Dy persona janë arrestuar në Gjakovë, pasi që gjatë kontrollit të shtëpisë i janë gjetur dhe konfiskuar 1 kilogram e 163 gramë marihuanë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit dy të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy peshore, një thikë, 5 mijë e 825 euro, 30 franga, 7 dollarë, 200 lekë dhe katër telefona.
“Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.
Kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pas rastit të vrasjes së Liridona Murselit në Prishtinë.
Ai në lidhje me ngjarjen tha se ndjehet i tmerruar nga “një rast tjetër brutal i femicidit në afërsi të Prishtinës”.
“I tmerruar nga një rast tjetër brutal i femicidit në afërsi të Prishtinës – teksa shënojmë 16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës në familje. Thirrje zgjimi për të gjithë ne – #VeproTani #StopFemicidit”, shkroi Davenport.
Liridona Murseli u vra tri ditë më parë në Prishtinë, ndërsa dje u arrestua bashkëshorti i saj dhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se organizuan dhe kryen vrasjen e saj.
Policia njoftoi se janë arrestuar dy persona, pasi kanë therur me thikë një të mitur.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se ky i fundit është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Rr. Aziz Zhilivoda, Fushë Kosovë 01.12.2023 – 09:25. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri i mitur, pasi që pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë (thikë) viktimën mashkull kosovar -i mitur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, raporti i plotë i Policisë.
Një zyrtar i një banke në Gjilan ka raportuar në Polici se një klient ka deponuar 749 euro para të falsifikuara.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se monedhat janë konfiskuar dhe se rasti është duke u hetuar.
“Gjilan 01.12.2023 – 10:50. Ankuesi mashkull kosovar zyrtar i bankës ka informuar se nga klient janë deponuar 749€ para të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarit të FSK-së në vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se ndaj tij do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.
Sipas tij, të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor.
“I tronditur kam përcjellë ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellë një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK-së në lidhje me rastin”, ka shkruar Maqedonci.
“Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK-së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së”, ka shtuar ai.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt.
Sot do të varroset Dukagjin Gashi, i dyshuari për grabitjen e armatosur në argjendarinë “Diakos” që mbeti i vrarë nga një përballje me Policinë e Kosovës më 30 nëntor, gjatë një operacion policor për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e armatosur të argjendarisë në fjalë.
Gjykata Themelore në Prizren dje u ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të arrestuarve lidhur me këtë grabitje. Po ashtu, Gjykata ka njoftuar se për të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“I. B.B., II. B.I., dhe III. L.C., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë veprën penale Grabitja, nga neni 374 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dhe, T.B., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. të KP-së”, thuhet në njoftim.
Mbrëmë është arrestuar edhe një person i dyshuar, për përfshirje në vrasjen e 33-vjeçares, Liridona Murselit, natën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, teksa po udhëtonte me burrin e saj Naim Murselin si dhe fëmijë.
Mësohet se i arrestuari i tretë është K.K., pjesëtar i FSK-së.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes duke konfirmuar se K.K është pjesëtar i FSK-së dhe se rasti në fjalë do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.
“Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet ndër tjera në njoftimin e Ministrisë.
Komunikata e plotë:
Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K.
Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës.
Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave për Krishtlindje, në Pjetërshan të Gjakovës.
Ai me këtë rast tha se simboli i ndezjes së dritave sonte, “tregon që kush shkon pas dritës, pas të vërtetës, nuk mbetet në errësirë sepse kush bën vepra të mira, kush e do të vërtetën gjithmonë del në dritë”.
“Veprat e mira sjellin paqen dhe të mirën e përbashkët në vendin tonë dhe kudo në botë. Andaj motra dhe vëllezër, me dashuri, për drejtësi, me paqe le të ecim të gjithë përpara së bashku”, u shpreh ai.
Ndezja e dritave në këtë fshat tashmë është bërë traditë, i cili ndryshe njihet edhe si “Fshati i dritave”.
Ndryshe, nën organizimin e Famullisë së Shën Josefit të Pjetërshanit, ky fshat ka arritur ndër vite të shndërrohet në një vend atraktiv, i cili ka tërhequr një numër të madh të vizitorëve për shkak të zbukurimeve unike.
Të rinjtë që jetojnë në Zvicër, Gjermani apo Austri, tani kanë mundësi të kthehen të punojnë në Kosovë, në Korporatën Speeex.
Platforma “Eeexplore Kosova” e cila u lansua të enjten, atyre që flasin gjermanisht, frëngjisht apo italisht, u ofron mundësi punësimi në sektorin e shërbimeve apo siç njihet BPO.
“Po të më thoshte dikush se do t’i thirrim diasporën të punojnë në Kosovë, nuk do të më besohej”, tha Fikret Murati, drejtor menaxhues i korporatës “Speeex”.
“Po e lansojmë një platformë me interes nacional, për ta thirrë diasporën në Kosovë, gjeneratën e dytë, në BPO”, tha Vigan Disha, anëtar i bordit të korporatës “Speeex”.
“Nuk d.m.th. që diaspora me i prishë letrat, por me ardhë me punu te familja e saj dhe me u kthy kur t’dojnë…”, tha Vedat Bajrami, aktor.
Projekti, indirekt ka për qëllim të ndikojë edhe në rritjen ekonomike të Kosovës, për çka u mirëprit edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Ky rast jo vetëm që tregon hap të rëndësishëm për Speex, por është tregues i qartë për ndikimin e mërgatës, në veçanti për ndikimin ekonomik nga Zvicra në Kosovës”, tha Kurti.
“Është një model i BPO, që mund të përcillet edhe nga të tjerë nga diaspora…”
Përveç përfitimeve tjera”, tha ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari.
Sipas ambasadorit të Gjermanisë dhe zëvendësambasadorit të Zvicrës, platforma Kosovës i shërben edhe në aspekte të tjera.
“Lansimi i platformës “Eksploro Kosovën” shënon një tjetër hap para në bashkëpunimin mes Zvicrës e Kosovës, popujve të tyre”, tha zv.ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Kristopher Fuchs.
“Kosovës i nevojitet një kompani si kjo, që i mban njerëzit brenda. Dhe mendoj se platforma që u lansua për ta integruar diasporën, është e jashtëzakonshme”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Përveç punës në sektorin e shërbimeve përmes nënkontratave, të rinjve u ofrohet edhe mundësi shkollimi dhe banim me qira me çmim të volitshëm.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: