ATV

Blog

  • Zjarri në IML, Haxhiu: S’e dija që mustaqet e Jasharit dhe gishti i Boletinit kanë qenë në zyrë

    Zjarri në IML, Haxhiu: S’e dija që mustaqet e Jasharit dhe gishti i Boletinit kanë qenë në zyrë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se nuk ka qenë në dijeni se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit kanë qenë në zyrën e një eksperti të mjekësisë ligjore. Ajo theksoi se të njëjtat nuk janë pronë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, por të njëjtat pas lufte i janë dhuruar njërit nga ekspertët.

    Ajo i është përgjigjur edhe akuzave të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili kërkoi përgjegjësi pas rastit të zjarrit në këtë institut. Haxhiu theksoi se të njëjtit duhet t’i vije turp kur të flas.

    “Me qenë si ti, mua më kishte ardhur turp të flas, sepse ke qenë ministër i Drejtësisë dhe na thuaj këtu se cili ka qenë veprimi ndonjëherë i yti për të adresuar problemet të cilat i ke pasur në IML. As edhe një të vetëm, asnjëherë. Sepse nuk e ke pasur interesin me i rregullua problemet që janë në institucione, me i adresu reformat në institucione. Keq ma ke lënë IML-në, keq ma ke lënë Shërbimin Korrektues, që janë dy institucione të ndjeshme. Prandaj, nëse s’ke bërë asgjë si ministër i Drejtësisë, tashmë të paktën mundesh me hesht. Ose nëse nuk hesht mos me tentu me hedh këtu hi para deputetëve të Kuvendit, rrjedhimisht edhe qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

    Në seancë planare, Haxhiu shtoi se nuk ka pasur informacione se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit ndodhet në zyrat e IML-së.

    “Sa i përket mustaqeve dhe gishtit të Isa Boletinit, siç është përmendur në media, ato nuk kanë qenë pronë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sepse Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka të drejtë që të mbajë gjëra të tilla. Siç na është thënë në vitin 2000, familjet dhe Jashari ja kanë dhënë njërit prej ekspertëve të mjekësisë ligjore. Pra, familjet ja kanë dhënë atij dhe personi i ka mbajtur në zyre, po ta dija unë mendoj që do të duhej që ato t’i mbante shteti. Unë s’kam pasur informacione që kanë qenë në zyrën e njërit prej ekspertëve të mjekësisë ligjore”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo tha se nuk do ta bëjë drejtor të Institutit, dikë që ka pasur çelësin e vendit ku ruhen mostrat e Astrit Deharit.

    “Nuk do ta bëjë drejtor dikë që ka pasur çelësin e vendit ku ruhen mostrat e Astrit Deharit. Pa folur drejtësia për këtë, në momentin kur flet drejtësia dhe të tregojë se kush është personi i përveçëm që i ka vjedhur mostrat e Astrit Deharit, atëherë sigurisht që do të vazhdojë me procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të IML-së”, shtoi ajo.

    Edhe më tej ka vijuar debati mes deputetit Abelard Tahiri dhe ministres Haxhiu. Kjo e fundit u shpreh se ai nuk ka integritet moral e as profesional.

    “Unë nuk fyhem prej teje kurrë, mos mendo që mund të më fyesh ndonjëherë. Sepse ti nuk ke integritet as moral, as profesional dhe as politik që të më fyesh mua, që unë të ndjehem e fyer prej teje. Nuk po mundem të përmend edhe disa çështje të tjera sepse jemi në kuvend, prandaj edhe po i respektoj qytetarët e Republikës së Kosovës, por nëse mendon ose të shkon mendja që mund të fyhem prej teje, harroje se nuk do të ndodhë asnjëherë”, u shpreh ajo.

  • Konjufca: Kryeministri dhe ministrat e kanë obligim t’iu përgjigjen deputetëve

    Konjufca: Kryeministri dhe ministrat e kanë obligim t’iu përgjigjen deputetëve

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kryeministri dhe ministrat e kanë obligim t’iu përgjigjen pyetjeve parlamentare, raporton Ekonomia Online. Ai foli edhe për mosvotimin e marrëveshjeve nga ana e opozitës, derisa theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë gjithmonë pro votimit të këtyre marrëveshjeve.

    “Së pari, sa i përket pyetjeve parlamentare, po jap qëndrimin tim. Qeveria, kryeministri dhe ministrat e kanë obligim me iu përgjigj pyetjeve parlamentare.  Edhe në çdo mospërgjigje e kanë vërejtjen e qartë të parlamentit dhe kryetarit të parlamentit që kjo nuk është mirë”.

    “Tek e fundit, ekziston në përgjegjësi publike të personave që të jenë të përgjegjshëm para Kuvendit të Kosovës, e në këtë rast Qeveria e ministrat”.

    “Por, kjo qenë e keni dëgjuar edhe vetë një pozicionim politik i qeverisë së Kosovës e cila nuk është brenda rregullave të Kuvendit. Edhe këtë e ka ndërlidh me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, unë i përgëzoj edhe njëherë marrëveshjen, njëfarë lloj marrëveshje që është arritur në mes grupeve të mazhorancës”.

    “Lidhjen Demokratike nuk po e shti në këtë, sepse Lidhja Demokratike gjithmonë ka qenë sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, por Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Tash varet krejt prej mobilizimit të deputetëve dhe përgjegjësisë që ata të vijnë këtu, nëse këto tri grupe parlamentare i kanë deputetët e tyre, atëherë unë mendoj që Kuvendi mund t’i kalojë këto marrëveshje ndërkombëtare”.

  • Abdixhiku bën homazhe në 23-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës

    Abdixhiku bën homazhe në 23-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, kryetarin e degës në Podujevë, Ekrem Hyseni dhe strukturat e degës kanë bërë homazhe pranë varrit të Xhemail Mustafës, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.

    Abdixhiku Xhemail Mustafën e cilësoi ikonë të lëvizjes politike të viteve të 90-ta.

    ‘’Xhemail Mustafa ishte pijetarë i shumë proceseve në kohët më të vështira të Kosovës, mik i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova e këshilltar politik, atdhetar, profil shumë dimensional i shkrimtarit, publicistit e gazetarit. Roli e po ashtu edhe kontributi i tij në rrugën për liri dhe pavarësi është i paharrueshëm për LDK-në dhe historinë e Kosovës. Vrasja e Xhemail Mustafës vazhdon të mbetet ende goditje e rëndë për familjen, Lidhjen Demokratike dhe demokracinë e Kosovës”, ka theksuar Abdixhiku.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuari për zbardhjen e vrasjes së Xhemail Mustafës, por edhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemail Mustafës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

  • Ministrja Haxhiu kërkon të themelohet Komision Hetimor për IML-në

    Ministrja Haxhiu kërkon të themelohet Komision Hetimor për IML-në

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që të themelohet një Komision hetimor në lidhje me zjarrin Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Kështu ka thënë ajo duke shtuar se krimi është aq i madh në këtë institucion, sa që sipas saj, vetëm përmes një Komisioni hetimor do të mund të bëhej zbardhja e tyre, raporton Ekonomia Online.

    “Kuptova që u përmend zjarri në IML dhe ndoshta janë të rralla kur hetimet preliminare thonë se zjarri ka ndodhur për shkak të defektit energjetik por duket e pabesueshme”.

    “Jo rrallë herë IML është përballur me skandale të shumta kur vrasjet janë bërë vetëvrasje e kur vetëvrasjet janë bërë vrasje e kështu më radhë”.

  • Haradinaj: Kuvendi të miratojë rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj: Kuvendi të miratojë rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta aprovojnë një rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë ta paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.

    Sipas tij, deputetët duhet të ndërmarrin vendime për ta ndihmuar sigurinë e vendit, raporton EO.

    “Ne mund ta aprovojmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë qeverisë që ta bëjë kërkesën për anëtarësim në NATO”.

    “Duhet të krijohet një komision parlamentar për NATO-n dhe një agjendë parlamentare për me i bindë vendet skeptike që të ecim përpara”.

  • Krasniqi për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë: Dëmet po i pësojnë qytetarët

    Krasniqi për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë: Dëmet po i pësojnë qytetarët

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka reaguar për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, raporton Ekonomia Online. Krasniqi tha se këto dëme po i pësojnë qytetarët.

    “Janë bërë disa muaj që tashmë kjo qeveri qëllimshëm ose jo është duke zvarritur punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, me disa procedura koti që për synim kanë bllokimin e mëtejmë të këtij projekti infrastrukturor, gjë e cila po shkakton dëme të mëdha financiare për qytetarët e kësaj ane, bizneset, fermerët dhe bujqit”.

    “Bizneset vuajnë humbje të konsiderueshme financiare, fermerët janë të bllokuar në aksesin e tyre të nevojshëm, dhe qytetarët po përballen me një trafik të rënduar dhe kosto shtesë për shkak të vonesave. Në vend që të shohim progres dhe zhvillim, jemi dëshmitarë të një strategjie manipulative nga ana e qeverisë, të cilat kanë përqendruar përpjekjet e tyre në shpërndarjen e lajmeve të pavërteta në vend të përmirësimeve konkrete”.

    “Kjo nuk është thjesht një çështje e infrastrukturës; është një çështje e përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë. Në muajin mars të këtij viti Ministri Liburn Aliu, kishte njoftuar për publikimin e Njoftimit Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente në Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrje të punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi prej 9.78Km duke thënë se duhen 25 muaj për finalizimin e këtij projekti”.

    “Ndërkohë me 8 tetor, i njëjti ministër shfaqet sërish në këtë magjistrale me një video mesazh duke thënë se tashmë është hapur njoftimi për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve. E një javë më vonë, më 16 tetor sërish bën me dije se kanë hapur njoftimin për dorëzimin e ofertave, në lidhje me kryerjen e punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë. Pra, po flasim për 7 muaj kohë diferencë dhe puna e vetme që është bërë nga ky ministër në lidhje me punimet në këtë magjistrale, janë tri pastime në faqen e tij në Facebook dhe asgjë konkrete”.

  • Specialja ua ndalon vizitat e telefonatat ish-krerëve të UÇK-së – Musliu: Të reagojë Kuvendi

    Specialja ua ndalon vizitat e telefonatat ish-krerëve të UÇK-së – Musliu: Të reagojë Kuvendi

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganinete Musliu, ka reaguar pasi Gjykata Speciale gjatë fundjavës ka ndaluar telefonatat dhe vizitat e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas saj, duhet që Kuvendi të reagojë kundër këtij vendimi.

    “Sot dua të shpreh shqetësimin tim për vendimi e ndalimit të vizitave dhe telefonatave nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për ish-krerët e UÇK-së, e cila po bën çdo veprim për të mbuluar dështimin e tyre”.

    “Ne bashkërisht duhet që të reagojmë kundër këtij vendimi. Ky Kuvend e ka votuar këtë gjykatë dhe do duhej që të reagonim kur shkelen të drejtat e tyre”.

    Edhe zyrtarisht janë zbuluar arsyet pse Gjykata Speciale e Hagës i ka ndaluar vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim. Sipas një parashtrimi thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë zbuluar detaje të dëshmitarëve për vizitorë. Bisedat e tyre me vizitorë janë të incizuar.

    Prokuroria e Specializuar në Hagë po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë shfrytëzuar vizitat nga vizitorët e ndryshëm që atyre t’iu zbulojnë detaje për dëshmitarët e mbrojtur.

    Me këtë qëllim Prokuroria ka incizuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit ku krerët e UÇK-së, sipas Prokurorisë, kanë biseduar me shumë vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.

  • Gashi dyshon se zjarri në IML mund të jetë shkaktuar qëllimshëm

    Gashi dyshon se zjarri në IML mund të jetë shkaktuar qëllimshëm

    Shefi i deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në Kuvend ka përmendur disa skandale që sipas tij ndodhën këtë javë, raporton Ekonomia Online. Ai hodhi dyshime se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka qenë i qëllimshëm.

    Gashi tha se ky zjarre mund të jetë shkaktuar për të zhdukur zhurmë dhe prova kriminale. Ai përmendi edhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gashi foli edhe për raportimet se në këtë zjarr janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.

    “Sot i drejtohem këtij Kuvendi dhe qytetarëve të Kosovës për të vënë theksin në tri skandale qeverisëses gjatë një jave. Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar që më në detaje do të flas pas meje deputeti Avdullah Hoti”.

    “Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e IML-së, që për në vetvete jo vetëm që është skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë që s’mund të tolerohet. Nuk mund të tolerohet sepse bëhet fjalë për një Institut që ka për detyrë dhe funksion të merret me hulumtimin shkencor të rasteve të vdekjeve, vrasjeve, vdekjeve të dyshimta e të tjerë”.

    “E më e rëndë bëhet akoma kur kjo ndodhë për herë të dytë. Nëse e marrim dhe i shohim qëndrimet e ministres së drejtësisë e shohim që kjo situatë merr përmasa kriminale. Pra ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkives, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë Institut, e ndërkohë në media thuhet dhe rezulton se ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetje mortore të komandantit Adem Jashari e Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”.

  • Hoti për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë: Do të dëmtohen komunat

    Hoti për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë: Do të dëmtohen komunat

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka folur për pasojat siç ka thënë për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Sipas tij, pasojat do të jenë të rënda për qytetarët e në veçanti për komunat për shkak të granteve që marrin bazuar në kokë banori.

    “Të gjitha të dhënat tregojnë se pasojat do të jenë ekonomike. Mos shpërndarja e të gjitha burimeve dhe buxhetit, për komunat sepse grantet që i ndajmë i marrim për bazë numrin e regjistrimit të popullsisë. Shumë e rëndësishme për vendimmarrjen e bizneseve, për tu organizuar e bëjnë bazuar në kërkesën që vjen nga qytetari”.

    “Do të pamundësohet rangimi ndërkombëtarë, si do të rangohet Kosova për kokë banori në Evropë. Me kërkesë time do të organizojmë dëgjim publik për pasojat e këtij dështimi. Ne do t’i shohim pasojat në vitin 2024 dhe ndoshta edhe në vitin 2025”, u shpreh Hoti.

  • Hadergjonaj: Jam e bindur që në Kukës s’ka pasur krime, nuk i dëgjoj thashethemet e kësaj Gjykate

    Hadergjonaj: Jam e bindur që në Kukës s’ka pasur krime, nuk i dëgjoj thashethemet e kësaj Gjykate

    Dëshmitarja Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.

    Deklarata e saj, erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Këtë që thua e kuptoj, por nuk e kuptoj që në Kukës ka pas krime dhe jam e bindur që aty nuk ka pas krime”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

    Ajo tha se nuk i intereson të dëgjojë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb e po ashtu sipas saj edhe thashethemet e Gjykatës Speciale.

    “Unë arrij në përfundimin që sapo thash se nuk kam dëgju kurrë nga askush që ka pas gjëra të tilla në Kukës dhe unë kam të drejtë ta ruaj mendimin tim të bazuar në këtë që ajo çka po thoni ju ndalesë në Kukës është sajesë e Shërbimit Sekret Serb, prandaj nuk me interesojnë gjërat e tilla t’i lexoj. Unë nuk kam dëgju kurrë që ka pas gjëra të atilla aty. Sikur ta kisha dëgju prej dikujt, unë do të ua thosha me sinqeritetin më të madh, por unë nuk kam dëgju. Nuk kam informatë që aty ka pas diçka. Nuk i dëgjoj dhe as nuk i lexoj thashethemet e kësaj gjykate që kanë shqitë nga ajo për të cilën është formu”, tha Hadergjonaj.

    Këtë deklarim, ish-deputetja e bëri pasi avokati Laws e pyeti nëse për rastin në Kukës ka ardhur në këtë përfundim, për shkak se nuk i ka lexuar materialet e kësaj çështjeje.

    “Po e them, edhe dje, po e them edhe sot materialet e kësaj çështje nuk i lexoj sepse janë sajesa të Shërbimit Sekret Serb dhe nuk dua as me i lexu. Zotri avokat, unë që jam ulë këtu si dëshmitare jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe kërkush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu. Kurrkush nuk po më mbron mua…okej”, tha Hadergjonaj, derisa ia ndërpreu fjalën kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia.