ATV

Blog

  • Rritet numri i të infektuarve me HIV në Kosovë, 13 raste të reja

    Rritet numri i të infektuarve me HIV në Kosovë, 13 raste të reja

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    13 pacientë të infektuar me HIV/AIDS i janë shtuar librit të regjistrimeve për pacientë të Klinikës Infektive në vitin 2023. E në këtë klinikë nga kjo sëmundje po trajtohen 65 pacientë.

    “Krahas vitit paraprak ku ishin 9 raste të reja, këtë vit mund të themi se kemi një rritje të lehtë të rasteve me këtë sëmundje”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

    Në Ditën Botërore të luftës kundër Sidës, sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, i rëndësishëm është informimi lidhur me rreziqet.

    “Duhet të kenë qenë dhe të jenë pjesë e aktivitete e jo të mbesin komunitete të lëna anash”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha.

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se në Kosovë deri më tani janë raportuar 177 raste me virusin HIV. Përqindja më e lartë i takon gjinisë mashkullore. Njëkohësisht, Komuna e Prishtinës tashmë ka nisur fushatën për vetëdijesimin rreth rëndësisë së testimit.

    “Jemi duke bërë fushata tash që të parandalohet përhapja e saj, të ketë sa më shumë testime, pasi që vetëm kështu mund ta parandalojmë përhapjen e saj”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

    Për më tepër, muajin e shkuar, kryeqytetit i është shtuar këshillimorja e parë për t’u testuar rreth sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si HIV, Hepatit B, C dhe Sifilis.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shfrytëzim ilegal në pronën shtetërore

    Shfrytëzim ilegal në pronën shtetërore

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me rrafshimin e terrenit, ku Gani Demolli synonte të ndërtonte një stallë në Krilevë të Kamenicës, i kontraktuari Milaim Beka, me ekskavatorë, gërmoi edhe në pronë të shtetit.

    Beka nuk arriti ta përfundojë atë që nisi, pasi punimet iu ndërprenë nga inspektorët komunalë që njoftuan Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

    Sipas të dhënave të KPMM-së, Milaim Beka i kontraktuar nga Gani Demolli, pa licencë, eksploatoi afro 100 metra kubë, gurë andezitë, në Pronën Shtetërore Ekonomia Pyjore. Në një përgjigje për ATV-në, tashmë i akuzuari Beka, tha se nuk ishte në dijeni se po gërmonte në tokë të shtetit.

    “Nuk e kam ditur, se çfarë guri është. Unë kam hyrë për pronë private, por kur kanë ardhur inspektorët doli që është pronë e shtetit. Unë kam prekur shumë pak në tokë të shtetit”, tha Beka.

    Referuar lëndës së përgatitur nga KPMM-ja, inspektimi i datës 20 nëntor në Krilevë rezultoi me sekuestrimin e dy kamionëve dhe një ekskavatori.

    Por, sipas të akuzuarit Beka, pajisjet e përdorura gjatë aktivitetit të jashtëligjshëm, i janë kthyer.

    “Kamionët i kanë liruar po atë ditë, ndërsa ekskavatorin e kanë mbajtur deri rreth datës 25 nëntor, nëse nuk gaboj”, tha Beka.

    Ndërkaq, Gani Demolli, pronari i parcelës që ndodhet ngjitur me pronën shtetërore, konfirmoi se nuk ka poseduar asnjë leje që do t’i mundësonte gërmimin.

    Këtë për televizionin e konfirmoi edhe inspektorati komunal.

    “I lartcekuri arsyetimin e ka pasur që i duhet për stallë, gjoja se i ka thënë Ministria e Bujqësisë për rrafshim të hapësirës. Kjo përgjigje bie, sepse leja ndërtimore për objektin stallë merret në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Kamenicës. Ai s’e kishte atë leje e as pëlqim për shfrytëzim të hapësirës publike”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit komunal.

    Policia e ka cilësuar rastin si ‘’Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit’’, teksa ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal.

    “Ju njoftojmë se njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë në konsultim me prokurorin e shtetit, ka iniciuar rast për veprën penale “Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit”. Në lidhje me këtë, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal dhe rasti është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Pa dhënë detaje lidhur me kthimin e mjeteve, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për ATV-në se tashmë ka pranuar kallëzimin penal.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, sot, më 01 Dhjetor 2023, ka pranuar kallëzimin penal, nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve M.B dhe G.D. Ky rast do të ndahet në punë te një prokuror, i cili do të vendosë lidhur me veprimet e mëtutjeshme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Ndërkaq, Inspektorati Komunal ka shqiptuar gjobë prej 800 eurosh ndaj Milaim Bekës. Nëse, gjoba paguhet në afatin e përcaktuar prej dhjetë ditësh, ai do të lirohet nga 50-përqindëshi i pagesës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Seancat e Kuvendit, pas dy javëve

    Seancat e Kuvendit, pas dy javëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kuvendi nuk do të mbajë seanca dy javë. Por, kur deputetët të kthehen përpara do ta kenë për shqyrtim Projektbuxhetin për vitin 2024.

    Deri atëherë opozita po shpreson që pushteti do të reflektojë karshi disa kërkesave.

    Kritika se nuk po merren parasysh amendamentet e propozuara nga opozita pati edhe shefi i grupit parlamentar nga AAK.

    Ndërkaq, veç kësaj seance gjatë javës së dytë të dhjetorit do të mbahet edhe një seancë, më 15 dhjetor, ku Kuvendit do t’i drejtohet me fjalim vjetor presidentja, Vjosa Osmani.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti e ministrat s’shkuan për t’i dëgjuar pyetjet e deputetëve

    Kurti e ministrat s’shkuan për t’i dëgjuar pyetjet e deputetëve

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Si zakonisht, seanca plenare nuk filloi me kohë. Andaj, ata pak deputetë e ministra që erdhën në sallë, vonesën njëorëshe e shfrytëzuan për llafe.

    Kaq e qetë, Ganimete Musliu nuk ishte edhe kur seanca e dedikuar vetëm për pyetje parlamentare nisi. Mungesa e kryeministrit Albin Kurti dhe e disa vartësve të tij, nxiti reagimin e deputetes nga PDK-ja.

    “Derisa na ua krijojmë luksin ata me ardhë me bo fushata e me rrejt popullin, me bo demagogji në këtë Kuvend dhe na i shikojmë prej ulëseve atyre hallall u koftë që nuk vijnë edhe me na rreh kapak. Andaj unë po tërhiqem nga kjo seancë”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

    Mospraninë e ministrave për t’i dëgjuar pyetjet e deputetëve e kritikuan edhe dy partitë tjera opozitare.

    Seanca vazhdoi me pyetjet e ligjvënësve drejtuar pesë ministrave që ishin të pranishëm. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ishte ai që më së shpeshti doli në foltore.

    Për dallim nga kolegu i tij, edhe pse e pranishme, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, refuzoi të përgjigjet në pyetjen e shtruar nga deputetja Eliza Hoxha.

    Veç kështu nuk veproi edhe kur pyetja i erdhi nga deputeti i partisë në pushtet.

    Për shkak të mungesës së kryeministrit dhe ministrave, shumica e pyetjeve parlamentare u barten për seancat e radhës.

    Sidoqoftë, mosprania e ministrave në seanca plenare nuk është praktikë e re.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti: S’mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa pasur siguri

    Kurti: S’mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa pasur siguri

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Shkoi për vizitë në Gjilan, por më së paku foli rreth qytetit. Albin Kurti në fakt diskutoi një mori çështjesh në nivel shtetëror, duke filluar nga dialogu me Serbinë.

    Përgjigje pati edhe rreth marrëveshjes për energji. Sipas tij, të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër tash gati dy vjet.

    Më pas radha u erdhi projekteve të parapara për Gjilanin. Bashkë me kryetarin e qytetit, Alban Hyseni, kryeministri përmendi tri projekte.

    I pari është stadiumi me rreth 15 milionë euro për të cilin procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. Më pas unaza rrugore me përafërsisht 26 milionë euro, tashmë e buxhetuar. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, po ashtu i buxhetuar. Gjatë kësaj vizite kryeministri tha se do t’i ndjekë nga afër punimet që po bëhen në rrugën “Hamdi Kurteshi”.

    Ndërkaq, nuk e ka komentuar deklaratën e ministrit Liburn Aliu, i cili tha se Kosova është projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Targat “e humbura” në veri, i hapin rrugë regjistrimit të mjeteve të dyshimta

    Targat “e humbura” në veri, i hapin rrugë regjistrimit të mjeteve të dyshimta

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Vetëm muajin e kaluar, më shumë se tre mijë qytetarët në katër komunat në veri të vendit hoqën targat ilegale serbe dhe regjistruan automjetet e tyre në RKS, duke shfrytëzuar mundësinë që u ofron një udhëzim administrativ i MPB-së.

    Por, neni 6 i këtij akti nënligjor mundëson regjistrimin e automjetit edhe nëse pronari nuk i posedon targat – duke u shërbyer me një raport policor për humbjen ose vjedhjen e tyre.

    Pikërisht në këtë kohë, në veri, janë shtuar rastet e raportimit të humbjes apo vjedhjes së targave dhe dokumenteve të automjeteve.

    “Janë rritë raportimet për shembull për dokumente, libreza qarkullimi të humbura, targa të humbura, në përgjithësi këto raporte që kanë të bëjnë sidomos me targat e automjeteve”, tha Veton Elshani, zv.drejtor rajonal i Policisë – Mitrovicë e Veriut.

    Duke marrë parasysh mungesën e komunikimit direkt me institucionet e Serbisë, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se kjo dispozitë krijon hapësirë për regjistrim të automjeteve të dyshimta, të vjedhura apo që nuk i përmbushin kriteret.

    “Mundësia e keqpërdorimit është shumë e madhe. Mos të harrojmë që aty mund të jetë edhe një çështje tjetër, ndoshta qarqe të ndryshme në veriun e vendit tentojnë që targat ilegale ndoshta t’i dërgojnë në Serbi, t’i kthejnë ato, që të mos lejojnë që ato targa të jenë pronë e institucioneve të Kosovës, që t’i dorëzojnë ato. Pra, lojëra të ndryshme”, tha deputeti, njëherit edhe ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

    “Grupet kriminale të auto-krimeve mund të përdorin këtë vakum institucional-ligjor… Do të duhej të kishte një rishikim të këtij udhëzimi administrativ, që mos t’i jepet fare mundësia e interferimit grupeve kriminale”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Përkundër mundësisë së verifikimit përmes INTERPOL-it, koloneli në pension Rrahman Sylejmani nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të këtij akti nënligjor, që ai e vlerëson joshës për komunitetin serb.

    “Prej një X pronari, që për shembull shkon e paraqet në stacion policor, e nxjerrë një vërtetim apo raport policor se i kanë humbur, i janë dëmtuar, apo në forma tjera, me atë a fiton të drejtën formalisht për tërheqje dhe regjistrim në sistem të Republikës së Kosovës. Por, çdo veturë, çdo kërkesë i nënshtrohet verifikimit, pak ka mundësi edhe pse fillimisht ndoshta e mundëson që dikush ta vë në lajthitje organin, por ato verifikohen”, tha Sylejmani.

    Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së për këtë çështje e as nuk ka treguar nëse do të shqyrtojë mundësinë e plotësim-ndryshimit të udhëzimit administrativ.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • DASH-i kritikon Kosovën për dënime të ulëta për akuzat për terrorizëm

    DASH-i kritikon Kosovën për dënime të ulëta për akuzat për terrorizëm

    Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e saj vjetor për Terrorizmin, ka kritikuar Kosovën.

    Sipas raportit, në Kosovë gjatë vitit 2022, institucionet e drejtësisë vazhduan të shqiptonin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin.

    Veç dënimeve të ulëta, DASH-i thotë se në Kosovë, ka pasur edhe lirime të parakohshme për këto akuza. Një pjesë të raportit, potencohet edhe riatdhesimi i shtetasve të Kosovës nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri.

    “Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. Vlerësohet se 80 shtetas të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, ose në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar”, thuhet në raportin e DASH-it.

    Sipas SHBA-së, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë caqe potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.

    Mirëpo, duke marrë parasysh që sipas ligjeve në Kosovë nga viti 2015, ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe parashihen dënime deri në 15 vjet burgim, në raportin e DASH-it, merren shembuj të ndryshëm lidhur me dënimet vetëm deri në 4 vjet ndaj të akuzuarve.

    “Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e SHBA-së. Edhe pse kjo grua u dënua me dy vjet burgim për shkak të bashkimit në grupin Shteti Islamik, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmë burgim, për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të ISIS-it”, thuhet më tej në raportin e DASH-it.

    Në raportin e DASH-it u përmend edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste e të cilët më pas u liruan në mungesë provash.

    DASH-i komentoi edhe situatën në veri të Kosovës, duke thënë se paqëndrueshmëria politike vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin në atë rajon.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dosja e trashë penale e të dyshuarve për grabitjen në Suharekë

    Dosja e trashë penale e të dyshuarve për grabitjen në Suharekë

    Të paktën për gjashtë raste, ka mbajtur dënim me burgim, njëri prej të dyshuarve për grabitjen e një argjendarie në Suharekë. Bujar Basha u arrestua vetëm dy muaj e gjysmë pasi u lirua nga Burgu i Sigurisë së Lartë, pas përfundimit të dënimit me 5 vjet e dy muaj, për grabitje.

    Sipas Policisë, grupi i të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë ka të kaluar kriminale. Ndërkaq, Këshilli për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Lirive të Njeriut thotë se ekziston rreziku për përsëritjen e veprave penale, në mungesë të programeve për risocializim të të burgosurve.

    Sipas KMDLNJ-së, Kosova qëndron mirë me legjislacion, por disa nga programet nuk po zbatohen.

    Kushti kryesor që të dënuarit të integrohen në shoqëri pas përfundimit të dënimit është angazhimi në punë, thonë nga Këshilli.

    Por, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Social thonë se duhet bërë më shumë për rehabilitimin e këtyre personave.

    Ndërkohë, në një përgjigje për ATV-në, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se për të reduktuar nivelin e recidivizmit, synohet reforma në ofrimin e programeve rehabilituese. Sipas SHKK-së, me iniciativë të Ministres së Drejtësisë tashmë është themeluar një grup punues për reformën në këto programe.

    “Si rezultati i kësaj dhe duke marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e të burgosurve, në institucionet tona janë duke u zbatuar këto programe: Programi rehabilitues për ndryshim të mendimit; Menaxhimi i zemërimit; Intervista motivuese; Biseda për ndryshim; Programi kundër dhunës në familje; Programi rehabilitues për radikalizëm dhe risocializimin e të rinjve; Programi masat kundër varësisë (drogë, alkool, etj.) dhe Programi i përgjithshëm rehabilitues”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

    Aktualisht në institucionet korrektuese funksionojnë edhe Qendrat për aftësim profesional të të burgosurve, të cilat, sipas SHKK-së, kanë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e trajnimeve, si dhe për prodhim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Grabitja e argjendarisë në Suharekë, nga një muaj paraburgim për 4 persona

    Grabitja e argjendarisë në Suharekë, nga një muaj paraburgim për 4 persona

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve me inicialet B.B., B.I., L.C., T.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë veprën penale grabitje në një argjendari në Suharekë.

    Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se B.B., B.I., dhe L.C., më 22 nëntor, në ora 15:45 në Suharekë, në lokalin argjendaria “Diakos 2”, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze, duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B. dhe A.B.

    Në njoftim thuhet se të pandehurit me inicialet B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij.

    Pas kësaj, ata fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze”, ngjyrë hiri, largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., arrestohen nga Policia.

    I pandehuri, T.B., më 30 nëntor 2023, në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit T.B., gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, me urdhër së procedurës paraprake policia ka gjetur një revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS and B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët. Se, a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

    Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit e arrestuar, të dëmtuarit, dhe dëshmitarët eventual, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit.

    Po ashtu duke marrë parasysh faktin se të dyshuarit kanë qenë në arrati deri në ditën e arrestimin, atyre iu është caktuar masa e paraburgimit me qëllim të sigurimit të prezencës së tyre gjatë fazës hetimore.

    Ndryshe, për të njëjtin rast, më 27 nëntor 2023, gjyqtarja e procedurës paraprake kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe të pandehurve F.T., dhe A.B., iu ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se kishin kryer veprën penale dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

  • Haradinaj përgëzon organet e rendit për zbardhjen e rasteve të fundit kriminale

    Haradinaj përgëzon organet e rendit për zbardhjen e rasteve të fundit kriminale

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur falënderues ndaj Policisë së Kosovës, hetuesve dhe prokurorisë për zbardhjen e shpejtë të akteve kriminale të kryera ditëve të fundit në vendin tonë.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai deklaron se në këto momente të rënda bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre dhe lutemi shumë që të tilla raste mos të ndodhin më asnjëherë!

    “Sukseset e organeve të rendit në zbardhjen e rasteve kriminale, sikurse rasti i grabitjes së argjendarisë në Suharekë, vrasja e vjehrrit nga dhëndrri i tij dhe së fundmi rasti i vrasjes së Liridona Murselit, e nderojnë Kosoven dhe rrisin kredibilitetin tek institucionet tona të sigurisë”, shkroi Haradinaj.