ATV

Blog

  • Prezantohet masa për zbutjen e ndikimit të krizës energjetike

    Prezantohet masa për zbutjen e ndikimit të krizës energjetike

    Sot do të bahet prezantimi i masës 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale.

    Në takim fjalë hyrëse do të mbajnë Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë Johannes Madsen Stenbaek.

  • PDK dhe LDK sot mbajnë konferencë për medie

    PDK dhe LDK sot mbajnë konferencë për medie

    Dy partitë opozitare, PDK e LDK, kanë njoftuar se sot do të mbajnë konferenca për media.

    Dy partitë nuk kanë treguar temat se çfarë do të diskutohet në konferencë.

    Sidoqoftë, LDK ka njoftuar se konferenca do të nis në orën 11:00 në selinë qendrore të partisë.

    Kurse PDK njofton se në selinë e partisë së saj konferenca do të nis nga ora 11:15.

  • Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Në Gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, dje dëshmitari i 38-të i ZPS-së filloi dëshminë.

    Dëshmitari i ri i Prokurorisë është Sandra Mitchell, ish-zyrtare e OSBE-së në Kosovë.

    Sandra Mitchell gjatë dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se raportet që iu shkonin atyre si zyrtarë të OSBE-së, të cilat kishin të bënin me keqtrajtimet gjatë periudhës 19 qershor-1 korrik 1999, pretendoheshin se ishin kryer nga UÇK-ja.

  • Nëntori është muaji i gjashtë rresht që vendos rekord të nxehtësisë, thonë shkencëtarët

    Nëntori është muaji i gjashtë rresht që vendos rekord të nxehtësisë, thonë shkencëtarët

    Nëntori është muaji i gjashtë radhazi i këtij viti që vendos rekord për nxehtësinë, ndërsa kjo vjeshtë ishte po ashtu më e nxehta, sipas Agjencisë evropiane të Klimës.

    Kur ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundim të këtij viti, 2023-ta është në binarë për ta thyer rekordin për vitin më të nxehtë deri më tani.

    Nëntori ishte gati një e treta e gradës më i nxehtë se nëntori më i nxehtë i deritanishëm, njoftoi të mërkurën Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut. Nëntori ishte 1.75 gradë më i nxehtë se kohërat paraindustriale, duke lënë mbrapa tetorin dhe shtatorin, për muajin më të nxehtë mbi mesatare, sipas shkencëtarëve.

    “Gjysma e dytë e këtij viti ka qenë vërtet tronditëse”, tha zëvendësdrejtoresha e Kopernikut, Samantha Burgess.

    “Shkencëtarët nuk po kanë fjalë më për ta përshkruar këtë”, shtoi ajo.

    Temperatura mesatare gjatë këtij nëntori ishte 14.22 gradë, pra 0.85 grandë më nxehtë se mesatarja në 30 vjetët e fundit. Dy ditë gjatë këtij muaji ishin 2 gradë më të nxehta se kohët paraindustriale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, sipas Burgess.

    Deri tani, ky vit është 1.46 gradë më i nxehtë se kohët paraindustriale, rreth një e shtata e gradës më i nxehtë se viti më i nxehtë deri tani, që ishte 2016-ta, sipas shkencëtarëve të Kopernikut.

    Shkencëtarët thonë se janë dy shkaktarë të rekordit të nxehtësisë sivjet. Njëri është ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut, si djegia e thëngjillit, naftës apo gazit, ndërsa tjetri cikloni natyror El Ninjo.

    Toka do të vazhdojë të ngrohet edhe më shumë përderisa bota vazhdon të hedhë gazra serë në atmosferë, tha Burgess.

    Ajo tha se kjo nënkupton se “do të vazhdojnë vërshimet, zjarret, valët e nxehta dhe thatësira katastrofike”.

    “Ka shumë gjasa që 2023 të jetë një vit i freskët në të ardhmen, nëse ne nuk bëjmë diçka për varësinë tonë ndaj lëndëve djegëse fosile”, theksoi ajo.

  • ​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

    ​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

    Figura e papërsëritshme e Pjetër Bogdanit përbën një nga stadet më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare ndër shekuj.

    Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin 17.

    Pjetër Bogdani prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe filozof, u lind në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac – Bullgari. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes.

    Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike. Aty mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor.

    Më pas emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit 1663–1664.

    Më 1675 shkruan librin “Çeta e profetëve” dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit “Propagandës së Fidesë” për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit. Në 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim.

    Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull ndryshe.

    Libri “Cuneus Prophetarum” apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare.

    Pjetër Bogdani ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë.

  • Arrestohet në Turqi i dyshuari i pestë për vrasjen e dyfishtë në Maqedoni

    Arrestohet në Turqi i dyshuari i pestë për vrasjen e dyfishtë në Maqedoni

    I dyshuari i pestë për vrasjen e dyfishtë në Maqedoni, Ljupço Palevski, është arrestuar nga policia e Turqisë.

    Informacionet e para thonë se Palevski është arrestuar në aeroport në Turqi.

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se do të ketë konferencë për shtyp në ora 22:30.

    Ditën e ndalimit të të dyshuarve tjerë, u lëshua fletarrest ndërkombëtar për Palevskin në INTERPOL dhe kishte informacione se shteti i parë i arratisjes ka qenë Serbia, pastaj ai kishte udhëtuar për në Bullgari edhe në fund ka përfunduar në Turqi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

    Kujtojmë se Palevski është i dyshuari i pestë për vrasjen makabre të Panço Zhezhovski dhe Vanja Gjorçevska. Të dyshuarit tjerë janë të ndaluar dhe për ta është caktuar masa e paraburgimit.

  • Prishtinasit tani mund t’i adresojnë ankesat online

    Prishtinasit tani mund t’i adresojnë ankesat online

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Për të bërë adresimin e ankesave për lagjen ku banojnë, qytetarët e Prishtinës nuk do të kenë nevojë të shkojnë në komunë fizikisht.

    Ankesat e tyre mund t’i bëjnë fare lehtë, falë një projekti të lansuar nga komuna një javë më parë.

    “Kemi kriju platformën, ku përmes saj qytetarët do të kenë mundësi t’i paraqesin problemet e kryeqytetit. Ne jemi duke u marrë me këto informata dhe kemi fillu sanimin e tyre”, tha kryetar i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    Projekti më së shumti i gëzoi qytetarët. Ata thonë se do ta kenë më të lehtë ta njoftojnë komunën me problemet me të cilat përballen.

    “Kjo është në të mirën e qytetarëve, se komuna nuk i di ndoshta probleme që ka nëpër qoshe e as nëpër vise rurale, e ky projekt është shumë i pëlqyeshëm”, tha Zef Shala, qytetar.

    Por, të tjerë mendojnë që platforma online nuk do të funksionojë.

    “Shumë projekt i qëlluar, por sa do të jetë komuna efektive me i realizu? Se ka shumë probleme në kryeqytet, shumë bërllok e rrugë të prishta”, tha Ismet Fazliu, qytetar.

    Komuna e Prishtinës, përmes këtij programi deri më tani ka pranuar mbi 300 ankesa.

    Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Ligji për lobim, shprehet nevoja për miratimin e tij

    Ligji për lobim, shprehet nevoja për miratimin e tij

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Që nga viti 2019 flitet rreth nevojës për miratimin e Ligjit për Lobim. Derisa, sipas zyrës së BE-së, ky ligj do ta afronte më shumë Kosovën me Bashkimit Evropian. Por, pushteti aktual është skeptik.

    “Në vendet kur ka një praktikë më të gjatë të rregullimit të lobimit, faktori financiar koha dhe natyrisht resurset e tjera që mbështesin lobimin janë shumë më të rregulluara. Kjo do të nënkuptonte krijimin e një disbalanci më të madh në shoqërinë kosovare”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Megjithatë, sipas opozitës me Ligjin për Lobim do të rritej transparenca dhe llogaridhënia ndaj ekzekutivit, por edhe Kuvendit. Këtu u përmend rasti i këshilltarit të jashtëm të Ministrisë së Jashtme, Gani Jakupi, i cili paguhet mbi 7 mijë euro për lobim, por s’dihet qartë se çfarë bën.

    Ligji për Lobim u diskutua si pjesë e një tryeze të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Komandanti i KFOR’it, Utulas: Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në veri

    Komandanti i KFOR’it, Utulas: Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në veri

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulas, tha se trupat e NATO-s kanë marrë masa të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo lloje dhune të mundshme.

    Ai deklaroi se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut Kosovë-Serbi.

    “Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai, në një intervistë për RTK.

    Komandanti i KFOR-it tha se tensionet në rajon janë rritur, pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj.

    “Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi numri një i KFOR-it.

    Ndryshe, në Kosovë sot është vendosur batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, ky batalion është vendosur në kuadër të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë.

  • 160 çerdhe të premtuara, vetëm 4 të finalizuara

    160 çerdhe të premtuara, vetëm 4 të finalizuara

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Instituti parashkollor “Gëzimi ynë” është e vetmja çerdhe publike në Fushë Kosovë.

    Mirëpo, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë vlerëson se duhet të ndërtohen edhe disa të tjera, për çka, sipas tyre, kërkesë kanë bërë edhe te niveli qendror.

    “Fushë-Kosova ka rreth 60 mijë banorë me ardhjet e reja dhe është numër shumë i lartë në raport me numrin e çerdheve…”, tha drejtori i arsimit në komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha.

    Por, ditë më parë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, fajin për mosndërtimin e çerdheve të reja ua hodhi komunave.

    “Problem na ka mbetur caktimi i pronave nga komunat…”, tha Nagavci.

    Deklaratën e Nagavcit e ka quajtur të pavërtetë drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha.

    “Jo, ne e kemi ndarë tokën, i kemi plotësuar të gjitha dokumentacionet me afat të caktuar kohor”, tha Berisha.

    Situatë e ngjashme është edhe në komunën e Klinës. Sipas Drejtorisë së Arsimit, parcela është gati.

    “Ne të gjitha i kemi gati, vetëm presim reagimet e Ministrisë, por edhe ato të cilat kanë qenë duke u ndërtuar kanë stagnuar”, tha drejtori i arsimit në komunën e Klinës, Qemajl Sejdija.

    Për t’i shmangur mosdakordimet mes nivelit lokal e qendror, nga Asociacioni i komunave të Kosovës kërkojnë ndryshim te ndarjet financiare dhe sistem më të koordinuar.

    “Fondet nga qeveria për realizim të projekteve të tilla më mirë kishte qenë t’iu ishin bartur drejtpërsëdrejti komunave…”, tha Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    ATV-ja ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit në lidhje me premtimin për ndërtimin e çerdheve publike, por gjatë të martës nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    I vetmi reagim nga Qeveria për këtë çështje është një postim i zëdhënësit të partisë në Pushtet – Arlind Manxhuka. Sipas tij, javën e kaluar u vendosën gurthemelet e çerdheve në Podujevë e në Deçan, ndërkaq të hënën në Prizren.

    Që nga viti 2021 kur u premtuan 160 çerdhe, vetëm 4 prej tyre janë finalizuar, kurse 26 prej tyre janë në proces të punës.

    Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: