u emërua në Sekretariatin e Përgjithshëm të FDFA si Këshilltar për Çështjet e Këshillit Federal dhe në shkurt 2011 në Divizionin e Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Burimeve, më vonë si Zëvendës Shef Seksioni. Ai u transferua në Madrid në vitin 2014 si zëvendës shef i misionit. Në vitin 2018, ai u kthye në Bernë dhe u dërgua në Departamentin Federal të Çështjeve Ekonomike, Edukimit dhe Kërkimit, ku drejtoi sektorin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Qendrore së shërbimit të Marrëdhënieve Ekonomike Dypalëshe të Sekretariatit të Shtetit për ekonominë SECO. Në shtator 2020, ai mori rolin e shefit të misionit në Ambasadën Zvicerane në Karakas.

    Jürg Sprecher flet gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht.

  • Reagon Myftiu Tërnava për sulmin në Gaza: Të parandalojmë holokaustin e ri

    Reagon Myftiu Tërnava për sulmin në Gaza: Të parandalojmë holokaustin e ri

    ashkësia Islame e Kosovës ka reaguar pas sulmit të së martës në një spital në Gaza, ku mbetën të vdekur rreth 500 persona.

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava është shprehur i tmerruar e i trishtuar pas këtij lajmi.

    “Jam i tmerruar e i trishtuar pas lajmit për bombardimin dhe granatimin e spitalit në Gaza, ku humbën jetën qindra qytetarë të pambrojtur e të pafajshëm, gra, fëmijë, të sëmurë dhe të plagosur,” ka shkruar ai në Facebook.

    Tutje, Tërnava ka dënuar ashpër veprimin, duke e cilësuar krim kundër njerëzimit.

    Ai ka ftuar botën demokratike të ndërmarrë hapa në parandalimin e “një kasaphaneje në Gaza”.

    ”Dënojmë në formën më të ashpër këtë veprim, i cili është krim kundër njerëzimit. Ftoj botën demokratike e qytetëruese, që të ndërmarrë hapa e të veprojë me shpejtësi në parandalimin e një kasaphaneje në Gaza, për të cilën do të jemi përgjegjës që të gjithë,”- është shprehur Tërnava.

    Ai ë bërë thirrje për ndalim të dhunës e parandalim të një holokausti të ri.

  • Kërcënohet deputetja e Kuvendit të Kosovës

    Kërcënohet deputetja e Kuvendit të Kosovës

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, njofton se gjatë ditës sotme (e mërkurë) është kërcënuar dy here.

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar në Facebook se një herë është kërcënuar rrugës duke shkuar në punë dhe herën e dytë në zyrën e saj në Fakultetin e Mjekësisë.

    “Unë sot jam kërcënuar dy herë. Njëherë rrugës duke ardhur në punë dhe e dyta në zyrën time në Fakultet. Le ta kuptoj kushdo që është pas që nuk munden me më kërcënua, shantazhua dhe që vendimet e mija do të jenë gjithmonë në të mirë institucioneve dhe qytetarit”, ka shkruar ajo.

  • ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    FC Prishtina është fituese e Superkupës Kosovë-Diasporë, pasi që e ka mposhtur FC Kastriotin Stukenbrock.

    Në ndeshjen që u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, Prishtina e mposhti 4:0 FC Kastrioti Stukenbrock, raporton KosovaPress.

    Rezistenca e Kastriotit u thye në minutën e 65’, kur Diar Halili shënoi për 1:0, teksa në minutat e fundit Prishtina u shfaq edhe më efikase, duke realizuar edhe tre gola tjerë përmes Albin Krasniqit (minua e 85’), Hasan Hysenit (minuta e 88’) dhe Jalen Miller Blesas (minuta e 90’).

    Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri në këtë ndeshje u dha më shumë hapësirë futbollistëve që kanë pasur minutazhë më të vogël gjatë këtij edicioni në Superligën e Kosovës.

  • Qytetarë të shumtë dhe ish-luftëtarë vizitojnë Gucatin në shtëpi

    Qytetarë të shumtë dhe ish-luftëtarë vizitojnë Gucatin në shtëpi

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati i liruar nga Haga, së bashku me familjen e tij kanë hapur dyert e shtëpisë për mysafirë dhe bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat e Kosovës.

    Diskutimet e tyre të vazhdueshme i kanë për lirimin e luftëtarëve të tjerë të cilët po mbahen në Hagë.

    Gucati sot pritet të bëjë nderime te varrezat e dëshmorëve në Marinë dhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

  • ​Arrestohen dy persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore

    ​Arrestohen dy persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerje të veprës penale trafikim me njerëz, si dhe janë identifikuar dy viktima të trafikimit.

    Më datën 18.10.2023, pas informacioneve të pranuara për dyshimet lidhur me kryerje të veprës penale trafikim me qenie njerëzore, Sektori Qendror i Hetimeve nga DHTQNj, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë, ka zhvilluar hetime intensive, ku janë arrestuar A. K. (1978), shtetas kosovar dhe R. K. (1991), shtetase e Shqipërisë, nën dyshimet se kanë kryer veprën trafikim me njerëz.

    Lidhur me rastin me vendim të prokurorit kompetent, personat e dyshuar dërgohen në mbajtje, ndërsa viktimat e përfshira në rast u janë nënshtruar procedurave për trajtim të viktimave të trafikimit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave

    Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave

    Komisioni Evropian ka paraqitur një pako me propozime për të ruajtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për menaxhimin më efikas të imigrimit ilegal. Në këtë paketë mes tjerash Komisioni Evropian ka propozuar edhe forcimin e mekanizmave të pezullimit të liberalizimit të vizave për ato vende, qytetarët e të cilave mund të hyjnë në BE pa viza.

    Mekanizmat e pezullimit të liberalizimit të vizave tashmë ekzistojnë sipas rregullores së vitit 2018.

    Me propozimin e ri të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave do të mund të pezullohet edhe për shkak të mos përshtatjes së regjimit të vizave të atyre vendeve me regjimin e vizave të BE-së për shtetasit e tretë.

    Komisioni Evropian ka përmendur rajonin e Ballkanit Perëndimor si shembull, i cili dëshmon se një vend mund të bëhet pikë transiti për imigrantët ilegalë drejt BE-së për shkak se mund të hyjnë pa viza në një vend fqinj.

    Burimet e Komisionit Evropian në mënyrë të veçantë kanë përmendur Serbinë, e cila ua kishte hequr vizat shtetasve të vendeve si Kuba, Tunizia, Burundi, dhe disa vendeve të tjera për të hyrë në Serbi. Kjo kishte ndikuar që një numër i shtetasve të këtyre vendeve të hynin në Serbi pa viza e pastaj të kalonin në Bashkimin Evropian.

    Vetëm pas insistimit të Bashkimit Evropian, Serbia kishte nisur të përshtatë regjimin e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Kërkesa për përshtatje me regjimin e vizave të BE-së Komisioni ka pasur edhe për vendet tjera të rajonit të Ballkanit.

    Serbia, në fillim të vitit 2022, ka pasur liberalizim vizash për 22 shtete, të cilat nuk kanë pasur liberalizim për lëvizje në BE. Ky numër tash është zvogëluar në 12, por Komisioni kërkon nga Serbia që të vazhdojë të shënojë përparim në këtë drejtim.

    Më së shumti progres në përshtatjen me politikën e vizave të BE-së ka shënuar Maqedonia e Veriut, ndërsa më shumë progres kërkohet nga Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.

    Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor gëzojnë liberalizimin e vizave nga ana e BE-së. Edhe për Kosovën BE-ja ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave dhe ai do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.

    “Kur këto vende partnere të Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave me atë të BE-së, kjo ka pasur ndikim në zvogëlimin e numrit të imigrantëve ilegalë në BE përmes kësaj rruge”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

    Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar edhe raportin e gjashtë të monitorimit të mekanizmave për pezullimin e liberalizimit të vizave për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Raporti konkludon se të gjitha këto shtete duhet të bëjnë hapa të mëtejmë për t’u përshtatur me politikën e vizave të BE-së dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar aplikimet e pabazuara për azil. Përpjekje shtesë duhet të bëhen edhe për të parandaluar imigrimin ilegal, si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në raportin e KE-së.

    Sipas mekanizmave aktualë për pezullimin e vizave, ky proces mund të niset vetëm në disa raste specifike, si për shembull rritja e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të imigrantëve ilegalë apo rrezikut për sigurinë kombëtare.

    Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:

    1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.

    2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.

    3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.

    4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

    Sipas propozimit të Komisionit Evropian të mërkurën, arsye për pezullimin e liberalizimit të jetë “mospërshtatja e mjaftueshme me regjimin e vizave të BE-së, kërcënimet hibride dhe ekzistimi i dhënies së shtetësisë për investime”.

    Komisionarja e BE-së për çështje të brendshme, Ylva Johanson, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ndalet praktika e shitjes së pasaportave nga vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave.

    “Ka shtete që gëzojnë liberalizimin e vizave e që ua shesin shtetësinë personave të ndryshëm, shpesh me dosje kriminale, me emra të ndryshuar, e pastaj ata mund të hyjnë në BE pa viza”, ka thënë ajo.

    Me këtë ajo ka arsyetuar propozimet që vendet, të cilat do ta shesin në këtë mënyrë shtetësinë e tyre, të përballen me mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave nga ana e BE-së.

    Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, ka thënë se fokus i veçantë në politikën e përbashkët të migrimit duhet të jetë riatdhesimi i suksesshëm i atyre personave, të cilëve u është refuzuar qëndrimi në territorin e Bashkimit Evropian.

    Ai ka theksuar se në këtë pikë shumë shtete të BE-së nuk kanë pasur sukses t’i dëbojnë personat, për të cilët është lëshuar vendimi përkatës i autoriteteve për të lëshuar territorin e BE-së. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që në rrugët e qyteteve evropiane të ketë njerëz me qëndrim ilegal që janë përfshirë në akte të krimit dhe terrorizmit.

    “Edhe kryesi i sulmit terrorist në Bruksel, edhe ai në Francë, kanë qenë duke qëndruar ilegalisht, edhe pse kanë pasur urdhër ta lëshojnë territorin e këtyre vendeve”, ka thënë Schinas.

    Ai ka shtuar se asnjë politikë e menaxhimit të migrimit nuk do të jetë e suksesshme pa pasur sukses në riatdhesimin e personave që nuk mund të qëndrojnë në territorin e BE-së.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë

    Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

    Osmani me këtë rast e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.

    Ndërsa, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.

    Në takim, u konfirmua gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja Osmani e njoftoi ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë, thuhet në njoftimin e Presidencës.