ATV

Blog

  • E zurën panelet e drurit, vdes një person në Prishtinë

    E zurën panelet e drurit, vdes një person në Prishtinë

    Një person ka mbetur i vdekur pasi e kishin zënë disa panele druri.

    Në njoftimin e policisë thuhet se “viktima është dërguar në QMF Prishtinë dhe nga mjeku kompetent është konstatuar vdekja e tij”.

    Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Sot mblidhet komisioni hetimor për rezervat shtetërore

    Sot mblidhet komisioni hetimor për rezervat shtetërore

    Sot në orën 13:00, do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

    Ata do të shqyrtojnë planin e punës dhe buxhetin për komisionin.

  • Policia po e ruan argjendarinë – pronari i së cilës është arrestuar në lidhje me grabitjen në Suharekë

    Policia po e ruan argjendarinë – pronari i së cilës është arrestuar në lidhje me grabitjen në Suharekë

    Zyrtarët policor, po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar argjendarinë “Baraku”, pronari i së cilës u arrestua për përfshirje në grabitjen në Suharekë, raporton Ekonomia Online.

    Argjendaria është bastisur edhe të dielën nga Policia e Kosovës, pas dy bastisjeve që ishin kryer ditë më parë nga zyrtarët policorë.

    Pronari i arrestuar dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal në rastin e grabitjes së arit në vlerë të 250 mijë eurove.

    Grupi që kreu grabitjen e armatosur në Suharekë pati përleshje me Policinë ditës së enjte, pas një operacioni të gjerë policor.

    Njëri nga grabitësit u vra pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë, ndërsa katër të tjerë u arrestuan – teksa kërkimet për ta kapur edhe një të dyshuar po vazhdojnë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Trim Baraku, pronar i argjendarisë “Baraku” në Prishtinë.

  • 111 vjet nga fillimi i punës së qeverisë së parë shqiptare

    111 vjet nga fillimi i punës së qeverisë së parë shqiptare

    Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.

    Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.

    Po më 4 dhjetor, Vlora u godit me artileri nga flota greke që kishte bllokuar portin. Trupat greke, gjithashtu, pushtuan ishullin e Sazanit, duke kontrolluar hyrjen në portin e Vlorës dhe këputën kabllon e komunikimit Shqipëri-Itali, e vetmja lidhje e vendit me botën e jashtme.

    Grekët gjithashtu tentuan të merrnin Sarandën.

  • 111 vjet nga formimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

    111 vjet nga formimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

    Forcat e Armatosura u krijuan më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas krijimit të shtetit të parë shqiptar në Vlorë.

    Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj nga tundimet e huaja (të shpeshta për shekullin e shkuar).

    Shqipëria konsiderohet si vendi i dytë në NATO sa i përket numrit të ushtarakëve të dislokuar në misione, në raport me personelin aktiv të Forcave të Armatosura.

    Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga muaji shtator 1996 deri në shtator 2020, janë angazhuar me rreth 7.808 ushtarakë gjithsej.

  • Parlamenti Evropian para 32 vjetësh i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov

    Parlamenti Evropian para 32 vjetësh i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov

    Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

    Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.”

    Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.

    Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

    Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

    Në shkurt 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994, u kandidua sërish – tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos.

    Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencës paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.

    Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.

    Është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

    Në vitin 1958 është dënuar me 5 vjet burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

    Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

    Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

    Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

    Demaçi ishte autor i disa librave: “Fërkime”, “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli e Mimoza”, “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Dashuria Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”, “Politika”, “Pushka” dhe “Tung vargu im”. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018.

  • George Washington u këshillua ta shpallte veten sundimtar të SHBA-së, por refuzoi

    George Washington u këshillua ta shpallte veten sundimtar të SHBA-së, por refuzoi

    Gjenerali George Washington para 240 vjetësh ishte komandanti i Ushtrisë Kontinentale dhe më 4 dhjetor 1783, u takua me oficerët e tij të lartë në një tavernë të Nju Jork-ut për t’u lënë lamtumirën.

    Oficerët ishin të emocionuar ngaqë gjenerali Washington nuk ishte vetëm komandanti, por edhe heroi i tyre.

    Historianët thonë se disa nga oficerët e këshilluan që ta shpallte veten sundimtar të Shteteve të Bashkuara. Ata e siguruan se do të kishte edhe mbështetjen e ushtarëve.

    Washington hodhi poshtë idenë si të gabuar, duke thënë se nuk dëshironte asgjë tjetër veçse të kthehej në plantacionet e tij në Mount Vernon në Virgjinia.

    Megjithatë, katër vjet më vonë ai doli përsëri në skenë, jo si sundimtar fuqiplotë, por si presidenti i parë i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Sot rivarroset Liridona Ademaj

    Sot rivarroset Liridona Ademaj

    Liridona Ademaj do të rivarroset sot në fshatin e saj, në Rracaj të Gjakovës. Kjo pasi familjarëve të saj u është aprovuar kërkesa nga prokuroria për rivarrimin e saj.

    Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e Liridona Ademajt përmes një postimi në Facebook.

    “Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamirë se rivarrimi i vajzës sonë Liridona Ademaj, e vrarë më datën 29.11.2023, bëhet nesër më datë 4 dhjetor 2023, në varrezat e fshatit Rracaj, në ora 14:00”, thuhet në njoftim.

    Familjarët e së ndjerës në letrën dërguar Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë kërkuar që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes, përmes policisë t’iu sigurohet privatësi e plotë.

    Ademi u vra më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

    Deri tani janë arrestuar tre të dyshuar për organizimin e vrasjes së saj, ndër ta edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Ademaj ishte varrosur fillimisht në fshatin e bashkëshortit në Cërmjan.

  • Maqedoni: Gjendet trupi i pajetë i vajzës 14 vjeçe të zhdukur para 6 ditësh

    Maqedoni: Gjendet trupi i pajetë i vajzës 14 vjeçe të zhdukur para 6 ditësh

    Gjendet trupi i pajetë i Vanja Gjorçevska, vajza 14-vjeçare e cila është zhdukur që nga e hëna. Ajo dyshohet se u vra po atë ditë, afër Velesit.

    Pranë trupit të Vanjës është gjetur një tjetër i vrarë, 70 vjeç. Tre nga pesë të dyshuarit për vrasjen pritet të sillen në Gjykatën Penale sonte në orët e vona të natës. Një nga pesë personat e dyshuar është jashtë vendit.

    Në vazhdim publikojmë në tërësi njoftimin e Prokurorisë Publike të RMV-së:

    “Pas masave dhe aktiviteteve të gjithanshme të ndërmarra nga zyrtarët policorë nga SPB Shkup, sot (03.12.2023) trupi i pajetë i të miturës V.G., e cili ishte raportuar e zhdukur më 27.11.2023, është gjetur në rrethinën e Shkupit, ndërsa në afërsi të Velesit, është gjetur edhe trupi i pajetë i P.Zh.(74) nga Velesi, i cili ishte raportuar i zhdukur më 24.11.2023. Në lidhje me dy rastet dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve janë në ndalim, një është jashtë shtetit dhe një person aktualisht ndodhet në stacion policor.

    Paraprakisht në lidhje me veprat penale është gjetur një automjet tip Citroen i djegur dhe pas ekspertizës është siguruar prova materiale për përfshirjen e personave, për të cilat pas dokumentimit të plotë të rasteve do të bëhet kallëzimi përkatës penal në koordinim me Prokurorin Publik. Nga veprimet hetimore të kryera u konstatua se të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona, motivi i të cilëve ishte “përfitimi”. Gjithashtu, nga masat operative të zbatuara është konstatuar se e mitura V.G. është marrë me veturë nga hyrja e banesës dhe nga të dhënat e marra nga marrja në pyetje është konstatuar se ajo është vrarë të njëjtën ditë (27.11.2023) rreth orës 10:00.

    Menjëherë pas marrjes së raporteve për personat e zhdukur, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për gjetjen e tyre, ndërsa në SPB Shkup është formuar Shtabi i posaçëm operativ me në krye kryeshefin e SPB Shkup. Janë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në zonat e SPB Shkup, SPB Veles dhe SPB Shtip, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar telefona celularë, kompjuterë, vetura etj., janë zhvilluar biseda të shumta me familjarë, të njohur, miq dhe personat që do të mund të kishin ndonjë informacion dhe disa qindra policë që punonin ekskluzivisht në këto raste përfshiheshin çdo ditë në veprimet hetimore.

    Prokurorët publikë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe nga Prokuroria Themelore Publike Veles kanë kryer kontrolle në dy lokacionet ku janë gjetur trupat e të zhdukurve. Janë dhënë urdhra për autopsi në trupat e viktimave dhe për identifikimin e duhur. Gjithashtu janë lëshuar urdhra për mbledhjen dhe ekspertizën e të gjitha gjurmëve dhe provave nga të dyja lokacionet.

    Në ditët pas zhdukjes së dy personave, prokurorët publik lëshuan urdhra për kontrolle në vende të shumta, sigurimin e pamjeve të vëzhgimit me video, vendndodhjen bazuar në stacionet bazë, analizat ligjore të pajisjeve elektronike, mjekësinë ligjore të gjurmëve materiale dhe provave, duke përfshirë makinën e lidhur me ngjarjen. Janë intervistuar persona të cilët kanë mundur të kenë njohuri të caktuara për ngjarjen dhe në bazë të të gjitha provave të grumbulluara është zbardhur ngjarja për autorët e dyshuar dhe motivet e tyre. Pas kompletimit të provave dhe aktekspertimit të urdhëruar, prokuroria do të fillojë procedurat përkatëse ndaj të gjithë të dyshuarve.

  • Zelensky: Lufta e Ukrainës me Rusinë ka hyrë në fazë të re

    Zelensky: Lufta e Ukrainës me Rusinë ka hyrë në fazë të re

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta me Rusinë ka hyrë në një fazë të re, me dimrin që pritet të ndërlikojë luftimet pas një kundërofensive verore që nuk dha rezultatet e dëshiruara.

    Pavarësisht pengesave, megjithatë, Zelensky tha se kombi i tij nuk do të dorëzohet, raporton The Independent.

    “Ne kemi një fazë të re të luftës dhe ky është një fakt,” tha Zelensky, duke folur në Kharkiv pas një turneu moral-rritës në rajon.

    “Dimri në tërësi është një fazë e re e luftës. A jam i kënaqur? Shikoni, ne nuk tërhiqemi, jam i kënaqur”.