ATV

Blog

  • Kryeministri Kurti jep detaje për takimin me emisarët

    Kryeministri Kurti jep detaje për takimin me emisarët

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe  Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

    Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

    Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.

  • Izraelit i bëhet thirrje të shpallë një armëpushim 48-orësh

    Izraelit i bëhet thirrje të shpallë një armëpushim 48-orësh

    Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib po i kërkon Izraelit të shpallë një armëpushim 48-orësh, duke i thënë CNN se “atëherë do të dimë saktësisht se kush po fillon çfarë”.

    Në një intervistë për CNN, Habib tha se vendi i tij është shumë i shqetësuar se lufta mund të përhapet në rajon. “Në të vërtetë ne nuk duam luftë. Qeveria nuk dëshiron luftë. Ne po dialogojmë me grupe të ndryshme. Por është e pakontrollueshme sepse gjithçka varet nga ajo që ndodhi në Gaza,” tha Bou Habib.

    Ndërsa Izraeli përgatitet për fazën tjetër të luftës me Hamasin në Gaza, grupi i mbështetur nga Irani Hezbollah ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përtej kufirit në Izraelin verior dhe Libanin jugor.

    Më herët të premten, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Peter Lerner tha për CNN se: “Qeveria e Libanit, çdo gjë që ndodh nga territori i tyre sovran, ata janë përgjegjës dhe do të mbahen përgjegjës për këtë. Një shtet sovran ka kontroll mbi kufijtë e tij. Ata kanë përgjegjësinë të sigurohen që terroristët si Hezbollahu, një ushtri terroriste, të mos ndërmarrin sulme kundër Izraelit.”

    “Le të bëjmë thirrje për një armëpushim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Në vend që të kërcënojmë,” tha Habib.

    I pyetur nëse qeveria e tij ka kontroll mbi Hezbollahun, ministri i Jashtëm libanez tha se: “Njerëzit janë të ndërlidhur këtu, politikisht dhe madje edhe nga gjaku. Pra, ne nuk mund t’i ndalojmë ata të hakmerren nëse vërtet situata në Gaza do të përkeqësohet më keq se sa është tani”.

    “Ata (Hezbollahu) nuk duan një luftë. Por dua të them, ju nuk mund ta kontrolloni atë. Gjithçka varet, përsëri, nga ajo që ndodh në Gaza, nga pushtimi i Izraelit në Gaza,” shtoi ai.

  • Naim Tërnava rikonfirmohet në postin e Myftiut për të pestën herë me radhë

    Naim Tërnava rikonfirmohet në postin e Myftiut për të pestën herë me radhë

    Trupi zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës, në një mbledhje të veçantë, ka rizgjedhur në krye të këtij institucioni fetar edhe për një mandat pesë vjeçar, myftiun Naim Tërrnava.

    Kryetarë e Këshillave dhe drejtuesit e institucioneve të Bashkësisë Islame në gjithë Kosovën, në mënyrë unanime votuan për zgjedhjen e Tërrnavës.

    Si kandidat i vetëm në këtë garë, Naim Tërrnava do të jetë në krye të BIK-ut deri në vitin 2028.

    Kjo është hera e pestë që Tërrnava rimerrë drejtimin e BIK-ut.

  • ShSKUK: Në kohë rekorde po bëhet diagnostikimi i meningjitit, më parë duhej deri në 5 ditë për të marr rezultatet

    ShSKUK: Në kohë rekorde po bëhet diagnostikimi i meningjitit, më parë duhej deri në 5 ditë për të marr rezultatet

    Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në kohë rekorde për dallim nga vitet e kaluara, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po bëhet diagnostikimi i meningjitit.

    SHSKUK thekson se kjo u bë e mundur falë rritjes së kapaciteteve diagnostike moderne, ku tashmë rezultatet për pacientët kryhen brenda ditës.

    “Më parë duhej kohe deri në 5 ditë, që të marrin rezultatet dhe të kuptonin shkaktarët e meningjiteve.

    Diagnostikimi i shpejtë parandalon përdorimin e antibiotikëve të spektrit të gjerë, duke ruajtur kështu shëndetin e pacientit, duke racionalizuar përdorimin e antibiotikëve”, thuhet në njoftim.

    Trajtimin i meningjiteve është kompleks dhe kërkon trajtim multi-diciplinare.

    Sipas njoftimit, tashmë, pacientëve të dyshuar për meningjit u bëhet në kohë të shpejtë edhe ekzaminimet imazherike, si CT, MRI, ultrasonografia transfontaleare.

  • Lajçak pyetet për akuzat e Kurtit se po i mban anën Serbisë, reagon Këshilltari i Kancelarit Scholz

    Lajçak pyetet për akuzat e Kurtit se po i mban anën Serbisë, reagon Këshilltari i Kancelarit Scholz

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, në konferencën për medie pas takimit që kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti, është pyetur për akuzat e këtij të fundit ndaj tij se po anon kah Serbia.

    Miroslav Lajcak është përgjigjur duke thënë se është në anën e Bashkimit Evropian dhe ka shtuar se në takime të tilla fokusohen në substancë.

    “Unë jam në anën e BE-së dhe jemi të fokusuar në substancë në këto takime”, ka thënë Lajçak, raporton EO.

    Ndërkohë që derisa Lajçak ka folur, ka ndërhyrë këshilltari i kancelarit Scholz, Jens Plotner, duke bërë me dorë nga radha e emisarëve, duke nënkuptuar se Lajçak është bashkë me ta në Prishtinë.

  • Rama: Po vazhdojnë punimet në zgjatjen e rrugës “B”, do të lirojë dukshëm qarkullimin dhe do të lidhet me rrugën “A”

    Rama: Po vazhdojnë punimet në zgjatjen e rrugës “B”, do të lirojë dukshëm qarkullimin dhe do të lidhet me rrugën “A”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po vazhdojnë punimet në zgjatjen e rrugës “B”, e cila do të lirojë dukshëm qarkullimin e veturave në këtë pjesë dhe do të lidhet me rrugën “A”.

    Sipas Ramës, kështu edhe do të largohet kundërmimi i ujërave të zeza.

    “Po vazhdojnë punimet në zgjatjen e rrugës “B”, e cila do të lirojë dukshëm qarkullimin e veturave në këtë pjesë dhe do të lidhet me rrugën “A”.

    Në këtë pjesë të lagjes “Prishtina e re” dhe do të largohet kundërmimi i ujërave të zeza”, ka shkruar Rama.

  • Lajçak pas takimit me Kurtin: Asociacioni të formohet pa vonesa, Kosova s’do të ketë progres drejt BE-së

    Lajçak pas takimit me Kurtin: Asociacioni të formohet pa vonesa, Kosova s’do të ketë progres drejt BE-së

    Përfaqësuesi special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurit tha se Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa vonesa, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka konfirmuar se në Kosovë kanë ardhur me një plan dhe se të njëjtin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti.

    “Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tash ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën evropiane. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona shpejt. Do të vazhdojmë në Beograd ku do të takojmë presidentin Vuçiq”.

    Lajçak ka thënë se ai plan do të diskutohet edhe në Serbi me Aleksander Vucicin, derisa ka thënë se s’mund të lëshohet më shumë në detaje.

    Emisari sllovak ka thënë se dialogu s’ka alternativë dhe ka potencuar se sulmi në Banjskë ka ndryshuar shumë gjërat.

    “Ne gjithmonë kemi plan, patëm një plan, e diskutuam planin tonë me z. Kurti. Do ta diskutojmë edhe me z. Vuçiq. Nuk do të lëshohem më shumë në detaje. Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”,

  • Haradinaj: Qeveria po i mban peng pagat e policëve për vota

    Haradinaj: Qeveria po i mban peng pagat e policëve për vota

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideron gabim të madh qëndrimin e pozitës ndaj rezolutës për Policinë e Kosovës, si dhe mosdekretimin e kryeprokurorit, Blerim Isufaj nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai e vlerësoi si të nevojshëm votimin e një komisioni për hetim ndërkombëtar lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, e quan sjellje të ulët veprimin e qeverisë aktuale sa i përket ndërmarrjes së veprimeve në raport me Policinë e Kosovës, derisa tha se rritja e pagës së tyre po mbahet peng deri në zgjedhje, ‘vetëm sa për t’i siguruar votat’.

    Në seancën e jashtëzakonshme të 19 tetorit, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim projektrezolutën që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi nuk ishin prezent deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Sjellja e tyre gabim, është vështirësuar jeta, janë rritur çmimet, ju e dini energjia është rritur dy herë. Çmimet e tjera të jetës janë shtrenjtuar dhe nuk janë rritur pagat. Policët po kanë ngarkesë të madhe, kishin ngarkesë në kohën e pandemisë, pastaj me zhvillimet në veri me orare të gjata. Shumë gabim është mospërkrahja e policisë. Është, po ashtu e ulët të mbahet kështu peng deri pak para zgjedhjeve, që t’ua rrisin para zgjedhjeve sa me iu marrë votat. Rriti tash dhe do t’ua japin votën, pse të presin fundin e mandatit. 01:57 Duhet të dyfishohen pagat në Kosovë. Kanë ndodhur shumë zhvillime në ekonomi, në trendet globale. Janë rritur edhe interesat ose kamata për kredi. Veç para një viti kur ke marrur kredi, kamatat kanë qenë 3-4 për qind, sot i ke 8-9 për qind. Edhe kjo është një lloj vështirësie e jetës, duhet të rriten pagat të policisë dhe të sektorëve të tjerë në Kosovë”, potencoi Haradinaj.

    Lidhur me mosdekretimin e kryeprokurorit, Blerim Isufaj, i pari i AAK-së, derisa citoi fjalët e kryministrit Kurti “Të gjithë do të bashkohen’, tha se është gabim ndërhyrja në gjyqësor.

    “Është gabim, është ndërhyrje në përgjithësi të gjyqësorit, nuk do të kishte qenë ndoshta aq tragjike qëndrimi i presidentes Osmani, mos të kishim qenë dëshmitar të sulmeve politike që kanë ardhur nga kryeministri në vazhdimësi ndaj kandidatit për kryeprokuror. Dhe u konfirmua se askush nuk do të bëj qëndrimin e njëjtë por ‘Të gjithë do të bashkohen’ siç thotë Albini, që është shumë keq besoj për ndarjen e pushtetit për gjyqësorin. Por, edhe për politikën është keq”, tha Haradinaj.

    Haradinaj e quan të mirëseardhur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian, ku u dënua ashpër sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ai tha se shpreson që Parlamenti Evropian, do ta votojë edhe një komision për hetim ndërkombëtar për aktin agresor që ka ndodhur në Banjskë.

    “E mirëseardhur është, vërtetë e nevojshme, shpresoj që në Parlament Evropian, do ta votojnë edhe një komision për hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist që ka ndodhur në Kosovë, sulmin në Banjskë. Është një sulm terrorist, formacioni ishte terrorist, Serbia e ka përkrahur apo sponsor i terrorizmit, duhet një hetim ndërkombëtar”, tha Haradinaj.

    Këtë të enjte, me miratimin e rezolutës nga PE-ja, eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësuan atë “të rrezikshme.” Në këtë rezolutë theksohet se autorëtë e sulmit terrorist janë “paraushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

    Ndërkaq, rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit, ta dënojnë atë.

  • Hoti: Raporti i ministrit Murati vërteton që s’janë paguar dëmet e vërshimeve as në 2022 as në 2023

    Hoti: Raporti i ministrit Murati vërteton që s’janë paguar dëmet e vërshimeve as në 2022 as në 2023

    Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sipas raportimit të Ministrit të Financave, është vërtetuar se asnjë cent s’është paguar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet më 27 janar të këtij viti.

    Hoti ka thënë se s’janë paguar as dëmet e vitit 2022.

    Deputeti i LDK-së ka thënë se Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2023 ka ratifikuar marrëveshjen me Bankën Botërore ku një pjesë e mjeteve janë paraparë për kompensim të dëmeve.

    Reagimi i plotë:

    Në raportimin e Ministrit të Financave, u vërtetua se asnjë cent nuk është paguar për dëmet nga vërshimet e ndodhura më 27 janar 2023, dëme në vlerë prej 23.5 mil euro, ku janë dëmtuar 1,253 familje/shtëpi, 214 biznese dhe 582 ekonomi bujqësore.

    Nuk janë paguar as dëmet e vitit 2022, në shumë prej 7.2 mil euro.

    Për dijeni, Kuvendi i Kosovës në mars 2023 e ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, ku një pjesë e mjeteve janë paraparë për kompenzim të dëmeve.

  • Ismet Munishi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit të Ferizajt

    Ismet Munishi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit të Ferizajt

    Ismet Munishi nuk do të jetë më trajner i skuadrës së Ferizajt.

    Përkundër se ferizajasit janë një nga klubet më të organizuara në Kosovë, rezultatet nuk kanë qenë ato që janë pritur në këtë fillim edicioni në Ligën e Parë.

    Pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, ferizajasit zënë vendin e katërt në tabelë me 14 pikë, shtatë më pak se lideri Ulpiana që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Kjo ka bërë që trajneri i deritanishëm i tyre, Ismet Munishi të jap dorëheqje pas humbjes 2-1 nga Vjosa e Shtimës të premten.

    Munishi ka ofruar dorëheqjen e cila është pranuar nga drejtuesit e klubit.

    Aventura e trajnerit prishtinas në krye të skuadrës zgjati vetëm pesë muaj, ku ai mori katër fitore, dy barazime dhe tre disfata.

    Ferizaj tani do të nis negociatat me disa trajnerë, pasi qëllimi i klubit është rikthimit në elitën e futbollit kosovar nga pozita e parë në tabelë.