ATV

Blog

  • Reagon Sveçla: E kemi rritur 30% buxhetin për Policinë, kush e përdorë situatën për të zbehur angazhimet do të dështojë

    Reagon Sveçla: E kemi rritur 30% buxhetin për Policinë, kush e përdorë situatën për të zbehur angazhimet do të dështojë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës që zhvilluan Njësitet më elitare të Policisë së Kosovës, bashkë me Sindikatën, para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kanë bërë maksimumin që përbrenda mundësive ta trajtojnë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton.

    Sveçla ka thënë se nga marrja e mandatit e kanë rritur buxhetin për Policinë e Kosovës për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja, sipas tij, është prej 300%.

    “Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë. Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë”, ka shkruar Sveçla.

    Sveçla ka thënë se “sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur”.

    Tutje, sipas tij, me marrjen e mandatit nga Qeveria Kurti, Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukture.

    Postimi i plotë:

    Republika e Kosovës ka ekonominë dhe buxhetin me të cilin adreson nevojat e shtetit dhe shoqërisë.

    Me to, me gjithë arritjet e viteve të fundit duhet të mbulohen e trajtohet gjithçka dhe çdokush.

    Ndërkohë që ka shumë kategori shoqërore që edhe brenda tyre, por edhe krahasuar njëra me tjetrën, më parë janë trajtuar në mënyrë jo të barabartë.

    E gjithë përpjekja jonë është që me mundësitë që kemi të ulim pabarazinë edhe brenda profesionit edhe mes profesioneve të ndryshme.

    Në qasjen tonë, paga asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur nga kushtet e tjera të punës që përbëjnë një aspekt esencial të trajtimit të punëtorëve të secilit sektor, ndër këta sigurisht edhe Policia e Kosovës.

    Ritheksoj se për Policinë e Kosovës nga marrja e mandatit tonë deri sot e kemi rritur buxhetin për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300%.

    Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë.

    Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës të gjitha shërbimet shëndetësore në të gjitha rajonet e Kosovës, do të ofrohen për zyrtarët policorë me prioritet dhe pa asnjë pagesë.

    Me marrjen e mandatit nga ne Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

    Si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kemi të mendojmë e përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë.

    Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur.

    Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin.

    Gjatë kësaj kohe së bashku kemi bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, pavarësisht se nga gjyqësori s’është se jemi ndihmuar shumë. Veçanërisht kemi shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në veri të vendit.

    Nuk besoj që ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton.

    Kam qenë shumë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjejmë sigurinë në Republikën e Kosovës dhe gjendjen e mjerueshme në aspektin infrastrukturoro-financiar Policinë e Kosovës, por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë.

    Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurtë të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa.

    Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë.

    Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë.

  • Kurti: Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1000 operacione policore kundër korrupsionit, 4000 persona janë arrestuar

    Kurti: Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1000 operacione policore kundër korrupsionit, 4000 persona janë arrestuar

    Kryeminstri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në d, përmes një videomesazhi i është drejtuar qytetarëve duke i përmendur të arriturat gjatë dy viteve në udhëheqje në këtë drejtim.

    Ai është shprehur i bindur se ka rilindur shpresa për ardhmëri më të mirë në Kosovë, duke thënë se buxheti është rritur për 35% dhe se janë zvogëluar dëmet.

    “Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit. Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”- ka deklaruar Kurti.

    Tutje, ai ka përmendur edhe ngritjen për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International, me të dhënat e mbi 1100 operacioneve policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetëror., si dhe shkatërrimin e 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë.

    Postimi i plotë:
    Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

    2 vite e 9 muaj më parë, kemi filluar rrugëtimin e përbashkët drejt qeverisjes së mirë, luftimit të korrupsionit dhe vendosjes së rendit dhe ligjit.

    2 vite e 9 muaj më parë, kur ka rilindur shpresa për një të ardhme më të mirë, kemi bashkuar forcat që të ngrejmë kulturën e integritetit në institucione, përmirësojmë mirëqenien, fuqizojmë pozitën e gruas në shoqëri dhe ruajmë paranë publike nga keqpërdorimi.

    Jemi zotuar për investime të mençura e projekte zhvillimore. Kemi rritur buxhetin për 35%, kemi zvogëluar dëmet në minimum dhe kemi raportuar krimin e korrupsionin që e kemi gjetur.

    Sot ju drejtohem të gjithëve pa dallim, për të adresuar një çështje të rëndësisë madhore e që ka përcjellë shoqërinë tonë për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin.

    Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit.

    Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit.

    Oligarkët e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike: ata që kanë më shumë mall përcaktojnë drejtimin e anijes. Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare.

    Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë.

    Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë.

    Jemi shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit, sipas World Justice Project. Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit.

    Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake.

    Të dashur qytetarë,

    Drejtësia mund të vonojë por kurrë të ndalohet. Partitë opozitare kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem, thua se nuk ekziston fare Komisioni Parlamentar për Legjislacion. Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet.

    Për realitetin e ri kemi vendosur së bashku 2 vite e 9 muaj më parë.

    Në vazhdim të punës tonë kundër korrupsionit, në vijim do prezantojmë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisë tonë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike. Ju ftoj të gjithëve të na bashkëngjiteni në këtë udhëtim të përbashkët, proces gjithëpërfshirës që për herë të parë, siguron strategji për qytetarin e Republikës e jo për sirtarë të arkivave të Qeverisë. Të bëhemi të gjithë pjesë e rrugëtimit të pashmangshëm drejt së ardhmes më të ndritur.

  • Gazetari Arian Hajdaraj fiton çmimin e parë për foton më të mirë kundër korrupsionit 2023

    Gazetari Arian Hajdaraj fiton çmimin e parë për foton më të mirë kundër korrupsionit 2023

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), edhe këtë vit, për të nëntën herë me radhë, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizoi garën që tregon korrupsionin në Kosovë përmes fotografive më të mira.

    Fitues i këtij edicioni ishte Arian Hajdaraj, i cili përmes fotografisë paraqiti dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit që përfshin disa komuna në vend.

    Ndërsa çmimin e dytë në këtë edicion e ka fituar Adem Lushaj, dhe të tretin Lum Jakupi.

    Albesa Humolli, këshilltare në KDI, tha se këtë vit kjo garë dallon nga vitet e tjera për të treguar se si ndikon korrupsioni në shoqëri.

    “Në fakt janë qytetarët ata që vuajnë pasojat e korrupsionit andaj qytetarët duke shkrepur një fotografi nga fabrika që derdh derivatet në ambientet publike e deri tek rastet komuna që shfrytëzon jashtëligjshëm ambiente tregojnë se si mund të paraqiten rastet. Deponinë e egër, kompaninë që ndot ajrin apo edhe ndërtimet e bëra pa leje. Lufta fillon nga ne duke qenë aktiv për parregullsi qe na rrethojnë”, deklaroi ajo.

    Të interesuar për këtë aktivitet ishin fotografë, përfaqësues të organizatave të ndryshme si dhe qytetarë te thjeshtë te cilët nga afër përcollën ndarjet e çmimeve.

    Qëllimi kryesor i këtij sipas organizuesve vazhdon të jenë lidhja mes korrupsionit edhe mjedisit, përfshirja aktive e qytetarëve dhe vetëdijesimi i tyre për ndryshimet që mund të sjellin ndryshime brenda komunitetit.

  • Lajçak njofton se KEDS-i ka nënshkruar marrëveshje me Elektroseverin

    Lajçak njofton se KEDS-i ka nënshkruar marrëveshje me Elektroseverin

    Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka njoftuar se sot është nënshkruar kontrata komerciale në mes të KEDS-it dhe ELekstroseverit për çështjen e energjisë elektrike.

    Lajcak ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë që është lehtësuar nga BE-ja.

    Gjithashtu emisari sllovak konsideron se është hap i rëndësishëm edhe për rrugën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

    Ai ka uruar të gjithë ata që kanë mundësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

    “E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, ka shkruar Lajcak.

  • Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

    Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Doha të Katarit.

    Bëhet e ditur se Osmani të dielën do të marrë pjesë në Forumin e Dohas, që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor.

    E para e shtetit të premten ishte për vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i saj turk, Recep Tayip Erdogan.

    Ndërsa, përpara Turqisë, Osmani ishte për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mori pjesë në Samitin e Klimës.

  • ​Abdixhiku: Drafti i Asociacionit vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

    ​Abdixhiku: Drafti i Asociacionit vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se me draftin që iu është dorëzuar kësaj partie, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nis me preambulën që i referohet rezolutës 14 44 si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë dhe përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Abdixhiku në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së, tha se kjo parti nuk mund të mbështes asnjë produkt që del jashtë kornizës Kushtetuese, jashtë sistemit tonë unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës.

    Ai shtoi se nga ky këshill pret që të kuptohet se Kosova është në një gjendje të rëndë dhe çdo vonesë e veprimit politik është dëm i pariparueshëm. Sipas tij, sot një javë LDK , ka pranuar draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    “Paraprakisht ka pasur synime që ky draft të jepet vetëm për lexim, e kam konsideruar si ofendim të rëndë që një parti shtetformuese, bartëse e procesit të dialogut nëpër vite të jetë vetëm me memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh dhe t’i jap mbështetje apriori pa e kuptuar atë në thelb, së këndejmi nuk kam pranuar një qasje të tillë, kështu nuk vepron LDK… është i vonshëm dhe na vjen pas afatit të dorëzimit të komenteve për të dhe që ta keni të qartë, LDK nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë proces“, tha ai, duke akuzuar qeverinë se ka qenë e mbyllur para dhe pas dorëzimit të këtij dokumenti.

    Ai theksoi se për dokumentin do të kenë edhe qëndrim politikë si LDK, megjithatë dha disa nga vlerësimet e para për draftin.

    “Më lejoni të shtoj para jush dhe para opinionit publik disa nga vlerësimet e para për këtë dokument. Ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis me preambulën me rezolutën 12 44 si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë e përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e shpalljes së pavarësisë me rezolutën 12 44 në një akt normativ të brendshëm dhe se si e pranojnë që Asociacioni si trup autonomie të mbahej jo brenda Gjykatës Kushtetuese por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet e pakuptimta, ndoshta përgjigjen mund ta gjemë te vet deklaratat e tyre që Kosovën republikë të pavarur e sovrane e shohin veç të përkohshme, por unë besoj që prapa kësaj fatkeqësie mosbesues në një shtet që meriton konfirmimin sot, qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullzim destruktiv që na sjellë gjithnjë në situata edhe më të rënda se paraprake.. në këtë pikë dua ta bëj të qartë se LDK nuk mund të mbështes asnjë produkt që del jashtë kornizës Kushtetuese, jashtë sistemit tonë unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës. Këtë qëndrim e kemi shpalosur deri tani në çdo paraqitje tonën dhe nuk përtej këtij qëndrimi nuk mund të kapërcejmë”, tha ai duke shtuar se autonomia derivon nga marrëveshja e Ohrit, të cilën theksoi se e ka kundërshtuar LDK.

    Abdixhiku u ndal edhe te gjendja ekonomike, ku kritikoi qeverinë aktuale.

    “Qeveria popullsitë ka shndërruar menaxhimin ekonomik në një transakcion financiar ku paratë shpërndahen pa ndonjë efekt afatgjatë. Ky transaksion i thjesht financiar ka prodhuar pasivitetin më të madh investues në vend. Një qeveri që nuk arrin më shumë se 29 % të buxhetit për investime kapitale në vend, pra atij që ka planifikuar e ne nuk po themi që është ku ta di çfarë planifikimi, pra një qeveri që në planin e vet nuk realizon më shumë se 29 %, është thjesht në dorëzim. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët e Kosovës, prandaj njerëzit tanë po e braktisin vendin e vet “, tha ai.

    I pari i LDK-së u tha anëtarëve të këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, se do të mbahen mend si gjenerata që ri-ngriti LDK-në kur askush nuk besonte.

    “Natyrisht në këtë rrugëtim do të ketë edhe cinik që përçmojnë çdo punë tuajën dhe do të ketë ankues që nuk mjaftohen kurrë por vet nuk bëjnë asnjë punë, janë të mirë, tregojnë çfarë duhet bërë por vet s’bëjnë gjë. Ajo çka kam kuptuar gjatë kësaj kohe, është se marrja me ta është vetëm humbje kohe dhe ne kohë për të humbur nuk kemi më“, tha ai.

  • NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë protestojnë para qeverisë

    NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë protestojnë para qeverisë

    Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar të shtunën para qeverisë.

    NjSI-ja dhe Sindikata janë duke protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera. Protesta e parë e NjSI është mbajtur më 1 nëntor para objektit të Qeverisë së Kosovës. Përndryshe në protestën e parë, policët elitarë kishin paralajmëruar se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre.

    Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

    Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

  • Tre të vdekur nga zjarri në një spital në Itali

    Tre të vdekur nga zjarri në një spital në Itali

    Tre njerëz të moshuar kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një spital gjatë natës në qytetin Tivoli, në afërsi të Romës, raportuan mediet italiane të shtunën.

    Një trup tjetër i pajetë u gjet në morg të spitalit që u kaplua nga flaka, San Giovanni Evangelista, por ajo viktimë besohet të ketë vdekur para së të shpërthente zjarri rreth orës 23:00 të premten, raportoi agjencia e lajmeve e Italisë, Ansa.

    Brigada e zjarrfikësve ia doli t’i largojë rreth 200 njerëz nga ndërtesa e spitalit, përfshirë një grua shtatzënë dhe shumë fëmijë.

    Të evokuarit u dërguan në spitale të tjera në pjesë të Romës për mjekim.

    Të vdekurit – dy burra dhe një grua – ishin të moshës mes 76 dhe 86 vjeçe, sipas medieve lokale.

    Brigada e zjarrfikësve njoftoi se e ka shkuar plotësisht zjarrin dhe se ka nisur një hetim për ta mësuar shkaktarin e tij.

  • Akuzohej se falsifikoi 126 vota në zgjedhje, lirohet nga akuza

    Akuzohej se falsifikoi 126 vota në zgjedhje, lirohet nga akuza

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Besmir Mustafa, i cili po akuzohet për falsifikimi të rezultateve të votimit.

    Mustafa në cilësinë e kryesuesit të komisionit zgjedhor në fshatin Celinë, Komuna Rahovec, ngarkohet se kishte regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Mustafa u shpall të premten, nga gjykatësi Ilir Rashkaj.

    Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Mustafa lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

    Sipas aktakuzës së përpiluar në nëntor të vitit 2022, Prokuroria Themelore në Gjakovë e ngarkonte Besmir Mustafen se pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00/h, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjes ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

    Në aktakuzë thuhej se i pandehuri ditën kritike, ishte i autorizuar nga KQZ si kryesues i komisionit zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën filllore “Faik Konica” në fshatin Celinë, Komuna Rahovec.

    Tutje sipas aktakuzës thuhet se pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të kandidatëve si dhe pas rinumërimit të votave në kundërshtim me nenin 102 paragrafi 2 te Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë votat e kandidatëve, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, me ç’rast me gjithsej 126 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

    Me këtë Mustafa ngarkohej se ka kryer veprën penale “falsifikimi i rezultateve te votimit:” nga neni 216 paragrafi 1 i Kodit Penal.

  • Një burrë në Gjakovë dyshohet se në gjendje të dehur plagosi veten me armë zjarri

    Një burrë në Gjakovë dyshohet se në gjendje të dehur plagosi veten me armë zjarri

    Një person në gjendje të dehur, dyshohet se ka plagosur vetën me armë zjarri.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku në vendin e ngjarjes janë konfiskuar dy pistoleta dhe katër fishekë.

    Pas tretmanit mjekësor i dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit ai është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.