ATV

Blog

  • Shala: Shqipëria ka mundësi ta ndalojë Italinë në Euro 2024

    Shala: Shqipëria ka mundësi ta ndalojë Italinë në Euro 2024

    Gazetari dhe komentatori i njohur i futbollit, Artor Shala, në emisionin A PLAY në ATV, duke komentuar grupin në të cilin gjendet kombëtarja e Shqipërisë në Euro 2024, tha se futbollistët shqiptarë kanë gjasa ta ndalin Italinë.

    “Këtë Itali, mendoj që Shqipëria ka forcë për ta ndalë, sepse ka shumë telashe Italia, as nuk e kanë mbrojtjen e dikurshme pasi ata janë shquar në të kaluarën me mbrojtje shumë të mirë, por edhe lojtarët, jo vetëm që ka qenë mbrojtja e fortë, por edhe lojtarët kanë qenë të jashtëzakonshëm, në qendër të mbrojtjes ndër vite kanë qenë më të mirët. Ajo Itali nuk është më që ka qenë dikur”, vlerësoi Shala.

    Ndonëse Itali u shpall kampion i Evropës në kampionatin e fundit, Shala tha se, sot kemi të bëjmë me një Itali tjetër.

    “Në kampionatin e kaluar ata ishin kampion, por me të vërtetë bënë një futboll të jashtëzakonshëm, por tani nuk është e njëjta, është ndërruar trajneri, disa lojtarë kanë pasur shumë telashe sidomos në repartin defanziv, edhe mesfusha nuk ka shkëlqye e mos të flasim dhe sulmi, sepse pikërisht aty ku presin italianët të shënojnë gola, lojtarët nuk i ka qe kanë qenë dikur”, u shpreh Shala. /atvlive.tv

  • Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.

    Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

    Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • “Me kundërshtarë të fortë edhe ne jemi të fortë”, futbollisti i kombëtares shqiptare shprehet optimist për rezultate pozitive

    “Me kundërshtarë të fortë edhe ne jemi të fortë”, futbollisti i kombëtares shqiptare shprehet optimist për rezultate pozitive

    Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A PLAY në ATV, deklaroi se grupi në të cilin ndodhet Shqipëria i ka pëlqyer shumë, për shkak se siç thotë ai, kundërshtarët e fortë janë një arsye që të ketë për motivim shtesë.

    “Pa dyshim se është një grup shumë i fortë, por pa marrë parasysh se çfarë shorti do na binte, të gjitha ekipet atje janë ekipe me shumë kualitet dhe për këtë arsye iu thonë se janë ekipet më të mira në Europian. Pa dyshim është një short shumë i fortë, me ekipe me cilës që janë edhe me trofe në Botë dhe Evropë, por ne me besimin tonë do të shikojmë që të punojmë fort dhe ta bëjmë më të mirën tonë”, tha Seferi.

    Sipas tij, ky është një grup shumë i mirë për kombëtaren shqiptare pasi që do të ndeshen me tri kombëtaret që janë pothuajse në të njëjtin nivel.

    “Me të thanë të drejtën, ky grup më ka pëlqyer shumë, për arsye se me më të fortë, jemi më të fortë dhe kështu që na jep edhe një motivim shtesë me këto ekipet siç është Italia, Spanja dhe Kroacia. Besoj që këto tria janë në të njëjtin nivel edhe besoj se është një grup shumë mirë që na motivon shumë dhe na bënë me punu shumë”, u shpreh Seferi. /atvlive.tv

  • “Ndal femicidit”, protestë në Tiranë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, i pranishëm edhe ambasadori Skënder Durmishi

    “Ndal femicidit”, protestë në Tiranë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, i pranishëm edhe ambasadori Skënder Durmishi

    Një marshim- protestë me moton “Ndal femicidit, drejtësi për Liridonën” është mbajtur sot para Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

    Kësaj proteste i është bashkuar edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi, raporton ATV.

    Vrasja tronditëse e Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës, e cila u ekzekutua me porosi të bashkëshortit të saj, ka ngjallur reagime të shumta.

    30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e saj. Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të merr edhe 15 mijë euro të tjera.

    Për këtë krim është arrestuar edhe një anëtar i FSK-së, i cili është gjithashtu nip i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla.

    Po ashtu, sot është mbajtur edhe seanca e parë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 30-vjeçares, e cila ka qenë e mbyllur për mediat. /atvlive.tv

  • Rrahje të bashkëshorteve e prindërve, policia raporton tetë raste të dhunës në familje për 24 orë

    Rrahje të bashkëshorteve e prindërve, policia raporton tetë raste të dhunës në familje për 24 orë

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar për tetë raste të dhunës në familje.

    Shumica prej tyre janë sulme ndaj grave nga partnerët e tyre, ndërsa ka raste edhe të sulmeve të prindërve nga fëmijët e tyre.

    Një grua në Prishtinë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj e kishte larguar nga shtëpia atë dhe vajzën e tyre dhe më pas policia i kishte gjetur armë atij në shtëpi.

    Më poshtë rastet e dhunës familjare të raportuar nga policia:

    DHUNË NË FAMILJE

    · Gjakovë 02.12.2023-02:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i cili gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore.

    · Malishevë 01.12.2023-NN. Me 02.12.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje në familje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Malishevë 02.12.2023, 17:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar babanë e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Pejë 02.12.2023-05:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i cili gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore.

    · Istog 02.12.2023, 20:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se kishte pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar djalin e tij dhe i njëjti si pasojë kishte demoluar shtëpinë. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE&ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Prishtinë 02.12.2023, 19:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar bashkëshorti i saj e kishte larguar nga shtëpia atë dhe vajzën e tyre. Njësiti policor gjatë kontrollës në lokacion ka gjetur dhe konfiskuar një armë të tipit Zoraki si dhe 36 fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Prishtinë 02.12.2023, 16:15. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar djali i tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim te prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Bresje 02.12.2023, 16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën është në lidhje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Vëllai i Liridonës: Fëmijët janë me gjyshërit dhe ende s’e dinë që iu ka vdekur nana

    Vëllai i Liridonës: Fëmijët janë me gjyshërit dhe ende s’e dinë që iu ka vdekur nana

    Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona, ka thënë se aktualisht fëmijët i kanë në kujdes dy gjyshërit, prindërit e Naim Murselit, dhe se ata s’kanë insistuar që t’i marrin meqë gjendja emocionale e familjarëve është e rëndë.

    “Me fëmijët kemi pasë kontakt. Shoqata sociale ka ardhur dhe ka qenë edhe te ata, që fëmijët janë mirë dhe mos keni merak për ta. Ata nuk kanë telefona që ne me komuniku me ta sepse janë të vegjël. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi i tyre (prindërit e Naimit). Kanë ardhur e na kanë pyet. Te ne është gjendja shumë katastrofale dhe fëmijët s’e kanë kuptu hala që nana ka vdekë dhe me ardhë te ne e kanë më të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur. I kemi lënë te ata sepse janë edhe fëmijët e vëllait të Naimit dhe po e kalojnë kohën me ta pa e kuptu”, tha ai.

    Ai tha se Murseli pas grabitjes së inskenuar, iu tha familjarëve se kinse kishte kërkuar ndihmë pasi i kishte marrë fëmijët nga vetura dhe ishte larguar bashkë me ta, duke e lënë Liridonën brenda.

    “Qysh dyert kur u çelën, grabitësi nuk shkon kah pasagjeri, shkon kah shoferi. Tha ka insistu në çantë. Çfarë insistimi, dritarja ka qenë e hapur veç pak”, tha Liridon Ademaj.

    “Liridona ish kanë në gjendje me jep gjithçka për fëmijët”, tha vëllai i saj.

    Liridon Ademaj tregoi se si bashkëshorti i saj u përpoq t’ua fshihte skenarin e vërtetë të vrasjes.

    “Tha kam dashtë me i shpëtu fëmijët, kam shku me kërku ndihmë. S’ma çelke kurrkush derën. Ka dalë një grua në ballkon, i kam thanë ‘thirre policinë’, më ka thënë s’di me i thirrë policinë. Tha kam shku në shitore, i kam thanë a mundet dikush me u kujdes për fëmijët deri t’i thirri policinë. Jo më tha ai unë i thirri policinë. Ti rri këtu se s’bën me shku. Po pse është kah të thiotë ai, ti duhet me shku se e ke gru”, tha Liridon Ademaj para gazetarëve.

    “Po shihet që e paska orkestru vetë”, tha ai.

  • Familja Ademaj dorëzojnë në Prokurori kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Liridonës

    Familja Ademaj dorëzojnë në Prokurori kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Liridonës

    Familja e Liridona Ademaj, gruas që dyshohet se u vra me porosi të bashkëshkorit të saj, Naim Murseli, kanë kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që t’u lejohet zhvarrimi i trupit të saj, raporton EO.

    Kërkesën që e ka parë Ekonomia Online, është bërë nga prindërit e Liridonës, Hajdar dhe Zade Ademaj.

    “Kërkojmë nga ju që të na mundësoni që trupin e vajzës tonë Liridona Demaj ta zhvarrosim dhe ta rivendosim në fshatin Rracaj. Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër e rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë më shumë vështirësi por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, thuhet në letrën dërguar prokurores së rastit, Besa Limani.

    Gjithashtu, prindërit kanë kërkuar që varrimi të mbetet krejtësisht privat dhe të asistohet nga Policia e Kosovës.

    “Do ta vlerësonim nëse kërkesën tonë do ta aprovoni në procedurë të shpejtuar. Po ashtu, kërkojmë nga ju që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes, përmes policisë të na siguroni privatësi të plotë. Ne duam që ajo të mbahet në mendje e buzëqeshur, ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe kërkojmë që pamjet e varrimit të mbesin tërësisht private”, thuhet tutje në letrën e siguruar nga EO.

    Kërkesa e familjes për zhvarrimin e trupit të Liridonës vjen pasi që ajo u varros të premten në fshatin Cermjan të Komunës së Gjakovës, nga ku vjen bashkëshorti i saj Murseli, mirëpo pasi i njëjti u arrestua si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë që trupi i saj të zhvarroset nga aty.

  • Avokatët e të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt nuk pranojnë të flasin për media

    Avokatët e të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt nuk pranojnë të flasin për media

    Avokatët e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademjat, dorasit Granit Plavës dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së, nuk kanë pranuar të flasin për mediat që po qëndrojnë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku edhe po mbahet seanca gjyqësore.

    Skender Gojani është avokat i Granit Plavës. Kurse, Ahmet Gjinovci është avokati i Kushtrimit Kokallës.

  • Përfundon seanca ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë për vrasjen e Liridonës

    Përfundon seanca ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë për vrasjen e Liridonës

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar të dielën një seancë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.

    Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli.

    I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.

    Ende nuk dihet masa që pritet të përcaktohet ndaj të dyshuarve.

    Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

    Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.

    Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.

    “Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

    Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.

    Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

    Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

    Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

    “Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

    Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

    Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

    Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.

    Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë.

  • Vrasja e Liridona Ademajt: Të dyshuarit arrijnë në gjykatë

    Vrasja e Liridona Ademajt: Të dyshuarit arrijnë në gjykatë

    Kanë arritur në gjykatë ish-bashkëshorti Naim Murseli, dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Pas pak pritet të nisë edhe seanca fillestare ndaj tyre.

    Aty, pritet të caktohet edhe masa e paraburgimit prej 30 ditësh.