ATV

Blog

  • PDK nuk e përkrah projektbuxhetin e vitit 2024

    PDK nuk e përkrah projektbuxhetin e vitit 2024

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku deklaroi se janë kundër projektbuxhetit për vitin 2024. Ai shtoi se ky planifikim i qeverisë nuk ka alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.

    Në seancë plenare ku po shqyrtohet për herë të parë projektbuxheti i vitit të ardhshëm, Lushtaku shtoi se nuk plotësohen kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve.

    Lushtaku tha se vendit po i shkaktohet humbje e madhe nga manipulimet, siç i quajti ai, të kryeministrit Albin Kurti.

    Lushtaku në seancë plenare bëri të ditur se janë kundër këtij planifikimi buxhetor për vitin 2024.

  • Halitjaha: Rexhep Selimi është njeri prej atyre që s’ka dal as një orë jashtë fushëveprimit të luftës

    Halitjaha: Rexhep Selimi është njeri prej atyre që s’ka dal as një orë jashtë fushëveprimit të luftës

    Dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se Rexhep Selimi është njëri prej atyre personave që nuk është larguar asnjëherë nga fusha e luftës që nga fillimi deri në mbarimin e saj.

    Halitjaha e tha këtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes se Hashim Thaçit përmes avokatit, Gregory Keohe.

    “Ndër të rrallët që nuk kam dal as një ditë, as një orë jashtë fushëveprimit të luftës, besoj se këtu e kem edhe Rexhep Selimin, është njeri prej atyre që nuk ka dal kurrë nga fusha e luftës nga fillimi deri në mbarim”, tha Halitjaha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Veç tjerash, Halitjaha tha se ofensiva e vjeshtës së vitit 1998, përveç UÇK-së ishte e vështirë edhe për popullatën civile.

    “Ishte problemi i popullatës civile që i nxori nga shtëpitë, i djegu të gjithat, ata në vështirësi i kemi strehu nëpër tenda, në perroje, lugina të lumenjve dhe i kemi mbrojtë në kodrat përreth tyre me çdo kusht, me çdo gjë dhe me jetën tonë i kemi mbrojtë dhe nuk kanë qenë pak, 15 mijë kanë qenë në Vanishtë. 75 mijë deri në 80 mijë në Divjakë, Krojmirë në atë pjesë, 42 mijë në Luginën e Pagarushes, 12 mijë civil në Malet e Panorcit, 8 mijë civil kanë qenë në Malet e Domanekut, 5 mijë kane qenë në Kabash. Kështu që mbi 200 mijë civil jemi detyru t’i mbajmë nëpër tenda të strehuar nëpër pyje tona”, tha Halitjaha.

    Halitjaha tha se këtë përgjegjësi ia kishin dhënë vetës dhe se nuk i kishin obliguar askush.

    Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) ka thënë se në ofensivën e shtatorit në zonën e Budakovës ka pasur humbje të mëdha.

    Halitjaha thotë se kanë gjetur njerëz të djegur e të masakruar e po ashtu edhe shtazë të masakruara.

    “Përshkrim real i situatës që ka qenë në atë ofansivë të madhe, ku kanë pësu shumë humbje popullata sidomos civile edhe ne na u kanë vra katër ushtar dhe na u kanë plagos 13 të tjerë dhe është e vërtetë që kemi gjetur njerëz të vdekur të futur në stog të sanës dhe të djegur e të masakruar, shtazë të masakruara, shtëpi të djegura tërësisht, kështu ka qenë sic është e përshkrume, z. Avokat”, tha Halitjaha.

    Deklarata e Halitjahës erdhi pasi mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe, pyeti atë për disa fragmente të librit të dëshmitarit e që përshkruanin situatën e 27 shtatorit në zonën e Budakovës.

    “Tek paragrafi tjetër ju thoni; Popullata e Vraniçit ishte evakuuar. Në paragrafin tjetër thoni që ka pasur shtat orë granatime nga serbët. Në paragrafin e tretë thoni që; këmbësoria ishte në numra të mëdhënjë dhe me pas mësuam nga shtypi serb që kishte 20 mijë trupa ushtarako-policore dhe mbi 300 mjete te motorizuara, tanka, autoblinda, maune pizgaver etj. Thoni se gjatë depërtimit nga Kopeci ishte bërë një luftë e ashpër në mes forcave tona dhe atyre armike çka ka bërë dy herë forcat tona të arrijnë të zmbrapsin me sukses dhe pastaj vazhdoni me teje dhe thoni se Togu i Buzhales pas tërheqjes se popullatës dhe spitalit tërhiqen ne drejtim të staneve të Vranicit, a eshtë ky një vlerësim apo një përshkrim i situatës sic ka qenë situata me 27 shtator në zonën e Budakovës”, pyeti Keohe.

    Ndërsa, për komandantët që u larguan dhe shkuan nga lufta në Kosovë në Shqipëri, Halitjaha thotë se ka ndodhur në fillim të shtatorit.

    “Kjo ka ndodhur në periudhën me 2, 3 dhe 4 dhe 5 shtator 1998. Batalioni i Vrrinit që është në distancë shumë të madhe me Batalionin e Budakovës ka pas një betejë atje që janë ra 19 dëshmor ku janë plagosur me dhjetëra të tjerë dhe komanda e atij batalioni njësoj si Komanda e Brigadës së Suharekës e kanë pas më afër kufirin anej për Shqipëri dhe kanë ikur për Shqipëri. Drini domethënë Ekrem Rexha, Zafir Berisha bashkë me 20 të tjerë kanë dal në Shqipëri, Drini është kthy në dhjetor 1998 ndërsa Zafiri diku në mars apo në shkurt 1999. Janë shkëput prej lufte, ne atëherë i kemi quajt dezertor”, tha Halitjaha.

    Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se në kohën e muajt gusht të vitit 1998 kur ishte ofensiva e madhe nga forcat serbe, ka pasur dezertime në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Halitjaha tha se kjo gjendje nuk mendon se është krijuar nga frika, por nga misioni i tyre që kanë pasur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “E vërtetë është ashtu siç e ka shkru në libër edhe Jakup Krasniqi ka pas një ç’thurje nga data 22 gusht kur ka qenë ofansiva e madhe armike serbe, kanë fillu të dezertojnë nga UÇK-ja njerëzit, por jo nuk mendoj në asnjë mënyrë që nga frika, por nga misioni i tyre që kanë pas siç ishte dezertimi i Tahir Zemes, dorëzimi i armëve njëkohësisht ka ikë edhe komanda e brigadës së Suharekës, ashtu siç e dini edhe ju “, tha Halitjaha./BetimipërDrejtësi/

  • Fillon takimi mes delagacionit të Serbisë me Lajçakun në Bruksel

    Fillon takimi mes delagacionit të Serbisë me Lajçakun në Bruksel

    Ka filluar në Bruksel takimi në kuadër të dialogut mes emisarit special të BE-së Miroslav Lajçak dhe delegacionit të Serbisë, udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq, njofton Tanjug.

    Delegacioni përfshin 18 ekspertë të cilët janë sjellë për të diskutuar mbi të gjitha temat e planifikuara: Statuti i Asociacionit, energjia dhe të zhdukurit.

    Lajçak fillimisht do të zhvillojë takime dypalëshe me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, pas së cilës është paraparë një takim trepalësh.

  • Lushtaku: Buxheti nuk sjellë alternativë zhvillimore, i lë qytetarët e varfër

    Lushtaku: Buxheti nuk sjellë alternativë zhvillimore, i lë qytetarët e varfër

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, tha se buxheti për vitin 2024 do të sjell dëme të madh për vendin, raporton Ekonomia Online. Sipas tij, buxheti nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.

    Sipas tij, çmimet e produkteve do të shkojë edhe me lartë sepse nuk investime në rritjet e aktiviteteve prodhuese. Deputeti i PDK-së tha se kjo Qeveri nuk e ka asnjë projekt me të cilin ia vlen të krenohet.

    “Mund të themi që buxheti i viti 2024 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmwritw e qytetarëve, bizneseve dhe organizmave buxhetore. Si i tillë duke me i madh në shifër por në një situatë krize ku gjithçka është mw e shtrenjtë i len më te varfë qytetar e Kosovës. Ne demagogjinë e tuaj ju keni thënë që keni thënë që nuk je i të varfër por jeni të vjedhur, ndërsa sot thotë nuk mund t’i rrisim pagat sepse jemi të varfë e krenohet me buxhet më të madh”.

    “Sot flasim për një planifikim buxhetor i cili duhet të ndihmonte por po shihet se planifikimi është aq i do ët që nuk ka një planifikim që qytetar nuk do të ja shohin hajrin. Buxheti shtetëror nuk është hajgare nëse nuk hartohet si duhet jo që nuk ndihmon por keqëson gjendje  edhe ashtu siç pritet me këtë buxhet. Çmimet mund të shkojnë edhe më lart sepse nuk investime në rritjet e aktiviteteve prodhuese, por qytetarëve ju jepte lëmosh. Demi është i madh dhe do të jetë afatgjatë”, tha ai.

  • Kurti kërkon mbështetje për projektbuxhetin: Buxheti për mbrojtje dhe siguri

    Kurti kërkon mbështetje për projektbuxhetin: Buxheti për mbrojtje dhe siguri

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual.

    Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për vitin 2024, Kurti në seancë plenare tha se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti ftoi deputetë të pozitës dhe opozitës që të mbështesin projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

    Kurti shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.

    Gjatë qeverisjes së tij, Kurti tha se ekonomisë ju shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja.

    Në prezantimin e projekt-buxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç.

    Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.

    Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë. /kp

  • Pse pijet energjike dhe me kafeinë nuk duhet të konsumohen nga fëmijët?

    Pse pijet energjike dhe me kafeinë nuk duhet të konsumohen nga fëmijët?

    Ndonjëherë prindërit, për të qetësuar ankimet e fëmijëve si pasojë e kufizimeve dhe ndalimeve, bëjnë përjashtime nga rregullat strikte që kanë vendosur.

    Ata i lejojnë fëmijët të konsumojnë ushqime tradicionalisht “të ndaluara”, si ëmbëlsirat dhe pijet joalkoolike.

    Megjithatë, një studim i ri paralajmëron kundër konsumit të tepërt të pijeve me kafeinë dhe energjike nga fëmijët e vegjël, duke e lidhur atë me efektet në funksionin e trurit, por edhe me zhvillimin e zakoneve jo të shëndetshme, si përdorimi i alkoolit që në moshë shumë të re.

    Studimi korean,i botuar në Substance Use & Misuse, zbuloi, se fëmijët e moshës 9-10 vjeç që konsumonin pije joalkoolike me kafeinë çdo ditë kishin dy herë më shumë gjasa të fillonin të pinin alkool brenda një viti.

    I njëjti studim doli gjithashtu në përfundimin se fëmijët që e kanë këtë zakon priren të jenë më impulsivë dhe kanë memorie pune më të dobët.

    Më shumë se 2000 fëmijë amerikanë morën pjesë në studim, me studiuesit që morën parasysh faktorë të tillë si historia familjare e përdorimit të drogës dhe niveli i ulët arsimor i prindërve.

    Përveç kësaj, u përdorën të dhënat nga Studimi i Zhvillimit Njohës të Trurit të Adoleshentëve (ABCD), studimi më i madh gjatësor në SHBA për zhvillimin dhe shëndetin e trurit të fëmijëve.

  • Lajçak fillimisht takohet me Petkoviqin pastaj me Bislimin

    Lajçak fillimisht takohet me Petkoviqin pastaj me Bislimin

    Dialogu teknik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës filloi rreth orës 09:40 në Bruksel me një takim dypalësh mes kryenegociatorit të Beogradit, Petar Petkoviq dhe Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.

    Takimi pritet të zgjasë rreth një orë e gjysmë, pas së cilës me Lajçakun do të bisedojë kryenegociatori i Prishtinës – Besnik Bislimi. Pas kësaj është planifikuar një takim trepalësh.

    Siç ishte paralajmëruar, Beogradi solli në Bruksel ekipin më të madh prej 18 ekspertësh për fushat në negociata, në radhë të parë Komunitetin/Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të zhdukurit dhe energjinë.

    Miroslav Lajçak ditët e fundit ka vizituar Beogradin dhe Prishtinën, ku ka tentuar t’i afrojë qëndrimet e të dyja palëve, para së gjithash kur është fjala për harmonizimin e propozimeve të BE-së për qetësimin e situatës dhe draft Statutin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me një shumicë serbe.

  • Ish-komandanti që kritikoi Putinin gjendet në mënyrë misterioze i vdekur bashkë me gruan e tij

    Ish-komandanti që kritikoi Putinin gjendet në mënyrë misterioze i vdekur bashkë me gruan e tij

    Një ish-komandant i mbrojtjes ajrore ruse është gjetur i vdekur së bashku me gruan e tij në rrethana misterioze.

    Gjenerallejtënant Vladimir Sviridov, 68-vjeç, dhe gruaja e tij Tatyana, 72-vjeç, kishin vdekur për rreth një javë përpara se të gjendeshin kufomat e tyre, shkruan Dailymail, transmeton KosovaPress.

    Piloti në pension dikur kritikoi Vladimir Putinin për drejtimin e një force ajrore të “rangut të tretë”, duke paralajmëruar se oficerët e lartë po largoheshin nga forcat e armatosura për shkak të pagave dhe kushteve të rënda.

    Autoritetet ruse nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë shkakun e vdekjes, raportojnë mediat lokale.

    Gjenerali dhe gruaja e tij u gjetën në shtëpinë e tyre në fshatin Adzhievsky në rajonin e Stavropolit.

    “Punonjësit e shërbimit të gazit kanë marrë tashmë matje dhe nuk është zbuluar tejkalim i përqendrimit të lejuar të substancave të dëmshme”, thuhet në një raport fillestar për vdekjen e tyre.

    “Çfarë e shkaktoi vdekjen e Vladimir dhe Tatyana Sviridov është ende e panjohur.”

    Sviridov komandonte Ushtrinë e 6-të të Forcave Ajrore Ruse dhe Mbrojtjes Ajrore nga viti 2005 deri në 2009 në një emërim të bërë nga Putin.

    Ai ishte një pilot i nderuar i Rusisë dhe më parë kishte shërbyer si pilot snajper ushtarak.

    Atij iu dha Urdhri i Yllit të Kuq dhe një tufë medaljesh.

    Sviridov u largua nga roli i komandantit të tij në moshën 54-vjeçare, pasi bëri një sërë komentesh të ashpra publike për forcat e armatosura ruse.

    Ai tha në një intervistë: “Një pilot duhet të ketë rreth 100 orë kohë fluturimi në vit për gatishmëri të plotë luftarake. Megjithatë, ende nuk është kështu. Koha mesatare e fluturimit në ushtri aktualisht është 25-30 orë.”

    Në një intervistë tjetër, ai u ankua duke thënë se: “Jemi të detyruar të emërojmë oficerë jo plotësisht të trajnuar, sepse nuk ka më të mirë. Për të njëjtën arsye ne po dërgojmë në akademitë ushtarake pilotë të rangut të tretë. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën.”

    Pagat e ulëta dhe sigurimi i dobët i strehimit bënë që oficerët me përvojë të largoheshin nga ushtria sa më shpejt që mundeshin.

  • Krasniqi takohet me Varhelyin, flasin për procesin e integrimit evropian të Kosovës

    Krasniqi takohet me Varhelyin, flasin për procesin e integrimit evropian të Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar Komisionierin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

    Krasniqi bëri të ditur se me Varhelyin folën për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë që vendi të mos lihet mbrapa në këtë proces.

    “Për shtetin dhe qytetarët tanë, është tejet e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë dhe e prekshme”, tha Krasniqi.

    Tutje, ai tha se për PDK-në, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe institucionet euro-atlantike, është vizioni, misioni dhe rruga e vetme përpara.

  • Dalin në shitje biletat e ndeshjes Kosovë-Bjellorusi

    Dalin në shitje biletat e ndeshjes Kosovë-Bjellorusi

    Federata e Futbollit e Kosovës të enjten ka njoftuar se biletat për ndeshjen Kosovë – Bjellorusi, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, e cila zhvillohet më datë 21 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, sapo kanë dalë në shitje.

    Ato mund t’i blini përmes platformës online në linkun e mëposhtëm:

    https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do

    Çmimet e biletave janë si në vijim: veri dhe jug 5 euro, lindje 10 euro, perëndim 20 euro dhe VIP 80 euro.

    Kosova është në lojë vetëm matematikisht për kualifikim në Euro. I duhet ta mposhtë Zvicrën të shtunën dhe Bjellorusinë, dhe duke shpresuar në rezultate të favorshme të Izraelit dhe Rumanisë.

    Bjellorusia s’ka fare gjasa.