ATV

Blog

  • Kurti dhe Aliu dalin për të promovuar zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike

    Kurti dhe Aliu dalin për të promovuar zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se sot ministri Liburn Aliu dhe kryeministri Albin Kurti do të vizitojnë disa dyqane në qendër të Prishtinës.

    Kjo vizitë, sipas njoftimit të MMPHI, do të zhvillohet për të promovuar zvogëlimin e qeseve të plastikës.

    “Ju ftojmë të ndiqni vizitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti dhe të Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktures, Z. Liburn Aliu, në disa nga dyqanet në qendër të Prishtinës, me qëllim promovimin e praktikës për zvogëlimin e qeseve të plastikës tek qytetarët e Republikës së Kosovës.”

    Agjenda:

    Koha: E hëne, 06 nëntor, 2023

    Ora 11:30

    Lokacioni: Ndërtesa e Qeverisë

    11:30 – 11:40

    Takimi para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës

    11:40 – 12:00

    Vizitë dhe bashkëbisedim më konsumatorët dhe pronarët në dyqanet në afërsi (Viva Fresh, pastaj Maxi)

    12:00 – 12:15

    Prononcim për media mbi udhëzimin administrativ dhe specifikat/këshillat për qytetarë dhe përfaqësuesit e bizneseve (Brenda hapesirave te marketeve)

  • Haradinaj kujton Tonin dhe Micin: Ata janë shembulli më i mirë i dashurisë për atdheun

    Haradinaj kujton Tonin dhe Micin: Ata janë shembulli më i mirë i dashurisë për atdheun

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heronjtë Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi, dhe Nezir Ymeri në përvjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se ata janë shembulli më i mirë i dashurisë ndaj atdheut dhe i guximit.

    “Çdo 6 nëntor kujtojmë e nderojmë heronjtë; Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi, dhe Nezir Ymeri. Ata janë shembulli më i mirë i dashurisë ndaj atdheut dhe i guximit. Mbeten frymëzim për brezat e ri.

    Gjithmonë mirënjohës për sakrificën e tyre!”, ka thënë Haradinaj.

  • Dogana e Kosovës: Nga 1 janari nuk mund të zhdoganohen veturat më të vjetra se viti 2014

    Dogana e Kosovës: Nga 1 janari nuk mund të zhdoganohen veturat më të vjetra se viti 2014

    Nga 1 janar 2024 nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti 2014.

    Kështu ka bërë të ditur Dogana e Kosovës në një postim në Facebook.

    Qeveria e Kosovës në vitin 2017 ka miratuar një ligj e cili thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

    Mbështetësit e ligjit kanë thënë në atë kohë se veturat e vjetra e ndotin ambientin, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave.

  • Vrasje e rëndë në tentativë në veri të Mitrovicës

    Vrasje e rëndë në tentativë në veri të Mitrovicës

    Policia e Kosovës njofton se dje një person është therur me thikë në veri të Mitrovicës.

    Policia këtë rast e ka cilësuar si vrasje e rëndë në tentativë, ku thuhet se rasti ka ndodhur pas një zënke verbale, ndërsa i dyshuari ndodhet ende në arrati.

    “Është raportuar se pas një zënke verbale viktima mashkull kosovar ishte sulmuar dhe therë me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Viktima për tretman mjekësor është dërguar në spitalin rajonal Mitrovicë Veri. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një granatë dore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Peja me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica, Prishtina dhe Prizreni me 18 gradë Celsius.

    Për ditën e nesërme, temperaturën minimale do ta mbajë Peja dhe Gjilani me nga 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica, Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj me 19 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • ​Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia, të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut

    ​Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia, të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut

    Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

    Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse thekson se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.

    Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, Federica Woelk apelon palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

    “Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës kishte sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe Serbia nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut”, thotë ajo.

    E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, Woelk thekson se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.

    Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.

    “Unë mendoj se po, sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë në çdo rast; sa i përket planit të ri, detajet nuk dihen ende plotësisht, ndaj nuk e dimë realisht se çfarë ai përfshin. Për mendimin tim, e rëndësishme është të shmanget që Serbia do të mund të ndikojë në Kosovë, sepse mendoj se për Serbinë do të jetë e lehtë të ndikojë në Kosovë dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, thotë ajo.

    Ajo flet edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë kur terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku.

    “Është e tmerrshme dhe akoma më e tmerrshme është fakti që nuk ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja përveç rezolutës së Parlamentit Evropian, që ishte një hap shumë i mirë. Por kam përshtypjen se graviteti i këtij sulmi terrorist nuk është kuptuar plotësisht dhe gjithashtu fakti që nuk ishte një gjë që thjeshtë ka ndodhur një herë, por është diçka që mund të ndodhë përsëri dhe ne duhet ta shmangim këtë”, thekson ajo.

    Ndërkohë që Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, është Bashkimi Evropian që ka mbetur vetëm me një paralajmërim për masa.

    Lidhur me këtë Woelk thotë se fatkeqësisht, politika e jashtme e BE-së është ende çështje e shteteve anëtare, kur dihet se ka të tilla që janë kundër sanksioneve ndaj Serbisë.

    “Komenti im është se BE-ja është mjaft e komplikuar në përgjithësi. Kemi gjithashtu çështjen se politika e jashtme, për fat të keq, është ende çështje e shteteve anëtare dhe se kemi shtete anëtare që janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. Krahas kësaj, mendoj edhe se ne kemi problem me dy ndërmjetësit në momentin e dialogut dhe sigurisht që kjo nuk e lehtëson situatën. Pra, mendoj se para së gjithash duhet të ndryshojmë ndërmjetësuesit në dialog. Duhet të vendosim masa, nëse jo sanksione, atëherë të vendosim masa, si për shembull, një ide mund të jetë pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa Serbia të mos e njohë Kosovën… Gjithçka është e lidhur me këtë koncept të normalizimit të marrëdhënieve, i cili është mjaft i çuditshëm, sepse për të normalizuar marrëdhëniet duhet të kemi dy partnerë që e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri partner nuk e njeh tjetrin, për mua, nuk mund të ketë normalizim”, thotë ajo.

    Sipas saj, BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë.

    “Po, mendoj se është mjaft e lidhur edhe me atë që po thonim më parë, me faktin se BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë dhe të kuptojë se Serbia është në një rrugë, e cila është shumë e rrezikshme dhe Serbinë nuk mund ta mbani të lidhur me Perëndimin duke mos bërë asgjë. Ju duhet të jeni aktiv dhe duhet ta ndaloni këtë rrugë. Gjithashtu një ditë më parë pati një anketë rreth përgjigjes së popullatës serbe në disa pyetje. Një nga pyetjet ishte nëse ata e njohën Sebrenicën si gjenocid dhe më shumë se 52% e njerëzve ende nuk po e njohin gjenocidin e Sebrenicës, dhe unë mendoj se duhet të fillojmë nga aty”, shprehet ajo.

    Ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet së shpejti ne Këshill të Evropës.

    “Shpresoj se po, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë me të vërtetë nuk e di plotësisht procesin, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kosova ka nevojë edhe të komunikojë pak më fort edhe për gjërat pozitive që po bën, për shembull, fakti që në sundimin e ligjit Kosova është shumë më përpara se shtetet e tjera të Ballkanit dhe kjo është, për mua, me të vërtetë pjesa më e rëndësishme. Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për faktin se Kosova po bën një punë kaq të mirë me sundimin e ligjit”, vijon ajo.

    Për fund, Woelk jep një mesazh për udhëheqësit shtetërorë dhe qytetarët.

    “Mendoj se Kosova duhet të jetë më e zëshme për këtë çështje, jo vetëm qeveria por edhe populli, dhe thjesht të përpiqet të lidhet më shumë edhe me qytetarët evropianë dhe të përpiqet të shpjegojë situatën dhe pse Kosova është në pozitën e saj, sepse mendoj se ndonjëherë ajo që mungon është në të vërtetë kjo lidhje mes asaj që po vepron Kosova dhe shpjegimit se pse po vepron kështu. Pra, të gjejë një mënyrë të caktuar për të lobuar më shumë për interesat e tyre”, thotë ajo. /KP

  • Pamje të mahnitshme në qiellin kroat

    Pamje të mahnitshme në qiellin kroat

    Të dielën rreth orës 18:30, në zonën e Dalmacisë qendrore dhe në pjesë të Kroacisë kontinentale është parë fenomeni natyror i quajtur “Aurora Borealis”, shkruajnë mediat kroate, transmeton atvlive.tv.

    Ky fenomen është i zakonshëm në ditët e kthjellta në Norvegji, Suedi dhe Finlandë, ndërse nga Kroacia mund të shihet më rrallë se një herë në 10 vjet.

    “Aurora Borealis”, në veri ka ngjyrë të kaltërosh ose të gjelbër, ndërsa nga Kroacia qendrore është parë se kishte ngjyrë kuqërremtë.

    Në Rogoznicë, ky fenomen natyror zgjati deri në 10 minuta. /atvlive.tv

  • Dhunimi i 15-vjeçares në Pejë: Rasti u zbulua pasi vajza iku nga shtëpia, Prokurori e liron të dyshuarin

    Dhunimi i 15-vjeçares në Pejë: Rasti u zbulua pasi vajza iku nga shtëpia, Prokurori e liron të dyshuarin

    Një rast të rënde që dyshohet se ka ndodhur në Pejë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.

    Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një burri, i cili ka raportuar në Polici se vajza 15-vjeçare e një familjarit të tij dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga një person.

    Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi vajza ishte larguar nga shtëpia dhe dyshohet se kishte qëndruar në një person të moshës madhore, me të cilin kanë kryer marrëdhënie seksuale.

    Përballë kësaj situate, i njëjti vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici, ku si rezultat i denoncimit u kuptua se e mitura kishte nisur të bashkëjetojë me të dyshuarin.

    Posa Policia është aktivizuar, është siguruar prezenca e të dyshuarit, i cili është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

    Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar lirimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”,

    Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.

  • Escobar për largimin e Vulin nga BIA: Qëndrimi ynë është i qartë, ai ishte shumë destabilizues për rajonin

    Escobar për largimin e Vulin nga BIA: Qëndrimi ynë është i qartë, ai ishte shumë destabilizues për rajonin

    I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar ka komentuar largimin e Aleksandër Vulin dhe ka thënë se Amerika nuk vendos për zgjidhje në emër të Qeverisë së Serbisë.

    Kur është fjala për Vulin, Escobar tha se opinioni amerikan për këtë zyrtar dihet.

    “Qëndrimi ynë për zotin Vulin është shumë i qartë, ai ka qenë një figurë shumë destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë dhe ju e dini se sanksionet tona janë bazuar në këtë,” tha ai në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.

    Një përgjigje e ngjashme erdhi më herët nga ambasada amerikane në Beograd.

    “Pozicioni ynë për Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet amerikane. Ne presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të saj të plotë në Evropë dhe komunitetin euroatlantik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd.

    Kujtojmë se Vulin në deklaratën e tij ka bërë të ditur edhe arsyet pse jep dorëheqjen.

    “Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të pushojmë së qeni shtet dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse ata do të pranonin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, teknologjike dhe pa kushte. varësia ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund as për drejtësinë sociale”, ka shkruar Vulin.

  • Eksperti i sigurisë ushtarake: Do ta shohim reprizën e 24 shtatorit, manastiri i Banjskës nuk u zgjodh rastësisht

    Eksperti i sigurisë ushtarake: Do ta shohim reprizën e 24 shtatorit, manastiri i Banjskës nuk u zgjodh rastësisht

    Njësitë si Brigada Veriore, Rojet e Urës dhe Mbrojtja Civile nuk janë formacione paraushtarake, por, mund të themi me siguri, forca qeveritare, d.m.th. forcat e shërbimeve të sigurisë dhe sigurisë të një vendi të caktuar, thotë Dean Xhebiq, ekspert i sigurisë ushtarake në një intervistë për The Geopost.

    Ai thekson se armët e sekuestruara, si snajperët “Shigjeta e zezë” 12.7 mm të cilat i përdorin njësitet më elitare të Ushtrisë Serbe, është një nga argumentet më të pakundërshtueshme se kush qëndron në fakt pas stërvitjes, trajnimit dhe përgatitjes së një njësie të tillë.

    Xhebiq aludon në deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se uniforma të tilla mund të bliheshin në tregun e zi, por, thekson ai, “pajisjet që kishin mund të bliheshin vetëm nga një tregtar shtetëror i armëve, në këtë rast ishte shteti i Serbisë”.

    Ai shprehet se Wagner ofroi një lloj dekreti dhe paradigme të tillë që historia shtetërore mund të shndërrohet në një biznes, në të cilën biznesmeni kontrovers do të marrë mbi vete përgjegjësinë për menaxhimin e tij dhe në fakt do të zbatojë politikën shtetërore në një masë të madhe.

    “Në këtë aspekt, është një lidhje mes Rusisë dhe këtij rasti, duke pasur parasysh se Milan Radoiçiq konsiderohej një nga biznesmenët me ndikim, shumë kontrovers në veri të Kosovës, ku absolutisht mund të themi se ishte Prigožin në miniaturë”.

    Ai thekson se në të ardhmen do të shikojmë repriza të 24 shtatorit derisa, thotë ai, “të mos prishet ajo lidhje e krimit të organizuar dhe terrorizmit në Kosovë”.

    Banjska, thekson ai, kishte dy qëllime dhe manastiri nuk u zgjodh rastësisht.

    Qëllimi fillestar i operacionit, thotë ai, ishte “të shkaktonte një konflikt nga i cili do të përfitonte shumë Serbia në kombinimin e negociatave diplomatike të Brukselit dhe raundeve midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç”.

    TJeni ndër komentuesit e parë ushtarakë dhe të sigurisë që identifikoni anëtarët e Brigadës Veriore si të dyshuarit kryesorë për sulmin terrorist në Kosovë në fund të shtatorit. A dihet kush e komandon këtë organizatë? A janë grupet paraushtarake, si në të kaluarën e luftës, çelësi për të shkaktuar konflikt në Serbi?

    Xhebiq: Se sa janë këto njësi formacione paraushtarake, tregon lloji i armëve që disponojnë, i cili është ekskluzivisht në shërbim të njësive më elitare të një shteti të caktuar. Në këtë drejtim, njësitë si Brigada e Veriut, Rojet e Urës dhe Mbrojtja Civile nuk janë formacione paraushtarake, por përkundrazi, mund të themi me siguri, forca qeveritare, domethënë forca të shërbimeve të sigurisë të një vendi të caktuar.

    Kur flasim për Brigadën Veriore, ajo është formuar, sipas informacioneve të deritanishme, në janar të vitit 2022. Ajo përbëhet nga të rinj vendas nga mosha 18 deri në 25 vjeç. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për rreth 300 pjesëtarë të cilët u dërguan në malin e Kopaonikut në janar të vitit 2022, ku iu nënshtruan stërvitjes intensive për trajtimin e armëve të lehta, lëndëve plasëse të minave, antitank etj. Ato fonde që janë siguruar në malin e Kopaonikut në qytetin e Crna Gllavës janë siguruar nga ushtria serbe, edhe pse, sipas modelit të inteligjencës të mohimit të besueshëm, ne nuk do ta marrim kurrë atë lloj njohjeje.

    Por, nëse shikoni armët që janë sekuestruar, shembulli më i mirë është sekuestrimi i pushkës ose snajperit kundër baterisë “Zastava M93” apo “Black Arrow” 12.7 mm. Prandaj, një snajper i tillë përdoret nga njësitet më elitare të ushtrisë serbe dhe ata janë të vetmit shfrytëzues të atij snajperi. Duket qartë, si një nga argumentet më të pakundërshtueshme, kush qëndron në fakt pas trajnimit dhe përgatitjes së një njësie të tillë.

    Kur flasim në përgjithësi për përdorimin e njësive të tilla, si vend i përgjithshëm u bë Wagner, edhe pse Wagner i përkiste kategorisë së kompanive paraushtarake, pra kompanive private ushtarake, si një kompani, në kuptimin korporativ, një kompani e organizuar ushtarake që plotëson kërkesat e jashtme politike dhe të sigurisë të shtetit, në mënyrë që vetë shteti të mos hyjë në luftë dhe të zhvillojë si proxy luftëra në hapësirën kibernetike, por edhe në hapësirën e frontit, pra në fushën e konflikteve fizike të ulëta dhe  të larta, edhe luftëra nëse dëshironi. Njësi të tilla janë të shkëlqyera për përdorim, duke pasur parsysh se nuk kanë flamur dhe si të tillë më së shpeshti u atribuohen banorëve vendas të një zone të caktuar dhe për këtë lirisht mund të themi se është një nga mënyrat më elegante të kryerjes së terrorizmit të organizuar, për arsye se synimet tuaja politike dhe të sigurisë përmbushen dhe askush nuk mund të drejtojë gishtin në flamurin tuaj dhe se ushtarët po luftojnë me uniforma unike që nuk kanë lidhje me vendin tuaj. Kështu ishte rasti në Banjskë, duke pasur parasysh se kishim uniforma të konfiskuara nga forcat e sigurisë së Kosovës, të cilat ishin unike. Pra, më lejoni të them, universale dhe, siç tha presidenti Vuçiq, mund të blihen në tregun e zi. Uniformat e tilla mund të bliheshin në tregun e zi, por pajisjet që kishin mund të bliheshin vetëm nga një tregtar shtetëror i armëve, në këtë rast ishte shteti i Serbisë.

    Ju përmendët Wagnerin si model. Sa ndikim ka pasur Rusia në operacionin terrorist në Banjskë?

    Xhebiq: Ndikimi i Rusisë duhet parë si një lloj ndikimi global. Gjegjësisht, me formimin e kompanisë private Wagner, e cila natyrisht nuk është kompania e parë ushtarake private në botë, ushtritë mercenare përmenden edhe nga Tukididi në “Luftërat e Peloponezit”. Prandaj, ajo është një dukuri e natyrshme e luftës si fenomen sociologjik dhe si e tillë nuk është asgjë e re, përveç se shtetizimi, sovranizimi, adoptimi i aparatit shtetëror nuk arriti në një shprehje të tillë siç ishte rasti me Vagnerin.

    Pra, kemi rastin e Njësisë së Operacioneve Speciale, pra Beretave të Kuqe, të cilat janë formacione të njohura të Departamentit të Sigurisë Shtetërore të Serbisë, dhe të cilat brenda natës u zhytën në aparatin shtetëror, edhe pse ai ishte i përbërë nga njerëz që kishin një të kaluar kriminale, e cila kishte pas vetes një varg të tërë krimesh lufte, angazhime në luftëra për të cilat Serbia nuk ishte kurrë përgjegjëse si një nga pjesëmarrësit dhe një sërë aktivitetesh të tjera.

    Në këtë drejtim, Wagner ofroi një model se si me formacione të vogla që kanë një nivel të lartë pajisjesh tekniko-teknologjike në fushën e teknologjisë, armë, armë kundërtanke, automjete, dronë… një sistem të tërë projeksioni të fuqisë multispektrale. Pra, nëse doni një operacion kibernetik, operacione të tipit fizik, nëse doni operacione të ruajtjes dhe sigurimit fizik të VIP-ave dhe vendndodhjeve që janë pjesë e infrastrukturës kritike, Wagner ofroi një lloj dekreti dhe paradigme të tillë që historia shtetërore mund të shndërrohet në një biznes, ku biznesmeni kontrovers do të marrë mbi vete përgjegjësinë për menaxhimin e tij dhe në fakt të zbatojë politikën shtetërore në një masë të madhe. Në këtë aspekt, është një lidhje mes Rusisë dhe këtij rasti, duke pasur parasysh se Milan Radoiçiq konsiderohej një nga biznesmenët me ndikim, shumë kontrovers në veri të Kosovës, ku, absolutisht mund të themi, ishte një Prigozhin në miniaturë.

    Sa është probabiliteti që të shohim përsëritjen e 24 shtatorit?

    Xhebiq: Përgjigja në pyetjen se a mund të presim një përsëritje të skenarit nga Banjskë në fakt është ofruar nga iniciatorët e operacioneve të tilla para datës 24, dhe disa ditë më vonë ka pasur një rast tjetër të bllokimit të disa operacioneve që janë shumë të shpeshta, kishim sërish kamionë dhe trungje. Do të vazhdojmë t’i kemi derisa të prishet lidhja e krimit të organizuar dhe terrorizmit në Kosovë. Pra, nëse i dëgjoni politologët, gazetarët, rojet e sigurisë nga Kosova, të gjithë janë të të njëjtit mendim se populli në veri të Kosovës është më se i zbutur dhe më se i gatshëm për të bashkëpunuar, bashkëjetuar dhe se llojet e tilla të turbulencat dhe trazirat e komplikojnë shumë funksionimin normal të jetës së tyre. Dhe çështja kryesore e sigurisë në Kosovë është çështja e krimit të organizuar. Grupi i mbledhur rreth Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit ka kthjellur e terruar në Kosovë. Mjafton vetëm të shikojmë videot nga bastisjet, lirisht mund të themi haciendat e Milan Radoiçiqit, dhe nëse e krahasojmë këtë lloj infrastrukture me fuqinë paguese të një personi mesatar në veri të Kosovës, do të na bëhet absolutisht e qartë se ky është një kompleks kriminal që është përfshirë edhe në terrorizmin shtetëror. Pra, ajo lidhje, ajo lidhje mes krimit të organizuar dhe terrorizmit e ndërlikon shumë çdo lloj operacioni që do të eliminonte grupe të tilla. Thjesht, niveli i tyre i integrimit në të gjitha çështjet shoqërore është i tillë që një operacion i tillë do të kërkonte një rikompozim të plotë, mund të themi lirisht, të strukturës politike të Kosovës, edhe pse është shumë e paqartë dhe shumë problematike nga aspekti i të dyja palëve të tryezës së bisedimeve dhe thjesht, pavarësisht nëse do të formohet apo jo një bashkësi e komunave serbe, krimi i organizuar në Kosovë do të mbetet si një lloj kontrolli. Beogradi zyrtar i vë nën putra të gjitha figurat e rëndësishme që mund të bëjnë një lloj mobilizimi të masave në Kosovë. Dhe ky është në fakt roli i Veselinoviçit dhe Radoiçiqit, të cilët në bazë të vuajtjeve të banorëve vendas ndërtuan një perandori që Pablo Escobar do ta kishte zili.

    Në një analizë për agjencinë e Sarajevës Patria, keni paraqitur një tezë shumë interesante që duket se ka kaluar në radarin e publikut: manastiri i Banjskës nuk është i zgjedhur rastësisht dhe operacioni kishte objektivin e tij parësor dhe dytësor. Mund të na sqaroni?

    Xhebiq: Operacioni që u krye në Banjskë është ai që në terminologjinë moderne ushtarake të sigurisë quhet ‘operacion me flamur të rremë’ ose një operacion me flamur të zi, d.m.th. një operacion i zëvendësimit të flamujve, një operacion nën flamur dhe uniforma false. Në këtë drejtim, operacioni kishte për qëllim krijimin e një klime në të cilën do të justifikohej mobilizimi i ushtrisë serbe dhe të gjitha agjencive të sigurisë. Në fakt u kërkua një casus belli. Kjo është arsyeja pse zgjedhja e manastirit të Banjskës nuk është e rastësishme. Natyrisht, është shumë e rëndësishme të theksohet se planifikimi i operacioneve të tilla – duke përfshirë disa muaj analiza, zbulim, vlerësime – janë thjesht procedura operative të standardizuara që vendosen në vetë planifikimin e operacionit dhe përpiqen të mbulojnë çdo aspekt të zhvillimin e ngjarjeve. Natyrisht, është shumë autentike për manastirin e Banjskës që gjatë sulmit, pelegrinët nga Vojvodina qëndruan në të dhe u grabitën. Është shumë e pazakontë që të gjitha mediat në rajon e kapërcejnë këtë fakt edhe pse fillimisht doli si lajm se pelegrinët ishin grabitur. Pra, nëse ndjekim një sekuencë logjike, pelegrinët në manastirin ortodoks janë grabitur nga anëtarë të një organizate terroriste që, pa dyshim, zbaton politikën shtetërore të Serbisë. Pra, një rrethanë shumë konfuze më të paktën. Natyrisht, gjithashtu, ajo që thumboi veshët ishte se asnjë prej pelegrinëve nuk foli për mediat, por atë lloj komunikimi krize, pra vetëkomunikimi pas ngjarjes, e merrte një prift. Prandaj, kjo tregon se operacioni në fakt kishte dy objektiva – parësor dhe dytësor. Qëllimi primar i operacionit në Banjskë ishte krijimi i kushteve për përshkallëzimin e konfliktit në Kosovë dhe me këtë diskualifikimi i përhershëm i palës kosovare, e cila në atë skenar, pra terroristët e ardhur në Banjskë do të visheshin me uniformat e Kosovës, forcat e sigurisë, duke folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, gjë që absolutisht nuk është problem për njerëzit që jetojnë edhe në veri, krijohet përshtypja se kisha në fakt ishte sulmuar nga kriminelë që ishin ndarë nga komanda ose thjesht të udhëzuar nga autoritetet e Kosovës dhe të cilët i sulmuan pelegrinët në manastir. Mund ta imagjinoni se çfarë lloj volanti propagandistik mediatik do të krijonte nëse do të dilte në publik një foto e të vrarëve apo të plagosurve ose, në ekstrem, mjafton të thuash të keqtrajtuar, ortodoksë, që ndodhen në një manastir ortodoks. Kjo ishte pjesa e parë e gjithë operacionit, i cili dështoi vetëm për shkak të përplasjes së patrullës së policisë së Kosovës, në të cilën pas aktivizimit të mjetit shpërthyes mbeti i vrarë edhe polici (Afrim) Bunjaku.

    Qëllimi i dytë, d.m.th., qëllimi dytësor ishte sigurisht të trembeshin grupet që në veri të Serbisë, konkretisht në Vojvodinë dhe akoma më konkretisht në Novi Sad, janë absolutisht të pakënaqur me politikën e udhëhequr nga SNS e Vuçiqit, pra një oktapod i tërë patrimonial që sundon Serbinë e sotme në atë botë kriminogjene dhe pikërisht në bazë të asaj strukture kriminogjene është e mundur të kryhen me sukses operacione të tilla, duke qenë se qeveria ka krijuar një lidhje të fortë, pra një kupolë të fortë me krimin e organizuar dhe njerëz nga nëntoka. Në këtë drejtim, frikësimi i pelegrinëve nga veriu, gjegjësisht nga Vojvodina, do të nënkuptonte edhe përcjelljen e një mesazhi për ato grupe, në mënyrë që ata të kuptojnë në mënyrë delikate se si duket kur i kthejnë shpinën shtetit, konkretisht, regjimiTttë Aleksandar Vuçiqit. Pra, qëllimi i operacionit ishte frikësimi i brendshëm dhe i jashtëm, nëse mund të themi kështu, duke qenë se qëllimi fillestar ishte provokimi i një konflikti i cili, në këtë kombinim të negociatave dhe raundeve diplomatike të Brukselit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq e favorizoi shumë Serbinë.