ATV

Blog

  • Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Tiranës për Diasporë

    Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Tiranës për Diasporë

    Presidentja e Kosovës, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë.

    Në këtë Samit, pritet të marrin pjesë liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historianë nga gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh.

    Presidentja Osmani në Samitin III për Diasporën, do t’i adresohet të pranishmëve me një fjalim.

    Samiti III për Diasporën do t`i zhvillojë punimet më 22-23 nëntor.

  • Shpërthim në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, dëmtohen dy prona e një veturë

    Shpërthim në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, dëmtohen dy prona e një veturë

    Një granatë dore ka shpërthyer të mërkurën në orët e vona në rrethana të paqarta në rrugën “Fahri Fazliu”, në Kodrën e Trimave në kryeqytet.

    Policia e Kosovës njofton se nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale në dy prona dhe në një veturë.

    Këtë shpërthim policia e ka quajtur ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’.

    “Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë 22.11.2023-23:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës për një shpërthim, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë takuar dy ankuese kosovare, të cilat kanë deklaruar se si pasojë e shpërthimit në afërsi të shtëpive të tyre u janë shkaktuar dëme materiale në pronat e tyre dhe në një veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e PK-së për deminim, ku dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë garantë dore, i cili ka shpërthyer në rrethana (ende) të panjohura. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Batatina mesazh të fuqishëm FFK-së: Besojuni trajnerëve vendor

    Batatina mesazh të fuqishëm FFK-së: Besojuni trajnerëve vendor

    Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka bërë një reagim të fuqishëm ne rrjetet sociale në lidhje me gjendjen e Kombëtares së Kosovës në futboll, menjëhër pas largimit të Primoz Gliha nga stoli i trajnerit si dhe dështimit të Kosovës që nën drejtimin e tij të kualifikohet në Kampionatin Evropian të futbollit.

    Në reagimin e tij të gjatë, Batatina ka theksuar nevojën e kohës që në krye të Dardanëve të vie një trajner vendor duke thënë se tashmë ka disa emra që e kanë dëshmuar se ka kualitet tek trajnerët e Kosovës dhe si rrjedhojë ata nuk duhet të nënvlerësohen.

    Mes të tjera, Batatina vë në pah edhe punën e tij me lojtarë të rinj që së fundi i janë bashkuar Kombëtares së Kosovës si Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni.

    Reagimi i plotë i Batatinës:

    Nuk di se çfarë duhet të bëj më shumë si Trajner me 10-vite karrierë, punë, organizim, diciplinë, trofe dhe lojtarë të trajnuar e të përgatitur profesionalisht duke iu besuar në moshë të re e duke i ngritur deri tek Kombëtarja.

    Më mirë sot sepse nesër do të jetë vonë. Vitet ikin, koha kalon dhe nuk na duhet dikush pa ndjenja të vij tek Kombëtarja A. Çdokush që vie tek Kombëtarja A, duhet të ketë diçka më shumë në punën dhe zejen e trajnerit për ta pasur besimin ta ngris Kombëtaren tonë të shenjtë.

    A mund të më tregoj dikush se çfarë lideri duhet me qenë? A mundem ta dij se cilat janë kriteret për një Selektor? Çka duhet të bëjmë më shumë për të na dhënë besimin? A nuk po e duam vetë kualifikimin apo nuk po u besojmë njerëzve tanë?

    Nuk dua që askush të shkel mbi njohuritë që kemi, nuk dua të nënvlerësohemi vetëm pse jemi lindur e rritur në vendin tonë dhe se kemi luftuar për një vend të lirë dhe demokratik. Nuk dua të heshti sepse profesionalizmin e kemi arritur me sakrificë, mund dhe djersë. Kemi sakrifikuar për futbollin e Kosovës dhe këtë rini andaj do të jetë e pa pranueshme nese sërish do vie një Selektor pa ndjenja, pa vizion dhe pa bagazh që ta menaxhoj Kombëtaren tonë siq ishin këta deri sot.

    Nuk na besuat me vite kur ne rritëm dhe zhvilluam talentë. Nuk na besuat kur ne ngritëm dhe avancuam futbollin të cilin e kishim dhe e kemi ende si obligim profesional dhe kombëtar, por nuk pranoj të nënvlersohemi sikurse futbollistët e Superligës tonë me vite të tëra.

    Njëri lojtar i skuadrës, Muhamet Hyseni, të cilin unë e stërviti shënon golin më të mirë të këtyre ndeshjeve të ciklit kualifikues kurse tjetri, Ilir Krasniqi largon topin në momentet vendimtare të ndeshjes nga vija fatale e portës… A i stërviti këta djem dikush tjetër kur morën ftesë nga Kombëtarja?

    A ishin Zyba, Dellova, Krasniqi, Hyseni – shembulli më i mirë se kë stërvisim ne? A di dikush të më tregoj a duhet ta zbulojmë ujin e nxehtë apo çka të bëjmë më shumë për futbollin?

    A duhet të na besohet Kombëtarja ndonjërit prej nesh që jemi duke dhënë gjithçka për futbollin dhe për këta djem apo të sjellni njerëz të hargjuar në Kombëtare?

    Na duhet energji pozitive dhe njerëz me ide për të ardhmen që dhanë gjithçka për vendin dhe atdheun, përndryshe nuk ka zgjidhje, vetëm katandisje e rezultate dëshpëruese.

    Me ty Kosovë çdo herë – në ditë të mira e të vështira…

  • Vjedhje e rëndë në Pejë: Hajnat hyjnë në banesë dhe marrin kasafortën me para

    Vjedhje e rëndë në Pejë: Hajnat hyjnë në banesë dhe marrin kasafortën me para

    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Pejë.

    Sipas raportit 24-orësh së Policisë, disa persona të panjohur kanë hyrë në banesën e viktimës (mashkull kosovar) nga ku kanë vjedhur një kasafortë ne të cilën kishte pasur një shumë të konsiderueshme parashë.

    Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar.

  • Mblidhen sot pesë komisione parlamentare

    Mblidhen sot pesë komisione parlamentare

    Pesë komisione parlamentare do të mblidhen sot.

    Nga ora 09:00, do të filloj Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit që në rend të ditës janë pesë pika, si dhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport e cila në rend të ditës ka tri pika

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport mblidhet në ora 09:30, dhe në rend të ditës janë tri pika.

    Ndërsa nga ora 10:00 do të filloj Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje e cila në rend të ditës ka katër pika për diskutim.

    Po ashtu edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike mblidhet në ora 10:00 dhe në rend të ditës ka tri pika.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Pjetës Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Seanca nis në orën 09:30 dhe pritet të përfundojë rreth orës 16:00.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri.

    Ai akuzohet për krime të luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

    Krimet për të cilat akuzohet Shala dyshohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

  • Gjithçka që dihet nga grabitja e armatosur në Suharekë

    Gjithçka që dihet nga grabitja e armatosur në Suharekë

    Të mërkurën një grabitje e armatosur ka ndodhur në një argjendari në Suharekë rreth orës 15:45, ku si pasojë një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua gjatë aksionit.

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje të rastit, duke njoftuar se me të marr informatën për një rast grabitje e armatosur”, patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes.

    “Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.

    Policia njofton se ndërkohë kanë mbërri në vendin e ngjarjes edhe përforcime të tjera policore dhe se nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.

    “Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera rajonale thonë se janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

    “Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu, ka dhënë detaje shtesë në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë.

    Ai ka bërë të ditur se nga ky incident përveç një polici të plagosur, ka mbetur edhe një tjetër i lënduar.

    “Grabitësit kanë plagosur një polic. Kanë dëmtuar veturën e Policisë. Kanë arritur të marrin një sasi të arit në argjendari, pronari i lokalit nuk është i lënduar. Në këtë rast ka pasur shkëmbim zjarri në mes Policisë e grabitësve, edhe një polic që ka gjuajtur në drejtim të grabitësve është i lënduar në krah, por jo si pasojë e armës së zjarrit”, ka thënë Aliu.

    Ai ka thënë se të dyshuarit kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë të gjata me vete dhe një veturë hiri që rezulton të jetë me targa të vjedhura.

    “Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar të jetë e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, ka vijuar ai.

  • Presidentja Osmani takon ambasadorin amerikan, Presidenca jep detaje nga takimi

    Presidentja Osmani takon ambasadorin amerikan, Presidenca jep detaje nga takimi

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend.
    Në njoftim po ashtu thuhet se presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend. Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
  • Dhjetë të lënduar nga shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren

    Dhjetë të lënduar nga shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një person është arrestuar nën dyshimin për hedhjen e një mjeti shpërthyes që lëndoi dhjetë persona në një treg të kafshëve në Prizren.

    Rasti ndodhi në mëngjes rreth orës 5. Me të dalë në vend të ngjarjes Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren fillimisht identifikuan tre të dyshuar, por me zhvillimin e hetimeve, Policia njoftoi se dy persona ishin kryes të veprës që u cilësua si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Autoritetet ende janë në kërkim të personit të dytë të dyshuar, ndërkaq të arrestuarit R.M., i lindur në vitin 1982, nga Gjilani, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Sipas Policisë, rasti ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes tregtarëve.

    “Rreth orës 4.50, kemi pranu se ka një plagosje në tregun e kafshëve. Njësitë relevante kenë dalë menjëherë, 9 persona kanë marrë plagë si pasojë e hedhjes se granatës, 9 persona fillimisht janë dërgu në trajtim mjekësor për trajtim mjekësor, ndërkohë më vonë edhe një qytetar tjetër ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor. Nga hetimet e para bëhet e ditur se fillimisht këtij rasti i ka paraprirë një zënkë e çastit, pastaj një përleshje, pastaj një nga të dyshuarit ka hedhur granatën”, tha zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Njëkohësisht, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, tha shefi i repartit të Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në.

    Megjithatë, pesë prej tyre janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

    “Bëhet fjalë për pesë pacientë të lënduar nga një mjet plasës, me ç’rast kanë pësuar lëndime dy nga ta në regjionin e qafës, dhe në ekstremitetet e sipërme dhe të poshtme, dy të tjerë kanë pësuar lëndime në regjionin e toraksit dhe në regjionin e ekstremiteteve. Gjendja e tyre e përgjithshme, duke u bazuar në parametrat vitalë është stabile. Njërit pacient i është vendosur dreni torakal, momentalisht është duke u trajtuar në Kirurgjinë Torakale, ndërsa pacienti tjetër tani do të vendoset në Kirurgjinë Torakale, dhe pacientët e tjerë janë më të lehtë dhe sipas të gjitha gjasave do t’i lirojmë në shtëpi pas ekzaminimeve shtesë”, tha Avdush Bajgora, mjek kujdestar në QKUK.

    Sipas burimeve të ATV-së, të lënduarit janë nga komuna e Podujevës, ndërkaq motivet janë ende duke u hetuar, njoftoi Policia.

  • KPMM-ja, në shënjestër të një personi të armatosur

    KPMM-ja, në shënjestër të një personi të armatosur

    Përgatiti: Armand Hoti

    Karikatorin e pati të mbushur me tetë fishekë. Me revole, S.J., të martën u nis drejt ndërtesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Shënjestër e tij ishte inspektorati.

    “Roja ka arritur t’ia marrë gurin për ta evituar rrezikun. Kur roja ia merr gurin ai i ka thënë se ka armë. Realisht është frikësuar roja dhe ai e ka nxjerrë armën… ka filluar me kërcënime, sharje e fyerje dhe ka pyet: “a dalin nga këtu inspektorët e minierave, sepse unë e di tani çfarë bëj”, tha Naim Sejdiu, kryeinspektor në KPMM.

    I menjëhershëm ka qenë intervenimi i policisë, duke e arrestuar të dyshuarin dhe duke e dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka ekspozuar një armë-pistoletë dhe ka kryer veprën e lartcekur. Njësitet policore në vendin e ngjarjes gjatë kontrollit të të dyshuarit, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 8 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Për ta zbardhur rastin, që u cilësua si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe posedim i paautorizuar i armës, gjatë ditës hetuesitë policorë morën video-incizimet e kamerave të objektit.

    Kryeinspektori Sejdiu thotë se S.J. është bashkëpronar i një kompanie gurëthyesi, që ka aplikuar për licencë për shfrytëzim dhe aktivitete të veçanta, por që nuk e ka marrë aprovimin e KPMM-së.

    “Ndërmarrja “Javor – F” sh.p.k me pronar F.J., S.J., Pejë, ka dy kërkesa në KPMM, njëra është licencë për shfrytëzim, ndërsa tjetra është për leje për aktivitete të veçanta. Aplikacioni në KPMM është bërë më 23.01.2020, sipas aktvendimit të Bordit, i është refuzuar kërkesa për licencë shfrytëzimi për arsye që kërkesa ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Miniera. Leja për aktivitete të veçanta është në proces, por në mungesë të bordit… por, nëse nuk ka leje të shfrytëzimit nuk e di çfarë i duhet leja për aktivitete të veçanta, ku e merr materialin”, tha Sejdiu.

    ATV-ja ka kontaktuar me pronarin e kompanisë në fjalë, Fatlind Javori. Ai mohon se S.J. është bashkëpronar në ndërmarrjen e tij, derisa thotë se në momentin e kërcënimit me armë, i dyshuari ishte në gjendje të rënduar mendore.

    “Nuk është as pronar as nuk ka të bëjë me këtë kompani. Ai ka punuar në kompani vetëm diku dy vjet. Ai ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe ka probleme psikike. Ka qenë invalid i luftës dhe ka plagë. Ka dëshmi, ia kanë dërguar edhe një avokat, ka pasur terapi te psikiatri dhe nuk e ka aplikuar. I ka ardhur momenti kinse që e kanë ndalë në rrugë me kamion për leje apo diçka. Nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë tonë”, thuhet në përgjigjen e pronarit të “JAVORI – F” SH.P.K, Fatlind Javori.

    KPMM-ja, sipas kryeinspektorit, nuk ka informata se firma në fjalë ka operuar ilegalisht. Kryeinspektori Sejdiu thotë se zyrtarë të KPMM-së janë kërcënuar nga anëtar të familjes Javori, edhe në vitin 2018.