ATV

Blog

  • Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Problemet e rënda me shëndetin mund të ndodhin në çdo kohë. A e dini se çfarë duhet të bëni kur jeni vetëm dhe keni një atak në zemër?
    Së pari, ato që nuk duhet të bëni.
    Mund të keni lexuar këshilla që qarkullojnë në internet, se nëse kolliteni fort gjatë ataku në zemër, mund t’ju ndihmojë që të mbijetoni deri kur të vijë ambulanca.
    Është një praktikë reale mjekësore që quhet CPR e kollës, por është e dobishme vetëm gjatë arrestit të plotë kardiak, dhe jo domosdoshmërisht një ataku në zemër. Në fakt, përdorimi i kësaj teknike gjatë një ataku në zemër mund t’i përkeqësojë gjërat në mënyrë të konsiderueshme, dhe mund të shkaktojë vdekjen, përpara se të vijë ndihma.

    CPR me kollë funksionon duke rritur trysninë mbi gjoks, aq sa duhet për të ruajtur qarkullimin e gjakut që përmban oksigjen. Ndihmon trurin që të ruajë vetëdijen në periudha rreziku. Në disa raste mund të jetë gjëja e duhur, por nuk duhet të jeni ju që ta vendosni nëse është apo jo gjëja që duhet të bëhet. Gjëja më e mirë që mund të bëni nëse keni një atak në zemër, kur jeni vetëm, është të ruani qetësinë dhe thërrisni ambulancën MENJEHERE.

    Nëse keni atak në zemër, mund të merrni edhe Aspirinë, si një zgjidhje emergjente. Do t’ju hollojë gjakun dhe ndihmojë qarkullimin. Por përtypeni aspirinën përpara se ta gëlltisni. Kjo ndihmon që ajo të hyjë më shpejt në sistemin tuaj. Pra duhet të dini vetëm që aspirina dhe ruajtja e qetësisë do jua shpëtojë jetën, të kolliturit me siguri do i japë fund asaj.

  • 16 vjet nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale 2007

    16 vjet nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale 2007

    Qytetarët e Kosovës votuan më 17 nëntor 2007, për të preferuarit e tyre në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

    Në zgjedhje garuan 97 subjekte politike përfshirë edhe ato të pjesëtarëve të komunitetit serb. Ato u monitoruan nga një numër i madh vëzhguesish, vendorë dhe ndërkombëtarë.

    Të drejtë vote kishin 1.567.690 votues të regjistruar, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte 628.630 votues ose 40.09%.

    Në këto zgjedhje Partia Demokratike e Kosovës doli parti e parë dhe kryetari i saj Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës, më 9 janar 2008, kur ishte formuar koalicioni qeveritar PDK-LDK.

    Qeveria ishte përbërë nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra.

    PDK në këto zgjedhje mori 196 mijë e 207 vota ose 34.3% të votave, LDK 129 mijë e 410 ose 22.6 %, AKR 70 mijë e 165 ose 9.6%, LDD-PSHDK 57002 ose 10%, AAK 54 mijë e 611 ose 9.6%, Partia ORA 4.1% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 1.7%, ndërsa trembëdhjetë partitë minoritare kishin fituar 5.4% të votave.

    PDK në këto zgjedhje siguroi 37 ulëse në Kuvend, LDK 25, AKR 13, LDD-PSHDK 11, AAK 10,, KDTP 3, PDAK 3, VAKAT 3, SLS 3, SDSKIM 2, SDA 2 etj.

    Më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës kanë kryer një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatin e vendit – nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë, datë kjo që shënon një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

  • Kearns shpërndan alarmin e Zelenskyt: Kemi përgjegjësi për Ballkanin

    Kearns shpërndan alarmin e Zelenskyt: Kemi përgjegjësi për Ballkanin

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka shpërndarë një video të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy, që alarmoi se Rusia po planifikon luftë të re e në rrezik është Ballkani. Duke shpërndarë këtë video ajo ka përsëritur shqetësimet që i pati bërë publike muaj më parë.
    Të enjten, Zelensky ka bërë thirrje për më shumë vëmendje për Ballkanin, përfshirë Kosovë, pasi që sipas tij ka informacione se Rusia po planifikon që ta nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
    “Kam paralajmëruar vazhdimisht se ne duhet ta gjejmë përkushtimin tonë në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është në fqinjësinë tonë dhe kemi përgjegjësi historike. Unë kam paralajmëruar në qershor se çfarë mund të shohim në Kosovë, por u hodh poshtë. Fatkeqësisht, shqetësimet e mia u bënë realitet”, ka shkruar ajo në Twitter.
  • Klasa në Deçan me 34 nxënës të shkëlqyeshëm

    Klasa në Deçan me 34 nxënës të shkëlqyeshëm

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Përveç notës pesë, në ditarin e nxënësve të klasës 11/4, vend nuk zë notë tjetër.

    Me këso nota të larta janë 34 nxënësit e kësaj klase, në degën e mjekësisë, në shkollën e mesme të aftësimit profesional, “Tafil Kasumaj” në Deçan.
    Njëra ndër ta është edhe Anisa Dervishaj, nxënëse shembullore.

    “Notën mesatare e kam 5.0. Ne të gjithë jemi një klasë shumë e suksesshme, i kemi notat të gjitha të shkëlqyeshme”, tha Dervishaj.

    Me rezultate si të Anisës, është edhe Guri. Ai thotë se në arritjen e këtij suksesi po iu ndihmon shumë pjesa praktike.

    “E kemi një herë në javë praktikë, edhe mundem shumë sinqerisht me thënë se punën e një infermieri mundemi me bë edhe ne”, tha Guri Murselaj, nxënës.

    Por krejt ky sukses më së shumti po e gëzon Shpat Selmanajn, i cili në këtë shkollë ligjëron lëndët mjekësore.

    “Kemi disa klasë të mjekësisë që po tregojnë rezultate të shkëlqyera. Këta janë të gjithë të shkëlqyeshëm, në klasën e 10-të ishin krejt, 100% shembullor, e me ritëm të njëjtë po vazhdojnë edhe këtë vit”, tha Selmanaj.

    Drejtori i shkollës, Lan Stojkaj, meritat për këto rezultate ua lë edhe përkushtimit dhe angazhimit të mësimdhënësve.

    “Këtu regjistrimi bëhet me kriter, vijnë nxënës të shkëlqyer. Shkolla jonë po punon që nxënësit ta mbajnë këtë sukses. Gjithmonë mburremi me këta nxënës”, tha Stojkaj.

    Në këtë shkollë, përveç mjekësisë, ka edhe drejtime të tjera si: automekanik, informatikë e ujësjellës.

    Ndërkaq, 419 nxënës sa janë gjithsej, afro 100 janë në degën e mjekësisë.

  • Bislimi në Bruksel: Nuk diskutuam për Asociacionin, pa nënshkrim s’nis zbatimi

    Bislimi në Bruksel: Nuk diskutuam për Asociacionin, pa nënshkrim s’nis zbatimi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa takim trepalësh është mbyllur rundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm, Miroslav Lajçak.

    Në Bruksel, emisari Lajçak takoi ndaras kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

    Edhe pse diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte pikë në rend dite, zëvendëskryeministri për dialog tha se diçka e tillë nuk ndodhi, teksa përsëriti çështjen e nënshkrimit.

    “Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar. Drafti që i është sjellë Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por, a është në harmoni të plotë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanci që kemi marrëveshje valide, e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, tha Bislimi.

    Krahas diskutimit për të pagjeturit, ai njoftoi për lëvizje lidhur me bllokadën në zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë.

    “Kemi diskutuar për çështjen e energjisë. Lajcaku mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm dy-tri propozim-ndryshime të vogla në marrëveshjen për nën-kontraktim mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ne do të japim komentet tona. Java e ardhshme do të jetë e fundit kur duhet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojë zbatimi”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, në anën tjetër, tha se me emisarin e BE-së diskutoi për draft-statutin e Asociacionit.

    “Ekspertët tanë kanë folur në mënyrë shumë të argumentuar dhe të qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit, në radhë të parë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, si dhe faktin që Asociacioni të financohet nga Beogradi”, tha Petkoviq.

    Zëvendëskryeministri tha se në takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së u diskutua edhe për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Ai shprehu gatishmërinë për akomodimin e kërkesës së BE-së për përmirësime, në formularin për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës.

  • Ish ministrja, Meliza Haradinaj Stublla thotë se tendenca e manipulimit me vota, ishte njollosja

    Ish ministrja, Meliza Haradinaj Stublla thotë se tendenca e manipulimit me vota, ishte njollosja

    Përgatiti: Nora Luta

    Dyshimet për dallavere në numërim të votave për bashkëshorten, e cila u zgjodh më pas deputete e AAK-së, e kishin shtyrë Jetmir Bytyqin të pretendojë se është dikush tjetër kur i kishte takuar Sahit Matajn dhe Arbër Krasniqin në vitin 2021.

    Bytyqi për audio-incizimin që e kishte bërë, e që më pas e dorëzoi në Polici, dëshmoi edhe para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilën ndaj Krasniqit e Matajt, që punonin në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, po zhvillohet gjykimi për falsifikim të rezultateve të votimit.

    Gjatë diskutimit me Bytyqin në këtë audio-incizim, të akuzuarit i tregojnë se kanë shtuar votat për kandidaten gjithashtu nga AAK-ja, Meliza Haradinaj-Stublla.
    Sipas Bytyqit, kishte manipulime të rezultateve në dëm të gruas së tij, deputetes, Albana Bytyqi, e në favor të ish-ministres.

    Por, Haradinaj, e cila e vazhdoi dëshminë e saj këtë të enjte, thotë se qëllimi ka qenë të dëmtohet reputacioni i saj, duke mohuar se bashkëshorti i saj tentoi të kontaktonte me të akuzuarit për t’i manipuluar rreth votave për të.

    Gjatë kësaj seance dëshmoi edhe asamblisti i AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, Florim Mataj, dhe xhaxhai i tij Sahit Mataj.

    Përveç Matajt, për falsifikim të rezultateve të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, po akuzohen edhe ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Dardan Gashi, i cili e ka pranuar fajësinë.

    Fajësinë e ka pranuar edhe Granit Halilaj, i cili u dënua me 12 muaj burgim me kusht.

  • Ka disa muaj që analizat laboratorike nuk po ofrohen në objektin e ri të QKMF-së në Gjakovë

    Ka disa muaj që analizat laboratorike nuk po ofrohen në objektin e ri të QKMF-së në Gjakovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Mbi 800 mijë euro kishte kushtuar ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, i cili u funksionialuar vetëm 2 vjet më parë.

    Megjithatë për shkak të infrastrukturës analizat laboratorike nuk po ofrohen në këtë qendër. Pjesa e laboratorit ndodhet në katin e dytë dhe është e paqasshme për disa kategori të pacientëve.

    Andaj ky shërbim mjekësor është zhvendosur në Qendrën e Mjekësisë Familjare 1 në Çarshinë e Vjetër të qytetit. Këtu brenda një ditë kryhen rreth 40 analiza laboratorike.

    “Aty nuk ofrohen analiza laboratorike per shkak te pengeses se liftit dhe pacientat me aftesi te kufizuar nuk ka pasur mundesi me hyp dytin kat me i marr, lift ka po por te pjesa e laboratorit jo se laboratori o ne nje pjese me te ngushte nderkohe aparaturat kane lyp hapesire te madhe. Tash kejt analizat laboratorike kryhen ne QMF e cila me herët ka qenë nje QKMF”, tha drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Adelina Shehu-Kola.

    Edhe pse qendra kryen rinovime infrastrukturore gati çdo vit në njësitë e kujdesit parësor, megjithatë zgjidhje që analizat laboratorike të kryhen edhe në QKMF ende nuk ka.

    “Investime kapitale kemi pas në renovimet shëndetësore që bëhen për çdo vite kemi pasur 100 mijë euro për renovime dhe kanë përfundu. 3 të tjera janë të planifikuara për këtë vit të renovohen për shkak se ofrojnë numër të madh të shërbimeve mjekësore, përfshirë përkujdesin paliativ investimi do të jetë 152 mijë euro”, tha Shehu-Kola.

    Por me gjithë investimet që bëhen qytetarët kanë ankesa sa i përket shërbimit mjekësor në këtë komunë.

    “Nuk jemi aspak të kënaqur me investimet në shëndetësi, sidomos pensionistet jemi më të dëmtuarit. Sidoqoftë investimet duhet të rriten më shumë nga udhëheqësit”, thotë Fatlire Kolshi, qytetare.

    “Investimet në shëndetësi duhet me u rrit, shëndetësia nuk duhet me pushu asnjë ditë, por kjo spo ndodh tek ne fatkeqësisht”, tha Basri Kolshi, qytetar.

    Lidhur me shërbimet laboratorike, Drejtoria e Shëndetësisë në Gjakovë njoftoi se këtë vit janë investuar rreth 90 mijë euro në 25 QMF-ja përfshirë Ambulanca të Mjekësisë Familjare.

  • Kuvendi shqyrton buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh

    Kuvendi shqyrton buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Diskutimi ishte i gjatë në njërën prej seancave më të rëndësishme të Kuvendit.

    Pushteti e opozita patën mendime të kundërta për projektligjin për ndarjet buxhetore, që në Kuvend erdhi për miratim në lexim të parë.

    Fillimisht kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, teksa prezantoi ndarjet buxhetore, tha se ky buxhet është i sigurisë e mbrojtjes, pasi aty pati ndarjet më të mëdha.

    Por, me këto që tha kryeministri nuk u pajtua opozita, teksa pati kritika të shumta si për buxhetin, ashtu edhe për ndarjet buxhetore.

    Megjithatë, me vërejtjet e deputetëve nuk u pajtua ministri i Financave, Hekuran Murati, gjë që nxiti debat më të ashpër me deputetët.

    Buxheti për vitin 2024 për të cilin u diskutua me orë të tëra kap vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro, më i madhi ndonjëherë për nga shifra

  • Opozita e pafuqishme për të ndryshuar situatën me policët, meqë Albin Kurti ka shumicë parlamentare

    Opozita e pafuqishme për të ndryshuar situatën me policët, meqë Albin Kurti ka shumicë parlamentare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë dolën nga takimi 3 orësh me kryeministrin, pa shpresë për konsideratë ndaj kërkesave të tyre.

    Për situatën në Polici, të pashpresë para kryeministrit duken edhe partitë opozitare, sipas të cilave s’mund të bëjnë asgjë, meqë shumicën parlamentare e ka pushteti.

    Meqë, disa tentime të opozitës për votim të rezolutave në mbështetje të Policisë dështuan, në seancën e së enjtes ku debatohej për buxhetin e vitit të ardhshëm nuk propozuan asnjë.

    Megjithatë, AAK-ja pati kërkesa të cilat nuk ndërlidhen specifikisht me Policinë.

    Lidhja Demokratike në këtë seancë e kritikoi kryeministrin Albin Kurti, që përmend Policinë vetëm në kohë trazirash.

    Për mospërfillje të kërkesave ndaj Njësisë Speciale Intervenuese, kryeministri Kurti u kritikua edhe nga deputetët e tjerë.

    Sidoqoftë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili vonë erdhi në seancë, buxheti për Policinë këtë vit ka rritjen më të madhe të bërë ndonjëherë.

  • Pa ndryshime, Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Pa ndryshime, Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Takimi i së mërkurës mbrëma, mes kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësdrejtorit të Policisë me pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje mes tyre.

    Madje disa orë pas, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti miratoi pa ndonjë ndryshim shtesat e rrezikshmërisë për shtatë kategori të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    “Siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar, duke i marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre”, tha Kurti.

    Shtesat për afro 8 mijë zyrtarët policorë do të fillojnë së implementuari nga paga e muajit nëntor.

    “Kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat, ai do të ndahet në mënyrë retroaktive”, tha Kurti.

    E ato gjithsej buxhetit do t’i kushtojnë 7.6 milionë euro.

    “Tejkalojnë edhe kufirin e paraparë me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe nga grupi punues edhe nga komisioni, në mënyrë që të sigurohemi që të ketë një shpërndarje dhe një vlerësim të drejtë”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Shtesat për Njësitë elitare do të jenë në vlerë prej 150 eurosh. Njësia Speciale Operative, K-9 dhe njësia për Eksplozivët dhe Çminim do të ketë shtesa prej 120 eurosh. 100 euro do të kenë pjesëtarët e patrullave kufitare, derisa të hetuesisë nga 75 euro në muaj.

    Para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, shtesat për NJSI-në ishin 225 euro, kurse pjesëtarët e NJSO-së, merrnin shtesa të rrezikshmërisë në vlerë prej 200 eurosh.