ATV

Blog

  • “Bllaca ‘99” bëhet me pamje të re

    “Bllaca ‘99” bëhet me pamje të re

    Të sigurosh një vend në të është e lehtë, por ishte krejt ndryshe 24 vjet më parë.

    Për një kohë të shkurtër afër gjysmë milioni kosovarë synuan një vend në ulëset e këtij treni.

    E në përvjetorin e ardhshëm, memoriali “Bllaca ‘99” pritet ta ketë një pamje të re, pas një bashkëpunimi në mes të komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencisë për Menaxhmin e Monumenteve.

    “Qëllimi i trotuarit që është shtruar prapa vagonëve të trenit, ka për qëllim për më pa vizitorët një pamje komplet të vagonëvë dhe trenit përndryshe kjo nuk ka qenë më herët”, ka thënë për Tëvë 1, Sevdi Dernjani, nënkryetar në Komunën e Hanit të Elezit.

    “Si total në fakt projekti ka vlerën e 54 mijë euro, prej tyre Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, ka ndarë 33 mijë euro. Për momentin po punohet në rregullimin e parkut dhe stazhi prapa trenit dhe po rregullohen disa pjesë teknike si këto anësoret dhe mbjellja e pemëve”, tregon ai.
    Memoriali “Bllaca ‘99” vazhdon të jetë i hapur për vizitorë, pavarësisht punimeve.

    Ndërsa këto pritet të përfundojnë në fund të këtij viti.

    “Si projekt është përuruar një herë (në vitin 2019) por ka pasur punime të herë pas hershme në të, ndërsa këto të fundit është planifikuar të përfundojnë në fund të këtij viti”, ka thënë nënkryetari i komunës.

    Treni që barti shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre ndodhet në ish-kampin e refugjatëve në afërsi të kufirit me Maqedoninë e Veriut.

  • Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Shala ishte arrestuar në Belgjikë më 2021 pasi ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte nga ana e Speciales.

    Ai po akuzohet për “Ndalim arbitrar”, “Trajtim mizor”, “Torturë” dhe “Vrasje e paligjshme”.

  • BE: Propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar

    BE: Propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka thënë se “propozimi i ri” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është i balancuar dhe së këndejmi, duhet të lëvizet përpara drejt themelimit të këtij mekanizimi madhor për serbët e Kosovës.

    Ai ka folur për ciklin e takimeve që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë pasur me liderët evropianë në fund të tetorit në Bruksel, derisa ka shtuar se përkundër që palët janë pajtur në parim me përmbajtjen e paketës së re të negociatave Kosovë-Serbi, dy palët kanë pasur parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër.

    “Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave [me shumicë serbe] dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re”, ka njoftuar fillimisht Stano në një përgjigje për televizionin shtetëror.

    “Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, ka shtuar ndër të tjera zëdhënësi i BE-së.

    Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve armiqësorë është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

    E në anën tjetër, në disa media në Kosovë gjatë ditëve të fundit janë publikuar fragmente të cilat pretendohet se janë pjesë e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, porse zëdhënësi i BE-së, ndonëse nuk i ka demantuar plotësisht pretendimet e mediave kosovare, ka thënë se propozimi nuk është bërë publik ngase përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.

    “Propozimi i BE-së nuk është bërë publik sepse përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen. Kjo është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Dhe është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”.

  • Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për katër ditë.

    Kjo, sipas tij po ndodhë “pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm”.

    “Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

    “Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, ka thënë ai.

  • Kurti tregohet optimist: Do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025

    Kurti tregohet optimist: Do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025

    Kryeministri Albin Kurti në një mbledhje me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar më shumë angazhim aktivistët e partisë, ndërsa ju ka dhënë një vërejtje se në disa qarqe ka tendenca për t’u krijuar “grupe” dhe “grupacione”, duke thënë se “këto grupacione duhet të tejkalohen”.

    “Për secilin e secilin nga ne këtu, ashtu siç ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e kritikojnë. Ka edhe tendenca për t’u krijuar grupe, grupacione në mbështetje të një kandidature të mundshme, apo në mbështetje të dikujt tjetër. Por për sa kohë që na bashkon Lëvizja dhe ideali ynë kombëtar e shoqëror, këto grupacione duhet të tejkalohen”, tha Kurti.

    Kurti ndërsa ka folur për zgjedhjet e 14 shkurt të vitit 2021 ku VV doli e para me 50.2% , ka shprehur bindjen se partia e tij do të dalë fituese edhe në zgjedhjet që sipas tij mund të mbahen më së voni në vitin 2025.

    “Ne kemi fituar zgjedhjet në 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave në 14 shkurt 2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025. Por arsyeja pse angazhohemi nuk është fitorja e zgjedhjeve por dëshira për ndryshim. Këtë duhet ta kërkojmë nga vetvetja përditë, në punën tonë organizative dhe politike. Për ta mundur korrupsionin, duhet që vetë ne të mos vuajmë nga lakmia e nga zilia. Për ta mundur paaftësinë, duhet që vetë ne të jemi modestë e të hapim rrugën për profesionistët. Për ta mundur prapambetjen, duhet që vetë ne të sfidohemi e të largohemi prej rehatisë, prej zonës së komfortit”, tha ai.

    “Ndryshimi që ne dëshirojmë të sjellim në Kosovë për të kapur hapin e zhvillimit të vendeve evropiane është ende në fillimet e tij andaj duhet të angazhohemi si struktura që të zgjerohet komunikimi ynë me popullin që të kuptohen drejt nevojat dhe mundësitë që kemi, e që të ecim së bashku drejt zhvillimit progresist”.

    “Duke kujtuar rëndësinë e angazhimit në nivel të pikave ai përmendi tri detyra që aktivistët tanë duhet t’i bëjnë në punën e tyre”.

    “Së pari, nga aktivistët e angazhuar në pikat e Vetëvendosjes, duhet të fillojë një punë me qytetarët, që ata të ndihmohen të kuptojnë më mirë se çka janë detyrat e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, e çka mund të kërkohet prej këtyre niveleve të qeverisjes”.

    “Së dyti, nga ju, që jeni përfaqësuesit tanë të përditshëm në lagjet e fshatrat e Kosovës, ne presim angazhimin që së bashku të identifikojmë liderët lokalë, drejtuesit e rinj, që do të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë për asamble komunale, apo edhe për kryetarë komunash”, raporton Reporteri.

    “Së treti, të dashur bashkëveprimtarë, nuk duhet të harrojmë diçka: angazhimi politik do të thotë aktivitet i dendur. Pra do të thotë organizim takimesh dhe pjesëmarrje në takime. Do të thotë lexim e analizë. Pikat tona e qendrat tona duhet të mblidhen e të diskutojnë, sepse pa diskutim nuk ka politizim”.

  • Kryeziu: Kosova s’ka pranuar e as s’është pajtuar për kurrfarë autonomie

    Kryeziu: Kosova s’ka pranuar e as s’është pajtuar për kurrfarë autonomie

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për RTK-në se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. “Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti, sot paradite, ka shpërndarë një lajm të publikuar ditë më parë nga mediumi amerikan “Fox News”, ku mes tjerash thuhet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi, kërkoi njohjen de facto dhe autonomi për serbët e veriut. Hoti ka kërkuar reagimin e kryeministrit Kurti dhe të presidentes Osmani, duke shkruar se nëse kjo s’është e vërtetë, Osmani e Kurti duhet ta demantojnë

    Ndaj këtij lajmi kanë reaguar nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për RTK-në se për momentin është e paqartë nëse lajmi në mediumin amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen.

    “Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës?, ka thënë Kryeziu.

  • Konjufca: Drejtësia për Astritin do ta shënojë fitoren dhe reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë

    Konjufca: Drejtësia për Astritin do ta shënojë fitoren dhe reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në shtatëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, ka thënë se përpjekja për drejtësi nuk do të ndalojë.

    Konjufca shtojë se drejtësia për Astritin do ta shënojë fitoren dhe reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë.

    “Vrasja e tij dëshmoi në mënyrë flagrante masën e padrejtësisë që prodhuan institucionet tona, kurse sistemi ynë i drejtësisë duke e lënë akoma të mbuluar krimin e kobshëm zbulon në mënyrë të përsëritur ngecjen në një të shkuar të errët dhe të dyshimtë. Përpjekja jonë për drejtësi nuk do të ndalojë. Drejtësia për Astritin do ta shënojë fitoren dhe reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë”, shkroi ai ndër të tjera.

  • “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e tyre janë të pandalshme dhe pavarësisht se kush e ku i pengon, ata nuk do të mund t’i ndal askush, as në jug dhe as në veri.

    “Sot u bënë 6 javë që na e vranë rreshterin e policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, por në vitin 2024, do të kemi 600 ushtarë më shumë dhe 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtje e siguri për Kosovën tonë”, tha Kurti.

    Kurti foli në në takimin e Lëvizja Vetëvendosje me pikat e saj, fjalim të cilin e nisi duke kujtuar Astrit Deharin, në shtatë vjetorin e vdekjes së tij aktivisti që tha ai është vrarë në burg.

    Më pas u ndal edhe te qeverisja, ku tha se produkti i brendshëm bruto i Kosovës, kur Vetëvendosje erdhi në pushtet ishte më pak se 6.8 miliardë euro dhe në vitin e ardhshëm do t’i kalojë 10 miliardë euro. Ndërsa buxheti i shtetit në 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

  • Rafet Prekazi zgjedh formacionin më të mirë që e ka menaxhuar, dy lojtarë tashmë nuk janë pjesë e Kosovës

    Rafet Prekazi zgjedh formacionin më të mirë që e ka menaxhuar, dy lojtarë tashmë nuk janë pjesë e Kosovës

    Ish selektori i Kosovës për U21, Rafet Prekazi ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin.

    Në këtë emision në rubrikën ‘njëmbëdhjetësha e nostalgjisë’ Rafet Prekazi ka bërë përzgjedhjen e formacionit më të mirë, me lojtarë që ai i ka menaxhuar në të kaluarën.

    Pjesë e formacionit janë edhe dy lojtarë që tashmë e kanë ‘braktisur’ kombëtaren e Kosovës.

    Se kush janë ata, mund të shikoni në videon e me poshtme.

  • Prekazi: Disa lojtarë nuk kanë cilësi me qenë pjesë e Prishtinës

    Prekazi: Disa lojtarë nuk kanë cilësi me qenë pjesë e Prishtinës

    Legjenda e futbollit kosovar Rafet Prekazi ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Prekazi në këtë emision e ka komentuar edhe formën në të cilën po kalon Prishtina këto vitet e fundit.

    Ish lojtari i kësaj skuadre ka deklaruar që ka lojtarë te Prishtina që nuk kanë kualitet dhe nuk e meritojnë me vesh fanellën e klubit më të madh në vend.