ATV

Blog

  • Parandalohet një rast i kontabandimit në veri, konfiskohen 40 Iphone

    Parandalohet një rast i kontabandimit në veri, konfiskohen 40 Iphone

    Policia ka arritur që ta parandalojë një rast të kontrabandimit në veri.

    Me këtë rast, autoritetet e rendit kanë gjetur 40 IPHONE brenda një vetura AUDI ngjyrë hiri e targa të Serbisë.

    Llojet e konfiskuara të telefonave janë: 20 IPHONE 14, 10 IPHONE 14 Pro dhe 10 IPHONE 14 Pro Max.

    Rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Bërnjak.

    “Me autorizim të prokurorit të Shtetit malli i kontrabanduar konfiskohet dhe i dorëzohet Doganës së Kosovës për veprime të mëtutjeshme hetimore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas të kufirit shtetëror dhe parandalimin e veprave penale dhe kontrabandës në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Bashkëpunëtori i Baton Haxhiut thotë se është paditur nga deputeti i VV-së, kjo është arsyeja

    Bashkëpunëtori i Baton Haxhiut thotë se është paditur nga deputeti i VV-së, kjo është arsyeja

    Nuk është e rrallë që përdorimi i padive për shpifje të përdoret si strategji për t’i frikësuar ose ndaluar gazetarët që ta ngrisin zërin e tyre rreth padrejtësive të ndryshme.

    Kryeredaktori i gazetës online “AlbanianPost”, Lirim Mehmetaj në emisionin “LIBERO” tha se është paditur nga deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, derisa theksoi se i ka edhe 3-4 kallëzime penale nga Qeveria Kurti, përfshirë edhe nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

    “…Më ka paditë sepse e kam përsëritur atë që e ka thënë ai vet. Mbase tentojnë të parandalojnë diçka…”, theksoi ai.

    Sipas Mehmetaj, qeveria Kurti e ka kuptuar se njerëzit mendojnë se e dëshmojnë shpifjen në momentin që bëjnë padi për shpifje, por kjo nuk qëndron. Ai potencoi, se çdo padi kundrejt tyre e kanë fituar dhe beson se njësoj do të ndodhë edhe me tjerat.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Në prag të heqjes së vizave, rritet interesimi i serbëve lokal për pajisje me pasaportë të Kosovës

    Në prag të heqjes së vizave, rritet interesimi i serbëve lokal për pajisje me pasaportë të Kosovës

    Në komunat me shumicë serbe në Kosovë është rritur kërkesa për pasaportën e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Interesi është veçanërisht i dukshëm në komunat në veri të vendit.

    Në periudhën nga 1 janari 2023 deri më 30 korrik 2023, numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës është rritur për 97% në Leposaviq krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Më shumë se 50% më shumë interesim është shënuar në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

    Pse është rritur interesimi?

    Disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët janë intervistuar nga ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), thonë se janë të interesuar të pajisen me pasaporta në mënyrë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së që janë në zonën Shengen.

    Një nga arsyet për një gjë të tillë, thonë ata, është se janë të përjashtuar nga regjimi pa viza të Serbisë, pra nuk munden dhe nuk do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen me pasaportat e lëshuara nga Serbia.

    Kështu, Jellena nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se këtë javë do të shkojë të marrë pasaportën e Kosovës në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm në vendet e zonës Shengen.

    Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kjo njëzet e pesë vjeçare thotë se do të jetë pasaporta e saj e parë.

    “Nuk më duhej deri tani, kur nuk mund të udhëtoja pa vizë dhe nuk kisha nerva të prisja në radhë para ambasadave”, thotë ajo.

    Në prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo e rriti vlerën e pasaportës së Kosovës për disa pjesëtarë të komunitetit serb.

    Në mesin e tyre është edhe Vllada nga Graçanica. Ai thotë se pasaportën e Kosovës e ka marrë rreth njëzet ditë më parë dhe shton se tashmë ka planifikuar një udhëtim në Portugali në mes të janarit të vitit të ardhshëm.

    Edhe serbët e veriut “nuk kanë asgjë kundër” pasaportës së Kosovës

    Mirjana nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk ka pasaportë të Kosovës, por shton se po mendon ta marrë një të tillë.

    “Të jem e sinqertë, nëse kjo (pasaporta e Kosovës) e bën të mundur dhe e bën më të lehtë udhëtimin, pse jo? Të gjithë e dimë se me çfarë përballen qytetarët e Kosovës kur bëhet fjalë për udhëtime, ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese”, thotë Mirjana.

    Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.

    Regjimi pa viza nuk vlen për pasaportat e tilla, pra serbët nga Kosova me pasaportë serbe nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë.

    Po ashtu, në prill të këtij viti, KE-ja ka theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Për këtë arsye, Aleksandra nga Mitrovica Veriore planifikon të marrë pasaportën e Kosovës, në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm nga 1 janari 2024.

    “Mendoj se duhet ta bëj sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ajo.

    Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka bërë të ditur se janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjes për ata pjesëtarë të komunitetit serb që nuk duan të marrin pasaportën e Kosovës.

    “Ne kemi kohë deri më 1 janar për ta zgjidhur atë problem dhe besoj se do ta zgjidhim atë problem”, tha Vuçiq.

    Kosova nuk i njeh pasaportat e Administratës Koordinuese të Serbisë sepse i konsideron ato të lëshuara nga “institucione paralele ilegale”.

    Fushata e Qeverisë së Kosovës në zona serbe

    Qeveria e Kosovës në fillim të tetorit ka nisur fushatën për liberalizimin e regjimit të vizave, në kuadër të së cilës qytetarët informohen se sa kohë mund të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen, çfarë dokumentacioni u nevojitet, cilat janë pasojat nëse ata thyejnë rregullat, dhe të ngjashme.

    Një fushatë e tillë është mbajtur edhe në Graçanicë më 24 tetor, ndërsa deri në mes të nëntorit duhet të mbahet edhe në komunat tjera me shumicë serbe, duke përfshirë edhe ato në veri të Kosovës.

    Megjithatë, Zyra e Komisionarit për Gjuhët, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, ka paralajmëruar se gjatë kësaj fushate duhet respektuar dygjuhësia e plotë.

    Përveç shqipes, në Kosovë është në përdorim zyrtar edhe gjuha serbe. Zyra e Komisionarit ka thënë se gjatë fushatës informuese për liberalizimin e vizave në Graçanicë është vendosur një billbord me informacione të përgjithshme vetëm në gjuhën shqipe.

    Gëzim Dushi, zyrtar për media në Qeverinë e Kosovës, tha se fushata po zbatohet në gjithë territorin e Kosovës dhe se po shpërndahen fletushka në gjuhën serbe dhe angleze. Nuk specifikohet pse informacioni në billbord nuk është i shkruar në të dyja gjuhët zyrtare.

    Dushi vlerësoi se njerëzit kryesisht ishin të informuar për rregullat e regjimit pa viza.

    “Ajo që kemi vënë re te qytetarët është se ka një interesim të madh për të udhëtuar nëpër Evropë. Ata duan të marrin më shumë informacion, që të mos ketë pengesa apo ndalesa gjatë udhëtimit”, tha ai.

    Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave

    Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë regjim vizash që nga dhjetori i vitit 2009 dhe Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina kaluan në të ashtuquajturën listë të bardhë Shengen në dhjetor të 2010-s.

    Procesi i liberalizimit me Kosovën ka zgjatur më së shumti në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Në vitin 2018, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova i plotësonte të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete anëtare të BE-së e bllokuan procesin.

    Më në fund, më 18 prill 2022, Parlamenti Evropian miratoi një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, me të cilin përfundoi të gjitha procedurat përkatëse të vendimmarrjes. Në përputhje me tekstin e dakorduar të vendimit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shengen nga 1 janari 2024.

  • Prishtina kandidon që të shpallet “Qytet evropian i sportit” për vitin 2024

    Prishtina kandidon që të shpallet “Qytet evropian i sportit” për vitin 2024

    Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina edhe zyrtarisht ka kandiduar që të shpallet si “Qytet evropian i sportit” për vitin 2024.

    Komisioni vlerësues evropian, ACES Europe ka qëndruar për dy ditë në Prishtinë ku ka inspektuar dhe vlerësuar situatën në lidhje me infrastrukturën sportive dhe qëllimi kryesor i kësaj kandidature është që të gjitha aktivitetet sportive që zhvillohen vitin e ardhshëm në Prishtinë të promovohen edhe nëpr vende të tjerave evropiane.

    Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo kandidatur nuk është vetëm sa për titull prestigjioz, por edhe për të dëshmuar se Prishtina është vend me gamë të gjerë sportive.

    “Kemi paraqitur kandidaturën që Prishtinën tonë të na e pranojnë si njërin nga qytete evropiane të sporteve të vitit 2024. Kjo kandidaturë e Prishtinës nuk është thjeshtë aspiratë për një tjetër titull, ajo përbën një shpalle të hapur dhe është zotim i qartë për të krijuar një qytet që përqafon shëndetin, gjithëpërfshirjen dhe elanin sportiv. Prishtina, zemra e Kosovës, po kalon nëpër një metamorfozë që ndërthur vlerat tona thelbësore me një gamë të gjerë të sporteve e të ngjarjeve sportive…Vizioni ynë për vitin 2024 është dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundshëm ndaj të gjitha këtyre idealeve. Rrugëtimi ynë drejt titullit të qytetit evropian të sportit i ka rrënjët te besimi se sportet janë një forcë e pandalshme dhe motor i fuqishëm për lëvizje dhe ndryshime pozitive…Ne e shohim këtë kandidaturë si një hap të rëndësishëm që do të na ndihmojë shumë drejt qëllimit tonë madhor”, tha Rama.

    Ndërkohë që anëtari i këtij komisionin vlerësues nga Evropa, Hugo Alonso u shpreh shumë i bindur dhe madje i impresionuar më atë që ka parë me profilin sportiv që ka parë në Prishtinë dhe se meriton që ta fitojë titullin “Prishtina qytet evropian i sportit”.

    “Më duhet të them se Prishtina ka një profil shumë sportiv. Ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme sportive. Do të rindërtojë më shumë dhe do ta bëjnë më shumë edhe për shkak të Lojërave Mesdhetare 2030, po flisnim, mendoj dje, për 300 milionë euro investim, ky është investim i madh në objektet sportive. Kanë një përqindje të lartë të njerëzve aktivë në qytet, më shumë se 50% praktikojnë sportin në baza javore dhe ata i kushtojnë, dëgjojeni këtë sepse është shumë e rëndësishme, më shumë se 20% të buxhetit vendor sportit, kur mesatarja në Evropë është rreth dy-tre për qind. Pra, duhet të themi se jemi vërtet të impresionuar me profilin sportiv të qytetit të Prishtinës dhe ata i kanë të gjithë përbërësit për t’u bërë qytet evropian i sportit. Ne do të njoftojmë nëse përfundimisht Prishtina e merr titullin, në fund të javës së ardhshme dhe në rast të fitimit të këtij titulli, do ta marrin flamurin, më 7 dhjetor në Parlamentin Evropian me Komisionerin Evropian në një ceremoni të madhe me rreth 500 komuna të ndryshme nga e gjithë bota.

    Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës Granit Rugova theksoi se benefitet më të mëdha nëse Prishtina e fiton këtë titull, do të jetë promovimi i ngjarjeve sportive edhe në arenën ndërkombëtare.

    “Përgatitje për këtë kandidaturë kanë filluar që nga janari i këtij viti. Është përgatitur një draft i cili ka rreth 85 faqe ku janë të detajuara infrastruktura e qytetit, aktivitete, mardhëniet dhe raportet tona me ministri, me federatat dhe me Komitet Olimpik. Gjatë kësaj kohe, nga dita e djeshme kur komiteti vlerësues ishte në Prishtinë, ne kishim takime dhe vizita te klubit i basketbollit Prishtina, tek Pripingi, ishim tek Rilindja, tokëbahçja në Gërmi. Sot ishim edhe tek Federata e Basketbollit, tek Komiteti Olimpik edhe qëllimi i tyre nuk është vetëm t’i inspektojmë apo t’i shohim vetëm klubet profesionale mirëpo t’i shohim edhe hapësirat nëpër lagje, nëpër parqe sepse në fund të fundit sporti është për të gjithë, nuk është vetëm për profesionistët…Benefiti më i madh është promovimi i kryeqytetit, i Prishtinës, i sportit të qytetit edhe në arenën ndërkombëtare.”, tha Rugova.

    Ndryshe, sa i përket organizimeve ndërkombëtare, Kosova gjithashtu ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

  • Roraima Ana Andriani bëhet gruaja e parë që emërohet si përfaqësuese speciale e INTERPOL-it në OKB

    Roraima Ana Andriani bëhet gruaja e parë që emërohet si përfaqësuese speciale e INTERPOL-it në OKB

    Duke marrë zyrtarisht pozitën e saj si Përfaqësuese e re Speciale e INTERPOL-it në Kombet e Bashkuara, Roraima Ana Andriani bëhet gruaja e parë që e merr këtë post, shkruan ATV, përcjell gazeta zvicerane në shqip, Le Canton27.ch.

    Me një karrierë në zbatimin e ligjit për më shumë se 30 vjet në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, znj. Andriani do të drejtojë zyrën e INTERPOL-it në OKB në Nju Jork, e cila u krijua në vitin 2004 për të identifikuar fushat për bashkëpunim të zgjeruar midis dy organizatave.

    Përpara emërimit në këtë post, ajo shërbeu si Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës Ekzekutive të Partneriteteve dhe Planifikimit, duke mbikëqyrur partneritetet strategjike të INTERPOL-it dhe duke nxitur lidhjet me organet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

    Gjatë takimit të saj me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, znj. Andriani shprehu objektivin e saj për të forcuar bashkëpunimin me OKB-në, veçanërisht në luftën kundër kriminalitetit mjedisor.

    Zonja Andriani theksoi gjithashtu imperativin e promovimit të barazisë gjinore dhe angazhimit të të rinjve në dialog kuptimplotë, të cilat janë nisma të rëndësishme të të dyja organizatave.

    I themeluar në Vjenë 100 vjet më parë, INTERPOL është një lehtësues afatgjatë i bashkëpunimit policor ndërkombëtar në 195 vendet e tij anëtare, duke ofruar një kornizë të fuqishme globale për të lundruar në peizazhin në zhvillim të sigurisë ndërkombëtare.

  • Farat e susamit plot kalcium e minerale organike

    Farat e susamit plot kalcium e minerale organike

    Kjo farë e vogël ofron shumë më shumë se një shije të veçantë arrash. Përmban minerale organike, posaçërisht kalcium, dhe është një ushqim alkalik që ndihmon eshtrat dhe shëndetin e përgjithshëm.

    Farat e susamit janë plot kalcium siç thamë, magnez, kopër, vitamin B1, zink dhe fibra dietike. Ofrojnë më shumë vlera ushqyese kur përdorim farën e plotë.

    Farat e susamit përmbajnë 88 mg kalcium/lugë gjelle. Vetëm një çerek gote fara susami përmban më shumë kalcium se një gotë e plotë me qumësht. Plus, qumështi është acidik dhe farat e susamit janë alkalike.

    Farat e susamit janë të pasura në zink, një mineral tjetër që ka efekte pozitive në eshtrat tona. Gjithashtu përmban kopër, që dihet për aftësitë anti-oksidante që mundëson reduktim të dhimbjeve të eshtrave.

    Farat e susamit shtojnë një ndryshim në teksturë në pjekurina, një shije arrash në sushi, sallata dhe fërgesa, dhe gjithashtu mund të përdoren në salca të ndryshme të shijshme si tahini, humus dhe gjalpë susami.

  • Mbyllet për publikun shqyrtimi fillestar ndaj tri infermiereve të akuzuara për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë

    Mbyllet për publikun shqyrtimi fillestar ndaj tri infermiereve të akuzuara për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë

    Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, është mbyllur për publikun,

    Tri të akuzuarat ngarkohen për sulmin ndaj të moshuarës në strehimoren “Orenda” në Pejë.

    Fillimisht, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Meshari Selimaj, kërkoi që seanca të jetë publike.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Pelaj, avokati Veton Berisha, mbrojtësi i të akuzuarës Rexhepi, avokati Veton Ademaj dhe ai i të akuzuarës Kuqi, avokati Faruk Ademaj, kanë kërkuar që seanca të mbyllet për publikun, në mënyrë që të mbrohet integriteti i palëve në procedurë.

    Më pas, gjyqtarja e rastit Ilda Cucoviq-Sahatçiu mori vendim që të mbyllet seanca e sotme. Ajo tha se kundër këtij aktvendimi, nuk lejohet ankesë e veçantë.

    Ndrshe, Prokuroria Themelore në Pejë më 4 maj 2023, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, për sulmin ndaj një të moshuare në strehimoren “Orenda” në Pejë. Ato akuzohen se në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.

    “Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

    Sipas aktakuzës me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

    “Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, thuhej tutje në njoftim.

    Ndryshe, Gjykata Supreme më 25 nëntor 2022 i kishte liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara se sulmuan një të moshuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

    Më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, të cilat ngarkohen për sulm ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

    Pas këtij rasti, katër infermiereve Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr licencat e punës. Kurse, qendrës “Orenda” iu revokua licenca pas inspektimit që i ka bërë asaj qendre Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale.

    Arrestimi i tri të dyshuarave erdhi pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shihej se si një e moshuar keqtrajtohej në atë. Rasti në fjalë kishte nxitur reagime të shumta në publik./BetimipërDrejtësi/

  • Sot është “Halloween”, Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    Sot është “Halloween”, Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    Dita e 31 tetorit shënohet si dita e “Halloween”, apo nata e frikshme, ku njerëzit maskohen në mënyra të ndryshme.

    Me këtë rast, Trafiku Urban ka bërë thirrje për qytetarët që të kujdesen që fëmijët e tyre të mos godasin autobusët me vezë apo gjësende të ndryshme, pasi mund të lëndohen udhëtarët.

    Sot, me rastin e Halloween, ju lutemi të kujdeseni që fëmijët tuaj të mos godasin me vezë apo gjësende të tjera autobusët, pasi kjo mund të rrezikojë udhëtarët dhe sigurinë në rrugë në përgjithësi. “Trafiku Urban” është në shërbim të të gjithëve, andaj ju lusim të mos dëmtoni pronën e përbashkët”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Tutje, ata kanë njoftuar se në të kundërten do të përdoren kamerat e vendosura në autobusë dhe në bashkëpunim me institucionet e rendit do të sigurohen që personat që e dëmtojnë ndonjë autobus, të ndëshkohen.

  • BQK-ja shënon Ditën e Kursimeve – Ismaili u bën thirrje nxënësve të aftësohen për menaxhimin e parave

    BQK-ja shënon Ditën e Kursimeve – Ismaili u bën thirrje nxënësve të aftësohen për menaxhimin e parave

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka shënuar Ditën Botërore të Kursimeve, me nxënësit e mësimdhënësit e Gjimnazit “Gjevdet Doda” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online. Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili, në fjalimi e tij para të pranishmëve tha se, BQK-ja për të tetën vit me radhë këtë ditë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të parave.

    Ai ka sqaruar se BQK-ja ka shpallur edhe një konkurs për ese me titullin “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”, për nxënësit e klasave -XII, të cilët kanë afat që brenda një muaji të dërgojnë esetë në e-mail [email protected], dhe nga këto do të përzgjidhen 10 esetë më të mira, për të cilat edhe do të ketë shpërblime.

    “Ju drejtohem sot në Ditën Botërore të Kursimeve, e cila ka për qëllim që të promovoj shprehitë edukative duke promovuar kulturën e kursimeve në botë, veçanërisht në Republikën e Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë ditë për të 8-tin vit me radhë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të parave. Komisioni Evropian vitin 2024 e ka shpallur Viti i Aftësive, dhe natyrisht përfshihen aftësitë e edukimit financiar, si njëra ndër aftësitë kryesore sociale, menaxhimi i financave personale, në mënyrë që vendimet e qytetarëve pastaj të janë vendime të duhura për të ardhmen”.

    Guvernatori tha se BQK-ja do ta ketë në fokus qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen si dhe edukimin financiar. Ai iu bërë thirrje nxënësve që të kultivojnë një kulturë të mirëfilltë të menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes së ambientit.

    “Edhe BQK-ja do ta ketë në fokus qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen si dhe edukimin financiar, ku do të punojë në këtë drejtim. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative, ndryshime mjedisore e sociale, e ndryshime gjeopolitike, janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to. Sot me shumë se kurrë është e rëndësishme e nevojshme që të kultivojmë një kulture të mirëfilltë te menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes se ambientit, në mënyrë që në aspektin social e mjedisor divid, si familje apo si shoqëri të kemi stabilitet e qëndrueshmëri”, tha ai.

    Azem Jaha, drejtori i kësaj shkolle, tha se shpreson që kjo ngjarje do të ndikojë tek të rinjtë që të mësojnë si të kursejnë, raporton EO.

    “Shpresoj që sa do pak do të ngulitet në memorien e këtyre nxënësve rëndësia që ka individi ndaj vetvetes për të kursyer. Do ta shiheni se kur të rriteni dhe ti keni të ardhurat e juaja personale do t’i kurseni me shumë. Besoj që do të mësohet ndjenja e kursimit të parave”, tha ai.

    Më pas Guvernatori Ismaili mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedim me nxënësit e pranishëm për rëndësinë e kursimeve.

    31 tetorin çdo vit BQK-ja e shënon me aktivitete edukative me qëllim të informimit e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e përgjegjësinë financiare të kursimeve dhe ndikimin e tyre në të ardhmen.

  • Vajzat e Kosovës synojnë fitoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut

    Vajzat e Kosovës synojnë fitoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut

    Kombëtarja e Kosovës në konkurencën e femrave sot do të përballet me Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00.

    Pas dy ndeshjeve të para në grup, Dardanet gjenden në pozitën e parë me 4 pikë, kurse Maqedonia e Veriut renditet në vendin e fundit në tabelë me zero pikë.