ATV

Blog

  • Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se kanë trefishuar numrin e inspektorëve të punës, nga 22 në 60.

    Ai ka shkruar se numri i inspektorëve do të rritet edhe më tej.

    “Edhe një lajm i mirë: Numri i inspektorëve të punës shkon në 60, nga 22 sa ishte. Pra, gati trefishim i numrit, dhe ende do të rritet”, shkruan Murati.

    Krahas numrit, ai ka theksuar se janë shtuar edhe kontrollet dhe gjobat për bizneset që nuk respektojnë Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve.

    “Ka shumë sfida, por gradualisht dhe sigurt po e bëjmë ndryshimin. Vazhdojmë”, shkruan Murati në Facebook.

  • Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ka thënë se ka një pengesë kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë – Serbi.

    Borrell ka thënë se se takimi me kryediplomatët e Ballkanit po bëhet për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon.

    Ndër të tjera kryediplomati i BE-së ka thënë se disa shtete të Ballkanit nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet.

    Kështu, kujtojmë se Serbia nuk është renditur me bllokun euro-atlantik për të sanksionuar Rusinë.

    “Kemi takimin me ministrat e Jashtëm të Ballkanit, për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon, për të diskutuar për propozimet e fundit të Komisionit për zgjerimin. Do të insistojmë në nevojën e ndjekjes më të afërt të politikës tonë të jashtme pasi që disa shtete nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet.

    Flet për vete se sa i rëndësishëm është që Komisioni ka propozuar hapjen e negociatave me Ukrainën. Kjo do të krijojë një lëvizje, dhe do të krijojë një rresht në pritje për anëtarësim. Ka një pengesë, kur bëhet fjalë për negociatat Kosovë-serbi, por dinamika e krijuar nga pranimi i shtegut për anëtarësim të Ukrainës, do të ndikojë të gjithë procesin e kandidaturave që është në një ngërç”, ka thënë Borrell.

  • Dëshmitari i 35-të vazhdon dëshminë në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

    Dëshmitari i 35-të vazhdon dëshminë në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

    Dëshmitari i 35-të po e vazhdon dëshminë e tij në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në fillim të seancës së të hënës mbrojtësi i Rexhep Selimit, Goeffry Roberts, kërkoi mbyllje të seancës, gjë që e pranoi gjykata pa u përmendur ndonjë arsye.

    Ngjashëm, në seancën e mbajtur të enjten ky dëshmitar i mbrojtur dha dëshmi kryesisht në seancë të mbyllur. Prokurorja Lies van Welde në përmbledhjen për këtë dëshmitar tha se ai kishte dëshmuar në prokurori paraprakisht për ndalim e keqtrajtim.

    “Dëshmitari 0444 u arrestua nga 8 ose 9 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, shumica kishin maska, e vendosën në një automjet me duart e lidhura prapa (në shpinë) dhe me maskë në kokë. Në automjet e morën edhe një të arrestuar tjetër. Të dy këta persona i çuan në një dhomë dhe u mbajtën të ndaluar së bashku dëshmitari me numër 0444 u rrah kaq shumë saqë nuk merrte dot frymë, ra në tokë dhe humbi ndjenjat. Dëshmitarit nuk iu dha asnjë arsye për arrestimin e tij apo për ndalimin e tij. Pas katër ditësh dëshmitari 444 u lirua nga rojet e burgut me uniforma të zeza, derisa të ndaluarit e tjerë mbetën në dhomë. Pas lirimit iu desh të merrte trajtim mjekësor dhe medikamente për dhimbjet që ja kishte shkaktuar rrahja”, tha Welde derisa lexonte përmbledhjen për këtë dëshmitar.

    Dëshmitari tha se pjesëtarët e UÇK-së e kishin hipur në veturë dhe ja kishin lidhur duart.

    Gjatë transmetimit të seancës në faqen e Dhomave të Specializuara, veçanërisht asaj të dëshmitarit të 35-të, nuk janë dëgjuar përgjigjet e shkurtra siç janë ato me “po” ose “jo”.

    Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, e pyeti dëshmitarin lidhur me kontradiktat në deklaratat e tij lidhur me kohëzgjatjen e keqtrajtimit gjatë ndalimit të tij.

    “Pra nuk keni ide se sa kohë ka zgjatur rrahja apo se sa e ashpër ka qenë”, pyeti Roberts.

    E dëshmitari iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte këtë. “Nuk kam pasur orë ta mati sesa më kanë rrahur. Pesë minuta apo ka mundur të jetë një orë, ku ta di unë? Orë s’kam pasur”, tha dëshmitari.

  • “Nuk e di kush është Ramadani, nuk komentoj çka boton ai”: Stano refuzon të konfirmojë ose demantojë autenticitetin e Draftit të Asociacionit

    “Nuk e di kush është Ramadani, nuk komentoj çka boton ai”: Stano refuzon të konfirmojë ose demantojë autenticitetin e Draftit të Asociacionit

    Draftin e publikuar nga ish-Shefi i AKI-së, Burim Ramadani, e që sipas burimeve të ndryshme është drafti autentik i ofruar nga pesë emisarët më 21 tetor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar ta konfirmojë apo demantojë duke thënë se “nuk shoh arsye ta komentojë”. Këtë koment Stano e bëri në një prononcim për portalin evropian “Euractiv”.

    “Nuk e di se kush është zoti Ramadani dhe nuk shoh arsye të komentojë mbi atë se çfarë mund të pretendojë ose publikojë”, ka thënë Peter Stano.

    “Ne kurrë s’japim dokumente zyrtare të cilat janë në diskutim e sipër dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi që kjo është edhe praktikë normale në ndërmjetësimet ndërkombëtare në kryerjen e proceseve në konfidencialitetit”, ka thënë Peter Stano, duke shtuar se është politikë e kahershme e Komisionit Evropian që të mos komentojë mbi rrjedhjet e pretenduara të dokumenteve.

  • ​Zvicra ‘festoi’ fitoren e Kosovës ndaj Izraelit

    ​Zvicra ‘festoi’ fitoren e Kosovës ndaj Izraelit

    Kosova ka arritur të fitojë 1-0 në shtëpi ndaj Izraelit në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian. Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nikoqirët ishin ekipi më i mirë dhe me meritë kaluan në epërsi pak para përfundimit të pjesës së parë me golin e Milot Rashicës.

    Izraeli u përpoq më kot të barazonte deri në fund. Me fitoren e ngushtë, Kosova mban gjallë shpresat e vogla të mbetura për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian, edhe pse ato janë krejtësisht minimale, përcjellë KosovaPress.

    Por rezultati është kryesisht në duart e Zvicrës. Kombëtarja helvetike tani mund të sigurojë kualifikimin për Kampionatin Evropian të mërkurën në Felcsut të Hungarisë. Me një fitore ndaj Izraelit, skuadra e Murat Yakin do ta siguronte njërën nga dy pozitat e para. Në dy ndeshjet e fundit, Zvicra do të luajë në Bazel kundër Kosovës dhe në udhëtim kundër Rumanisë.

  • Fillon aksioni i PSD-së, ndërrohen flamujt shtetëror para ndërtesës së Qeverisë

    Fillon aksioni i PSD-së, ndërrohen flamujt shtetëror para ndërtesës së Qeverisë

    Ka filluar aksioni simbolik i PSD-së para Qeverisë së Kosovë, lidhur me çështjen e Asociacionit.

    Pranë ndërtesë së Qeverisë, aktivistët e PSD-së hoqën flamujt origjinalë të Kosovës. Ata i zëvendësuan me flamuj të ri të Kosovës, por këta flamuj kishte ngjyrë të bardhë në zona specifike që sipas tyre rrezikohen të humbnin me pranimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton ATV.

    Në njoftimin për media, PSD ka paralajmëruar se pas aksionit do të ketë edhe një prononcim nga kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj.

    Pamje nga aksioni i PSD-së për para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës mund t’i shikoni në videon e më poshtme./ atvlive.tv

  • ​Ndryshimet rrënjësore te Malisheva e planet për të ardhmen, flet drejtori sportiv Milaim Berisha

    ​Ndryshimet rrënjësore te Malisheva e planet për të ardhmen, flet drejtori sportiv Milaim Berisha

    Milaim Berisha është drejtori i ri sportiv në klubin e futbollit Malisheva, prurje edhe kjo e re në kuadër të ndryshimeve që ndodhën së fundi te kjo skuadër e cila ndryshoi edhe trajnerin duke larguar Senad Alirifën, për ta zëvendësuar me Qëndrim Kidën.

    Berisha mori këtë përgjegjësi pas një përvoje të bërë në shtete si Kanadaja dhe Turqia dhe tashmë vlerëson se është i gatshëm për të ndihmuar klubin drejt synimeve të saj.

    “Ideja ka qenë për të kontribuar më shumë te klubi i Malishevës. Unë para se të vij këtu kam qenë jashtë shtetit, së fundmi kam qenë në Toronto të Kanadasë me punë si trajner kondicional dhe punë të tjera, para kësaj edhe në Stamboll të Turqisë, do të thotë kam përvojë 5 vjeçare si profesor universitar dhe pasi i kam bërë disa përvoja jashtë shtetit dhe shkollimet e nevojshme…nuk kishte sens më shumë për të qëndruar jashtë, është koha për të ardhur dhe kontribuar pak edhe në Kosovë dhe konkretisht në klubin e Malishevës.”, tha Berisha.

    Në intervistën dhënë për KosovaPress, Berisha ka zbuluar arsyet pse klubi vendosi që të bëjë ndryshime në kryesi, duke përfshirë edhe trajnerin.

    “Ndryshimet kanë ndodhur sepse ishte e nevojshme të ndodhin në klubin e Malishevës. Ka pasur disa sfida klubi i Malishevës këtë sezon të cilat janë reflektuar me ndryshimin e trajnerit, sfidat kanë qenë të llojllojshme, nuk kanë qenë të lidhura vetëm me trajneri por ishin të llojllojshme dhe keni parasysh që t’i qëndrohet Superligës një klub prej një qyteti kaq të vogël nuk është lehtë në aspektin financiar dhe në aspektin logjistik e të tjera. Kjo e ka vështirësuar pak punën dhe pas vështirësimit të punëve kemi pasur disa ngecje në rezultate dhe kështu kryesia bashkë me trajnerin Senal Alirifa kanë vendosur që ta bëjnë një ndryshim dhe të vije trajneri i ri që besoj që këto ndryshime janë duke reflektuar pozitivisht”, theksoi Berisha.

    Ai bëri të ditur se do të punojë fuqishëm që me Malishevën t’i arrijë dy qëllime kryesore.

    “Synimet e mia janë së pari ta ndihmojë klubin në qëllimet e veta që i ka pasur edhe para ardhjes sime. Malisheva edhe pse me sfida edhe pse Superliga e Kosovës nuk është e lehtë, çdoherë është duke u zhvilluar edhe çdo skuadër ka synime të tilla. Malisheva ka synim të arrijë Evropën dhe të them të drejtën e ka merituar Malisheva të shkojë në Evropë. Kjo së shpejti do të ndidh, por a do të ndodh në këtë në këtë sezon, synimi ynë është këtë sezon, por nëse nuk ndodh shumë shpejt, kjo prapë do të ndodh. Qëllimi im i parë është që të kontribuojë në këtë aspekt…Qëllimi ynë kryesor është që t’i aktivizojmë shkollat e futbollit që këtu i posedojmë. Ne kemi një numër prej 200 futbollistë të rinj që vijojnë në shkollat e futbollit.”, deklaroi Berisha me tutje.

    Qëndrueshmëria financiare për Malishevën, sipas Berishës, tani e tutje më nuk do të jetë një problem sepse kryesia dhe presidenti i klubit kanë plane të mëdha për të ardhmen.

    “Nëse e shohim në aspektet afatgjata, Malisheva, kryesia, presidenti i klubit kanë shumë plane të mëdha rreth klubit të Malishevës. Të gjitha problemet që kanë qenë ishin momentale, të kalueshme dhe tashmë veç se i kemi kaluar dhe jemi duke shkuar drejt stabilizimit edhe më të madh që duhet ta ketë Malisheva. Nuk është e lehtë për një klub të Superligës të mbijetojë kur vjen nga një qytet kaq i vogël siç është Malisheva për shkak edhe sponzorizimi është më i pakët edhe ndihmat nga jashtë janë më të mangëta. Do të thotë Malisheva ka arritur shumë mirë t’i mbijetojë nevojave të mëdha financiare pa marr parasysh që është një komunë shumë e vogël”, tha Berisha.

    Madje, për shkak të stabilitetit financiar, Berisha bëri të ditur se tashmë janë duke biseduar me trajnerin Qëndrim Kida për blerjet e reja që mund të jenë të nevojshme për klubin në afatin kalimtar të janarit.

    “Ka, veç se jemi në bisedime. Trajneri ynë do të vendosë çfarë neve na nevojitet më shumë dhe çfarë prurje duhet të kemi. Do të thotë në aspektin financiar nuk do të kemi problem, krejt varet se çfarë i duhet trajnerit tonë në skuadër pas janarit edhe besojmë që do të kemi prurje të reja edhe të mira për t’i zgjidhur problemet afatshkurtra. Mos të harrojmë që synimi i këtij klubi është që në të ardhmen të prodhojë shumë më shumë lojtarë prej shkollave të futbollit”, tha në fund Berisha.

    Berisha gjithashtu ka thënë se investimi në infrastrukturën e stadiumit “Liman Gegaj” ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e kushteve në të cilat lojtarët do të përgatiten për ndeshjet e radhës.

  • Ndahen 53 grante në mbi 500 mijë euro për bizneset në pronësi të grave

    Ndahen 53 grante në mbi 500 mijë euro për bizneset në pronësi të grave

    Në vlerë prej 530 mijë dollarë janë 53 grantet e ndara për bizneset në pronësi të grave dhe minoriteteve, ku sot është bërë ceremonia e nënshkrimit të këtyre granteve.

    Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani tha se ndarja e 53 granteve për bizneset e udhëhequra nga gratë, do të shërbejë për qëndrueshmërinë në ketë sektor.

    “Arritjet e sipërmarrëse në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale. Arritjet e tyre po riformësojnë sektorin e biznesit. Angazhimi ynë për të përkrahur gratë ne biznes mbetet i pa lëkundur”, deklaroi ajo.

    Osmani shtoi se mbështetja e USAID ka qenë dhe mbetet esenciale. Ajo uroi te gjitha bizneset për grantet e fituara, ku tha se shpreson që do të vazhdojnë punën si katalizator i zhvillimit ekonomik.

    E drejtoresha e misionit të USAID-it, Mary Eileen Devitt tha se bizneset e vogla janë motori i shoqërisë.

    “Angazhimi gjithëpërfshirës i gjitha segmenteve siguron një rritje më të mëdha. Dhe kur ata kanë mundësi të marrin pjesë, shoqëria bëhet më prosperuese… kjo skemë e furnizimit do të ofrojë 530 mijë dollarë”, deklaroi ajo.

    Edhe drejtoresha ekzekutive e CDF, Nermin Mahmuti foli për rëndësinë e këtyre granteve për gratë sipërmarrëse.

    “Qëllimi kryesor i aktivitetit është që të ofrojë mundësi të shtuara ekonomike. Fuqizimi i tyre do të shërbejë në rritjen ekonomike. Sot po fillojmë me nënshkrimin e 53 granteve të para”, u shpreh ajo.

  • IHMK njofton se kjo javë parashihet të jetë tipike vjeshtore

    IHMK njofton se kjo javë parashihet të jetë tipike vjeshtore

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë tipike vjeshtore pasi që në fushat termike do të ketë rënie të dukshme.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se vranësirat do të jenë kryesisht të stadit të mesëm dhe të ulët të troposferës, ndërsa presioni atmosferik do të ketë luhatje të lehta duke i ruajtur vlerat e normales.

    “Nuk përjashtohen mundësitë që të krijohet edhe mjegulla në shumë zona , pasi që ndryshimi i grafikut termik do të mundësoj formimin e kësaj dukurie. Në viset me lartësi mbidetare mbi 1100m parashihen edhe ngrica të dobëta”, thuhet në njoftim.

    Më poshtë e keni motin për pesë ditët në vijim:

    E hëne – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius.

    E marte – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius.

    E mërkurë- Do të mbajë mot kryesisht i vranët. Vranësirat parashihen të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius, ndërsa, maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius..

    E enjte – Mot i vranët dhe me intervale të shkurta me diell. Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime, pasi që do të regjistrohen temperaturat e ditës paraprake,përveç minimaleve të cilat parashihen të jenë lehtësisht më të ulëta. Minimalet 2-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius.

    E premte- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës do të pësojnë zhvillime duke krijuar kushte për reshje të shiut. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-12 Celsius.

  • Profecia e radhës e Bill Gates: Inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve brenda 5 vitesh

    Profecia e radhës e Bill Gates: Inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve brenda 5 vitesh

    “Unë ende e dua softuerin aq shumë sa kur me Paul Allen themeluam Microsoft-in. Por edhe pse është përmirësuar shumë gjatë dekadave që nga ajo kohë, në shumë mënyra softueri është ende goxha budalla”.

    Kështu nis një artikull i shkruar me dorën e tij nga Bill Gates, i cili përpiqet të imagjinojë të ardhmen e afërt: një të ardhme, 5 vjet nga tani, e cila sipas manjatit amerikan do të ndryshojë rrënjësisht falë inteligjencës artificiale.

    “Në pesë vitet e ardhshme”, shkruan Gates, “nuk do t’ju duhet të përdorni aplikacione të ndryshme për aktivitete të ndryshme”.

    “Ju thjesht i tregoni pajisjes tuaj, në gjuhën e përditshme, se çfarë doni të bëni. Dhe në varësi të sasisë së informacionit që zgjidhni të ndani me të, softueri do të jetë në gjendje të përgjigjet personalisht sepse do të ketë një kuptim të pasur të jetës suaj. Në të ardhmen e afërt, çdokush në internet do të jetë në gjendje të ketë një asistent personal të mundësuar nga inteligjenca artificiale që shkon përtej teknologjisë së sotme”.

    Nuk është një parashikim kaq i ndryshëm nga të tjerët që, me entuziazmin aktual për AI, po bëjnë shumë ekspertë; dhe Gates dëshiron të lançojë Copilot, asistentin që Microsoft po sjell në botën e Window)s.

    Por Gates e sheh vizionin e tij nga larg.

    Edhe që nga vitet ’90 kur, në vitin 1995, themeluesi i Microsoft-it teorizoi idenë e agjentëve, pra softuerit që mund të kryejë shumë detyra të ndryshme bazuar në njohuritë e përdoruesit dhe të ofrojë një përvojë të personalizuar dhe proaktive.

    Nëse në vitet 1990 ishte një ide që ishte shumë larg realizimit në praktikë, me zhvillimin aktual dhe shumë të shpejtë të modeleve të mëdha gjuhësore pas chatbot-eve si ChatGpt, vizioni i Gates mund të bëhej vërtet realitet.

    Dhe nëse do të ndodhte vërtet, do të ishte vetëm profecia e fundit që do të realizohej për atë që dikush në të kaluarën e quajti Nostradamus i teknologjisë. Por, përpara se të rishikojmë vizionet e miliarderit amerikan, të cilat, me kalimin e viteve, kanë gjetur konkretësi, le të përpiqemi të kuptojmë më mirë sesi sipas tij inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve./Corriere della Sera