ATV

Blog

  • AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    Grupi Parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve me sektorë të ndryshëm në vend, sot organizon tryezën e radhës që për temë ka “Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024”.

    Sipas njoftimit për media nga kjo parti, tryeza do të mbahet në ora 13:00, në sallën nr. 506 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Në këtë tryezë do të ketë diskutime të ndryshme nga njohës të fushës dhe kryetarë komunash”, thuhet në njoftim të AAK-së.

  • Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim në Bruksel nën drejtimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    Fillimisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

    Siç njofton faqja zyrtare e BE-së, Këshilli më pas do të shkëmbejë pikëpamjet mbi situatën në Izrael dhe rajon, dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike.

    Pas Këshillit të Punëve të Jashtme më 13 nëntor 2023, ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror BE-Ballkani Perëndimor së bashku me gjashtë ministrat e jashtëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbisë.

    Takimi do të fillojë në orën 17:30 dhe do të drejtohet nga kryediplomati evropian Josep Borrell.

  • Dita Botërore e Mirësjelljes

    Dita Botërore e Mirësjelljes

    13 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Mirësjelljes.

    Kjo është dita, e cila në gjithë botën është e kushtuar për njohjen e asaj që vërtet do të thotë të jesh i sjellshëm. Kjo do të thotë t’i kushtoni vëmendje dhe kujdes të tjerëve.

    Japonezët e promovuan këtë iniciativë: Dita Botërore e Mirësjelljes lindi në Japoni falë Lëvizjes Japan Small Kindness, e themeluar në vitin 1988 në Tokio.

    A e dini me të vërtetë se çfarë është mirësjellja? Para së gjithash, është edukim i mirë, sjellje të mira.

    Thuaj: “faleminderit”, “ju lutem”, “më fal”. Por kjo nuk mjafton. Mirësjellja është gjithashtu një person i mirë: altruist, bujar dhe i dobishëm me të tjerët, pa interes.

    Ju duhet ta dini se mirësjellja është e mirë jo vetëm për ata që e marrin atë, domethënë për të gjithë ata që janë përreth jush, por mbi të gjitha për ata që e bëjnë këtë.

    Për më tepër, është gjithashtu e mirë për zemrën tuaj, duke ju bërë të ndiheni të qetë dhe të relaksuar.

    Pra, ka kaq shumë arsye për të mësuar se si ta bëni atë me lehtësi dhe me një vëmendje ndaj tjetrit. Dhe jo vetëm në ditën që feston mirësjelljen, por çdo ditë të jetës suaj.

  • ​Kapiteni i Izraelit: Luajtëm në një fushë derrash

    ​Kapiteni i Izraelit: Luajtëm në një fushë derrash

    Fitorja e Kosovës ndaj Izraelit me rezultat 1-0 ishte mjaftë e rëndësishme për “Dardanët”, sidomos në aspektin e motivimit të tyre, por ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” po përflitet shumë edhe për shkak të kushteve aspak të mira në fushën e stadiumit e cila ishte tejet e keqe për shkak të të reshurave të shiut.

    Kapiteni i Izraelit Eran Zahavi , i cili u rikthye në kombëtare pas një periudhe të gjatë, e ka quajtur “fushë derrash” stadiumin në kqryeqytet.

    “Nuk e di a ta quaj fushë futbolli, ishte më shumë një fushë derrash. E dinim që nuk do të ishte e lehtë në asnjë situatë. Nuk morëm pikë, por ne dhamë gjithçka. Shanset nuk kanë ndryshuar shumë. Do të duhet të mposhtim Rumaninë dhe të përpiqemi të marrim pikë nga Zvicra.”, tha ai.

    Më tutje ai shtoi se në një fushë të tillë nuk ishte e mundur të zhvillohej futboll i vërtetë.

    “Nuk kishte futboll të vërtetë këtu. Ne nuk mund të sillemi normalisht në një lojë si kjo. Ishte e vështirë edhe të ndalosh një top në këtë situatë. Shpresoj që të bëjmë më shumë në ndeshjen e radhës dhe ky është qëllimi.”, theksoi ai.

  • Gazeta italiane: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik më 2024

    Gazeta italiane: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik më 2024

    Pasi arriti një numër rekord të turistëve në 2023, Shqipëria është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan gazetarja Marisa Ingrosso në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

    Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm, përcjell atsh.

    “Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, tha Lorenzo Lonoce nga Pulia, i cili ka krijuar operatorin turistik më të madh shqiptar të specializuar për turistët italianë.

    Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni. Një prej tyre është sigurisht aksesueshmëria e lehtë.

    “Nëpërmjet “Air Albania”, “Ita”, “WizzAir” dhe gjithashtu “Ryan Air” distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar”, tha Lonoce.

    “Po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si nje destinacion turistik në rritje. Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar. Për të mos thënë që tani po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet”, shtoi ai, transmeton KosovaPress.

    “Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove”, tha Kasa.

    Sipas ekspertit, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova.

    Sipas Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, vendi është vizituar nga 660 000 italianë nga gjithsej 9 milionë shtetas të huaj.

    Së fundi, një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi.

    Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.

    Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në mars 2024 dhe përfundon në mars 2025.

    Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit.

  • Kurti për fitoren e Kosovës: Tash shohim drejt Zvicrës

    Kurti për fitoren e Kosovës: Tash shohim drejt Zvicrës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas fitores së Kosovës kundër Izraelit me rezultat 1-0, ballafaqim të cilin e vendosi goli i Milot Rashicës në fund të pjesës së parë.

    Ai ka shkruar në Instagram ku ka thënë se fitorja në “Fadil Vokrri” nuk ishte e lehtë, por që tani duhet shikuar tek përballja e radhës me Zvicrën, raporton KosovaPress.

    “Ndeshje jo e lehtë për ekipin tonë, por të cilën e kaluan me sukses. Fitorja e dytë radhazi për Kosovën, pas asaj me Andorrën. Tash drejt Zvicrës në një tjetër përballje futbollistike të veçantë, ku ndeshja e fundit në Prishtinë u karakterizua nga një barazim plot emocione. E mesa duket, emocionet do të na shoqërojnë deri në fund të këtyre kualifikueseve.”.

    Me fitoren ndaj Izraelit, Kosova tani ka 10 pikë në vendin e katërt të grupit I të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

  • Avdyli për stadiumin “Fadil Vokrri”: Kjo fushë është imazhi më i keq që i servohet botës për shtetin e Kosovës

    Avdyli për stadiumin “Fadil Vokrri”: Kjo fushë është imazhi më i keq që i servohet botës për shtetin e Kosovës

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, nga lista Guxo, Haxhi Avdyli, thotë se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është imazhi më i keq që i servohet botës për shtetin e Kosovës.

    Kështu shprehet deputeti teksa po luhet pjesa e dytë e ndeshjes Kosovë-Izrael.

    Sipas tij, është e pakuptueshme se si që 23 vjet pas çlirimit nuk është ndërtuar një fushë futbolli e cila nuk shëndrrohet në moqal sapo bie shi.

    Postimi i tij i plotë:

    E kuptoj që skemi pas buxhet ta ndërtojmë një stadium olimpik, por që 23 vjet pas çlirimit nuk kemi mundur ta bëjmë bile një fushë futbolli që nuk shëndrrohet në moqal sapo bie një shi kjo asesi të kuptohet.

    Shi bie edhe më shumë në Evropë, po kësi fushë moqali nuk sheh as në stadiumet e ligave të katërta.

    Kjo fushë është imazhi më i keq që servohet botës për shtetin të Kosovës.

    Sportistat tanë po luajnë në ligat më të forta Evropiane, e infrastruktura jonë sportive e mjerueshme.

    E pafalshme…

  • Ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Pas 3 javësh përpjekje, shtetasit e parë shqiptarë lënë territorin e Gazës

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Pas 3 javësh përpjekje, shtetasit e parë shqiptarë lënë territorin e Gazës

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani në një njoftim ka bërë me dije se shtetasit e parë shqiptarë kanë lënë Gazën.

    Ai thekson se shtetasit shqiptarë, nëna dhe katër fëmijët e mitur kanë arritur të largohen nga Gaza, pas gati 3 javësh përpjekjeje.

    Ministri Hasani thekson se tashmë ato ndodhen të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojnë procedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri.

    REAGIMI:

    Pas tre javësh përpjekjesh e vështirësish, më në fund shtetasit e parë shqiptarë, një nënë dhe 4 fëmijët e saj të mitur, sapo lanë territorin e Gazës.

    Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë proçedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri.

    Mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit për bashkëpunimin, për mbështetjen si dhe kolegëve të ambasadave shqiptare në Izrael dhe Egjipt për punën e mirë në këtë situatë e operacion kompleks.

    Po punojmë ngushtë me autoritetet për kthimin e shpejtë e të sigurt të shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Gaza.

  • Përkundër mungesave, Kosova triumfon ndaj Izraelit

    Përkundër mungesave, Kosova triumfon ndaj Izraelit

    Kosova ka marr tri pikë të reja në kualifikimet për në Kampionatin Evropian pasi e ka mposhtur Izraelin në “Fadil Vokrri” me rezultat 1:0.

    Golin që pati vlerën e tri pikëve e realizoi Milot Rashica në minutën e 42’.

    Në pjesën e dytë, “Dardanët” ishin më të mirë në fushë duke kërkuar edhe golin e dytë, por tereni shumë i vështirë për shkak të reshjeve të shiut ishte pengesë e madhe në këtë drejtim.

    Gjithsesi, deri në fund të ndeshjes rezultati mbeti i pandryshuar dhe Kosova doli me pikë të plota.

    Me këtë fitore, “Dardanët” shkojnë në kuotën e 10 pikëve dhe renditen në vendin e katërt në Grupin I, vetëm një më pak se Izraeli që ka 11 pikë.

    Lider i këtij grupi është Rumania me 16 pikë.

    Dy ndeshjet e fundit të këtij grupi Kosova i zhvillon kundër Bjellorusisë dhe Zvicrës.

  • Kosovë – Izrael: Policia prangos dy persona, kundërshtuan rregullat për hyrje në stadium

    Kosovë – Izrael: Policia prangos dy persona, kundërshtuan rregullat për hyrje në stadium

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku po zhvillohet ndeshja Kosovë-Izrael.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani theksoi se Policia po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive.

    “Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit.

    Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm me policin dhe njëherit vazhdon të kërkoj që të respektojnë rregullat e parapara, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive”, theksoi Kelani.