ATV

Blog

  • Von der Leyen mbërrin në Beograd

    Von der Leyen mbërrin në Beograd

    Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po qëndron për vizitë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Vuçiq dhe Von der Leyen fillimisht do të kenë një bisedë kokë më kokë në Pallatin e Serbisë me presidentin serb dhe më pas do të ketë një takim me anëtarët e dy delegacioneve. Vuçiq tha mbrëmë se gjatë gjithë ditës do të ketë diskutime me Presidenten e Komisionit Evropian për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë.

  • ​Izraeli akuzon Hamasin se fshihet pas palestinezëve

    ​Izraeli akuzon Hamasin se fshihet pas palestinezëve

    Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Peter Lerner, tha për ‘BBC Breakfast’ se “Hamasi fshihet pas palestinezëve”.

    Lerner thotë se është “një tragjedi njerëzore në të dy anët. Kjo është një nga arsyet pse Hamasi duhet të largohet. Të gjithë po vuajnë nga kjo organizatë”, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Ai akuzon Hamasin për vendosjen e “të gjitha aftësive të tyre në arenën civile”, duke përfshirë “dronë shpërthyes në çatitë e shtëpive” dhe “hedhjen e raketave nga jashtë objekteve të OKB-së”.

    Ai gjithashtu thotë se më shumë se 7,000 raketa janë hedhur nga Gaza në Izrael që nga data 7 tetor.

    Më parë, Lerner tha se Hamasi po përdorte spitalet në Gaza si “pozicione komanduese, terrene për skenë dhe mburoja njerëzore”.

  • Osmani ndan 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer: Përkrahja e institucioneve s’do të mungojë

    Osmani ndan 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer: Përkrahja e institucioneve s’do të mungojë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka vizituar Klinikën e Onkologjisë me ç’rast ka ndarë 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Osmani falënderoi stafin e kësaj klinike për punën e tyre. Për derisa garantoi se përkrahja institucionale nuk do të mungojë. E para e shtetit shtoi se me investimet e bëra në këtë Klinikë janë përmirësuar dukshëm shërbimet.

    “Ne jemi sot këtu për t’i dorëzuar 400 pako onkologjike në fund të muajit, i cili njihet si Muaji Rozë për të nderuar ato që fatkeqësisht për t’i nderuar ato që e kanë humbur jetën, por edhe për t’u dhënë mbështetje dhe atyre që po përballen me këtë sëmundje”.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë stafin në krye me Dr.Ilirin që po bëjnë një punë të mirë dhe fatmirësisht po bëhen investime dhe po rritet numri i barnave që mbulohet nga institucionet tona, natyrisht ka ende nevojë që të investohen edhe më tutje. Tani me investimet që janë bërë, janë eliminuar shumë pengesa si me aparatura por edhe me shtretër. Diskutuam edhe për kërkesat e tjera të cilat urgjentisht do të trajtohen nga institucionet dhe si presidente do t’i mbështesë maksimalisht”, u shpreh Osmani.

    E drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, e falënderoi Osmanin për përkrahjen e vazhdueshme, duke shtuar se si Klinikë po bëjnë punë të jashtëzakonshëm në ndihmë të të gjithë pacientëve të prekur me kancer, raporton EO.

    “Falënderoj presidenten Osmani për këtë ndihmë edhe pse duket simbolike, ka impakt edhe në aspektin psikologjik por edhe atë fizik të pacientëve. Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje”.

    “Vetë fakti se sot është dita e fundit kur përmbyllet muaji rozë, në Kosovë është bërë shumë që të ngritet vetëdija dhe kjo ka kulmuar që ne sot të gjejmë në Kosovë femra të sëmura me kancer të gjirit në faza të hershme”.

  • Haradinaj: Urgjente anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanton paqe e siguri në rajon

    Haradinaj: Urgjente anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanton paqe e siguri në rajon

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar sot kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilmi Berisha.

    Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Amerikë janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit.

    “Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon.

    “Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Ilmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”, është shprehur pas takimit Haradinaj.

  • Ministrja Rizvanolli mungon në Komisionin e Ekonomisë, por përplasja në mes deputetëve vazhdon

    Ministrja Rizvanolli mungon në Komisionin e Ekonomisë, por përplasja në mes deputetëve vazhdon

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvallon ishte paraparë të jetë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku pritej të raportonte lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A. Mirëpo, e njëjta nuk ka ardhur në raportim me arsyeje se ndodhej jashtë shtetit.

    Pavarësisht mosprezencës së ministres, pozita dhe opozita mes përleshjeve kanë mbajtur takimin.

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të mbahet takim me sindikalistët edhe tetë përfaqësuesit e Trepçës. Kjo u pranua nga kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, porse jo edhe nga LDK-ja.

    Deputetja nga mazhoranca, Mimoza Kusari-Lila tha se para se të ngriten akuza është e rëndësishme të mbahet një takim me sindikalistët e Trepçës.

    Deputeti, Shala i është kundërpërgjigjur deputetes Kusari Lila duke i thënë se “jeni bërë zëdhënëse e qeverisë por nuk bënë kështu. Mirëpo, i njëjti pranoi të marrë pjesë në diskutim me sindikalistët.

    Se nuk arsyetohet mungesa e ministres Rizvanolli e tha edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj.

    I njëjti ka akuzuar ministren për mostransparencë.

    Ndërkaq, deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se është e papranueshme të marrin pjesë sot në diskutimin me sindikalistët, pasi nuk kanë qenë të njoftuar më herët për këtë.

    Bunjaku tha se mungesa e ministres Rizvanolli nuk arsyetohet me takimin me sindikalistëve.

  • Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën.

    Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

    Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra, raportoi Radio Evropa e Lirë.

    Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

    Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

    Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

    Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

    Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

    Një prej arsyeve që seanca për votimin e Qeverisë u mbajt gjatë natës – që është një praktikë e pazakonshme – ishte që Qeveria të mund të zgjidhej në mëngjesin e 31 tetorit, dhe të mund të mbante mbledhjen e parë për të vendosur për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar që të niste më 1 nëntor, por opozita ka kërcënuar me bojkot dhe ka kërkuar që të shtyhet për gjashtë muaj.

    Spajiq njoftoi se Qeveria e tij do ta shtyjë regjistrimin për një muaj.

    Debati parlamentar nisi pak pas mesnatës dhe fillimisht Spajiq refuzoi të paraqiste programin qeverisës.

    Pasi njoftoi shkurtimisht për përbërjen e Qeverisë, disa deputetë opozitarë e kritikuan atë duke thënë se kjo ishte një përqeshje e Parlamentit dhe shkelje e Kushtetutës, ku thuhet se është obligative që të prezantohet programi.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Andrija Nikoliq tha se kjo ishte një mënyrë e keqe për fillimin e mandatit si kryeministër.

    “Ju keni shkelur Kushtetutën, ligjin dhe treguat ambiciet për të zgjedhur Qeverinë në orët e para të mëngjesit. Ne kemi ardhur për të diskutuar për ekspozenë programit dhe ju nuk e lexuat atë”.

    Spajiq u tha deputetëve opozitarë tha se vendimi për të votuar Qeverinë në mëngjes është që të plotësojë kërkesën e tyre për të shtyrë regjistrimin e popullsisë.

    “Qëllimi im ishte i qartë. Ekspozeja ka qenë publike tash e disa ditë, kushdo që ka dashur ta lexonte, ka mundur ta bënte. Ne e kemi publikuar në rrjetet sociale”, tha ai.

    Pothuajse shumica e debatit u përqendruan në zgjedhjen e Mandiqit në postin e kryeparlamentarit.

  • ​Behramaj: Bastisja e sotme është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë

    ​Behramaj: Bastisja e sotme është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë

    Adil Behramaj-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me bastisjen që po ndodh në banesën e Artan Behramait, duke thënë se bastisja është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik.

    Behramaj ka shkruar në Facebook se stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona.

    “Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut. Nëse sjellja e kësaj prokurorie është reflektim i vlerave perëndimore për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë është tejet e dhimbshme ku qenkan katandisur këto vlera. Në të kundërtën, kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë”, ka shkruar ai.

  • ​Lumi: Ballkani favorit ndaj Dritës, por kampionati është i gjatë

    ​Lumi: Ballkani favorit ndaj Dritës, por kampionati është i gjatë

    Në stadiumin e qytetit në Suharekë të mërkurën do të zhvillohet derbi i madh i futbollit kosovar ndërmjet Ballkani dhe Dritës.

    Këto dy skuadra janë në luftë kokë më kokë për titullin e kampionit me Ballkanin që është lider i tabelës me 26 pikë, katër më shumë se sa Drita që është e dyta me 22 sosh.

    Një fitore eventuale e skuadrës së Ilir Dajës mund ta thellonte diferencës e pikë në shtatë, por edhe një skenar i tille, sipas analistit Alban Lumi, nuk do ta “vriste” kampionatin sepse ka shume ndeshje për t’u zhvilluar.

    Lumi për KosovaPress ka thënë se e sheh Ballkanin si favorit në këtë ballafaqim për shkak se skuadra nga Suhareka ka potencial më të madh në organikën e saj.

    “E shoh Ballkanin si favorit në këtë ndeshje pasi ka më shumë kualitet, por edhe fond më të madh të lojtarëve. Ndërsa Drita në këtë aspekt mendoj që është në disavantazh pasi nuk ka treguar superioritet ndaj rivalëve që i ka pasur. Lojtarët e Ballkanit janë të gjithë gati dhe mezi presin që të marrin dritën jeshile për t’u futur në fushë.”, ka thënë Lumi.

    Më tutje, ai ka shtuar se edhe në rast të fitores së Ballkani, kampionati nuk mund tq quhet i mbyllur, sidomos për faktin se këto dy skuadra kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar dhe do të ballafaqohen pikërisht mes vete dhe kjo mundëson që pastaj situata të rikthehet rikthehet në gjendjen e mëparshme, pra në katër pikë diferencë.

    “Jo, nuk mund të themi që “vritet” kampionati nëse Ballkani e fiton derbin. Pra siç e dimë, do të zhvillohet edhe një derbi mes këtyre dy skuadrave që ka mbetur pa u zhvilluar dhe aty është mundësia që të rikuperohen pikët. Kështu që ka ende shumë ndeshje dhe madje mendoj se në garë për titull edhe më tutje është Llapi që mund të jetë aty në vazhdim të kampionatit.”, theksoi Lumi.

    Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Dritës do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 13:00.

  • Flet shqiptarja që futi çiftelinë në Filharmoninë e Gjermanisë

    Flet shqiptarja që futi çiftelinë në Filharmoninë e Gjermanisë

    Artistja shqiptare me prejardhje nga Gostivari, Hava Bekteshi, e cila ka arritur të promovojë në një mënyrë të veçantë instrumentin e çiftelisë nëpër eventet më të rëndësishme artistike në Gjermani.

    Ajo, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin ALARM në ATV, tregoi kohën kur kishte arritur të fusë instrumentin e çiftelisë në Filarmoninë në Gjermani.

    “Hera e parë ishte viti 2019, kur në Filharmoninë në Hamburg, në sallën e madhe që çiftelia u bë pjesë në një skenë botërore. Hera e fundit ka qenë në Berlin, në koncertin “HausBerlin” më 12 gusht dhe këtu e kam prezantuar çiftelinë dhe në fakt e kam reprezantuar Shqipërinë me çifteli”, tregoi Hava.

    Ajo thotë se i gjithë ky rrugëtim i saj deri te futja e çiftelisë nëpër skenat gjermane, tregon faktin se publiku atje e ka mirëpritur dhe se është mjaft i interesuar për këtë instrument muzikor.

    “Është njëra prej këngëve më të bukura që insistojnë kolegët dhe publiku ta dëgjojnë dhe iu intereson historia e popullit shqiptar, disa edhe emocionohen me historinë, vuajtjet e popullit shqiptar ndër vite”, u shpreh artistja shqiptare. /atvlive.tv

    Intervistën e saj të plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Tre astronautë kthehen në Tokë pas mbi 5 muaj qëndrimi në stacionin hapësinor të Kinës

    Tre astronautë kthehen në Tokë pas mbi 5 muaj qëndrimi në stacionin hapësinor të Kinës

    Tre astronautë kthehen në Tokë pas mbi 5 muaj qëndrimi në stacionin hapësinor të Kinës
    Tre astronautë kinezë janë kthyer në Tokë pasi kaluan më shumë se pesë muaj në stacionin hapësinor të Kinës.

    Astronautët që ishin pjesë e misionit të Kinës Shenzhou-16 u ulën në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore.

    “Kapsula e kthimit e anijes kozmike të drejtuar Shenzhou XVI, që mbante astronautët Jing Haipeng, Zhu Yangzhu dhe Gui Haichao, u ul në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës”, thuhet në postimin e Stacionit Hapësinor Kinez në X.

    Të tre astronautët, të cilët qëndruan në stacionin hapësinor për 154 ditë, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Kthimi i ekuipazhit Shenzhou-16 erdhi pasi anija kozmike e drejtuar nga Shenzhou-17, me tre astronautë të tjerë në bord, u ankorua me sukses në stacionin hapësinor javën e kaluar. (AA)