ATV

Blog

  • Prishtina pa institut rajonal të shëndetësisë publike

    Prishtina pa institut rajonal të shëndetësisë publike

    Përgatiti: Sara Shehu

    Derisa gjashtë qytete të vendit, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë e Ferizaj, kanë Institut rajonal të shëndetësisë publike, një i tillë nuk u ndërtua asnjëherë në Prishtinë.

    Për t’ua mundësuar prishtinasve kryerjen e analizave më të thella laboratorike, Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se e kanë në plan që në vitin tjetër të fillojnë ndërtimin e objektit të institutit.

    “Pa dyshim që është e rëndësishme të kemi një institut të tillë, meqë Prishtina ende nuk e ka një të tillë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe ne jemi në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pritet që vitin tjetër me pas një të tillë e besojmë se po”, tha Zogaj.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur për ATV-në, se janë në diskutime edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e një qendre të tillë.

    “Një institut rajonal i shëndetësisë publike parashihet të jetë edhe në Prishtinë. Detajet e tjera rreth këtij instituti në Prishtinë, po trajtohen midis Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së dhe komunës, përfshirë çështjet që lidhen me lokacionin, infrastrukturën, burimet njerëzore dhe aktet e tjera që e shoqërojnë themelimin, ndërtimin dhe funksionalizimin e një qendre të tillë”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

    Megjithatë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, as nuk është i informuar për një plan të tillë të IKSHPK-së dhe komunës.

    “Prishtina e ka IKSHPK-në, nuk m’kanë thanë mu nga komuna apo IKSHPK-ja, domethënë askush s’m’ka tregu, është e çuditshme, jam i gatshëm të diskutojmë por me një analizë paraprake e jo vetëm me deklarata të cilat nuk janë garancion që do të kryhet puna”, tha Vitia.

    IKSHPK-ja si institucion shëndetësor i nivelit terciar vazhdon të jetë i mbingarkuar me kryerjen e një sërë analizave nga më të ndryshmet.

  • Rinisin punimet në “Rrugën A”, komercialja ktheu lëndën në rishqyrtim

    Rinisin punimet në “Rrugën A”, komercialja ktheu lëndën në rishqyrtim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Një muaj pasi u pezulluan, punimet për ndërtimin e “Rrugës A” rinisën.

    Ndonëse ditë me shi, të martën disa punëtorë të kompanisë së kontraktuar u panë duke punuar, pasi Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, ktheu lëndën në rishqyrtim.

    Në aktvendimin e Shkallës së Dytë të komerciales të cilin e ka siguruar ATV-ja, thuhet se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.

    “Kolegji i Gjykatës Komerciale vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së Shkallës së Parë nuk është i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohet, pasi që aktvendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. Aktvendimi është i pakuptueshëm, juridikisht i paqartë dhe jo i plotë, kundërthënës me vetveten dhe arsyetimin e tij. Kolegji, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se palët e interesuara nuk kanë qenë të përfshira dhe nuk iu është dhënë mundësia që të jenë palë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë, të cilat bëjnë shkelje esenciale të dispozitave ligjore”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Komerciale.

    Vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale u mirëprit nga zyrtarë të komunës së Prishtinës.

    Megjithatë, ndalja e punimeve për një muaj sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogajt, do të zgjasë afatin e përfundimit të një prej projekteve më të mëdha të Komunës së Prishtinës.

    Vendimi i Shkallës së Parë për pezullimin e punimeve në “Rrugën A” ishte marrë më 17 tetor.

    Teksa ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema” ishte paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.

  • Themelimi i Gjykatës Administrative, projektligji në konsultim publik

    Themelimi i Gjykatës Administrative, projektligji në konsultim publik

    Përgatiti: Nora Luta

    Departamenti administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të shkrihet në Gjykatën Administrative.

    Projektligji për këtë gjykatë që nga 20 nëntori është në konsultim publik dhe para miratimit do t’i pranojë vërejtjet e rekomandimet deri më 8 dhjetor.

    Gjykata Administrative do të ketë juridiksion në tërë territorin e Kosovës.

    Por, do të jetë kompetente në zgjidhjen e të gjitha kontesteve nga marrëdhënia e punës, mes personit fizik dhe institucionit publik, siç përcaktohet me nenin 5 të projektligjit.

    Shoqëria civile pret që funksionalizimi i Gjykatës të ndikojë në zgjidhjen sa më efikase të lëndëve administrative.

    Megjithatë, juristët thonë se do të duhej që të sigurohet staf i mjaftueshëm dhe kushtet e duhura të punës.

    Në punë janë aktualisht rreth 10 mijë lëndë të natyrës administrative në departamentin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Gjykatën Komerciale dhe të Apelit.

  • Vuçiq sekretarit të NATO-s: Ushtrinë e vendosim ku të duam

    Vuçiq sekretarit të NATO-s: Ushtrinë e vendosim ku të duam

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Një ditë pas vizitës në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, aterroi në Beograd.

    Pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, Stoltenberg foli për disa çështje, përfshirë bashkëpunimin, asociacionin dhe vendosjen e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. NATO-ja është e gatshme ta ruajë paqen. Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon. Unë mirëpres koordinimin e ngushtë midis ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it. Unë llogaris në të gjitha palët për t’i ulur tensionet. Unë mbështes formimin e Asociacionit, ky do të ishte çelësi i normalizimit”, tha Stoltenberg.

    Por, deklaratën e Stoltenbergut për vendosjen e ushtrisë, Vuçiq nuk e kaloi lehtë.

    ‘Ushtria serbe kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat. Por, se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, tha Vuçiq.

    Në Beograd, Stoltenberg po ashtu tha se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.

    Megjithatë, Vuçiq deklaroi se ngjarjen në Banjskë e shohin nga një tjetër.

    “Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë. Por, meqenëse e di se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe Zveçanin, më duhet të them se ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptojmë kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”, tha Vuçiq.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë më 20 nëntor, duke iu referuar sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan.

  • VV-ja thotë se provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

    VV-ja thotë se provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se sa i përket rastit “Dehari”, nuk mundet askush t’i dëmtojë më ato prova sepse sipas tij, mbi to janë bërë tashmë ekspertiza e superekspertiza.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shtuar se për sigurinë e tyre nuk duhet askush të shqetësohet.

    “Të shqetësuar jemi vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti. Rasti i Astrit Deharit është me të vërtetë rast që ka prekur gjithë shoqërinë dhe çka do që ndodh njerëzit me të drejtë hedhin dyshime, por provat dhe e vërteta janë të pazhbëshme tashmë. Është koha vetëm për drejtësi”, ka shkruar Manxhuka.

  • Stoltenberg: Serbia është e përgatitur të sigurojë llogaridhënie për autorët e dhunës së fundit në Kosovë

    Stoltenberg: Serbia është e përgatitur të sigurojë llogaridhënie për autorët e dhunës së fundit në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shkruar për takimet që pati me udhëheqësit serbë në Beograd ku qëndroi atje në kuadër të vizitës në disa shtete të rajonit.

    Ai tha se Serbia është e përgatitur që të mbajë përgjegjës autorët që shkaktuan dhunë së fundi në Kosovë.

    “Diskutime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, për tensionet e fundit dhe rolin vital të KFOR’it në mbrojtjen e të gjithë komuniteteve në Kosovë. E mirëpres që Serbia është e përgatitur që të ndihmojë në sigurimin e llogaridhënies për autorët e dhunës së fundit”, ka shkruar Stoltenberg në X.

  • Gruaja polake vendos mjet shpërthyes në qendër të Varshavës

    Gruaja polake vendos mjet shpërthyes në qendër të Varshavës

    Autoritetet polake kanë njoftuar se kanë arrestuar dhe akuzuar një grua 38-vjeçare polake që vendosi një mjet shpërthyes në një rrugë në qendër të Varshavës në fillim të këtij muaji.

    Policia tha se gruaja e vendosi pajisjen në Varshavë natën e 10-11 nëntorit dhe më pas mori një tren për në shtëpinë e saj në Poloninë perëndimore.

    Nuk ka të lënduar, por pajisja mund të kishte lënduar shumë persona, theksoi policia.

    “Një pajisje shpërthyese e improvizuar plot me bombola gazi dhe gozhdë mund të kishte shkaktuar një kërcënim serioz për shëndetin dhe jetën e shumë njerëzve”, thuhet në deklaratë.

    Ajo akuzohet për “shkaktim rreziku dhe rrezikim të jetës dhe shëndetit të disa personave, si dhe përgatitje për shkaktimin e atij rreziku”. Policia përdori pamjet e kamerave të vëzhgimit për të gjurmuar lëvizjet e saj.

    E arrestuar në shtëpinë e saj

    Pas instalimit të pajisjes në Varshavë, ajo u drejtua në stacionin kryesor të trenit të kryeqytetit polak, më pas udhëtoi për në qytetin perëndimor polak të Wroclaw dhe u arrestua në shtëpinë e saj në qytetin e afërt të Strzelin.

    Policia e përshkroi të dyshuarin si një grua polake që tregonte simpati për ekstremizmin islamik, por nuk donte të jepte detaje të mëtejshme rreth saj. Ata publikuan një video që tregonte se po i merrte gjurmët e gishtave dhe i prangosën nga policia, dhe treguan disa nga sendet që ata thanë se gjetën në shtëpinë e saj.

    Mes tyre ishte edhe një foto e Osama bin Ladenit. “Oficerët e policisë siguruan sende dhe pajisje të lidhura me Shtetin Islamik, si dhe sende që mund të përdoreshin për të bërë një tjetër mjet shpërthyes”, përfunduan ata.

  • Tajani: Vetëm emigrantët e shpëtuar në det do të dërgohen në qendrat në Shqipëri

    Tajani: Vetëm emigrantët e shpëtuar në det do të dërgohen në qendrat në Shqipëri

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha të martën se qeveria do të paraqesë një projektligj në parlament për të ratifikuar marrëveshjen që ka arritur me Tiranën për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri.

    Pati disa diskutime fillestare se nuk kishte nevojë që kjo marrëveshje ndërkombëtare të miratohej nga parlamenti, diçka që bëri që partitë opozitare të reagojnë.

    “Qeveria synon të paraqesë shpejt një projekt-ligj ratifikimi në Parlament që do të përmbajë gjithashtu rregullat dhe fondet e nevojshme për zbatimin e protokollit”, tha Tajani.

    “Debati i sotëm (për marrëveshjen) dhe votimi në fund të tij dëshmojnë, nëse ka pasur nevojë, se qeveria jonë nuk i është shmangur asnjëherë dialogut dhe shqyrtimit parlamentar, veçanërisht për çështje të një rëndësie të tillë”, shtoi ai.

    Ministri italian tha se në Shqipëri në bazë të marrëveshjes do të ngrihen dy qendra dhe jo më shumë se 3000 emigrantë do të mbahen atje në të njëjtën kohë. Ai përsëriti se vetëm emigrantët e shpëtuar në det nga autoritetet italiane do të dërgohen në qendrat në Shqipëri dhe jo ata që shpëtohen nga anijet e drejtuara nga OJQ-të apo personat që zbarkojnë në tokën italiane.

    “Nuk do të jetë e mundur të tërhiqen maunat e kontrabandistëve dhe as të drejtohen varkat e drejtuara nga organizata joqeveritare drejt Shqipërisë”, tha ai. “Emigrantët do të kenë të njëjtin trajtim siç parashikohet nga rregulloret italiane dhe evropiane”.

    Tajani shtoi se “ky Protokoll nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës. /ANSA/

  • Kosova e mposhtë Izraelin edhe me U21-sha

    Kosova e mposhtë Izraelin edhe me U21-sha

    Kosova ka arritur të mposhtë Izraelin dy herë brenda tetë ditëve. Kësaj radhe suksesin e arritën grupmosha U21 e udhëhequr nga Afrim Tovërlani.

    3 me 1 ishte rezultati i fitores për Kosovën në ndeshjen e luajtur në Podujevë.

    Dy gola nga Krasniqi dhe një nga Tusha mjaftuan për fitoren e “Dardanëve”.

    Me këtë fitore, Kosova ka 8 pikë dhe zë vendin e tretë, parapa Polonisë e Gjermanisë.

  • Shkencëtarët paralajmërojnë 14 kurthe evolucionare që mund ta zhdukin njerëzimin

    Shkencëtarët paralajmërojnë 14 kurthe evolucionare që mund ta zhdukin njerëzimin

    Nëse shikojmë përmes prizmit të përparimit ekzistues teknologjik dhe mjekësor, mund të ndihemi optimistë për prosperitetin e njerëzimit në të ardhmen, por nëse gërmojmë më thellë, shumë shpejt na bëhet e qartë se suksesi dhe mbijetesa e njerëzve si specie në këtë planeti nuk është aspak i garantuar.

    Hulumtimi i ri i kryer nga shkencëtarët në Universitetin e Stokholmit të Suedisë ka prodhuar 14 “kurthe evolucionare” të ndryshme në të cilat popullata e botës mund të bjerë, duke rezultuar në fund të fundit në zhdukjen e specieve tona.

    Sipas ekipit që qëndron pas studimit, një pjesë e problemit është se ne i kemi siguruar vetes gjithçka që mundemi, dhe pikërisht atë që kemi arritur – suksesi dhe dominimi maksimal mund të rezultojë në pasoja të rrezikshme.

    Tani po kalojmë një polikrizë, një nyje krizash të ndryshme, por vërtet të lidhura thellësisht, brenda së cilës kërcënimet e shumta – nga ndryshimet klimatike deri te pandemitë kërcënojnë t’i japin fund Antropocenit.

    “Njerëzit janë tepër krijues si specie,” thotë antropologu Peter Sogaard Jorgensen nga Universiteti i Stokholmit. “Ne jemi të aftë për risi dhe përshtatje ndaj shumë rrethanave dhe jemi gjithashtu në gjendje të bashkëpunojmë në një shkallë çuditërisht të madhe. Por këto aftësi kanë rezultuar të kenë pasoja të padëshiruara,” thotë ai.

    Rrugët e vdekura evolucionare globale që kërcënojnë njerëzimin

    Nga 14 kurthet e mundshme evolucionare që kërcënojnë njerëzimin, pesë ekspertë i quajnë ato globale.

    Këto janë thjeshtime, duke pasur parasysh se sistemet bëhen shumë të specializuara për t’u përshtatur, si bujqësia mono-kulturore, rritja për hir të rritjes, që do të thotë një kërkim i vazhdueshëm për një blerje ose nisje të një linje të re që rrit në mënyrë dramatike të ardhurat dhe është një recetë për fatkeqësi të mundshme, më pas tejkalim, që ndodh kur shfrytëzimi njerëzor i burimeve natyrore tejkalon biokapacitetin e Tokës (më shumë sesa mund të sigurojë Toka), ndarjen (konflikt ndërkombëtar) dhe ngjitjen (sëmundje të ndryshme infektive).

    Kurthe teknologjike dhe strukturore

    Pesë të tjerat janë etiketuar nga shkencëtarët si kurthe teknologjike. Këto janë lidhja me infrastrukturën (si me lëndët djegëse fosile), ndotja kimike, teknologjia ekzistenciale (si armët bërthamore), autonomia teknologjike (përfshirë inteligjencën artificiale) dhe dezinformata ose informacione të rreme.

    Katër të tjerët u quajtën kurthe strukturore nga studiuesit. Këto janë afatshkurtra, mbikonsumimi, shkëputja e biosferës dhe humbja e kapitalit social lokal në një shoqëri ku një botë gjithnjë e më e digjitalizuar prish dhe ndërpret ndërveprimin shoqëror dhe potencialisht kontribuon në ndarje të mëtejshme.

    Studiuesit besojnë se 12 nga 14 kërcënimet e listuar për njerëzimin janë tashmë në një fazë mjaft të avancuar. Vetëm autonomia teknologjike dhe humbja e kapitalit social lokal ende nuk janë shndërruar në çështje shqetësuese.

    “Kurthet evolucionare janë një koncept i njohur në botën e kafshëve”

    Ata theksojnë se ajo që është edhe më alarmante është fakti se ngërçet e sipërpërmendura ndërthuren dhe përforcojnë njëra-tjetrën, duke krijuar një nyje krizash të lidhura thellësisht, çka do të thotë se mund të biem në grackën e më shumë se njërës prej tyre.

    “Kurthet evolucionare janë një koncept i njohur në botën e kafshëve”, thotë Jorgensen. “Ashtu si shumë insekte tërhiqen nga drita dhe ky refleks i tyre evolucionar në botën moderne mund t’i vrasë, njerëzimi rrezikon të reagojë ndaj fenomeneve të reja në një mënyrë të keqe dhe të papërshtatshme që do ta dëmtojë atë.

    Megjithëse gjithçka duket mjaft e zymtë, studiuesit nuk dorëzohen dhe besojnë se tani është e nevojshme të fillohet një transformim aktiv, jo vetëm për të pranuar që duhet t’i përshtatemi rrjedhës së kohës dhe ngjarjeve, por edhe të bëjmë përpjekje për t’i kthyer gjërat në një drejtim tjetër.

    “Ka shpresë se fati i njeriut nuk është shkruar ende”

    Si specie, ne mund të jemi dritëshkurtër dhe shkatërrues, por në të njëjtën kohë jemi krijues, novatorë dhe të gatshëm për të bashkëpunuar, theksojnë shkencëtarët suedezë. Sipas tyre, kjo do të thotë se ka shpresë se fati ynë ende nuk është shkruar.

    “Secili prej nesh mund të bëjë një gjë shumë të thjeshtë – të angazhohemi më shumë në mbrojtjen e natyrës dhe shoqërisë, duke parë në të njëjtën kohë pasojat pozitive dhe negative globale të veprimeve tona lokale,” thotë Jorgensen.

    Rezultatet e hulumtimit u botuan në transaksionet filozofike, “Proceedings of the Royal Society of London”, në serinë e Shkencave Biologjike.