ATV

Blog

  • Mblidhet qeveria, këto janë pikat që pritet të miratohen

    Mblidhet qeveria, këto janë pikat që pritet të miratohen

    Qeveria e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e radhës sot nga ora 10:00.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

    Ky është rendi i ditës:

  • Izraeli dhe Hamasi pajtohen për armëpushim dhe lirim pengjesh

    Izraeli dhe Hamasi pajtohen për armëpushim dhe lirim pengjesh

    Qeveria e Izraelit dhe grupi radikal palestinez Hamas — i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian — janë pajtuar të mërkurën për një ndërprerje katërditore të luftimeve, për të mundësuar lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, raporton Reuters.

    Zyrtarë nga Katari, që ka ndërmjetësuar negociata sekrete, si dhe nga SHBA-ja, Izraeli e Hamasi, prej ditësh kanë paralajmëruar për arritjen e një marrëveshjeje.

    Hamasi besohet se po mban mbi 200 pengje, të cilët i ka marrë kur luftëtarët e tij ia mësynë Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona, sipas autoriteve izraelite.

    Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve.

    Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirmin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.

    “Qeveria e Izraelit është e vendosur për kthimin e të gjithave pengjeve në shtëpi. Sot, ajo ka aprovuar marrëveshjen e propozuar si fazë të parë drejt arritjes së këtij objektivi”, thuhet në komunikatë, e cila u lëshua disa orë pas diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.

    Hamasi ka thënë se 50 pengjet do të lirohen në shkëmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë, po ashtu, hyrjen e qindra kamionëve me ndihma humanitare, ilaçe dhe karburante në Gazë, ka thënë grupi radikal palestinez, përmes një komunikate.

    Izraeli është zotuar se nuk do të sulmojë apo nuk do të arrestojë askënd në të gjitha pjesët e Gazës gjatë periudhës së armëpushimit, ka njoftuar Hamasi.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. “Marrëveshja e sotme duhet të kthejë një shtëpi pengje shtesë amerikane, dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, ka deklaruar ai, përmes një komunikate.

    Qeveria e Katarit ka thënë se 50 civilë, gra dhe fëmijë, të marrë peng, do të lirohen nga Gaza në shkëmbim të lirimit të “një numri grash dhe fëmijësh palestinezë që mbahen në burgjet izraelite”.

    Fillimi i zbatimit të marrëveshjes do të bëhet i ditur brenda 24 orësh, ka njoftuar ajo, përmes një komunikate.

    Marrëveshja është e para e armëpushimit në një luftë në të cilën bombardimet izraelite kanë rrafshuar pjesë të mëdha të Gazës së qeverisur nga Hamasi, kanë vrarë 13.300 civilë në një territor të vogël me dendësi të madhe popullsie, dhe kanë lënë rreth dy të tretat e popullsisë së tij prej 2.3 milionë banorësh pa kulm mbi kokë, sipas autoriteteve në Gazë.

    Por, Netanyahu ka thënë se misioni i Izraelit nuk ka ndryshuar.

    “Ne jemi në luftë dhe do të vazhdojmë luftën derisa t’i arriojmë të gjitha objektivat tona. Ta shkatërrojmë Hamasin, t’i kthejmë të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi se askush në Gazë nuk mund ta kërcënojë Izraelin”, ka deklaruar ai para fillimit të takimit qeveritar.

    Hamasi ka thënë në komunikatën e tij se, “përderisa po shpallim arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, konfirmojmë se luftëtarët tanë mbeten të gatshëm, dhe luftëtarët tanë fitimtarë do të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e popullit tonë dhe për mposhtjen e okupatorëve”.

    Tre amerikanë, përfshirë një vajzë trivjeçare, prindërit e së cilës ishin mes të vrarëve gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, pritet të jenë ndër pengjet që do të lirohen, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.

    Përveç qytetarëve izraelitë, mbi gjysma e pengjeve kanë nënshtetësi të dyfishtë nga mbi 40 shtete, përfshirë SHBA-në, Tajlandën, Britaninë, Francën, Argjentinën, Gjermaninë, Kilin, Spanjën dhe Portugalinë, ka thënë qeveria izraelite.

    Sipas mediave izraelite, lirimi i parë i pengjeve pritet të bëhet të enjten. Zbatimi i marrëveshjes duhet të presë 24 orë për t’i dhënë qytetarëve izraelitë rastin t’i kërkojnë Gjykatës Supreme ta ndalojë lirmin e të burgosurve palestinezë, raportuan ato. /REL

  • Qeveria kundërshton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Qeveria kundërshton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtoria Koordinuese serbe.

    Në një postim në Facebook, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.

    “Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkërisht prej vitesh”, ka thënë ai.

    Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.

    Qeveria e Kosovës fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

    “Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, ka thënë Bislimi.

    Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta.

    “Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”, ka thënë Bislimi.

    Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të sigurohen që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.

    “Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, përfundon Bislimi.

  • Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

    Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

    Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 115 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

    Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

    Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit 1908. Aty morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

    Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

    Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

    Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

    Për shqiptarët e Maqedonisë kjo është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

  • Komuna e Prishtinës ende pa aplikacion për barnatoret kujdestare

    Komuna e Prishtinës ende pa aplikacion për barnatoret kujdestare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    5 deri në 10 barnatore janë në shërbim të qytetarëve pas mesnatës në Prishtinë.

    Së bashku me këtë orar, Drejtoria e Shëndetësisë kishte premtuar krijimin e aplikacionit për gjetjen e barnatoreve të hapura, por një gjë e tillë as pas një muaji nuk ndodhi.

    Aplikacioni, për të cilin kjo drejtori nuk pranoi të flasë, po kërkohet nga Oda e Farmacistëve.

    “Është shumë e rëndësishme të ketë aplikacion dhe anketim për gjithë sistemin, apo rrjedhën e barnatoreve përmes telefonit t’i gjejnë direkt”, tha Jehona Hakaj, nënkryetare e Odës së Farmacistëve të Kosovës.

    Në mungesë të Aplikacionit dhe për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, Oda e Farmacistëve ka vendosur në dyert e barnatoreve nga një barkod me informata shtesë për barnatoret e hapura.

    “Ky është një barkod, të cilin e kemi vendosur në shumicën e barnatoreve në Prishtinë, që sado pak të kenë mundësi ta dinë kohën kur janë të hapura, është mirë
    që të jetë edhe në qytetet e tjera përveç Prishtinës”, tha Hakaj.

    Sidoqoftë, qytetarët, kryesisht të moshuarit, nuk po e kuptojnë procedurën me barkode.

    ATV-ja ka kuptuar se të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve do të diskutohen gjatë plotësim-ndryshimit të Rregullores për kujdestarinë e barnatoreve, që do të mbahet pas një jave në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

  • Themelimi i fondit sovran, afër në letër e larg në praktikë

    Themelimi i fondit sovran, afër në letër e larg në praktikë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Deputetët e pushtetit brenda Komisionit për Ekonomi kanë votuar në tërësi projektligjin dhe amendamentet e propozuara për Fondin Sovran. Kështu shënohet hapi i radhës legjislativ drejt realizimit të premtimit të kamotshëm elektoral të partisë në pushtet.

    “Po ashtu, procedura legjislative ka përfunduar, gjithë përgatitja institucionale dhe e financimit është paraparë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024, dhe ne presim që nga viti/ky vit, pra me miratimin e Ligjit, të fillojë edhe jetësimi i Fondit Sovran”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Ndërmarrjet si: Korporata Energjetike, Telekomi, Posta, Trepça, Trainkosi dhe Infrakosi pritet t’i kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.

    Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se funksionalizimi potencial i Fondit në praktikë do marrë shumë kohë.

    “Mund të votohet, mund të kalojë në Kuvend, por zbatimi eventual i tij, jo që kërkon kohë, por për mua do të jetë një mision i pamundur”, tha Gërxhaliu.

    Vërejtje logjike dhe juridike karshi konceptit për Fondin Sovran shprehu edhe kryetari i komisionit për ekonomi.

    “Ne jemi në fazën e transformimit të këtyre aseteve do të vijnë nga një shoqëri centraliste ekonomike dhe kanë një koncept krejt tjetër këto struktura, qoftë menaxhuese qoftë të aseteve. Konsideroj që tanimë kemi një konglomerat të ideve jo të qartësuara mirë dhe do të jenë në dëm të ekonomisë së vendit në periudhën katër apo pesëvjeçare…ka potencial të madh të shkoj në kushtetuese sepse prek resurset minerare dhe mjedisore të vendit”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Projektligji për Fondin Sovran, me votën e deputetëve të pushtetit në korrik të këtij viti, u votua në Kuvend në lexim të parë.

    Sipas projektligjit, kapitali themeltar i Fondit do të jetë 20 milionë euro. Ndërsa, me themelimin e tij do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

  • Masterplani dhe studimi në sirtar, Qeveria pa vendim për gazifikim

    Masterplani dhe studimi në sirtar, Qeveria pa vendim për gazifikim

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ka muaj që Qeveria ka në tavolinë Studimin e Fizibilitetit për Gazsjellësin Maqedoni e Veriut – Kosovë, si dhe Master-Planin e Gazit, dokumente të cilat për më se dy vjet i kërkonte për vendimmarrje eventuale për investime për gazifikim.

    Mungesa e dokumenteve pati shërbyer si arsye për refuzimin e mundësisë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, përmes një donacioni amerikan në vlerë 200 milionë dollarë, dhe riorientimin e mjeteve për blerjen e baterive.

    Plani Fizibilitetit sqaron disa opsione për gazsjellësin Maqedoni i Veriut – Kosovë, duke rekomanduar në fund përdorimin e materialit 100% të përshtatshëm për tranzicion të mëvonshëm nga gazi në hidrogjen, sipas objektivave të BE-së.

    Gazsjellësi i supozuar Shkup – Prishtinë parashihet të ketë gjatësi rreth 97 km, prej tyre 75 km në pjesën e Kosovës dhe afër 22 km në pjesën e Maqedonisë së Veriut.

    Nga kostoja e përgjithshme e investimeve prej 98 milionë eurosh, pjesa e Kosovës vlerësohet të kushtojë rreth 72 milionë euro, ndërsa ajo e Maqedonisë së Veriut rreth 26 milionë euro.

    Ndërtimi i gazsjellësit në pjesën e Kosovës, sipas studimit mund të bëhet për 49 muaj, ndërkaq në pjesën e shtetit fqinj për 38 muaj.

    Si burime alternative të furnizimit me gaz përmenden Kroacia, Shqipëria dhe Greqia.

    Ndërsa, Master Plani i Gazit detajon katër skenar të gazifikimit të Kosovë: (1) në shkallë të gjerë, (2) në shkallë të vogël, (3) industrial dhe (4) vetëm industrial.

    Në rastin e parë kostoja e përgjithshme e investimit do të ishte 543 milionë euro, në të dytin 200 milionë, në të tretin 73 deri në 88 milionë dhe në skenarin e fundit, 64 deri në 78 milionë euro.

    Tre skenarët e parë parashohin kapacitete gjeneruese prej 380 MW/h, me bazë gazin.

    Varësisht skenarit, për ngrohje parashihet mundësia e shtrirjes së rrjetit në komunat me mbi 20 mijë banorë, ndërsa energji elektrike përmendet skenari për zhvillimin e dy njësive gjeneruese, me cak funksionalizimi në vitin 2028.

    Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, i publikuar javë më parë, theksoi faktin se përkundër se i ka në dispozicion dy dokumentet, nuk ka vendimmarrje lidhur me investime në sektorin e gazit.

  • Më 30 nëntor protestojnë zjarrfikësit

    Më 30 nëntor protestojnë zjarrfikësit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga Qeveria, nuk morën përgjigje për takim. Andaj zjarrfikësit kanë vendosur të shfrytëzojnë mënyra të tjera në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre.

    Të enjten e 30 nëntorit zjarrfikësit do të protestojnë para objektit të Qeverisë me disa kërkesa.

    Por, forma se si do të protestojnë ende nuk është e qartë. Zjarrfikësit nuk e përjashtojnë mundësinë që të qëndrojnë me orë të tëra para ndërtesës së Qeverisë.

    E nëse kryeministri i fton në takim para 30 nëntorit, zjarrfikësit ka gjasa edhe të heqin dorë nga protesta.

    Lidhur me kërkesat e zjarrfikësve, ATV-ja ka tentuar të marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Brendshme, por askush nuk deshi të komentojë.

    Zjarrfikësit e kanë quajtur selektiv, vendimin e Qeverisë që mjetet për rrezikshmëri në punë t’u ndahen vetëm policëve.

    Zjarrfikësit thanë se nuk kanë mbështetje dhe përkujdesje institucionale dhe janë diskriminuar me dekada.

  • Një pjesë e IML-së përfshihet nga zjarri

    Një pjesë e IML-së përfshihet nga zjarri

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    mëngjes.

    Zjarrfikësit, Policia dhe Prokuroria kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Derisa të lënduar nuk pati, një pjesë e dokumenteve u bënë shkrumb e hi. Zjarri kishte përfshirë zyrat e ushtruesit të drejtorit të këtij institucioni, Ditor Halili, dhe ish-drejtorit, Arsim Gërxhaliu.

    Asnjëri prej tyre nuk deshi të prononcohej për rastin.

    Zjarri u shua shpejt, por dëmet që i shkaktoi ende nuk dihen.

    “Ekipi i zjarrfikësve menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervenuar për një kohë shumë të shpejtë, ka lokalizuar zjarrin. Çdo gjë është nën kontroll, nuk ka diçka rrezik. Fatmirësisht nuk ka pasë të lënduar, në momentin që kanë ardhë zjarrfikësit këtu, stafi që ka qenë këtu veç ka dalë jashtë. Ka dëme materiale, është e përfshirë një zyrë e ndarë në dysh, ka materiale, dokumente të zyrës, punës, nuk dihet çfarë përmbanin”, tha zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra.

    Disa orë pas incidentit, në një reagim në Facebook, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së apo mostrave.

    “Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”, shkroi Haxhiu duke aluduar në deklarata që ndërlidhnin zjarrin me intervistimin e së hënës të ministres për rastin Deharit.

    Njëkohësisht, Policia dhe Prokuroria tashmë i kanë nisur hetimet.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo është hera e dytë që përfshihet nga zjarri.
    Në mars të këtij viti, zjarri shpërtheu në pjesën ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo rasteve të tjera që janë nën hetim.

  • Osmani: Disa çështje krijojnë dykuptimësi në draft statut, të largohen

    Osmani: Disa çështje krijojnë dykuptimësi në draft statut, të largohen

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Para se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që disa çështje që krijojnë dykuptimësi të eliminohen.

    Osmani ka thënë se tashmë ka përgatitur komentet me shkrim dhe se i ka dërguar te të gjithë akterët e involvuar në përgatitjen e këtij drafti.

    “Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involvuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese”, tha Osmani.

    Ndërsa të paarsyeshme e ka quajtur kërkesën e ndërkombëtarëve që draft-statuti të mos ndahet me liderët e opozitës.

    “Meqenëse është kërkesë e vetë emisarëve ndërkombëtarë që të mos i bëjmë publike komentet, pa e bërë ata vetë publik draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e paarsyeshme që ky draft të mos ndahet edhe me liderët e opozitës. Ata përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”, tha Osmani.

    Sipas presidentes, shumë prej parimeve që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese në vitin 2015, nuk janë të pranishme në draft-statutin euro-amerikan.