ATV

Blog

  • ​FBK dhe FSHB pajtohen për vazhdimin e Ligës Unike në basketboll

    ​FBK dhe FSHB pajtohen për vazhdimin e Ligës Unike në basketboll

    Krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë pritur Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Franko Bushati, i cili sapo është emëruar në këtë pozitë, ndërsa ishte i shoqëruar nga Ersi Oruci, përgjegjës për Ligën Unike në FSHB.

    Bushati dhe Oruci janë pritur në FBK nga numri një i FBK-se, Arben Fetahu, Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku dhe Menaxheri i Përfaqësueseve, Adriatik Rraci.

    Bushati ka një karrierë të pasur sportive, duke qenë basketbollist i Kombëtares shqiptare për shumë vite, si dhe ka luajtur në elitën e basketbollit të Italisë, si dhe në shumë skuadra italiane, ku ka një përvojë të gjatë në basketboll.

    Kryetari i FBK-së Fetahu e ka uruar Bushatin për pozitën e re në FSHB, duke i uruar suksese, si dhe bashkëpunim maksimal në zhvillimin e basketbollit në Shqipëri.

    Krerët e FBK-së dhe Bushati kanë folur për projektet e përbashkëta, me theks të veçantë vazhdimin e projektit të Ligës Unike.

    Të dy palët u dakorduan për fillimin e Ligës Unike për Femrat, ku do të garojnë tri skuadrat më të mira nga Kosova dhe tri më të mirat nga Shqipëria, në bazë të renditjes të edicionit të kaluar. Liga pritet të fillojë në muajin janar të vitit të ardhshëm dhe të përfundojë në fund të marsit me organizimin e Final Four në Kosovë.

    Ndërkohë, Liga Unike për meshkuj do të zhvillohet në formë të turneut të Final 8, me katër skuadrat më të mira nga Kosova e Shqipëria të edicionit të kaluar. Final 8 do të zhvillohet në fund të muajit mars në Shqipëri.

    Kalendari për Ligën Unike për femra dhe meshkuj do të publikohet shumë shpejt.

    Në fund, Bushati ka falënderuar Fetahun dhe Dushkun për mikpritjen dhe i ka përgëzuar për të arriturat e deritanishme, duke ju uruar suksese në vitin 2024, ku FBK ka fituar të drejtën për të organizuar pesë gara ndërkombëtare.

    Në Kosovë verën e ardhshme do të organizohen: FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat, FIBA Kampionatin Evropian U18, Divizioni C, Femrat, FIBA3x3 Europe Cup Prequalifiers, FIBA 3×3 Ëomen’s Series dhe FIBA 3×3 Challenger Prishtina.

  • ​Konkurenca me ChatGPT: Google lanson modelin më të avancuar të inteligjencës artificiale deri më tani

    ​Konkurenca me ChatGPT: Google lanson modelin më të avancuar të inteligjencës artificiale deri më tani

    Google nisi të mërkurën përpjekjen e tij më ambicioze ende për të konkurruar në fushën me rritje të shpejtë të inteligjencës artificiale gjeneruese, duke lançuar një model të AI të njohur si Gemini që është krijuar për të konkurruar me modelet si GPT të OpenAI.

    Shtrirja e ambicieve të Google u pasqyrua në njoftimin e kompanisë, e cila prezantoi Gemini si “modelin më të madh dhe më të aftë të AI” të kompanisë dhe shpalli “epokën e Gemini” që parashikon që modeli i gjigantit të teknologjisë të përdoret në çdo mjedis, nga kompanitë e mëdha deri te pajisjet e konsumatorëve të tilla si Google Pixel 8 Pro.

    Ndryshe nga modelet ekzistuese të inteligjencës artificiale që zakonisht merren me vetëm një lloj kërkese të përdoruesit, të tilla si ekskluzivisht imazhe ose tekst, Gemini u ndërtua për të qenë “multimodal”, tha Google. Kjo do të thotë se pranon hyrje që përfshijnë lloje të shumta mediash, duke kombinuar tekst, imazhe, audio, video dhe kod programimi.

    “Kjo epokë e re e modeleve përfaqëson një nga përpjekjet më të mëdha shkencore dhe inxhinierike që kemi ndërmarrë si kompani,” tha CEO i Google Sundar Pichai në një postim në blog.

    Kompania tha se Gemini 1.0 vjen në tre madhësi të ndryshme: Nano, i cili është i optimizuar për pajisjet mobile dhe zhvilluesit e aplikacioneve; Pro, i cili është modeli i paracaktuar i krijuar për një gamë të gjerë detyrash dhe klientësh; dhe Ultra, modeli më i sofistikuar i inteligjencës artificiale që Google thotë se ka ndërtuar ndonjëherë dhe se ende po i nënshtrohet testimit të sigurisë./CNN/

  • Dështon seanca ndaj Enver Sekiraqës

    Dështon seanca ndaj Enver Sekiraqës

    Seanca e sotme e paraparë të mbahej ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza ka dështuar të mbahet.

    Kjo si shkak i mungesës së avokates, Kosovare Kelmendi.

    Sot ishte planifikuar që të jepej fjala perfundimtare e mbrojtjes. Avokatja është arsyetuar se nuk ka qenë mirë me shëndet.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

  • ​Arrestohet personi i arratisur nga burgu

    ​Arrestohet personi i arratisur nga burgu

    Një person i cili ishte arratisur nga burgu, është arrestuar dje në Gjakovë.

    Policia nuk ka dhënë shumë detaje por i dyshuari ishte arratisur më 23 nëntor.

    Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

  • Ulen me 7.2 për qind eksportet në Kosovë, thellohet deficiti tregtar

    Ulen me 7.2 për qind eksportet në Kosovë, thellohet deficiti tregtar

    Eksportet e mallrave të Kosovës u ulën ndjeshëm këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Në raportin për statistikat e sektorit të jashtëm të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës thuhet se eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 7.2 për qind dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro deri në shtator.

    Ndërsa, sipas BQK-së deri në shtator të këtij viti kishte deficit tregtar në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8 për qind.

    “Bilanci tregtar në mallra deri në shtator të këtij viti kishte deficit në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 7.2% dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro (695.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2.6% duke arritur vlerën 3,935.6 milion euro (3,835.3 milion euro ishte deri në shtator 2022)”, thuhet në raportin e BQK-së.

  • Aksident me fatalitet në Viti, humb jetën një grua

    Aksident me fatalitet në Viti, humb jetën një grua

    Jehona Sylejmani është viktima e radhës në komunikacion. Ajo mbrëmë ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi ka humbur kontrollin mbi veturën që e drejtonte, duke u përplasur frontalisht me një autobus që po lëvizte në kahjen tjetër të rrugës. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor ku nga mjekët është konstatuar se ka ndërruar jetë.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Gërmovë të Vitisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.

    Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i ka shprehur ngushëllime familjes Sylejmani.

    “Me dhembje të thellë pranuam lajmin për humbjen tragjike të Jehona Sylejmanit nga fshati Gërmovë e Vitisë. Në këto çaste të vështira, të pikëllimit ne iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohën atë dhe bashkëndjejmë me ju në këto çaste të pikëllimit”, ka shkruar ai.

  • Sulmuesit e Valon Sylës dënohen me nga 2 vjet burg

    Sulmuesit e Valon Sylës dënohen me nga 2 vjet burg

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vite burgim efektiv (secilin veç e veç).

    Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.

    Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.

    Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve, pasi në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpallje të aktgjykimit.

    Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

    Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.

  • Mbahet tryezë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, merr pjesë edhe Kurti

    Mbahet tryezë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, merr pjesë edhe Kurti

    Instituti për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, do të organizojë sot tryezë diskutimi me përfaqësuesit e institucioneve e organizatave, lidhur me hulumtimin e dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në këtë tryezë do të marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

  • AAK-ja mblidhet sot, diskuton për versionin e draft-statutit për Asociacionin që e pranoi nga BE-ja

    AAK-ja mblidhet sot, diskuton për versionin e draft-statutit për Asociacionin që e pranoi nga BE-ja

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës së sotme do të mbajë mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar për versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pranuar nga Bashkimi Evropian.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari që publikisht ka thënë se e ka parë draft-statutin për Asociacionin, ndonëse dy partitë tjera opozitare e patën mohuar që e kanë parë atë.

    “Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

    Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

  • Hagë, vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Hagë, vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Dëshmitarja Sandra Mitchell do të vazhdojë edhe sot.

    Gjatë dëshmisë së saj në Hagë, ish-zyrtarja e OSBE-së, Sandra Mitchell pretendoi se kishte informacione se policia serbe i detyronte njerëzit apo individë të caktuar që të vishnin uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sandra Mitchell, ish-zyrtare e OSBE-së në Kosovë.

    Më 5 nëntor, janë bërë 3 vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.