ATV

Blog

  • Hipertensioni dhe trajtimi i tij

    Hipertensioni dhe trajtimi i tij

    Hipertensioni është një gjendje e presionit të lartë të gjakut dhe zakonisht është pa asnjë simptomë

    Një person mund të ketë hipertension për vite pa e ditur. Shkaku i presionit të lartë të gjakut zakonisht nuk dihet. Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 50 për qind e rasteve të hipertensionit shkaktohen nga dieta jo e duhur. Në vend të dytë është pasiviteti dhe në fund obeziteti.

    Ka dy lloje të hipertensionit. Hipertensioni që nuk shkaktohet nga një gjendje ose sëmundje tjetër quhet hipertension esencial dhe është më i zakonshmi, ndërsa hipertensioni i shkaktuar nga një gjendje quhet hipertension sekondar.

    Hipertensioni esencial mund të shkaktohet nga obeziteti, rezistenca ndaj insulinës, marrja e tepërt e kripës, jeta sedentare ose pirja e duhanit.

    Hipertensioni sekondar ndodh për shkak të komplikimeve të një gjendjeje të caktuar shëndetësore që ka një person. Po kështu, hipertensioni është më i zakonshëm te njerëzit mbi 65-vjeç dhe ata që konsumojnë alkool ose duhan.

  • ​Kurti në Vjenë: T’i bëhet presion Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

    ​Kurti në Vjenë: T’i bëhet presion Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, nënvizoi se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është nënshkrimi i njohjes de-facto.

    Në panelin me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, Kurti përmendi edhe sukseset që sipas tij janë arritur në ekonomi gjatë qeverisjes së tij.

    “Serbia është fqinji ynë më i madh. Kufiri me Serbinë është 381 kilometra dhe tani përbënë një rrezik sigurie por që mund të jetë një mundësi ekonomike. Për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar. Gjithashtu na nevojitet integrimi evropian. Nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Duhet të jetë drejt BE-së dhe me BE-në… Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha ai.

    Përkitazi me këtë, Kurti tha se Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim evropian.

    “Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim. Nëse i shkoni deklarimet në të gjitha vendet ka dallime se cila dëshiron të integrohet në BE. Kosova nuk pëlqen të përdorë këtë metaforën e kryeministrit Denkov. Ne nuk i përgatisim politikat ‘quantum’. Ne jemi me BE-në, ShBA-në dhe NATO-n, kemi vendosur sanksione kundër Federatës ruse dhe nuk kemi dilema se demokracia dhe zhvillimi duhet të shkojnë dorë për dore, prandaj presim me padurim të bashkëpunojmë”, shtoi Kurti.

    Para të pranishmëve, Kurti bëri të ditur se rritja ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë pritet të jetë 3.8 për qind.

    Ndërkaq, tha se kanë ulur pabarazinë në paga në sektorin publik, derisa kanë rritur buxhetin për arsim, kujdes shëndetësor, bujqësi dhe mbrojtje.

    “Ne ia kemi dal të shtojmë çdo vit 1 miliard euro në ekonominë tonë. Paraardhësit tanë kanë pasur nevojë për tri vjet për të shtuar 1 miliard. Në vitin 2021 kemi pasur rritje 10 për qind, pastaj 5.2 për qind dhe këtë vit do të kemi rreth 3.8 për qind, gjithashtu ka rënie inflacioni këtë vit. Në janar të këtij viti ishte 12 për qind dhe muajin e kaluar ka rënë në 3.3 për qind. Kosova nuk është vend i madh por është shembull i mirë si liria bëhet zhvillim dhe si antikorrupsioni bëhet rritje”, theksoi Kurti.

    Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që hekurudhën Prishtinë-Durrës të përfshijnë në rrjetin transevropian.

    Në anën tjetër, Komisioneri evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni, theksoi nevojën për integrim rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor, teksa si mundësi për këtë e përmendi Procesin e Berlinit.

    “E para është përpjekja për të bërë atë që është e mundur për integrimin rajonal ekonomik. Më kujtohet kur shërbeja si kryeministër ne kishim një takim që e quajmë Procesi i Berlinit dhe në atë kohë ka pas një konkluzion me partnerët e Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal. E dyta është shumë ambicioze se çka përshkruajmë në këtë pako për t’u përpjekur për të bërë hapa përpara për tregun unik para pranimit formal në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.

    Gjatë qëndrimit dyditor në Austri, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, siç thuhet në komunikatën qeveritare për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë./KP/

  • Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfrisë

    Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfrisë

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, buxhetin për vitin 2024 e ka quajtur stagnues e të varfërisëpër qytetarët, ndërsa kritika adresuan edhe për investimet kapitale, pasi që sipas tyre nuk do të ketë zhvillim ekonomik.

    Në tryezën e mbajtur nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temë “Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024”, u tha se ka shumë institucione që nuk kanë përfituar rritje të buxhetit, që sipas tyre është në dëme të shtetit.

    Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues. Ai shtoi se ky buxhet është i varfërimit dhe asesi rritje e tij.

    “Projektbuxheti për vitin 2024 në parametrat e përcaktuar nga qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor. Rritja nominale për vetëm 102 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallen e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje, është zvogëlim real i pagave, investimet kapitale gjoja të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik… Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar as këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm me shuma të pamjaftueshme për të përfunduar edhe në vitin e ardhshëm. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është paraparë asnjë cent shtesë, s’ka rritje të buxhetit, përveç 52 milionë euro që barten nga ky vit. Investime të reja kapitale, Ministrinë e Mbrojtës në vitin 2024 nuk do të ketë… Ndarja e buxhetit në nivelin lokal, nuk është rritje, është mashtrim… Ky buxhet është i varfërimit dhe stagnimit, është vazhdim i dështimit të tri viteve të Qeverisjes Kurti”, tha Haradinaj.

    Se kjo qeveri nuk është duke punuar për zhvillimet ekonomike të vendit e tha edhe Pal Lekaj. Ai tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka rritje të luksit dhe jo të investimeve kapitale.

    “Asnjë kërkesë e kryetareve të komunave e departamenteve që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik për buxhetin e vitit 2024 nuk janë përkrahur. Buxheti në total për vitin 2024 është mbi 3 miliardë e 314 milionë euro, e ka ndryshuar komplet strukturën buxhetore, sepse nëse përpara kanë qenë 35 për qind në investime kapitale, sot kemi 16 për qind dhe ato projekte janë të bartura nga viti 2022/23 për vitin 2024, këtu është dështimi total i qeverisë Kurti dhe do të mbahet mend… Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik, shumica e buxhetit kanë shkuar në skema sociale dhe subvencione që nuk janë fare transparente, aty e kanë gjet vetëm dhe mashtrimin që ja kanë bërë qytetarëve. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni këtu është zero…Nëse shohim luksin e kësaj qeveri, nëse krahasojmë me vitin 2021/22 është rrit shuma e këtyre kategorive për 7.5 milionë, sot e kanë rrit luksin në mallra dhe shërbime, ku aty edhe e kanë gjet vetëm dhe janë shpenzuesit më të mirë. Kjo qeveri për tri vjet do të mbahet mend edhe për ngecje në zhvillimin ekonomik, e kanë marrë qeverinë me 16 për qind të rritjes ekonomike dhe këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.5 që është më e ulëta në historinë e qeverive”, tha Lekaj.

    Ndërkaq, kritika për qeverinë në këtë drejtim kishte edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Ai tha se ngritja e koeficientit në 110 euro është ironike e nënçmuese. Ndërsa ka kërkuar nga qeveria të merret me këtë çështje, në të kundërtën do të ketë mungesë të kuadrove në arsim.

    “Qeveria Kurti duke mos dashur të përballet me zërin tonë ka prirje të gabuar e të vazhdueshme që edhe kur i qajmë hallet me opozitën, ata na etiketojnë se gjoja opozita po na dirigjon neve, ose po thonë se sindikatat po kanë tendenca ta dirigjojnë opozitën. Buxheti për vitin 2024 është shokues për ne. Po ndalemi të kërkesa për koeficient… 110 ngritja është ironike e nënçmuese ngase mesatarja në arsimin para universitar do të jetë rreth 28 euro…Ne do ju drejtohemi deputetëve që edhe njëherë gjatë leximit të parë e dytë mos po ju ndërrohet mendja, sepse me 110 vetëm se shtohen pakënaqësitë. Fatkeqësia sa vjen e shtohet, ngase janë rreth 300 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë me ndonjë arsyetim, pra njerëz me viza qe po na hiqen do të provojnë të shkojnë jashtë, kam frikë se do të kemi mungesë të kuadrove…Nëse na ikin mësuesit do të kemi telashe se kush do t’i mësojë fëmijët”, tha Jasharaj.

    Kujtojmë se, qeveria ka miratuar para dy jave projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë euro 314 milionë euro. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri, Albin Kurti tha se me këtë projektbuxhet rëndësi të veçantë i kanë kushtuar mbrojtjes së sigurisë. Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërkaq Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë buxhet prej mbi 153 milionë euro. /kp

  • Kurti në Vjenë: Qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion

    Kurti në Vjenë: Qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik në Vjenë të Austrisë, ka deklaruar se inflacioni është ulur gjatë këtij viti.

    Kurti me këtë potencoi se është e bërë e mundur që që qytetarët të paguajnë më shumë taksa meqë sipas tij, është larguar korrupsioni.

    “Inflacioni është ulur gjatë këtij viti. Kosova nuk është një shtet i madh por shembull. Ne kemi pasë progres dhe kështu ekonomia është rritur për shkak se qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion”, ka thënë Kurti.

    “Në vitin 2022 e kemi rritur buxhetin për arsim, siguri, shëndetësi, dhe këtë mëngjes ne filluam kodimin në të gjitha shkollat. Ne shikojmë përpara që t’i ndihmojë të rinjtë që është e ardhmja në të tashmen”.

    “Procesi i Berlinit është për ta ndihmuar anëtarësimin e Ballkani Perëndimor në BE, ata që duan, nëse shikon sondazhet shikon që ka vende që nuk kanë dëshirë, ne i kemi vendosur sanksione Rusisë. Ne shikojmë përpara që të bashkëpunojmë në ekonomi”.

    Ai theksoi se mirëpresin të gjitha vendet që të investojnë në Kosovë.

  • Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një personi

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një personi

    Njësiti i hetimeve të përgjithshme që vepron në kuadër të Stacionit Policor në Prizren, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmojnë në arrestimin e personit të dyshuar.

    I dyshuari NN, kërkohet për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë se huajë” që ka ndodhur me 04.07.2023, në Prizren.

    Policia ka kërkuar që për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar qytetarët t’i kontaktojnë ata.

    Njoftimi i plotë:

  • ​Ballkani shkon në +7 pikë nga Drita e vendit të dytë

    ​Ballkani shkon në +7 pikë nga Drita e vendit të dytë

    Ballkani ka marr fitoren e radhës në Superligën e Kosovës në futboll duke e mposhtur Dukagjinin me rezultat 3-1 në kuadër të xhiros së 13-të në elitën e futbollit kosovar.

    Kampioni në fuqi i Kosovës ka fituar me rezultat 3-1 ndaj skuadrës së Armend Dallkut, ndeshje e cila zhvillua në stadiumin e qytetit në Suharekë, raporton KosovaPress.

    Për skuadrën e trajneri Ilir Daja, golat i shënuan Gripshi, Kryeziu dhe Tolaj, ndërsa golin e vetëm për skuadrën nga Klina e ka shënuar Vittor Hugo.

    Pas kësaj fitoreje, Ballkani mbetet lider i pakapshëm në kreun e tabelës me 32 pikë, shtatë më shumë se Drita që është e dyta me 25 pikë.

  • Dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet

    Dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet

    Ish-ushtari i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim të hënën për vrasjen e Bakush Veselit në muajin shtator të vitit 2021.

    Veseli ishte daja i Jakupit, tanimë i dënuar më 27 vjet burgim.

    I akuzuari tjetër Afrim Ismajloviq është dënuar me 24 vjet burgim dhe Faton Osmani me 15 vjet burgim.

    Aktgjykimi është shpallur të hënën nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan.

    “Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit L. J. i ka shqiptuar dënim unik në kohë zgjatje prej 27 (njëzeteshtatë) vjet burgim, ndërsa të akuzuarit A. I., i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 (njëzetekatër) vjet. Të akuzuarit F. O. për kryerjen veprës penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet. Gjykata ka nxjerrë aktvendim me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve L. J. A. I. dhe F. O., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim e Gjykatës Themelore në Gjilan.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Jakupi dhe Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene.

    Kurse, Faton Osmani ngarkohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

  • Gërvalla merr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, diskutohet për sigurinë në Evropë

    Gërvalla merr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, diskutohet për sigurinë në Evropë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot do ta përfaqësojë Kosovën në në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së.

    Aty pritet të diskutohet për sigurinë dhe zhvillimet e fundit në Evropë.

    “Sot do të marr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe sigurinë në Evropë”, ka bërë të ditur Gërvalla.

    Gërvalla, e përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duke theksuar se pas atij sulmi ka ndryshuar gjithçka.

    “Për Kosovën dhe rajonin, sulmi paramilitar i Serbisë më 24 shtatori ndryshon gjithçka dhe dëshmon urgjencën e përballjes me kërcënimet e mëdha të sigurisë”, tha ajo.

    Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë, la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

    Përgjegjësinë e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili aktualisht gjendet në Serbi i lirë.

    Shteti i Kosovës, ka ofruar një mori provash që e vërtetojnë implikimin e shtetit të Serbisë në këtë sulm.

    Së fundmi, vetë Serbia e ka pranuar që një pjesë e armatimit që u përdor në sulm, ka origjinë apo prodhohet nga Serbia.

    Përkundër kësaj, Serbia ende nuk është sanksionuar nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë mjaftuar vetëm me deklarata duke e dënuar rastin.

  • Sveçla falënderon Turqinë për mbështetjen e Kosovës në fushën e sigurisë

    Sveçla falënderon Turqinë për mbështetjen e Kosovës në fushën e sigurisë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi.

    Ai është takuar me homologun e tij Ali Yerlikaya.

    Gjatë këtij takimi, Sveçla e falënderoi shtetin turk për mbështetjen e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, sidomos në fushën e sigurisë.

    “Gjatë këtij takimi, në frymën e gatishmërisë për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe arritjet në fushat që ministritë e dy vendeve mbulojnë, ministri Sveçla ka kërkuar që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në ekspertizat specifike, që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

    I pari i MPB-së, u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë Yasar Guler.

    Sveçla dhe Guler, gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat po përballen të dy vendet.

    “Në këtë takim, ministri Sveçla ka potencuar gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të garantuar rend dhe siguri, si dhe rëndësinë për përkrahjen e partnerëve tanë në këtë aspekt.

  • ​Ujkani: I emocionuar dhe i nderuar me pritjen e “Dardanëve”

    ​Ujkani: I emocionuar dhe i nderuar me pritjen e “Dardanëve”

    Ish-portieri i Kosovës, Samir Ujkani debutoi si zëvendësdrejtor i Kombëtares së Kosovës në sfidën me Izraelin.

    Një pritje e ngrohtë atij iu rezervua edhe nga grupi i tifozëve “Dardanët” të cilat në tribuna shpalosën banerin duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë.

    Pas ndeshjes, Ujkani ka reaguar në “Facebook” ku ka thënë se debutimi si zëvendësdrejtor si dhe pritja e tifozëve i dhanë shumë emocione atij në stolin e “Dardanëve”.

    Mbrëmë nisa një rrugë të re në karrierën time në futboll. Për herë të parë isha në bankën e Kombëtares së Kosovës, jo si futbollist por në një pozicion tjetër, prandaj emocionet ishin të mëdha e të jashtëzakonshme. Mbrëmja u bë edhe më e veçantë nga nderimi që mora nga tifo-grupi ynë “Dardanët” të cilët dua t’ I falënderoj përzemërsisht.”, ka shkruar Ujkani.

    Tutje ai ka shtuar se këtë debutim e bëri edhe më të ëmbël fitorja kundër Izraelit.

    Fitorja ndaj Izraelit e bëri më të ëmbël “debutimin” tim në një rol tjetër, prandaj do ta mbaj në mend përgjithmonë. Në fund dua që edhe një herë t’ i falënderojë të gjithë futbollistët e ekipit kombëtarë për sakrificën, angazhimin, punën dhe triumfin e përbashkët. Sfida të reja na presin të gjithëve së bashku.”, ka shkruar Ujkani.