ATV

Blog

  • Von der Leyen në Serbi: Zbatimi i Aneksit të Ohrit është njohje de facto e Kosovës

    Von der Leyen në Serbi: Zbatimi i Aneksit të Ohrit është njohje de facto e Kosovës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ndryshe nga deklarata e prerë në Prishtinë, në Beograd presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, nuk e përmendi njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia.

    Duke shmangur termin terrorist, të cilin e ka përdorur Bashkimi Evropian, Von Der Leyen dënoi sulmin në Basnjkë dhe tregoi çfarë duhet të bëjë Serbia në raport me zotimet për planin e ri, më 26 Tetor në Bruksel.

    “Kemi nevojë për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sulmi i dhunshëm i 24 Shtatorit në veri të Kosovës, është komplet i papranueshëm, autorët duhet të japin llogari dhe të sillen para drejtësisë. Kjo është absolutisht vendimtare për të dyja, që të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit. Lidhur me këtë është e rëndësishme që Serbia ta miratojë statutin e asociacionit, bashkësisë. Kosova duhet ta zbatojë këtë statut. Përveç kësaj, është jetike që Serbia të nisë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbë kohë”, tha Von Der Leyen.

    Duke u thirrur në Kushtetutë, presidenti i Serbisë përsëriti qëndrimin kundër njohjes së Kosovës – teksa u zotua për përmbushje të obligimeve nga dialogu.

    “Më lejoni të jem tërësisht i hapur. Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje, e kam thënë në disa raste. Nuk jam i turpëruar ta them edhe në prani të Presidentes së Komisionit Evropian. Ne e dimë cilat janë obligimet tona dhe jemi gati t’i përmbushim ato obligime”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Pasi u ankua se Kosova nuk e ka përmbushur marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vuçiq tha se draft-statuti ka bazë të mirë.
    E pyetur se pse në Serbi nuk e përmendi njohjen de-fakto dhe nëse njohja është kërkesë zyrtare e BE-së, përfshirë pesë shtetet jo-njohëse të Kosovës, Von Der Leyen iu referua marrëveshjes së 18 Marsit.

    “Bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve nga Serbia, dhe kjo në anën tjetër shkon përkrah me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo duhet të përmbushet nga Kosova. Dhe, kjo do të shtronte rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një parakusht i nevojshëm për rrugën evropiane, respektive”, tha Von Der Leyen.

    Pas takimeve në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia kërkuan nga Kosova të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit dhe nga Serbia të përmbushë njohjen de-fakto për Kosovën.

  • Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Pas muajsh të tërë të peripecive politike, Parlamenti malazez ka votuar Qeverinë e re e cila varet shumë nga grupe pro-serbe e ruse, të cilat do t’i bashkohen qeverisë, pas një viti bazuar në marrëveshjen e koalicionit. Qeveria e re do të udhëhiqet nga ekonomisti Milojko Spajiq i lëvizjes Evropa Tani. Disa orë pas votimit në Parlament, ish-kryeministri Dritan Abazoviq ia ka dorëzuar detyrën Spajiqit.

    Qeveria e re malazeze, ka 17 ministra dhe pesë zëvendëskryeministra. Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.

    Qeveria është zgjedhur në një seancë që ka zgjatur gjatë tërë natës. Votimi është bërë në orët e mëngjesit të së martës. Pro Qeverisë së 44-të të Malit të Zi votuan 46 deputetë, kundër ishin 19 dhe një abstenoi.

    Spajiq ka thënë se dëshiron që Malin e Zi ta bëjë “Zvicër e Singapor”. Në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësim më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.

    Megjithatë, ka skepticizëm se si do t’i arrijë të gjitha këto kjo qeveri, duke marrë parasysh koalicionin me partitë pro-serbe, të cilat i kundërshtojnë të gjitha këto.
    Mes tjerash, kryetar i Kuvendit është votuar të jetë Andrija Mandiq.

    Mandiqi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – Koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.

    Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti, po ashtu, kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

    Mandiq ka raporte të ngushta edhe me presidentin serb dhe atë të Republikës Srpska. Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë derisa mbështet ideologjinë e lëvizjes çetnike. Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.

    Sidoqoftë me të marrë postin Mandic ka thënë se është i gatshëm të dërgojë mesazhe të reja e të harrojë se çfarë avokonte në të shkuarën.

  • Indikacione që NJSI-ja të protestojë nesër para Qeverisë

    Indikacione që NJSI-ja të protestojë nesër para Qeverisë

    Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës mund të mbajë protestë këtë të mërkurë.

    Në një dokument, në të cilin kishte qasje ATV-ja, figurojnë detajet e përpjekjes së NJSI-së, për të organizuar tubim publik më 1 nëntor, para ndërtesës së Qeverisë.

    Paga dhe shtesat e rrezikshmërisë, janë arsyet që pjesëtarët e kësaj njësie elitare kanë shprehur gatishmërinë për të protestuar.

    Ndonëse, i mbështet kërkesat e tyre, Sindikata e Policisë nuk e ka mohuar e as pohuar mbajtjen eventuale të protestës. Megjithatë, konfirmoi se pakënaqësitë brenda këtij institucioni janë mëdha.

    “Shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të papranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë. Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Sindikatës së Policisë.

    Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve në lidhje me pakënaqësitë e zyrtarëve policorë, ministri i Financave, Hekuran Murati, refuzoi të përgjigjet.

    “Kisha dashtë qe sot me u fokusu vetëm në konferencë, e cila është thirrur për të ju informuar për buxhetin”, tha Murati.

    Faktin që Njësia Speciale Intervenuese detyrohet që pakënaqësitë t’i shprehë në këtë formë, për ekspertë të sigurisë është goditje e rëndë për imazhin e Policisë.

    ATV-ja përmes burimeve ka mësuar se janë duke u zhvilluar bisedime që të gjendet zgjidhje në mënyrë që protesta eventuale të shmanget.

    Ndryshe, pas 9 muajve nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga, pjesëtarët e policisë do t’i marrin shtesat e rrezikshmërisë. Me pagën e nëntorit, varësisht nga kategoria, policët do t’i marrin shtesat nga 45 deri në 150 euro, pos pagës bazë.

  • Murati: 700 milionë € për sigurinë e mbrojtjen, vitin tjetër koeficienti i pagave 110 €

    Murati: 700 milionë € për sigurinë e mbrojtjen, vitin tjetër koeficienti i pagave 110 €

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ku është miratuar buxheti për vitin tjetër, tha se prioritet do t’i kushtohet sigurisë dhe mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.

    Buxheti për këtë kategori ai tha se do të jetë 700 milionë euro, ndërsa koeficienti i pagave pritet të jetë 110 euro.

    “Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Pra paga minimale bruto do të jetë mbi 700 euro”, u shpreh Murati.

    “Prioritet iu është dhënë sigurisë dhe mbrojtjes, ku MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes u është ndarë buxhet mbi 700 milionë euro së bashku këto dy dikastere”.

  • BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi të martën, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

    Të martën në mëngjes, Kuvendi i Malit të Zi, e zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq pas një seance plenare që zgjati tërë natën.

    “Po ashtu, presim nga Mali i zi që ta mbajë rekordin e pathyeshëm të përshtatjes me BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë“, tha BE-ja në një komunikatë për media të martën.

    Mali i Zi i ka mbështetur plotësisht qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

    Por, ka pasur druajtje se ardhja në pushtet e partive pro-ruse dhe pro-serbe mund ta vënë në pikëpyetje këtë.

    Dhe pikërisht votimi i Qeverisë së re u mundësua pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Prandaj, BE-ja bëri thirrje që Mali i Zi të mos e ndryshojë politikën e jashtme si një vend që synon anëtarësimin në bllok.

    “Ne ftojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen në veprimet me prioritet që kërkohen për të avancuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të përmbushë kriteret kalimtare në kapitujt 23 dhe 24, sidomos në emërimet e gjykatësve dhe në reformat që tashmë janë vonuar“, tha BE-ja.

    Mandiq, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

    Ndaj emërimit të tij protestuan mijëra njerëz pranë ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë të hënën vonë./REL/

  • Bislimi priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, Bela Bozsik

    Bislimi priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, Bela Bozsik

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik.

    Ai e përgëzoi ambasadorin në detyrën e tij të re dhe theksoi se Kosova ka një partner e vend mik të rëndësishëm te Hungaria.

    Pjesë e bisedës ishte dhe rruga përpara e rajonit drejt integrimit evropian e prosperitetit si dhe siguria e stabiliteti i Ballkanit Perëndimor.

    Forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i përbashkët. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte të ndryshme me interes të përbashkët.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për takimin e bisedën e frytshme si dhe i uroi dhe njëherë suksese në angazhimin e tij të ri.

  • Buxheti për vitin tjetër 3.3 miliardë euro – Kurti numëron sukseset

    Buxheti për vitin tjetër 3.3 miliardë euro – Kurti numëron sukseset

    3 miliardë e 314 milionë euro do të jetë buxheti për vitin e 2024, raporton Ekonomia Online. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se asnjë Qeveri nuk ka bërë më shumë se qeverisja e tij në mbështetje me masa.

    Ndërsa për nivelin komunal, kryeministri Albin Kurti tha se buxheti për komunat e Kosovës do të jetë mbi 700 milionë euro.

    “Menaxhuam pandeminë, menaxhuam krizën energjetike dhe mbështetëm qytetarin për tu përballur me inflacionin dhe jo vetëm që i menaxhaum me sukses këto kriza me sukses por gjatë këtyre viteve të vështira ta rrisim ekonominë dhe të hapim vende të reja pune. U shtuan 60 mijë vende të reja të punës dhe si rezultat i masave ekonomike”.

  • PSD-ja me aksion para Ministrisë: Punëtori grevon, pushteti ndëshkon

    PSD-ja me aksion para Ministrisë: Punëtori grevon, pushteti ndëshkon

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në lidhje me grevën e minatorëve të ndërmarrjes së “Trepçës”, raporton Ekonomia Online.

    Aktivistë të kësaj partie kanë ngjitur një baner në objektin e kësaj Ministrie me mbishkrimin “Punëtori grevon, pushtetit ndëshkon”.

    Lisjan Perolli, aktivist i PSD, tha se gjuha e vetme e përdorur nga Qeveria minatorët grevistë ka qenë ajo e ndëshkimit.

    Ai tha se pavarësisht premtimeve të kryeministrit Albin Kurti për investime milionëshe në këtë ndërmarrje, aty nuk është bërë asnjë investim.

    “Sot është bërë dita e 7 prej kur punëtoret e Trepçës janë futur në grevë. Prej asaj dite deri më sot gjuha e vetme që pushteti e ka përdorur ndaj këtyre punëtorëve ka qenë gjuha e ndëshkimit. Ka qenë gjuha e shantazhit edhe e kërcënimit”.

    “E njëjta gjë po ndodh edhe sot, kryetarin e sindikatës se Trepçe e pushuan nga puna pse punëtorët janë futur më grevë. Premtimet e Kurtit i premtoj 7 milion euro investime brenda për dy vjet qeverisje. Sot gati tri vite më vonë qeverisje nuk ka as një investim. Është më se e qartë se mendësi të cilën e përfaqëson Kurti është ajo e shantazhit për kontroll”, tha ai.

  • Administrata Biden kërkon miratimin e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën

    Administrata Biden kërkon miratimin e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe ai i Shtetit, Antony Blinken, më 31 tetor do të dëshmojnë para Senatit, ku do të kërkojnë që të miratohet paketa e ndihmës urgjente për Izraelin dhe Ukrainën.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe ai i Shtetit, Antony Blinken, më 31 tetor do të dëshmojnë para Senatit, ku do të kërkojnë që të miratohet paketa e ndihmës urgjente për Izraelin dhe Ukrainën.

    Kërkesa urgjente e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, në vlerë prej 105 miliardë dollarësh për këto dy shtete që janë të përfshira në konfikte, veçse është përballur me pengesa në Kongresin e ndarë amerikan.

    Sekretarët Austin dhe Blinken do të avokojnë për ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën para senatorëve, shumica e të cilëve, demokratë dhe republikanë, mbështesin ndihmën për këto dy shtete, shkruan Rel.

    Por, ata përballen me probleme më të mëdha në Dhomën e Përfaqësuesve që udhëhiqet nga republikanët, ku kryetari i ri, Mike Johnson, ka propozuar ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën, në mënyrë që ndihma të përqendrohet vetëm në Izraelin.

    Qasjet e ndryshme të republikanëve dhe demokratëve parashikojnë probleme në miratimin e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka premtuar mbështetje për Izraelin, i cili nga 7 tetori po lufton kundër militantëve palestinezë të Hamasit. Por, presidenti amerikan ka thënë se Uashingtoni do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i vitit të kaluar.

  • Mbi 8 mijë e 500 të vrarë deri më tani në Gaza

    Mbi 8 mijë e 500 të vrarë deri më tani në Gaza

    Numri i të vrarëve në Gaza ka shkuar në 8 mijë e 525, njoftoi ministria e shëndetësisë së këtij vendi.

    Në mesin e viktimave janë 3 mijë e 542 fëmijë, ndërsa gra janë 2 mijë e 187.

    Gjithashtu 130 nga ta janë punonjës të kujdesit shëndetësor, raporton BBC.

    Të hënën numri i atyre që u privuan nga jeta ishte 8 mijë e 306.

    E gjithë erdhi si pasojë e sulmeve të Izraelit që i nisi më 7 tetor.