ATV

Blog

  • Nis protesta e PSD-së pas vizitës së Trendafilova-s në Prishtinë, i pranishëm edhe Faton Klinaku

    Nis protesta e PSD-së pas vizitës së Trendafilova-s në Prishtinë, i pranishëm edhe Faton Klinaku

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, është duke mbajtur një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

    Partia Socialdemokrate, ka nisur protestën e paralajmëruar para objektit ku po mbahet ky takim.

    Atyre iu ka bashkangjitur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OV-UÇK-së, Faton Klinaku. Ai para gazetarëve tha se ky takim i gjykatëses Trendafilova me përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk është dashur të mbahet fshehtë. Ai thotë se së pari, në këtë takim është dashur të ftohen veteranët e UÇJK-së.

    Ndërkohë, në videon e siguruar nga ATV shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë për tu përkujdesur për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së takimit Trendafilova-s me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë. /atvlive.tv

  • Trendafilova në takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë, shihen forca të shtuara të Policisë

    Trendafilova në takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë, shihen forca të shtuara të Policisë

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, sot do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

    Lidhur me këtë takim, Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar protestë para objektit ku ajo pritet ta mbajë këtë takim.

    Ndërkohë, në videon e siguruar nga ATV shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë për tu përkujdesur për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së takimit Trendafilova-s me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë. /atvlive.tv

  • Miftaraj radhit kushtet që duhet Kosova të plotësojë për KiE pas publikimit të raportit

    Miftaraj radhit kushtet që duhet Kosova të plotësojë për KiE pas publikimit të raportit

    Njohësi i çështjeve ligjore, Ehat Miftaraj, i cili është edhe drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka nxjerrë disa kushte që, sipas tij, Kosova duhet të plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Europës bazuar në raportin e publikuar nga raportuesit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Ndër pikat e radhitura nga Miftaraj është edhe ajo e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën rreth Manastirit të Deçanit, për të cilën kishte kërkuar edhe Quint’i që Qeveria e Kosovës ta zbatojë.

    Po ashtu, Miftaraj thotë se në bazë të asaj që thuhet në raport, Kosova duhet që Njësinë Speciale në veri mos ta dërgojë për detyra të zakonshme.

    Rruga drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës kërkon nga Kosova të përmbushë këto kushte, sipas Miftarajt:

    Të zbatohet pa vonesë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e kishës së Deçanit;

    Politika me theks të veçantë partia në pushtet LVV të respektojë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë ndalja e kritikave te panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor.

    Kushtet shtesë për anëtarësim në Këshillin e Europës:

    Të vazhdohen përpjekjet për reformimin e gjyqësorit në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe duke respektuar plotësisht standardet e Këshillit të Evropës

    Te ndërmirren hapat e nevojshëm për të siguruar që kërkesat pronësore nga refugjatët dhe PZHBV-të të gjykohen brenda një kohe të arsyeshme;

    Te vazhdohen përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të siguruar zbatimin e duhur të legjislacionit të ri në këtë fushë;

    Përdorimi i forcave speciale policore në veri të Kosovës të përmbahet nga kryerja e detyrave të zakonshme policore dhe të sigurohet që forcat e tilla të dislokohen vetëm aty ku është e nevojshme dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.

  • Rohde: Ky është lajmi i mirë dhe lajmi i keq nga raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Rohde: Ky është lajmi i mirë dhe lajmi i keq nga raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde i ka falënderuar ekspertët ligjorë për raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, i cili u bë publik dje.

    Rohde shkroi në “X” se në këtë raport ka një lajm të mirë dhe një të keq.

    “Faleminderit për raportin e ekspertëve ligjorë të Këshillit të Europës mbi përputhshmërinë e sistemit politik/juridik të Kosovës me standardet e KiE. Lajmi i mirë: rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Lajmi i keq: Moszbatimi i vendimit të GJK-së në Deçan shënon ‘shkelje të qartë të sundimit të ligjit’”, shkroi ambasadori gjerman.

    Rohde theksoi dy rekomantimet e para të raportit, si respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit.

    “Ekspertët e cilësojnë Kosovën si një demokraci funksionale dhe e vlerësojnë kushtetutën e saj moderne me ‘garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit’. Por ata gjithashtu theksojnë kritikat ‘e ashpra’ ndaj përfaqësuesve dhe institucioneve gjyqësore nga politikanët në poste të larta. Kështu, 2 rekomandimet e para të raportit për Kosovën për sundimin e ligjit janë: 1. Zbatimi pa vonesa të mëtejshme i vendimeve të Deçanit, 2. respektimi i plotë i pavarësisë së gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”, shkroi ambasadori gjerman.

    Në përgjithësi, Rohde shkruan se “raporti nxjerr një pamje të përzier, duke treguar standarde të larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë plotësisht”.

    “Është e qartë për mua se zbatimi urgjent – siç kërkohet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar – është i nevojshëm për të avancuar me sukses ofertën e anëtarësimit të Kosovës!”, shkroi Rohde.

    Kosova aplikoi në maj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

  • Haradinaj me mesazh në 11-vjetorin e lirimit nga Gjykata e Hagës: Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen

    Haradinaj me mesazh në 11-vjetorin e lirimit nga Gjykata e Hagës: Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen

    Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot procesin gjyqësor ndaj tij në Tribunalin e Hagës, i cili kishte zgjatur me vite të tëra për të përfunduar në favor të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

    Haradinaj ka thënë se ashtu siç ishte konfirmuar pastërtia e UÇK-së në rastin e tij, njëjtë do të ndodh edhe me të akuzuarit që sot mbahen në Hagë.

    “Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Të dashur qytetarë,

    Më 17 nëntor 2004 pata dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, për t’u paraqitur për intervistim para prokurorëve të Hagës në Prishtinë, si i dyshuar për krime lufte dhe thyerjen e ligjeve dhe rregullave të luftës.
    Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, pas disa vjetësh jam rikthyer për herë të dytë në rigjykim.

    I gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

    Në këtë proces për vendosjen e drejtësisë asnjëherë nuk mbeta i vetëm. Kisha afër familjen, bashkëluftëtarët, gjithë qytetarët e diasporën e në përgjithësi shqiptarët, por edhe institucionet tona, edhe pse në pjesën e parë nuk ishim shtet i pavarur.
    Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit.

    Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!

  • Aksident i rëndë në Kroaci, lëndohen katër shqiptarë

    Aksident i rëndë në Kroaci, lëndohen katër shqiptarë

    Katër shqiptarë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të hënën në Kroaci.

    Një 22-vjeçar shqiptar, me qëndrim të përkohshëm atje, i cili drejtonte një automjet Volkswagen Caddy, është përplasur me një kamion “MAN” me targa të Slavonskobrodit që drejtohej nga një boshnjak, në qytetin e Crnec Dugoselski.

    Siç raportojnë mediat kroate, si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar rëndë të dy drejtuesit dhe katër pasagjerët e veturës, tre shtetas shqiptarë me vendbanim të përkohshëm në Republikën e Kroacisë, të moshës 41, 43 dhe 45 vjeç dhe një shtetas nga Nepali, 26 vjeç.

    Raportohet se atyre iu është ofruar ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Klinike në Zagreb dhe në Spitalin Klinik të Dubravës.

  • Behrami: Në Prishtinë Qeveria ia hapi dyert kryetares së Speciales, në Hagë Trendafilova mbylli dyert për t’i vizituar luftëtarët e lirisë

    Behrami: Në Prishtinë Qeveria ia hapi dyert kryetares së Speciales, në Hagë Trendafilova mbylli dyert për t’i vizituar luftëtarët e lirisë

    Analisti Artan Behrami ka reaguar ndërlidhur me vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë.

    Behrami ka thënë se në Kosovë qeveria ia ka hapur dyert Trëndafilovës, kurse në Hagë Gjykata Speciale i ka ndaluar vizitat.

    “Në Prishtinë, Qeveria e Kosovës ia hapi dyert kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Në Hagë, gjykata e Trendafilovës ia mbyll dyert për vizita familjes së ngushtë të luftëtarëve të lirisë!”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.

  • Mbi tre mijë targa ilegale të konvertuara në RKS

    Mbi tre mijë targa ilegale të konvertuara në RKS

    Konvertimi i targave ilegale të Serbisë në ato RKS është duke vazhduar edhe sot për komunat e veriut të vendit.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për RTKlive se deri më sot janë regjistruar 2750 me targa ilegale në veri të Kosovës.

    Ai tha se edhe 800 kanë qenë të regjistruara më herët.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më 1 dhjetor 2023.

    Kjo përfshin taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit.

  • KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

    KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar në lidhje me kërkesat buxhetore për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin 2024, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë dëgjim publik pjesëmarrës ishin Institucionet e Agjencionet që bien në fushëveprim të këtij Komisioni, ku prezent ishin përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët thanë që janë të kënaqur me ndarjet buxhetore që janë ndarë për vitin 2024.

    Ud. i kryeshefit ekzekutiv i KPM-së Farku Regjaj, tha se kanë pasur kërkesa për ndarje buxhetore për tri projekte të cilat janë aprovuat nga Qeveria, për të cilën tha se janë shumë të kënaqur.

    Ai tha se kërkesa e KPM-së ka qenë që të shtohen edhe 37 pozita të reja të punës në këtë institucion, nga të cilat tha se janë aprovuat vetëm pesë pozita.

    “Sa i përket projekt-buxheti këtë vit se paku deri me tani KPM është bukur e kënaqur ne aprovimin e gjitha projekteve kapitale që ka pasur. Kanë qenë tri kërkesa të tirja janë aprovuat. Të pagat e shtesa, kemi aprovim në vetëm 5 pozita për këtë vit. A janë mjaftueshme, nuk janë të mjaftueshëm”, tha ai.

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ka pyetur përfaqësuesit e KPM-së se për pjesën e digjitalizimit a kanë kërkuar buxhet shtesë.

    Deputeti i LDK-së Agim Veliu, ka pyetur në lidhjet me kërkesat për punëtorë.

    “Deshta të ndalem të kërkesa për pozita të reja. Thanë që janë 39 pozita ekzistuese, që e kanë me rrit numrin në 76 po me duket e paarsyeshëm. Dhe që sa nuk keni kryeshef ekzekutiv”, pyeti ai.

    Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, tha se është e rëndësishme që kërkesa për staf të merret parasysh, por sipas tij, edhe aprovimi për pesë pozita është në rregull.

    “Unë e lexova kërkesën e pashë se keni kërkesë për staf. Është e detajuar se për çka ky staf është për vlerësimin tim investim kapital, sepse te ju njerëzit e kryejnë punën. Kërkesa për staf është investim kapital dhe duhet që të trajtohet. Nuk ka rishikim. Ta shohim se a ka mundësi që këta të reduktojnë. Pesë qenkan mirë”, tha ai.

    Regjaj duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve tha se punëtoret në këtë institucion marrin detyra shtesë në mungesë të stafit, sipas tij, në këtë fazë iu duhen së paku edhe 15 punëtorë, raporton EO.

    Ai me këtë rast ka shpjeguar edhe arsyet se pse që dy vite KPM është duke vazhduar me ushtrues detyre.

    “Do të jetë një kërkesë e KPM-së. Jemi jashtëzakonisht pak edhe me pesë të aprovuar. Secili punëtorë në KPM merr detyra shtesë, në këtë fazë duhet edhe 15 punëtore shtesë. KPM-ja që dy vite e gjysmë është duke punuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv”, tha ai.

  • Blinken: NATO-ja është e bashkuar, diskutuam se si ta ndihmojmë Ballkanin Perëndimor

    Blinken: NATO-ja është e bashkuar, diskutuam se si ta ndihmojmë Ballkanin Perëndimor

    Dje në Bruksel është mbajtur takimin i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

    Aty mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Ai foli rreth asaj se çka u diskutua në këtë takim.

    Blinken tha se temë e diskutimit ishte Ballkani Perëndimor, dhe se si të ndihmohet kjo pjesë për një të ardhme euroatlantike.

    Sekretar amerikan theksoi se “Aleanca e NATO-s është e bashkuar”.

    “Ne folëm për shumë tema në terren gjatë takimit të ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Washingtonit vitin e ardhshëm, në mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri tek mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai në rrjetin social X.