ATV

Blog

  • Ekskluzive: Sekretari i përgjithshëm FVK-së e zbulon super mysafirin nga Italia që vjen në Prishtinë

    Ekskluzive: Sekretari i përgjithshëm FVK-së e zbulon super mysafirin nga Italia që vjen në Prishtinë

    Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës Valon Nikqi, ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Në këtë emision Nikqi e ka zbuluar që në muajin nëntor Kosovën do ta vizitojë edhe i pari i Federatës së Volejbollit të Italisë.

    Për më shumë ndiqeni emisionin më poshtë.

  • Lumi: Ka përfunduar koha kur trajnerët kosovar janë emëruar me telefonata

    Lumi: Ka përfunduar koha kur trajnerët kosovar janë emëruar me telefonata

    Gazetari Alban Lumi ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    I pyetur për angazhimin e gjashtë trajnerëve të huaj në Superligën e Kosovës, Lumi ka deklaruar që ka kaluar koha kur trajnerët kosovar janë emëruar me telefonata.

    Për më shumë ndiqeni emisionin më poshtë.

  • ​Heliumi po rrjedh nga bërthama e Tokës, thonë shkencëtarët

    ​Heliumi po rrjedh nga bërthama e Tokës, thonë shkencëtarët

    Shkencëtarët kanë zbuluar një sasi befasuese të një forme të rrallë helium (helium-3) në shkëmbinjtë vullkanikë në ishullin Baffin të Kanadasë, duke mbështetur teorinë se ky gaz ka rrjedhur nga bërthama e Tokës për mijëra vjet.

    Ekspertët gjetën gjithashtu helium-4 në shkëmbinj. Ndërsa helium-4 është i zakonshëm në Tokë, helium-3 është shumë më i zakonshëm diku tjetër në univers. Prandaj, shkencëtarët u habitën kur zbuluan një sasi relativisht të konsiderueshme të këtij gazi në shkëmbinjtë në ishullin Baffin.

    “Helium-3 është i rrallë në Tokë pasi nuk u formua në sasi të mëdha dhe humbi në hapësirë. Ndërsa pjesa shkëmbore e Tokës përzihet, materiali ngrihet, ftohet dhe fundoset. Gjatë fazës së ftohjes, heliumi humbet në atmosferë dhe pastaj në hapësirë”, shpjegoi gjeologu Forrest Horton nga Instituti Oqeanografik Woods Hole në SHBA, raporton CNN.

    Si përfundoi helium-3 në shkëmbinj?

    Gjithçka filloi shumë kohë më parë, në kohën e Shpërthimit të Madh, i cili lëshoi një bollëk hidrogjeni dhe heliumi gjatë krijimit të universit. Me kalimin e kohës, këta elementë morën pjesë në formimin e galaktikave.

    Shkencëtarët besojnë se sistemi ynë diellor u formua 4.5 miliardë vjet më parë nga mjegullnaja diellore. Pasi reja e pluhurit u shemb në një supernova, materiali që rezulton formoi një disk rrotullues që përfundimisht krijoi Diellin dhe planetët tanë.

    Heliumi nga mjegullnaja diellore ndoshta u bllokua në bërthamën e Tokës gjatë formimit të planetit. Ndërsa helium-3 rrjedh nga bërthama, ai arriti në sipërfaqe përmes mantelit në formën e magmës që përfundimisht shpërtheu në ishullin Baffin.

    “Gjatë shpërthimit, shumica e gazrave nga magma u larguan në atmosferë, me kristalet e olivinës që kapnin dhe ruanin heliumin që mbërriti nga brendësia e Tokës”, tha Horton.

    Hulumtimet e reja mbështesin idenë se helium-3 ka rrjedhur nga bërthama e Tokës për disa kohë, megjithëse shkencëtarët nuk janë plotësisht të sigurt se kur filloi procesi.

    “Llava janë rreth 60 milionë vjeçare, dhe ngjitja nga manteli zgjati ndoshta dhjetëra miliona vjet. Pra, heliumi që matëm në këta shkëmbinj ndoshta ka ikur nga bërthama rreth 100 milionë vjet më parë ose ndoshta shumë më herët”, thotë Horton.

    Rrjedhja e heliumit nga bërthama e Tokës nuk ndikon në planetin tonë ose nuk ka ndonjë implikim negativ; nuk reagon kimikisht me materien, andaj nuk ka asnjë efekt mbi njerëzimin apo mjedisin. Hulumtimi mbi zbulimin u botua në revistën “Nature”.

  • Moti në pesë ditët e ardhshme në Kosovë

    Moti në pesë ditët e ardhshme në Kosovë

    Prishtina Weather ka njoftuar se në ditët e fundit të tetorit do të jetë mot kryesisht me diell dhe më ngrohtë, ndërsa nëntori fillon me periudha me shi dhe ulje temperaturash.

    Moti për pesë ditët në vijim:

    29.10.2023 – Mot stabil, kryesisht me diell dhe i ngrohtë mbetet edhe në dy ditët e fundit të tetorit, megjithëse të martën, ditën vransirat pritet të shtohen e krejt në mbrëmje parashihen edhe të reshura shiu. Orëve të mëngjesit nëpër ultësira formohen kushte edhe për mjegull.

    Nëntori fillon me mot të ndryshueshëm, e mundësi për të reshura shiu, që shprehen më shumë të enjten orëve të mëngjesit por edhe të premtën mbrëma. Patjetër që nuk do të mungojnë edhe intervale me diell.

    Temperaturat maksimale fillimisht mbeten të rritura deri në 22C e 23C, e nga dita e mërkurë zbresin në 17C e 18C. Minimalet të hënën mjaft të ulëta, 5C e më pas luhaten ndërmjet 7C e 10C.

    Indeksi i cilësisë së ajrit kryesisht do jetë në vlera të pranueshme, por herë pas here do të ketë rritje të ndotësve ajror që çojnë vlerat e çastit edhe të dobëta.

    30.10 – Pas mëngjesit të ftohtë, me mundësi edhe për mjegull në ultësira, ditën do të mbajë mot i kthjellët dhe më i ngrohtë.

    31.10 – Intervale me diell paradite. Vransirat shtohen gjatë ditës, e më vonë në mbrëmje, priten mundësi për reshje lokale shiu të shoqëruara edhe me ndonjë bubullimë.

    1.11 – Vransira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Kohëpaskohe mundësi për riga lokale shiu

    2.11 – Të reshura shiu orëve të mëngjesit, e gjatë ditës intervale me diell.

    3.11 – Vransira e erë, me intervale me diell. Gjatë mbrëmjes priten të reshura shiu.

    Era frynë kryesisht nga krahu jugor, e lehtë dhe mesatare 3-9m/s, të premten nga juglindja me hove deri në 15m/s.

    Shtypja atmosferike fillimisht e rritur, më pas në pjesën e dytë të javës zbret edhe thellën nën normale.

  • Zgjerohet AAK-ja në Gjermani, dhjetëra anëtarësime dhe degë të reja

    Zgjerohet AAK-ja në Gjermani, dhjetëra anëtarësime dhe degë të reja

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për Gjermani, Ukë Blakaj, ka thënë se Aleanca po rritet dhe zgjerohet si asnjëherë më parë.

    Blakaj ka bërë të ditur se AAK-së i janë bashkuar dje një numër i madh i bashkatdhetarëve, si dhe janë formuar këshillat inicuese edhe për dy degë të reja.

    “Dhjetëra bashkatdhetarë u anëtarësuan në AAK gjatë takimit madhështor në Baden Württemberg, si dhe u formuan këshillet iniciuese për formimin edhe të dy degëve të reja”.

    “Në këtë takim morën pjesë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekë Berisha, kryetari i AAK-së për Baden Württemberg, Hamëz Agaj, kryetari i AAK-së për Bavari, Selim Hoti, si dhe anëtarë dhe simpatizantë të shumtë të AAK-së.

    Gjatë fjalimit theksova se AAK-ja falë angazhimit të shumë aktivistëve është rritur dhe fuqizuar edhe në Gjermani, si asnjëherë tjetër”, ka thënë Blakaj.

    Blakaj ka shtuar se Aleancës po i bashkohen njerëz të dëshmuar në Gjermani në të gjitha fushat.

    “Po ashtu, theksova se është shumë e rëndësishme se AAK-së po iu bashkohen njerëz punëtorë, familjarë të mirë, të dëshmuar për atdhetarizëm dhe të sukseshëm në jetë dhe në punë, të ri të arsimuar, si dhe biznesmenë të sukseshëm”

    “Ndër të tjera, nga bashkatdhetarët kërkova që të bashkohemi, të afrohemi sa më shumë me njeri- tjetrin, ta ndajmë të mirën e të keqen së bashku, që të jetojmë si në një familje në familjen e madhe të AAK-së”, është shprehur Blakaj.

  • Kearns i bën thirrje BE-së që t’i largon masat ndaj Kosovës

    Kearns i bën thirrje BE-së që t’i largon masat ndaj Kosovës

    Deputetja britanike, Alicia Kears, i ka bërë thirrje edhe njëherë tjetër Bashkimit Evropian që t’i largon masat ndaj Kosovës.

    Kearns ka reaguar ndaj deklaratave që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “TV Prva” të dielën.

    “Edhe një herë Kosova punon me komunitetin ndërkombëtar, përkundër një sulmi terrorist të orkestruar nga Beogradi. Edhe një herë Vuçiq refuzon. Hiqni sanksionet ndaj Kosovës, tani Josep Borrell dhe Von der Leyen”, shkroi Kearns në platformën X.

  • Çeku: Ende asnjë përgjigje për vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

    Çeku: Ende asnjë përgjigje për vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

    Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. Kështu thotë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa potencon se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren. Ai shton se do të vazhdojnë të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

    Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit, me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën dy policë.

    Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, ministri Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

    Ministri Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

    Përveç kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku potencoi se është bërë një vlerësim preliminar i dëmit që i është shkaktuar trashëgimisë kulturore gjatë viteve 98-99’ nga forcat serbe. Ai thotë se i MKRS-ja, i ka shifrat e para që tregojnë se sa monumente e vepra arti janë dëmtuar.

    Çeku shtoi se raporti do të mbetet konfidencial deri në një afat të pacaktuar, meqë sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm me të cilin do të ballafaqohet Serbia. Ai thotë se përmes këtij raporti, do të kërkohet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës së fundit.

    Ndryshe, kanë kaluar dy dekada prej përfundimit të luftës në Kosovë, por Serbia vazhdon t’i mbajë mbi një mijë artefakte arkeologjike të cilat vendin e kanë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

    Deri më tani, nga thesari i artefakteve Kosovës i është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.

    Për kthimin e këtij eksponati, në maj të vitit 2002, ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner. /kp

  • Aleati i Putinit: Moska do të konfiskojë asetet e BE-së nëse Brukseli i vjedh fondet ruse

    Aleati i Putinit: Moska do të konfiskojë asetet e BE-së nëse Brukseli i vjedh fondet ruse

    Rusia do të konfiskojë asetet që i përkasin shteteve të Bashkimit Evropian të cilësuara si jomiqësore, nëse blloku “vjedh” fondet e ngrira ruse me synim që të financojë Ukrainën, tha një aleat kyç i presidentit rus, Vladimir Putin.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të premten se institucioni që ajo drejton po punon mbi një propozim që të merren disa nga përfitimet që rrjedhin nga asetet e ngrira shtetërore ruse për të ndihmuar Ukrainën në rindërtimin kur të përfundojë lufta.

    Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës shtetërore, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, tha se Moska do të kundërpërgjigjej në një mënyrë që do të ishte më e kushtueshme për bllokun nëse BE-ja ndërmerr veprime ndaj aseteve ruse, shumica prej të cilave mbahen në Belgjikë.

    “Një numër i politikanëve evropianë, të udhëhequr nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, edhe një herë kanë nisur që të flasin për vjedhjen e fondeve e ngrira shtetërore ruse në mënyrë që të vazhdojnë militarizimin e Kievit”, tha Volodin, aleati i ngushtë i Putinit.

    “Një vendim i tillë do të kërkonte një përgjigje simetrike nga Federata Ruse. Në atë rast, shumë më shumë asete që u përkasin shteve jomiqësore do të konfiskoheshin”, tha ai përmes një postimi në Telegram.

    Von der Leyen tha të premten se vlera e aseteve ruse ishte 211 miliardë euro dhe rikujtoi se blloku ka vendosur që Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës.

    Volodin tha se politikanët evropianë po e shqyrtojnë këtë lëvizje “në përpjekje për të mbajtur vendet e tyre të punës dhe për shkak të situatës së dobët financiare që kanë çuar shtetet e tyre”.

    Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /rel/

  • Arma e fortë kundër ankthit

    Arma e fortë kundër ankthit

    Lulet e blirit që prej lashtësisë njiheshin si lulet ku fshihen rrezet e diellit. Gjethet e kësaj peme lulëzojnë prej fillimit të pranverës e deri në vjeshtë. Rritet në pyje, shkurre dhe sidomos në zonat e dushkut dhe të ahut.

    Vjelja kryhet në qershor-korrik kur ka çelur të paktën 2/3 e gonxheve.

    Blirit i përdoren lulet së bashku me gjethet. Lulet mblidhen së bashku me gjethet në fillim të lulëzimit, gjatë kohës me diell.

    Cilat janë vlerat e lules së blirit?

    Lufton ankthin

    Një nga përdorimet më të gjera të çajit të lules së blirit është kundër ankthit. Ky çaj ka aftësi qetësuese kundër stresit mendor. Nëse vuani nga luhatjet e humorit ose stresi kronik, një filxhan me çaj bliri është zgjidhja më e zgjuar që mund të bëni për të përmirësuar shëndetin mendor. Çaji i blirit ka ndikim minimal në nivelet hormonale por i jep trurit dhe trupit shplodhjen e merituar.

    Neutralizon radikalet e lira

    Antioksidantët që gjenden tek bliri shërbejnë si luftëtarë kundër radikaleve të lira, duke i larguar ato dhe përmirësuar shëndetin tonë të përgjithshëm. E gjithë kjo parandalon sëmundjet kronike. Antioksidantët janë shumë efikasë në mbrojtjen e lëkurës kundër shenjave të plakjes dhe ekspozimit në diell.

    Largojnë helmet nga trupi

    Përbërësit dhe acidet që gjenden tek bliri çlirohen menjëherë në çaj duke nxitur djersitjen. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të larguar toksinat nga trupi, së bashku me kripërat e tepërta, yndyrnat, ujin dhe substancat e huaja. Këto cilësi e bëjnë blirin shumë të çmuar në rastet e sëmundjeve me temperaturë të lartë, sepse djersitja e ul atë më shpejt dhe në të njëjtën kohë parandalon dëmtimet në organe.

    Lufton të ftohtin dhe gripin

    Përveç stimulimit të djersitjes dhe uljes së temperaturës, lulja e blirit jep një kontribut të veçantë në luftimin e simptomave të të ftohtit, gripin, inflamacionit në gojë dhe traktin respirator. Çaji i lules së blirit të ndihmon edhe me kollën dhe fytin e trazuar, duke u kthyer kështu një kërcënim i vërtetë për këto simptoma dhe duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.

    Lufton inflamacionin

    Ata që vuajnë nga dhimbjet e kokës, të shkaktuara nga tensioni dhe simptoma të tjera të inflamacionit duhet të konsumojnë çaj bliri dhe të eleminojnë dhimbjet nga artriti apo simptoma të tjera. Në të njëjtën mënyrë që largon inflamacionin nga trakti respirator, ashtu ul tensionin e gjakut dhe largon inflamacionin nga enët e gjakut duke parandaluar një sërë problemesh përfshirë dhimbjet e kokës.

    Përmirëson tretjen

    Nëse keni stomak të lënduar, fryrje, vuani nga konstipacioni, apo shtrëngimet atëherë mos i kurseni vetes një filxhan me çaj bliri sepse do të ndiheni mirë menjëherë. Përbërësit biologjikë të lules së blirit do të shuajnë shqetësimet gastrointenstinale dhe stimulojnë një tretje më të mirë të ushqimit.

    Kujdes

    Disa njerëz kanë tendencën të jenë alergjikë ndaj këtyre luleve. Ndaj, EO ju këshillon që të flisni me mjekun përpara se të shtoni çajin e lules së blirit në listën e pijeve tuaja ditore. Gjithashtu ju kujtojmë që doza maksimale e këtij çaji është maksimumi tre filxhanë në ditë. Nga ana tjetër, gratë shtatzëna, ato lehonë, ose ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës nuk duhet të konsumojnë çaj bliri sepse përbërësit e lules mund të ndërveprojnë negativisht me një sërë medikamentesh.

  • Von der Leyen nesër vjen në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Von der Leyen nesër vjen në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të nisë një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

    Në këto takime pritet të diskutohet për bashkëpunimin dypalësh dhe do t’i prezantohet më në detaje udhëheqësve rajonalë Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

    Von der Leyen nesër do të mbërrijë në Prishtinë, ku do të zhvilloj takime me kryeministrin dhe presidenten.

    “Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, pasdite Von der Leyen do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.

    Presidentja e KE-së thuhet se do të mbajë konferenca për shtyp gjatë të gjitha vizitave të saj dhe ato do të transmetohen në EbS .